Intervistoi: Iliaz Bobaj, Greqi
ARTI NUK NJEH KUFIJ, ZEMRA IME MBETI MES GRAMSHIT DHE AMALIADHËS
Hyrje
Piktori shqiptar Kristo Dëfrim Hasa është një prej atyre artistëve që e kanë ndërtuar rrugëtimin e tyre krijues në një hapësirë ku arti, emigracioni, identiteti dhe dashuria për vendlindjen ndërthuren natyrshëm. I lindur në Gramsh dhe prej më shumë se tri dekadash i vendosur në Greqi, Hasa ka arritur të krijojë një profil të veçantë artistik, duke ruajtur një lidhje të pandërprerë shpirtërore me vendlindjen dhe duke u integruar njëkohësisht në jetën kulturore e shoqërore të vendit ku jeton.
Formimi i tij artistik nisi që në fëmijëri, për të vijuar më pas në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Krahas pikturës, ai ka ushtruar profesione të ndryshme dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore të Gramshit, ndërsa në Greqi ka vijuar veprimtarinë artistike, duke marrë pjesë në ekspozita të shumta ndërkombëtare dhe duke drejtuar kurse pikture për breza të rinjsh.
Pjesëmarrjet e tij në ekspozita në Paris, Venecia, Firence, Stamboll, Qipro, Rumani, Shqipëri, Kosovë dhe në qytete të ndryshme të Greqisë dëshmojnë një veprimtari të gjerë dhe një përpjekje të vazhdueshme për ta bërë artin një urë komunikimi mes kulturave. Një prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së tij ishte pjesëmarrja në një ekspozitë ndërkombëtare në Paris, në hapësirat e lidhura me Luvrin.
Përtej veprimtarisë artistike, Kristo Dëfrim Hasa është angazhuar edhe në jetën e komunitetit shqiptar në Greqi, veçanërisht në mbështetje të gjuhës, kulturës dhe arsimit shqip. Për kontributin e tij është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Amaliadhës, në vitin 2025, si dhe më herët me titullin “Qytetar Nderi” i Gramshit, në vitin 2022. Këto dy vlerësime, të ardhura nga dy qytetet që përfaqësojnë dy hapësirat themelore të jetës së tij, përbëjnë një dëshmi të veçantë të rrugëtimit të tij njerëzor dhe qytetar.
Në këtë intervistë për Nacional, Kristo Dëfrim Hasa rrëfen fillimet e tij në art, rrugëtimin nga Gramshi drejt Greqisë, përvojën e emigracionit, pjesëmarrjet në ekspozita ndërkombëtare, lidhjen me komunitetin shqiptar dhe planet e tij të ardhshme krijuese.
- Kush është piktori Kristo Dëfrim Hasa? Dy fjalë për lexuesit.
Kristo Dëfrim Hasa: Unë quhem Kristo Dëfrim Hasa, nga qyteti i Gramshit, konkretisht nga fshati Lenie, një krahinë me tradita të shumta kulturore, artistike dhe patriotike. Rrjedh nga një familje me prindër punëtorë dhe me tetë fëmijë.
Dëshira për artin dhe, në veçanti, për pikturën, u shfaq që në shkollën fillore, kur vizatoja në faqet e librave. Prandaj, mësuesja ime e vizatimit në ato vite i sugjeroi babait tim të më regjistronte në kursin e pikturës pranë Shtëpisë së Pionierit në Gramsh.
Pas mbarimit të shkollës fillore, fitova konkursin për të vazhduar mësimet në degën e skulpturës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Pas kthimit nga liceu në vendlindje, punova në zanate të ndryshme, si marangoz, mekanik dhe tapicier, derisa u emërova drejtues kulture pranë Uzina Mekanike Gramsh, ku punova për 12 vjet.
Atje drejtoja grupet artistike, muzeun, si dhe merresha me fotografi dhe dizajn. Paralelisht, u angazhova edhe pranë Pallatit të Kulturës së Gramshit si skenograf dhe valltar, ku mora pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe artistike, si në shkallë rrethi, ashtu edhe në atë kombëtare.
- Keni shumë vite në Greqi, në qytetin e Amaliadhës. Cili është raporti juaj midis Gramshit të vendlindjes dhe Amaliadhës si emigrant?
Kristo Dëfrim Hasa:
Kam ardhur këtu, në Greqi, që në vitet e para të ’90-ta, duke udhëtuar për katër ditë në këmbë nga mali i Gramozit, drejt një të ardhmeje pa ditur se çfarë na priste. Nuk dija asnjë fjalë greqisht dhe nuk e dija se çfarë do të na surprizonte e nesërmja.
Gjeta një punë si marangoz, zanati i babait tim, dhe në këtë profesion punoj edhe sot. Pavarësisht se lamë vendlindjen tonë të dashur, Gramshin, dhe u integruam këtu, në një vend të huaj, gjysma e zemrës më mbeti atje ku unë linda, u rrita, u shkollova dhe u formova si njeri.
Kurrë nuk i shkëputa lidhjet me vendlindjen time, duke u kthyer herë pas here dhe duke marrë pjesë në aktivitete kulturore e artistike. Jeta ime është ndarë midis Gramshit dhe Amaliadhës. Në çdo eveniment kulturor dhe artistik ndërkombëtar promovoj gjithmonë këto dy qytete.
Si rezultat i kësaj dashurie dhe i këtij angazhimi, jam i respektuar dhe i nderuar si në Gramsh, ashtu edhe në Amaliadhë.
- Ju jeni pjesëmarrës në shumë ekspozita vetjake dhe me artistë të tjerë, në shumë vende të botës. Cilat nga këto ekspozita kanë qenë më të suksesshmet për ju në këto vite? Cila ekspozitë ju ka lënë më tepër mbresa dhe ku jeni vlerësuar më shumë?
Kristo Dëfrim Hasa: Për mua, ashtu si edhe për çdo artist krijues, ëndrra është që veprat ose krijimet e tij artistike të jenë pjesëmarrëse në ekspozita të ndryshme, ku autori të ndiejë nga afër vlerësimin e artdashësve.
Mbase unë kam qenë edhe me fat, pasi më është krijuar mundësia që krijimet e mia artistike t’i paraqes në shumë ekspozita dhe galeri ndërkombëtare, si në Luvër, Grand Palais, Galerie Daniel Haneiman, në Paris të Francës; në Venecia, Firence, Leçe të Italisë; në Stamboll, Izmir, Kapadoki, Pamukkale dhe Çanakale të Turqisë; në Nikozia dhe Limasol të Qipros; në Tiranë dhe Gramsh të Shqipërisë; në Iași të Rumanisë; në Athinë, Amaliadhë, Nausa dhe Korinth të Greqisë, si dhe në Gjilan të Kosovës.
Çdo pjesëmarrje ka pasur bukurinë dhe rëndësinë e vet, për shkak të larmisë dhe nivelit artistik të veprave. Në disa prej tyre jam nderuar me çmime dhe medalje nderi.
Por më e veçanta për mua, sigurisht, mbetet pjesëmarrja në një ekspozitë ndërkombëtare të organizuar në Luvër, në Paris, ku isha i ftuar të merrja pjesë së bashku me rreth 1100 artistë ndërkombëtarë, nga një galeri artistike në Firence të Italisë. Të them të drejtën, nuk e besoja. Por ja, ndonjëherë ëndrrat bëhen realitet.
- Kam qenë përfaqësues në një ekspozitë në Paris, ku merrnit pjesë edhe ju, madje edhe përshëndeta si përfaqësues i palës shqiptare aty. Ishte një sukses i dukshëm pjesëmarrja juaj në atë ekspozitë. Çfarë përfaqëson Parisi për një artist të penelit?
Kristo Dëfrim Hasa: Mbase e teproj nëse them se pjesëmarrja e çdo artisti në aktivitete ndërkombëtare në Paris është një ëndërr. Këtë ndjesi e përjetova edhe unë kur, në tetor 2019, u ftova të merrja pjesë në një eveniment kulturor dhe artistik në Galerinë e Luvrit, në Paris.
Në fillim nuk e besoja që edhe dy prej pikturave të mia ishin përzgjedhur për t’u ekspozuar aty, midis rreth katër mijë veprave të artistëve nga vende të ndryshme të botës.
Kur puna dhe krijimtaria jote vlerësohen nga kritikë të ndryshëm, kjo të bën të ndihesh mirë dhe të pyesësh veten: “Mos vallë vlej edhe unë diçka?”. Për mua ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe një moment i rëndësishëm në rrugëtimin tim artistik.
- Jeni i vetmi shqiptar në Greqi që jeni shpallur “Qytetar Nderi” në Amaliadhë. Mesa di, ky titull në Amaliadhë, veç kontributit tuaj si artist, shpërfaq edhe kontributin tuaj si aktivist shoqëror në atë qytet. Mund të na e trajtoni pak më të plotë kontributin tuaj aty?
Kristo Dëfrim Hasa: Që të ndihesh mirë dhe komod në shoqërinë ku ke vendosur të jetosh, ka të bëjë, në radhë të parë, me detyrat dhe detyrimet e çdo pjesëtari të asaj shoqërie.
Kështu e kam parë edhe unë veten time këtu, në Amaliadhë të Greqisë, ku vendosa të punoj dhe të jetoj. Duke u nisur edhe nga vetë karakteri im, pasi jam një njeri i hapur dhe miqësor në marrëdhëniet me të tjerët, gjithmonë e kam lidhur fatin tim me atë shoqëri ku jetoj, duke dhënë kontributin tim modest, por maksimal, pa rezerva, në shumë aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike.
Kam treguar respekt dhe dashuri për ambientin dhe njerëzit që na rrethojnë, për historinë, traditat, të kaluarën dhe të tashmen ku ne jetojmë.
Mbase kjo ka bërë që organet drejtuese këtu, në Amaliadhë, më 30 maj 2025, me vendim unanim dhe pa asnjë kundërshtim, të më akordojnë titullin “Qytetar Nderi i Amaliadhës”. Është një titull që, sipas dijenisë sime, i jepet për herë të parë një shqiptari këtu në Greqi.
Ndihem mirë, sepse ky vlerësim nuk më përket vetëm mua, por të gjithë emigrantëve shqiptarë këtu në Greqi.
Mbase ky titull ka pasuar edhe titullin “Qytetar Nderi”, që më ka akorduar Këshilli Bashkiak i Gramshit në shkurt 2022, titull që m’u dorëzua nga e madhja dhe e paharruara Margarita Xhepa.
Jam nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, por marrja e titullit “Qytetar Nderi” në dy qytete dhe dy shtete të ndryshme, ku unë kam ndarë jetën time, besoj se është një nga vlerësimet më të mëdha për mua.
- Ju jeni shumë i lidhur me faktorin shqiptar në Greqi, sidomos me shoqatën “Emigranti” (jeni edhe “Anëtar Nderi” i saj) dhe me Shkollën Shqipe “Naim Frashëri”, të cilat kanë një kontribut 20-vjeçar. Si e gjykoni dhe si e vlerësoni këtë bashkëpunim?
Kristo Dëfrim Hasa: Të punosh dhe të jetosh në një vend të huaj nuk është edhe aq e lehtë. Kjo varet, në radhë të parë, nga shteti dhe shoqëria ku punon dhe jeton. Kjo lidhet fort edhe me vazhdimësinë tonë dhe me të ardhmen e brezave që po rrisim ne në dhe të huaj.
Kjo është edhe arsyeja që më lidh mua aq shumë me Shkollën Shqipe dhe shoqatën “Emigranti” në Patra të Greqisë.
Jam munduar, me të gjitha mënyrat e mia të mundshme, të jap një kontribut sipas mundësive të mia për mbarëvajtjen dhe rritjen e vlerave të mësimdhënies në gjuhën shqipe, si dhe në aktivitetet e ndryshme që organizon shoqata shqiptare.
Për këtë kontribut të vyer më janë akorduar edhe tituj si “Mirënjohje” dhe “Anëtar Nderi” i Shoqatës “Emigranti”, në Patra.
Për këto kontribute të dhëna në komunitetin shqiptar këtu në Greqi dhe më gjerë, jam nderuar nga Ambasada Shqiptare këtu në Greqi me titullin “Histori Suksesi”, si dhe nga një organizatë ndërkombëtare e paqes me qendër në Amerikë me titullin “Ambasador i Paqes”.
- Cilat janë planet krijuese të Kristo Dëfrim Hasës për këtë vit? Për cilat ekspozita po përgatiteni? Me çfarë vepre po merreni konkretisht?
Kristo Dëfrim Hasa: Për sa u takon planeve dhe programit tim artistik për të ardhmen, ato varen nga shumë faktorë për t’u realizuar konkretisht.
E para, na duhet kohë për të krijuar vepra të reja artistike. Për mua kjo është diçka e vështirë, për arsye se jam i angazhuar në shumë gjëra. Puna ime e përditshme si marangoz, për të siguruar të ardhurat ekonomike, si dhe dhënia e mësimit të pikturës, ku unë drejtoj pesë kurse pikture prej 20 vitesh në dy qytete të ndryshme këtu në Greqi, ma kushtëzojnë kohën.
Por, prapëseprapë, e gjej kohën dhe mundësinë për të krijuar.
Në fillimet e muajit shtator jam i ftuar të përfaqësoj Shqipërinë në një ekspozitë ndërkombëtare në qytetin e Nausës, në Greqi, si anëtar i grupit International Art Union.
Pastaj kam edhe ftesa të tjera për pjesëmarrje në disa ekspozita ndërkombëtare, por për momentin nuk është e nevojshme t’i bëj publike, pa vendosur ende për pjesëmarrjen dhe kriteret që duhet të përmbushen.
Rëndësi për mua ka që, me gjithë punën, përpjekjet dhe mundin e bërë për të arritur diçka në fushën e artit, kjo të bëhet realitet duke u njohur ndërkombëtarisht. Këtë e tregojnë edhe ftesat e ndryshme që më bëhen për të marrë pjesë në këto evenimente artistike.

