Gazeta Nacional Albania

Frank Shkreli: NUK MUND TË BASHKJETOJË NATO ME KOMUNIZMIN — GULAGU  SHQIPTAR DHE HESHTJA E DIPLOMATËVE PERËNDIMORË NË TIRANE. 

 

Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.   Fatbardh Kadilli, kandidat për Kryetar të Partisë Demkoratike të Shqipërisë:  u  shpreh ditët e fundit se ai do ta ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e  anti-komunizmit”.

Në trojet shqiptare dhe më tej po zhvillohet stërvitja ushtarake  historike e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, “Defender Europe 21”, një  ngjarje kjo që duhet të përshëndetet nga të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat  perëndimore, të cilat NATO ka promovuar dhe i ka mbrojtur prej themelimit të  saj në Prill të vitit 1949. Kjo stërvitje është me të vërtetë një ngjarje që na jep  shpresë se Shqipëria mund të bëhet, eventualisht, megjithë paaftësitë e klasës  politike shqiptare të këtyre 30-viteve për të ndërtuar shtet. Respekt për burrat dhe

gratë në uniformë, ushtarakët tanë dhe të aleatëve tanë nga shumë vende, nga të dy  anët e oqeanit.

I kujtoj lexuesit se objektivi themelor i Aleancës së NATO-s ishte dhe mbetet  mbrojtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve aleate anëtare të kësaj aleance ushtarake,  me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ajo ka në dispozicion.   Aleanca  NATO mbetet pra instrumenti kryesor i sigurisë së komunitetit trans-atlantik, i cili  me veprimtarinë e tij ushtarake, njëkohësisht, shpreh edhe mbron vlerat e  përbashkëta demokratike, të lirisë dhe të drejtësisë. Falënderës të Madhit Zotit që e kemi NATO-n se për ndryshe, nëqoftse do të ishte krejtësisht në duar të kësaj klase politike të këtyre 30-viteve të kaluar, Shqipëria do të ishte sot edhe më keq se ç’është.

Po cilat janë këto “vlera të përbashkëta demokratike” që mbron NATO dhe që  duhej të ndanin të gjitha vendet aleate të Nato-s, përfshir Shqipërinë. Pasi jemi  gjithnjë në atmosferën e zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe  demokratike janë një element kyç për një shoqëri demokratike.  Për 30-vjet  tranzicion Shqipëria, përfshire zgjedhjet e fundit, nuk ka zhvilluar zgjedhje të  pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjithë, si të lira dhe demokratike,

përfshire entet ndërkombëtare, siç është ODIHR-i dhe nga faktorët kryesorë politikë shqiptarë.  Për shkeljen dhe mospërfilljen e vlerave perëndimore nga qeveritë  shqiptare të tre dekadave të kaluara, mjafton të lexoni raportet vjetore mbi të  drejtat e njeriut të enteve të ndryshme perëndimore, ku Shqipëria, megjithëse  anëtare e NATO-s, vazhdon të mbetet “pjesërisht e lirë” dhe ndër vendet më të  korruptuara në botë.

Megjithëkëtë, diplomatët perëndimorë në Tiranë i trajtojnë politikanët shqiptarë  sikur  këta na qenkan “jeffersonian democrats”, demokrat si Jeffersoni, njëri nga  baballarët e Kombit amerikan.  Jo, more jo, nuk janë të tillë, as nuk duan të jenë të  tillë. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët as me Xhefersonin as me demokracinë.

Për 30-vjet tani, ata nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste – pjellë e të cilës  janë – dhe as nuk kanë marrë ndonjë masë serioze për dekomunistizimin e  shoqërisë shqiptare.  Politika shqiptare aktuale, me një paturpësi arrogante vlerëson “të mirat dhe sukseset” e regjimit të Enver Hoxhës, njërit prej diktatorëve më të  egër që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Merreni me mend, se sa keq janë punët, një kandidat i shpallur për Kryetar të Partisë Demokratike (Fatbardh  Kadilli), në opozitë, u shpreh ditët e fundit, se ai do ta ndajë partinë e tij

“demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. More zotëri nga cili “anti-komunizëm”? Çfarë betë ju për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare gjatë  këtyre viteve?  E mbarë shoqëria shqiptare, çfarë ka mbjellur gjatë tre dekadave të  fundit, po korrë tani. Në prag të greminës, politikisht, ekonomikisht, ndërkohë që  presim nga ish-prokurorët komunistë t’i sjellin atij vendi drejtësi. Jeni mbi një  kapërcyell — të distancoheni nga komunizmi kini frikë, por as nuk kini bindjen  morale dhe politike, se duhet të bëni një gjë të tillë. Janë një numër deklaratash dhe veprimesh nga përfaqesues të partisë në pushtet, që janë venë në lëvizje kohët e  fundit, e që lënë të nënkuptohet se distancimi zyrtar nga e kaluara komunizmi dhe  dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është në rendin e ditës me këta  pushtetarë, megjithë praninë e anijeve të NATO-s në Durrës.

Kryeministri aktual nuk e fsheh fare mbështetjen e tij për ish-regjimin diktatorial,  ndërkohë që muajt e fundit është shprehur nga foltorja e Kuvendit, ndër të tjera, se  “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Persona të tjerë të zgjedhur në  Kuvendin e ardhëshëm kanë shprehur të njëjtat ndjenja.  Në këtë ndërkohë,

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar fillimin e një rishikimi të historisë  për të vendosur njëherë e mire, sipas disa vërejtësve,  hegjemonizmin enveristo- stalinist — historik dhe kulturor , mbi Kombin shqiptar nga pothuaj të njëjtit  “historianë” nostalgjikë të komunizmit, të cilët e kanë shkruar, fillimisht, atë  histori.  Çfarë tragji-komedie!  Ndërkaq, ndërsa këta udhëheqës shqiptarë po  merrnin foto nga platformat e anijeve të NATO-s në Durrës me Ambasadoren e  Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me autoritetet e larta ushtarake amerikane në mes të Tiranës, aty përball Kryeministrisë dhe Presidencës, është dëmtuar ato  ditë, për të disatën here, “Postblloku” që bashkon (burgun) Spaçin me Berlinin –  një memorial ky që përkujton viktimat e komunizmit në Shqipëri. Hapni sytë e  reagoni.  Kjo tregon se e shkuara komuniste nuk është e shkuar, të nderuar  diplomatë, por është aktuale, mu aty në qëndër të Tiranës ku jetoni e punoni edhe  ju. Në qofte se nuk doni ta shihni, kjo është puna juaj, por kjo e shkuar komuniste po  bëhet realitet në jetën politike dhe ekonomike të vendit, për ditë e më shumë.

Ndoshta ju nuk mund ta ndaloni këtë frymë të re nostalgjike për komunizmin në  Shqipëri, por të pakën do u lutesha mos u bëni palë me të keqen, të mos heshtni  ndaj këtyre dukurive se ju jeni ata që do duhej të përfaqësonit dhe të mbronit vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, pikërisht ato vlera për të cilat ekziston  NATO.Të nderuar përfaqësues perëndimorë në Shqipëri, ju lutem si një shqiptaro- amerikan i thjeshte,  u bëj thirrje: mos u bëni palë e “turpit në radhët e të   paturpshëmve”! Flisni për dekomunistizimin e Shqipërisë, para se të jetë vonë.

Edhe kjo ka të bëjë me drejtësinë, sidomos në përvjetorin e revoltës antikomuniste  në burgun e Spaçit. Shikoni se sa poshtë ka renë politika shqiptare në 30-vjet post- komunizëm.  Fatkeqësisht, votuesit shqiptarë kanë dy alternativa politike, asnjëra  më e mire se tjetra: një, Partinë Socialiste e cila me krenari mbron komunizmin si  një sistem që “ishte në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit Rama dhe  Partinë Demokratike, një kandidat i shpallur për kryetar i të cilës bën thirrje që kjo  parti të largohet nga “anti-komunizmi”, që nënkupton të bëhet më shumë ashtu si partia si motër socialiste. Kjo është alternativa që Partia Demokratike ofron, të  pakën nepërmjet një kanddiati të saj për kryetar të ri?  Po cili është ndryshimi  midis jush?  Më mirë bëhuni bashkë, të dy partitë kryesore, se këtë po promovojnë  edhe ndërkombëtarët aty në Tiranë , një parti-shtet me një udhëheqës të  përjetëshëm – me kult personaliteti. Mblidhuni të gjithë rreth tij dhe duartrokisni.

Rroftë demokracia alla-shqiptarçe!

 

E buono per Albania!

Sido që ta merrni, sido që të mendoni ju të nderuar përfaqsues diplomatikë dhe të  klasës politike shqiptare — Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një aleate e  denjë e NATO-s pa dekomunistizimin njëherë e mirë të shoqërisë shqiptare dhe pa  distancimin (por edhe pastrimin) e bindshëm të kësaj klase politike shqiptare — të  sotme dhe të nesërme – nga trashëgimia komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet e  tjera ish-komuniste, që tani janë anëtare të denja të NATO-s.  Si një taksapagues  amerikan, unë do të dëshiroja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera  perëndimore, të jenë gjithmonë pranë Shqipërisë, jo vetëm për një çeshtje –  megjithëse tepër e rëndësishme – siç është vendosja e drejtësisë në vend – por të  jenë pranë saj edhe në mbrojtje të të gjitha vlerave të tjera perëndimore të  përbashkëta demokratike që mbron NATO-ja – përfshir edhe dekomunistizimin e  shoqërisë dhe distancimin nga gulagu komunist i Enver Hoxhës. Është e qartë se  kuadrot e nomenklaturës së Partisë në pushtet nuk besojnë në distancimin nga e  kaluara komuniste, por kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të  familjes evropiane dhe euro-atlantike, si dhe një vend anëtar të denjë të NATO-s  me të cilin do të krenohemi të gjithë, kudo që jemi. Heshtja e përfaqësuesve  diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje nuk  u ben nder as vendeve që ata përfaqësojnë dhe as NATO-s që këto ditë po zhvillon  stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”.  Në këtë 48-vjetor të Revoltës  antikomuniste në burgun e Spaçit, ndoshta kini nevojë për një rifreskim të kujtesës  se çfarë përfaqësonte regjimi i Enver Hoxhës. Për të parë nga afër dhe pjesërisht

Gulagun e Enver Hoxhës, do të sugjeroja që përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë  dhe sidomos politikanët shqiptarë aktualë dhe ata që të pretendojnë të bëhen  udhëheqës të atij vendi nesër, të vizitojnë Spaçin, Tepelenën e të tjera vende të  persekutimit dhe të vrasjeve të viktimave të pafajshme të komunizmit – tmerin e  Spaçit të cilin ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë një vizite atje, e kishte cilësuar si “një dëshmi të brutalitetit njerëzor”.