Gazeta Nacional Albania

Flet për gazetën Nacional shkrimtarja bestseller britanike Carole Matthews.Intervistoi: Irma Kurti

TË SHKRUASH NUK ËSHTË KURRË HUMBJE KOHE

I shfletoj përsëri librat e shkruara më parë dhe, megjithëse jam krenare për çfarë ata kanë arritur dhe për faktin që shumë nga lexuesit e mi ende i duan, tani do t’i shkruaja krejtësisht ndryshe

Intervistoi: Irma Kurti

Carole Matthews është autore e suksesshme britanike e njohur për sensin e saj të humorit dhe komeditë romantike. Ka shitur mbi 6.8 milionë libra në mbarë botën, të botuara në më shumë se 31 shtete. Disa prej tyre janë bërë filma të Hollivudit. Me humorin e saj të jashtëzakonshëm ka bërë për vete kritikët dhe miliona fansa dhe është shpesh e ftuar në transmetimet në radio dhe televizion. Në kohën e lirë, kur nuk shkruan romane apo skenarë, i pëlqen të ecë, të bëjë patinazh, të pijë çaj dhe të çlodhet në kopshtin e saj në Milton Keynes, Buckinghamshire. Në vitin 2011, Matthews u përfshi në Festivalin e Sallës së Famës për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në shkrimin e romaneve romantike.

Përshëndetje Carole, ju falenderoj që pranuat të bëni këtë intervistë për gazetën shqiptare “Nacional”. Duke qenë se ju jeni një nga shkrimtaret e mia të preferuara, më lejoni t’ju them se ndihem njëkohësisht e emocionuar dhe e lumtur për këtë bisedë.
Ju jeni një autore mjaft e njohur dhe e suksesshme, me miliona libra të shitura në mbarë botën. Cili është çelësi i suksesit tuaj?

Mendoj se shumë lexues e gjejnë veten në librat e mi. Ata trajtojnë me një sens humori dukuri me të cilat përballet çdo grua në jetën e përditshme. Kjo është çfarë i bën tërheqës. Një lexues e di se ç’do të gjejë kur merr në duar një nga librat e mi – një lexim zbavitës, të këndshëm, por edhe me ndonjë problematikë lidhur me çeshtje sentimentale.

Në vitin 2021 ju u shpallët fituese e Çmimit të Romanit në zhanrin e komedisë romantike nga Shoqata e Romancierëve Romantikë me veprën “Ditë me diell dhe fllade deti”. Ç’është ky vlerësim për ju?

Marrja e këtij vlerësimi ishte një lajm vërtet i bukur. Unë kam qenë e nominuar shumë herë për të, por deri atëherë nuk kisha fituar. Ishte një lloj lehtësimi që më në fund dëgjova të citohej emri im! Është gjithmonë e këndshme të njihesh dhe vlerësohesh nga kolegët e tu, por akoma më mirë kur lexuesit të thonë se i duan librat e tu.

Kaluam një kohë të vështirë për shkak të pandemisë. Si ishte ajo periudhë për ju? Keni shkruar më shumë apo ishte kohë për të reflektuar?

Pa dyshim ishte një periudhë reflektimi për mua. Ndërkaq, kisha një afat për të përmbushur, kështu që shkrova deri në korrik të vitit 2020, por më pas i qëndrova larg kompjuterit dhe iu dedikova kopshtit së shtëpisë për herë të parë pas shumë vitesh. Nuk mundesha dot as të lexoja, pasi nuk arrija të përqendrohesha. Pas pandemisë, ka ndryshuar së tepërmi mënyra sesi unë i shoh apo i bëj gjërat. Kalova një periudhë relativisht të lehtë të izolimit nga pandemia; por së fundmi u sëmura me Covid dhe nuk u ndjeva aspak mirë. Përjetimi i situatave të tilla i ka ndryshuar njerëzit nga shumë pikëpamje.

Që nga libri i parë “Takohemi në Platformën Tetë” deri tek i fundit “Krishtlindje për fillestarët”… çfarë ka ndryshuar në stilin tuaj të të shkruarit?

Ka një hapësirë prej njëzet e pesë vitesh midis librit tim të parë dhe të fundit dhe shpresoj, gjatë kësaj kohe, që të shkruarit të jetë përmirësuar! Pas librave të parë, kisha më tepër besim tek vetja sesi të ndërthurja subjektin apo të krijoja personazhet. I shfletoj përsëri librat e shkruara më parë dhe, megjithëse jam krenare për çfarë ata kanë arritur dhe për faktin që shumë nga lexuesit e mi ende i duan, tani ndoshta do t’i shkruaja krejtësisht ndryshe.

Kur e kuptuat se të shkruarit do të bëhej pjesë e pandashme e jetës suaj?
Vetëm kur më ofruan kontratën e parë të librit. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kalova nga të mosqenurit shkrimtare në nënshkrimin e një kontrate për dy libra. Ndërkohë, kisha botuar pesë libra dhe punoja me kohë të plotë. Ishte një vendim i rëndësishëm dhe jo i lehtë ta braktisja punën për t’u bërë shkrimtare me kohë të plotë.

Sa orë i kushtoni të shkruarit çdo ditë?

Kur jam duke shkruajtur një roman, i dedikohem tetë deri në dhjetë orë në ditë. Kohët e fundit, shkruaj një libër çdo gjashtë muaj, që është sidoqoftë një periudhë mjaft e ngjeshur. Media sociale – pjesë e rëndësishme për çdo autor – të merr gjithashtu kohë, por është një mënyrë e mrekullueshme për të qenë në kontakt me lexuesin.

Ju shkruani komedi romantike. A ju argëtojnë librat tuaj?
Patjetër! Kur shkruaj një libër, jam gjithmonë e lumtur kur e bëj veten time të qesh me zë të lartë dy herë dhe të qaj një herë.

A e konsideroni veten me fat apo vetëm puna këmbëngulëse ju ndihmoi të bëheni shkrimtare e suksesshme?

Besoj se janë pak nga të dyja. Isha me fat që godita në shenjë në kohën e duhur dhe të prekja të gjithë valën e re të lexuesve të prozës së destinuar për gratë në vitet nëntëdhjetë. Duhet të falenderoj Bridget Jones për këtë! Kam patur tridhjetë e katër romane bestseller që nga ajo kohë dhe mendoj se gjithsesi kjo është fryt i punës dhe dedikimit tim.

Çfarë do t’ju këshillonit shkrimtarëve të rinj?
Shkruani çdo ditë për të zhvilluar stilin tuaj. Të shkruash nuk është kurrë humbje kohe. Shkruani për atë që ju apasionon. Mos ndiqni tendencat. Kur të keni përfunduar librin tuaj, industria e botimeve do të ketë lëvizur përpara. Zbavituni me atë që shkruani!