Site icon Gazeta Nacional Albania

“FJALORI I GJUHËS SHQIPE” I ALBANOLOGUT MEHMET ELEZI. Nga Xhavit Hasanpapaj, New Yrok

Po të isha gazetar, do të kisha shkruar me kohë një shkrim të veçantë për gazetarin, analistin, poetin, shkrimtarin, diplomatin, studiuesin dhe përkrahësin e studentëve të Dhjetorit ’90 dhe të Dhjetorit sot, z. Mehmet Elezi.
Jo sepse ai ka nevojë për lavdërime nga gazetarët – puna e tij flet vetë – por për të treguar se vlerat janë ato që mbeten dhe, sa më shumë kalon koha, aq më shumë ato marrin vendin që meritojnë.
Pse gazetari sheh apo nuk sheh larg…? Po të kishte realizëm, shumë do të dëshironin të ishin në vendin e tij, e do të rrihnin gjoksin si “demokratët e parë”. Por shumë të tjerë nuk do ta kishin bërë kurrë atë që bëri ai. Në një shkrim (nuk më kujtohet autori) kam lexuar se z. Elezi e kishte kuptuar fundin e sistemit komunist dhe për këtë arsye kishte kërkuar pluralizëm politik që në atë kohë. Dhe kjo nuk ka qenë aspak e lehtë…
Të parit e së ardhmes dhe reagimi me guxim për ndryshim, veçanërisht kur je pjesë e sistemit, kërkon një kurajo të jashtëzakonshme. Ai mund të kishte zgjedhur të heshtte e të vuante nga brenda humbjes, por zgjodhi guximin dhe ndryshimin – pa marrë parasysh pasojat. Drejtonte rininë në atë kohë (dihet), dhe rinia ka gjithmonë prirjen drejt së resë. Idealet dhe motivet realiste të të rinjve, me të cilët ai ishte gjithmonë në kontakt, ndoshta e ndikuan edhe atë – përveç shumë faktorëve të tjerë.
Edhe në vitet e mëvonshme, Mehmet Elezi ka ruajtur një balancë politike dhe shoqërore për t’u admiruar, gjithmonë në krah të së drejtës, të progresit, të punës dhe një krijimtarie të jashtëzakonshme: poezi, prozë, romane, shkrime dhe studime të veçanta – të gjitha me vlerë, deri te “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, i vetmi dhe më i madhi i këtij lloji deri më sot në Shqipëri.
Ndërkohë, dikush tjetër që vetëm ka sharë, ka brohoritur, ka gënjyer dhe vjedhur, që nuk ka bërë asgjë me vlerë dhe nuk do të mundet asnjëherë të bëjë, shpallet si “njeriu i kohës”, “demokrat i kulluar”, “intelektual”, apo “politikan”. Për të flitet e flitet pa mbarim… Të tjerë, që s’kanë bërë gjë tjetër veçse kanë sharë Veriun apo Berishën, shpallen si “Rilindas të vërtetë” që “i duhen” këtij vendi. Dhe kështu me radhë…
Në të gjitha mediat, studiot, emisionet, gazetat, sot vlerat janë mbuluar nga llumi. Shoqëria e ka të vështirë të dallojë të vërtetën. Shkëlqejnë llamarinat, ndërsa vlerat mbeten në hije apo në harresë.
Ka ardhur koha të kapemi pas vlerave dhe jo pas zhurmave, flluskave apo pas dhjetëra grupimeve pa vlerë që fryjnë njëra-tjetrën me radhë. Duhet të vlerësojmë dhe të diferencojmë, jo thjesht të jemi turmë dhe zhurmë e kohës, apo të bëhemi kukë tupani për çdo tupan që bie!
Mediat, studiot, analistët, gazetat, flasin, diskutojnë dhe rrotullohen për të zbuluar “vlerat e zeros”. Dhe pas gjithë atyre fjalëve e lavdërimeve, përsëri kemi marrë një zero të madhe. Shpesh nëpër studio flitet për “vlera e vlera”, por në të vërtetë rrihet ujë në havan – dhe sërish kemi marrë ujë, jo tlyn (gjalp).
Këto i shoh si probleme shoqërore, jo si personale të askujt. Mendoj se ka kohë që media, dhe gazetaria në veçanti, si edhe e gjithë shoqëria, po merret vetëm me krundet dhe ka harruar se na duhet mielli!
Unë thjesht kam shkruar çfarë mendoj, si edhe herë të tjera – jo për t’i pëlqyer apo për të mos i pëlqyer dikujt.
(Xh. H.)

Exit mobile version