LETËRSIA DHE KRIZA E BREZIT TË RI
“Në romanin Diçka që shkëlqen, shkrimtarja dhe filozofja italiane u jep zë ankthit, vetmisë dhe plagëve të padukshme të adoleshentëve, duke vënë përballë përgjegjësisë prindërit, mësuesit dhe një shoqëri të fiksuar pas përsosmërisë, konkurrencës dhe suksesit”.
Të padëgjuar, të padukshëm, të tejdukshëm: ky është muri ku përplasen vajzat dhe djemtë e sotëm, muri i padukshmërisë. Ata kanë nevojën e ngutshme për t’u parë dhe kuptuar, ndërsa të rriturit, të verbuar nga miti i përsosmërisë dhe i performancës, e kanë humbur aftësinë për të dëgjuar. Kështu, Sara refuzon të dalë nga shtëpia dhe jeton e ngujuar në dhomën e saj, Irena është në luftë me ushqimin, Klara vjedh. Pastaj janë Xhanpaolo, Noemi, Viola, Luka, Klaudio; disa i shkaktojnë vetes lëndime, janë përdorues lëndësh narkotike, hanë pa kontroll dhe më pas shkulin zorrët. Duan të flasin dhe të dëgjohen – kjo i bën të ndihen më pak të vetmuar.
Në romanin Diçka që shkëlqen(Botim i Diturise” Tirane, shkrimtarja italiane Michela Marzano u ka dhënë zë tetë adoleshentëve, tetë familjeve dhe tetë simptomave, shenja të një vuajtjeje që nuk gjen askënd të gatshëm për ta lehtësuar: vuajtja e një brezi, të cilit bota duket se i ka rrëmbyer gjithçka. Shkrimtarja dhe filozofja, pedagoge në Universitetin e Sorbonës në Paris, depërton në ankthin, zhgënjimin dhe shpresat e adoleshentëve të shtypur nga familja dhe shoqëria. Rrëfimi nis në një repart të Neuropsikiatrisë me metoda të vjetra, ku Mauro Roli, psikiatri protagonist ka hedhur hapat e parë të karrierës, për të mbërritur më pas te një projekt novator dhe krejt jashtë skemave të zakonshme: Qendra Gjineshtra, një hapësirë mikpritjeje dhe dialogu, ku djemtë dhe vajzat më në fund kanë mundësinë të shihen dhe të dëgjohen.
Marzano, pse zgjodhët këtë udhëtim rrëfimtar në botën e adoleshentëve?
“E shkrova këtë histori për t’u dhënë zë djemve dhe vajzave. Atyre që, duke u ndier të padukshëm dhe të padëgjuar, mbyllen brenda simptomave të tyre: çrregullimeve të të ngrënit, fobive, varësive. Atyre që e shprehin dhimbjen përmes veprimeve, në vend që ta shprehin me fjalë, dhe vetëm kur dikush nis t’i dëgjojë, arrijnë ta shndërrojnë atë dhimbje në rrëfim, ta përpunojnë përmes fjalëve. Doja t’i jepja zë brezit Z: në një kohë kur të gjithë flasin për adoleshentët, unë doja që të ishin pikërisht ata që të rrëfenin për veten. Në Francë, vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjeve te të rinjtë dhe adoleshentët e moshës 14-24 vjeç. Çdo vit, rreth 9 mijë djem e vajza kryejnë vetëvrasje dhe rreth 900 mijë raste regjistrohen si tentativa për vetëvrasje. Në Itali, me përjashtim të rasteve të veçanta, si qendra Minotauro e psikologut dhe psikoterapeutit Matteo Lancin, janë të rralla qendrat ku djemtë dhe vajzat mund të rrëfejnë dhimbjen e tyre.”
Çfarë nuk shkon sot me djemtë dhe vajzat?
“Nuk çalon puna tek ata, nuk ka diçka tek ata që duhet ndrequr apo shëruar. Ajo që duhet, është t’u japim mundësinë të ndihen të pranishëm, t’i shohim, t’i dëgjojmë. Mjafton t’i dëgjosh, për të kuptuar se nuk janë mirë. Nuk dinë si ta mbushin zbrazëtinë që hapet brenda tyre, nuk dinë si të përballen me paaftësinë e atyre të cilët, në vend që t’i pranojnë ashtu siç janë, i gjykojnë.”
Paragjykimi më i përhapur për adoleshentët është se “nuk kanë dëshirë të angazhohen”…
“Ne jemi një brez të rriturish të dëshpëruar. Jetojmë për punën dhe orvatemi t’i mbajmë të gjitha gjërat në vijë. Duhet të jemi të përsosur, por shembulli që u japim fëmijëve dhe nipërve tanë është pikërisht ai që jemi në të vërtetë: thellësisht të pakënaqur, të rraskapitur. Ky është modeli që u kemi ofruar. Si mund t’i nxisim të bëhen si ne, të palumtur? Adoleshentët nuk e pranojnë këtë model. Ata kanë vlera të tjera: miqësinë, dashurinë, marrëdhëniet, udhëtimet. Është e kuptueshme që nuk duan të angazhohen e të bëjnë sakrifica, sepse nuk duan të bëhen si ne. Ata angazhohen në fusha të tjera dhe në një mënyrë tjetër, ndoshta duke luftuar kundër padrejtësive, për mjedisin, për paqen, për një botë më të mirë. Sigurisht që nuk duan të punojnë dhjetë orë në ditë në mjedise toksike, për të dalë prej andej të shteruar e të pakënaqur. Është krejt e natyrshme që nuk duan ta marrin si model mënyrën e jetesës së prindërve të tyre: njerëz të palumtur e të shkatërruar, për të cilët jeta është vetëm sakrificë ose garë për të arritur rezultate. Djemtë dhe vajzat duan të ndërtojnë një botë tjetër, ndryshe.”
Cilat janë gabimet kryesore të prindërve dhe mësuesve?
“Prindërit dhe mësuesit duan t’i ndreqin fëmijët dhe nxënësit, në vend që të mësojnë t’i shoqërojnë në rrugëtimin e tyre përmes dhimbjes. Nuk na duhet autoritarizmi; ne nuk jemi një shembull bindës për ta.”
Historia nis në një repart të Neuropsikiatrisë.
“Më duhej një repart tradicional, që t’i shërbente zhvillimit të historisë. Një repart ku psikiatri i ri Mauro përballet me metoda që pak kanë të bëjnë me dëgjimin e pacientit. Në përgjithësi, repartet kanë të gjitha një qasje tradicionale. Përvoja si ajo e Matteo Lancinit me qendrën Minotauro janë vërtet të pakta. Vuajtja e djemve dhe vajzave shndërrohet në simptomë, por ajo simptomë nuk është identiteti i tyre; është një thirrje për ndihmë.”
Fjala “shkëlqen” gjendet në titull, por përsëritet shpesh edhe në roman.
“Mesazhi është se, pavarësisht prej gjithçkaje që ndodh, pavarësisht prej vuajtjes, djemtë dhe vajzat shkëlqejnë, por shpesh nuk u jepet mundësia ta tregojnë këtë.”
Të rriturit, prindërit dhe mësuesit, nuk dalin aspak mirë nga ky rrëfim.
“Të rriturit kanë gabuar në gjithçka. Nuk është fjala vetëm për mungesën e pranisë, të empatisë dhe durimit për të dëgjuar, por edhe për fiksimin pas përsosmërisë, që i shtyn vazhdimisht drejt rezultateve gjithnjë e më të mira, konkurrencës dhe të qenit më të mirët. Dhe gjithçka e kanë kthyer në “simptoma që duhen shëruar”. Nuk ka asgjë për të ndrequr, asgjë për të shëruar. Nga çfarë duhet të shërohen djemtë dhe vajzat? Nga jeta? Ne nuk mund të shërohemi nga jeta; duhet të mësojmë ta jetojmë jetën dhe të pajtohemi me dobësitë tona. Shqetësimi i tyre është edhe shqetësimi ynë: i të rriturve që janë të shtypur nga pesha e jetës dhe që, nga ana e tyre, shtypin të tjerët, duke vazhduar të mos i dëgjojnë.”
Në roman i keni kushtuar shumë vëmendje gjuhës; secili prej personazheve adoleshentë ka zërin e vet karakteristik.
“Rizbulova të folurën romaneske që përdorja në gjimnaz dhe që u bë zëri i Klaudios. Violës i dhashë një shprehje që e kam edhe vetë: fjalën “domethënë”. Për personazhet e tjera studiova mënyrën se si flasin adoleshentët dhe u përpoqa t’i karakterizoja, duke i dhënë secilit një zë të dallueshëm, në përputhje edhe me historinë e familjes së tyre.”
Çfarë duhet të ndryshojnë të rriturit?
“Kush bëhet prind apo mësues duhet të mësojë të jetë një pikë referimi dhe një strehë ku djemtë e vajzat të ndihen të mirëpritur. Jo t’i gjykojë apo t’u diktojë rregulla – të cilat, në fund të fundit, të rriturit janë të parët që nuk i zbatojnë – por të jetë i gatshëm t’i dëgjojë dhe të përpiqet t’i kuptojë.”

