Flet për gazetën “Nacional” doktori i shkencave psikologjike Skënder Demaliaj, autor i 20 librave studimorë
Intervistoi: Dr. Mujë Buçpapaj
Pyetje: Zoti Demaliaj! Para pak ditësh në një veprimtari në Tirana International Hotel, në formë ekspozeje promovuat 20 libra që keni botuar ndër vite. Suksese!
Përgjigje: Faleminderit për urimin dhe intervistën!
Pyetje: Si ju shkoi kjo veprimtari?
Përgjigje: Mbeta shumë i kënaqur, por edhe i befasuar nga pjesëmarrja e madhe dhe vlerësimet që mora nga kolegë, studiues e studentët e mi. Dua ta falenderoj biznesmenin bytyças Ramë Geci për komoditetin që më krijoi: një sallë e bukur, funksionale e standardeve bashkëkohore për veprimtari të tilla, me një foni të shkëlqyer. Të gjitha falas, pa asnjë lekë. Më ka sponsorizuar edhe disa libra. Një njeri dashamirës për librin, kulturën dhe bashkëqytetarët e tij. Diskutuan: Prof. Dr. Lekë Sokoli, President i Institutit Shqiptar të Sociologjisë, Prof. Dr. Ylljet Aliçkaj, Përgjegjës i departamentit të Edukimit dhe Komunikimit në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, shkrimtar, skenarist, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë, Asc. Prof. Dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, Mjeshtër i Madh, Nderi i Kombit, Nora Malaj, ish-deputete dhe ish-zëvëndësministre e Arsimit, kolege e imja, Dr. Ilir Aliaj pedagog në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, Ibrahim Hamza, ish-nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, historiani dhe studiuesi Sali Onuzi, Dr. Mark Palnikaj etj.
Pyetje: Si u ndjetë nga kjo atmosferë?
Përgjigje: E pyeti dikush Euripidin: “Çfarë mendimi keni për lumturinë?” Ai u përgjigj: “Ata që kërkojnë të jenë të lumtur dihet të lodhen në jetë. Kjo është e vetmja recetë e lumturisë”. Edhe unë jam lodhur në rrugëtimin tim drejt dijes, por kjo më ka bërë vërtet të lumtur dhe atë ditë u ndjeva më shumë se çdo herë.
Pyetje: Cila është tematika e këtyre librave?
Përgjigje: Librat e mi trajtojnë probleme të psikologjisë, pedagogjisë, didaktikës, sociologjisë, historisë, etnografisë dhe folklorit. Bytyçi dhe Kosova zënë një vend të rëndësishëm në kolanën e librave të mi.
Unë kam mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi, specializim pasuniversitar për psikologji-pedagogji dhe filozofi, jam Doktor i Shkencave Psikologjike. Kam dhënë mësim në gjimnaze dhe Universitete. Kam qenë drejtues në këto institucione në Tropojë, në Tiranë dhe përgjegjës i Departamentit. Kam drejtuar kualifikimin e mësuesve në Tropojë dhe në shkallë kombëtare, kam qenë pjesë e projekteve për adoleshentët dhe problemet sociale.
Ky arsimim dhe kjo përvojë pune më kanë ndihmuar në analizën dhe këndvështrimet e mia për një tematikë gjithëpërfshirëse. Kam lexuar me mijëra libra nga fusha të ndryshme, kam parë me mijëra dokumenta në Arkivin e Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, të asaj të Jashtme, të Ushtrisë, të Institutit të Historisë, të KQPPSH-së dhe në Kosovë. Këto kanë qenë lënda e parë e studimeve dhe e botimeve të mia. Librat e mi nuk janë me shumë faqe, fjala është e zgjedhur dhe konçize dhe janë të ndërtuara mbi një metodikë shkencore rigoroze bashkëkohore. Fillimisht kam botuar në revista shkencore. Më vonë mbështetur në këta artikuj, në tezat e tyre më ka lindur ideja për të bërë një libër. I kam hyrë punës dhe e kam përfunduar me sukses. Kështu më ka ndodhur me librat: “Kthimi i shqiptarëve në trojet e tyre mijëvjeçare në verën e vitit 1999”, monografia për Shaban Haxhinë dhe “Kur politika bëhet nga rruga, nuk ka vend për intelektualët”. Po kështu para botimit të librit për adoleshentët kam botuar disa artikuj shkencorë ne Revistën pedagogjike, ose për librat për Kosovën dhe Bytyçin kam botuar artikuj shkencorë në revistat Kosova, Gjeopolitika, Kultura popullore, Gjurmime albanologjike etj.
E di çfarë më tha një miku im…. Ti Skënder ke lexuar shumë, e ke tejkaluar planin. Tani që botove gjithë këto libra, besoj se lexon më pak. I tregova për Nikolai Rubinshtein, pjanistin e famshëm rus. Kur dikush e pyeti: “Tani që arrite kulmin e artit a vazhdon të studiosh?” Ai ju përgjigj: “Po të rrija një ditë pa studiuar, do ta kuptoja vetë. Në rast se do të rrija dy ditë, do ta kuptoje edhe ti. Në rast se do të rrija tri ditë, do ta merrte vesh i tërë publiku.” Leximi është pjesë e jetës sime. Çdo ditë lexoj tri orë dhe më vjen keq që ka rënë dëshira për leximin tek të rinjtë sot. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë rolin e leximit në formimin e personalitetit të njeriut.
Pyetje: 20 libra janë një arritje e madhe, kërkohet shumë punë. Si e keni përballuar ju dhe cilat do të veçoni si më të rëndësishmet?
Përgjigje: Suksesi është gjithmonë bir i guximit. Edhe unë kur botova librin e parë “Masakra e Gjilanit” nuk e mendoja se do të botoja kaq shpejt gjithë këto libra. Guxova, punova dhe e arrita suksesin. Sipas njerëzve të mëdhenj: “Sa do të mendosh, po nuk veprove nuk mund të largosh edhe një gur nga rruga”, “Jetova aq sa punova”, “Rrojmë me punë, jo me vite”, “Puna për njerëzit është një thesar”, “Është e madhe një punë që frymëzohet nga një qëllim i madh”. Këto vlerësime kanë qenë lajtmotivi i punës sime.
Ka një metodikë të përcaktuar në përgatitjen e njjë libri. Fillimisht përcaktohet titulli i librit, pastaj grumbullohen materialet e nevojshme: rezultatet e anketimeve, literatura që do të përdoret, përfundimet që do të arrihen. Unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj me skeda. Kjo dhe kompjuteri më kanë ndihmuar në përshpejtimin e punëve dhe më kanë kursyer kohën. Falë teknologjisë së ditëve të sotme të krijohen mundësi të mëdha. Unë kam treguar kujdes edhe në zgjedhjen e redaktorëve e të reçensentëve, ku mund të përmend: Akademik Mark Tirtën, Hakif Bajramin, Profesorët Lekë Sokoli, Ylljet Aliçka, Bashkim Lusha, Prof. Asc. Dr. Shefqet Hoxha, shkrimtari dhe studiuesi Ahmet Qeriqi, publicisti Halil Katana, historiani Sali Onuzi, Stavri Kristo, Dr. Ilir Aliaj e Sadri Ramabaja. Gjithmonë jam konsultuar me ekspertë të fushave të ndryshme në varësi të tematikave. Redaktimi, korrektimi, faqosja të marrin kohë dhe janë shumë të rëndësishme. Në këtë drejtim kam patur edhe ndihmën e pakursyer të bshkëshortes sime, e cila është pjesë e botimeve të mia. Me këtë rast e falenderoj. Dua të falenderoj edhe botuesit: Gjon Jaku, Kadri Hyka, Rita Filipi, drejtorin e gazetës Intervista Artan Kristo për botimet në kohë, me cilësi dhe çmime favorizuese.
Çdo libër i imi ka vlerën dhe rëndësinë e tij. Siç e theksova edhe më sipër libri i parë që kam botuar është “Masakra e Gjilanit” mbi bazën e kujtimeve të xhaxhait tim, Shaban Haxhia, i cili ka qenë komandant i Brigadës së Shtatë të Kosovës. Këto kujtime i gjeta në shtëpinë e tij pas vdekjes. I lexova me një frymë. Vura re se në këto fletë nuk kishte vazhdimësi, pra kishte fletë të humbura. Unë e botova mbi bazën e materialit ekzistues, por mendja më rrinte se ku mund ta gjeja pjesën tjetër të materialit. Hyra në disa arkiva dhe pas një pune intensive, këmbëngulëse, hulumtuese e gjeta në vitin 2013 në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. E kam botuar të plotë në monografinë për Shaban Haxhinë, në vitin 2024, të cilën e promovova në Gjakovë, më 9 nëntor 2024, në kuadër të 80 vjetorit të çlirimit të Gjakovës dhe krijimit të Brigadës së Shtatë të Kosovës. Libri u prit me entuziazëm në Kosovë. Kjo më nxiti për të filluar nga puna për të botuar një monografi vetëm për Brigadën e Shtatë të Kosovës. Ky libër, si dhe ai “Këndvështrime të reja, vizion i ri në punën me adoleshentët” janë librat më të rëndësishëm dhe më të suksesshëm, janë librat e jetës sime, pa i nënvlerësuar librat e tjerë. Për këto dy monografi kam punuar me vite të tëra. Këto sjellin dokumenta të reja për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare në Malësi të Gjakovës dhe në Kosovë, kurse libri për adoleshentët është i një rëndësie të veçantë për atë çfarë po ndodh sot me adoleshentët.
Librat “Kthimi i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëvjeçare në verën e vitit 1999”, “Doktrina putiniste dhe Kosova”, “Studime për Kososvën”, “Pëmbledhje studimesh” dhe librin për Akademik Fehmi Aganin i kam botuar brenda dy viteve. Kur unë botova librin “Kthimi i shqiptarëve….” në vitin 2021, bëra një intervistë në TVSH dhe gazetarja më pyeti: “A do të botoni libra të tjerë për Kosovën, apo ky është libri i fundit?” Iu përgjigja: “Do të botoj”. As vetë atëherë nuk e besoja se për dy vite do të botoja plot katër libra të tjera me temën e Kosovës.
Kosova ka qenë gjithmonë pjesë e vetëdijes sime kombëtare, jam rritur me dashurinë dhe dhimbjen për Kosovën. Malësia e Gjakovës (nuk e kuptoj pse nuk quhet kështu si Njësi Administrative, por Tropoja) ka pasur lidhje historike, ekonomike, tregtare, psikologjike, etnografike, bilogjike me Gjakovën, me Kosovën, ka qenë zgjatim i saj.
Sa herë është dhënë kushtrimi për të mbrojtur Kosovën, malësorën në 7 e 70 kanë marrë pushkët dhe pa iu dhimbsur jeta, kanë shkuar në ndihmë të saj. Kështu ka ndodhur, më 1878 me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me Kryengritjet e Mëdha të viteve 1910-1912 kundër pushtuesit turk, gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 1998-1999. Të parët që sulmuan në Betejën e Koshares janë djemtë e Malësisë së Gjakovës, ku shumë prej tyre dhanë jetën. Kjo Betejë i dha fund mitit të pathyeshmërisë së ushtrisë serbe dhe krijoi një zonë të lirë, të rëndësishme, strategjike për UÇK-në dhe NATO-n. Serbët nuk mundën të ktheheshin më atje.
Pyetje: Ju keni botime edhe për Krahinën tuaj, Bytyçin. Ç’ndjesi ju ka sjellë kjo dhe si ndiheni pas botimit të këtyre librave?
Përgjigje: Vendlindjes të gjithë i kemi borxh, aq më tepër unë Bytyçit tim me njerëz të mrekullueshëm, bujarë, fisnikë, punëtorë dhe atdhetarë, të sojshëm, siç thonë për ta në Malësi të Gjakovës dhe me një histori të lavdishme. Bytyçin e dua se është i imi, jam gjaku i tij. Kur duam vendlindjen e duam edhe Atdheun, i cili nuk është thjesht në hartë, por në zemër. Bytyçasit nuk janë mburracakë, janë të urtë e të durueshëm, në harmoni me njëri-tjetrin. Në Zogaj ka mbi 100 vjet që nuk ka asnjë vrasje. Flasin pak, por kur duhet e si duhet. Nderi dhe thjeshtësia – janë dy cilësi të lidhura pazgjidhshmërisht. Po mungoi njëra, mungon edhe tjetra. Këto cilësi i karakterizojnë bytyçasit dhe kanë ndikuar fuqishëm edhe në formimin e personalitetit tim.
Bytyçi është djegur tri herë nga pushtuesi serb e gjerman. Në Ukshaj të Zherkës, 33 vetë: fëmijë, gra, burra dhe pleq u vranë nga serbët brenda pak orëve. Një familje u ekzekutua në Stobërtë në verë të vitit 1944 nga gjermanët. Djepi i vogëlushes tri javëshe, Hasimes mori 13 plumba. Në Zogaj u ekzekutua dhe u dogj familja e Musli Mehmetit. Bytyçi është vendlindja e Shaban Haxhisë, organizatorit, drejtuesit dhe udhëheqësit ushtarak të LANÇ në Malësi të Gjakovës, delegat, firmëtar në Konferencën e Bujanit, Komandant i Brigadës së Shtatë të Kosovës me 17 mijë luftëtarë. Janë dy Heronj të Punës: Shaban Rexha e Bajram Hajdari. Dëshmori Murat Paci është mbledhësi i parë i folklorit në Malësinë e Gjakovës, por edhe leksikografi i parë. Këngët e tij, të mbledhura në vitin 1935 janë sot në Arkivin e Harëardit. Folklori në këtë zonë është i pasur. Ka këngë për heroizmin e bytyçasve, këngë erotike nga më të bukurat, këngë për Bjeshkën e Sylbicës. Vallja e Bytyçit është e njohur në gjithë Shqipërinë. Valltari Hazir Rustemi është emblema e kërcimit të burrave në shkallë vendi, instrumentisti Ali Mula është pjesë e trashëgimnisë muzikore më të mirë të Malësisë së Gjakovës e të Shqipërisë. Bytyçi ka Kanun të veçantë për Bjeshkën, një rast unik në gjithë Shqipërinë. Të gjitha nenet që përmban ky Kanun, kodifikimin e tij në aspektin juridik e kam botuar në librin “Kanuni i Bjeshkës së Sylbicës”.
Nga Krahina e Bytyçit është edhe Ibrahim Hamza, përfaqësuesi më i lartë politik i saj, drejtuesi kryesor në Hidrocentralin e Fierzës dhe në Pukë. Këto ngjarje, këto personalitete më kanë frymëzuar dhe kam shkruar me realizëm dhe me shumë dashuri. E kaluara nuk duhet harruar. Vlerat dhe kontributet e njerëzve të Bytyçit duhen vlerësuar dhe përjetësuar.
Prej mëse 60 vitesh gazetari, Ibrahim Hajdarmataj ka pasqyruar në shtypin e ditës dhe në media vlerat më të mira të bytyçasve. Të gjithë ne e quajmë: “Gazetari i Bytyçit”. Edhe ju në gazetën “Nacional” keni promovuar vlerat kulturore dhe letrare të bytyçasve. Edhe mua më keni botuar disa shkrime dhe intervista.
Pyetje: Ju keni botuar edhe libra për didaktikën. Sa kanë ndikuar këto në rritjen e cilësisë në procesin mësimor në shkollat e mesme, ku ju keni dhënë mësim fillimisht dhe në shkollën e lartë ku ligjëroni sot?
Përgjigje: Librat e mi: “Poem kosovar në pendën e Mitrush Kutelit”, “Poezi për gjuhën shqipe” (komente) janë përdorur si tekste shtesë për gjimnazistët dhe kanë ndihmuar në përgatitjen e gjimnazistëve për provimin në lëndën e letërsisë. Libri “Mësimdhënia e të menduarit në letërsi – element i rëndësishëm didaktik për të realizuar të nxënit aktiv” është përdorur si literaturë bazë për lëndën “Didaktikë e letërsisë” në shkollat e larta në Kosovë. Është edhe monografia: “Këndvështrime të reja, vizion i ri në punën me adoleshentët” me theks socialpsikologjik dhe socialpedagogjik. Një manual për punën e mësuesve, prindërve dhe drejtuesve të shkollave të mesme, sesi duhet punuar me ta, çfarë vështirësish ka? Si ka ndryshuar kjo moshë në varësi të zhvillimeve të vrullshme politike, ekonomike, psikologjike, teknologjike, sociale dhe globale? Adoleshentët sot kanë një përshpejtim fiziologjik, psikologjik dhe seksual. Pikërisht këtë nuk e kanë parasysh sot shkolla, familja dhe institucionet shtetërore që punojnë me adoleshentët. Kjo krijon mosmarrëveshje, konflikte midis palëve dhe është pengesë serioze për zhvillimin e plotë e dinamik të personalitetit të tyre. Me keqardhje e them se vazhdohet të punohet me metoda të prapambetura nga shkolla e familja. Nga kjo e kanë burimin edhe sjelljet devijante të tyre: rritja e dhunës, mungesa e respektit për prindërit e mësuesit, rënia e dëshirës për të mësuar, dembelizmi etj.
Ndihet nevoja për një formim psikologjik dhe pedagogjik të mësuesve, pse jo edhe të prindërve, duke botuar më shumë në këtë drejtim e duke rritur kërkesat për kualifikimin e tyre të brendshëm. Edhe mediat kanë përgjegjësinë e tyre. Shoh të dalin në ekranet e televizioneve e të flasin për adoleshentët persona që nuk kanë botuar një shkrim e jo më një libër për adoleshentët. Emisionet, filmat, spektaklet jo vetëm që nuk ndihmojnë në edukimin e tyre, por shpesh keqedukojnë. Kontributi im për çfarë parashtrova më sipër ka të bëjë me botimin e disa librave me këtë temë. Sikur të gjithë ata që merren me adoleshentët të shkruajnë nga një libër, do të bëhen shumë. Populli thotë se gurë-gurë bëhet mur. Njerëzit nuk jetojnë së bashku thjesht për të qenë së bashku. Ata jetojnë së bashku për të bërë diçka së bashku.
Pyetje: Me siguri vazhdoni të shkruani… Çfarë librash të tjera presin lexuesit në të ardhmen?
Përgjigje: Dëgjoj njerëz që ankohen se nuk kanë kohë për të lexuar, aq më tepër për të shkruar. Asnjëherë nuk do të gjesh kohë për diçka, nëse nuk do që të gjesh kohë. Erich Fromm thoshte se njeriu mund të jetë i sigurtë në vetevete nëse i përmbush ato që kanë pritur të tjerët prej tij. Them se i kam përmbushur dhe nuk është mburje të them se i kam tejkaluar. Pak kush ata ditë në atë sallë, ditën e promovimit e dinte se i kam botuar 20 libra. Të jesh i lumtur do të thotë i mjaftueshëm në vetvete. Unë ndihem i lumtur. Nuk i kam pranuar as nuk do t’i pranoj lajkat e të tjerëve, sepse ata që i pranojnë janë më fajtorë se ata që i bëjnë.
Para dy viteve unë dhe kushëriri im, këngëtari Gentjan Demaliaj u shpallëm “Qytetar Nderi” në Bashkinë e Tropojës. Një gazetar i vjetër nga Tropoja dërgoi një kronikë për organizimin e ceremonisë nga Bashkia e Tropojës në një gazetë që promovon vlerat e Tropojës. Nuk u botua dhe përgjigja ishte: “E kemi shumë të ngarkuar gazetën….”. Zemërkeqësia dhe cmira arriti deri aty sa u artikulua shprehja: “Po pse dy veta nga e njëjta familje?!…” Sipas tyre titujt, dekoratat nuk duhet të jepen mbi bazën e vlerësimeve dhe meritave, por të ketë një shpërndarje të tillë, ku të përfshihen fiset, vllaznitë, shokët dhe miqtë në mënyrë proporcionale. Kur nuk promovon vlerat e njerëve të tu, që janë krenaria e zonës dhe e Krahinës, kë promovon dhe çfarë shkruan në faqet e gazetës tënde?!…
Planet e mia për të ardhmen janë: do të vazhdoj me kolanën e librave për adoleshentët, për Bytyçin, për Kosovën. Do të shkruaj një libër për Psikoanalizën e historisë së shqiptarëve, i pari i këtij lloji në vendin tonë. Gjithashtu po punoj për librin “Didaktikë e letërsisë”. Në rrugë e sipër do të dalin edhe botime të tjera.
Pyetje: Siç e theksuam edhe më lart, ju keni punuar dhe botuar në gjithë këto vite pa pushim. A keni marrë vlerësimin e merituar?
Përgjigje: Jam dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Tretë dhe në 10 vjetorin e themelimit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, kam marrë titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Tropojës, kam marrë çmimin e ekselencës “Fehmi Agani” për botimet në fushën sociale dhe titullin “Ambasador i Paqes” etj.
Nuk kanë rëndësi postet, çmimet apo titujt që merr. Kur librat, shkrimet dhe artikujt e tu lexohen me dëshirë, hyjnë në shkolla, në shtëpitë e njerëzve, citohen nga studiuesit, bëhen pjesë e formimit të njerëzve dhe ata të përgëzojnë dhe e kërkojnë librin edhe me autograf ndjen kënaqësi dhe krenari. Unë nga viti 1999-2007 kisha çdo të shtunë rubrikën “Bashkëbisedim me psikologun” në gazetën “Intervista”, e cila kishte një tirazh të paimagjinueshëm – 30 mijë kopje. Më ka ndodhur që të rrinj e të reja kur takohesha rastësisht me ta në rrugë, pa i takuar dhe biseduar më parë i thoshin njëri-tjetrit: “Ky është ai i rubrikës “Bashkëbisedim me psikologun”. Më vështronin, më shikonin me admirim, me mirënjohje dhe më buzëqeshnin. Kam marrë mesazhe urimi në ditë festash e në vazhdimësi nga qindra të rinj. Kjo më bënte shumë të lumtur. Mbi bazën e këtyre rubrikave botova më vonë dy libra: “164 pyetje për dashurinë” dhe “Dashuria pret…”