Gazeta Nacional Albania

Frank Shkreli : Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare*

Ju Flet Zeri I Amerikës – Foto e stafit aktual dhe të viteve të kaluara, me rastin e 70-vjetorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Washington, Maj, 2013

100-vjetorit të lidhjeve diplomatike midis dy popujve tanë dhe mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të VOA-s në gjuhën shqipe, me 13 Maj, 1951. Marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – popull me popull, duke bërë gjithmonë dallimin midis popullit shqiptar dhe regjimeve fatkeqe të tij gjatë kësaj periudhe 100-vjeçare. Konferencës së Versajës më 1919-n dhe deklarata e Presidentit Ëoodroë Ëilson, vlen të lexohet edhe sot pas 100 vitesh. Siç dihet, ky vit shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe vitin që vjen shënon 80-vjetorin e themelimit. Transmetimet e këtij gjiganti mediatik ndërkombëtar kanë filluar në shkurt të vitit 1942, si një mjet për të luftuar propagandën naziste me lajme dhe infiormacion të saktë, objektiv dhe të paanshëm. Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe i ka shërbyer botës shqiptare – në kohë lufte dhe në kohë paqeje,- por sidomos, gjatë periudhës së komunizmit totalitar e deri në ditët e sotëme duke ofruar shpresë dhe frymëzim në mbrojtje të së vërtetës, lirisë dhe demokracisë, nëpërmjet lajmeve dhe informacionit për pothuaj një shekull.

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, mbështetës i zjarrtë i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, 1951
Nga themelimi i tij e deri më sot, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë i angazhuar për të raportuar të vërtetën me mbulimin e lajmeve, ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, ekonomike dhe ushtarake, anë e mbanë botës, duke dhënë shembull për parimet e një shtypi të lirë. Kështu ka qenë duke filluar nga Lufta e dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, lufta kundër terrorizmit, konfliktet dhe përpjekjet e sotme për liri e demokraci, anë e mbanë globit.

Edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e këtij gjigandi të lajmeve ndërkombëtare, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore – me një ndërprerje të shkurtër – por duke rifilluar transmetimet në vitin 1951. VOA shqip gjatë gjithë këtyre viteve, falë dyzina gazetarëve shqiptaro-amerikanë dhe përkushtimit të tyre ndaj të vërtetës dhe dashurisë së tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, ka kontribuar në përhapjen e të vërtetës dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sidomos në periudhën e errët gjysëm shekullore të komunizmit shqiptar, kur dy vendet tona nuk kishin marrëdhënie dy-palëshe dplomatike. Ishte një periudhë, kur Shtetet e Bashkuara, komunikonin me kombin shqiptar, nëpëmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe.

Kryeqendra e Zërit të Amerikës, si atëherë, ashtu edhe sot – Një faqe e lavdishme në historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare.

Në atë atmosferë tensionesh ndërkombëtare, më 13 maj, 1951 rifillon radio transmetimet edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe. Transmetime, të cilat kishin filluar më 1943, por që ishin ndërprerë më 1945. Ishte ky një ri-fillim i transmetimeve të shërbimit shqip të VOA-s, i cili qe inauguruar me një mesazh të posaçëm, drejtuar popullit shqiptar, nga Sekretari Amerikan i Shtetit në atë kohë, Dean Acheson. Ishte ky një mesazh i ngrohtë, i cili ritheksonte miqësinë tradicionale dhe të hershme midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar, i cili përsëritej shpesh dhe në forma të ndryshme, pothuaj çdo vit, nëpërmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, nga zyrtarë të lartë amerikanë, megjithë vrerin anti-amerikan, që vinte nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë dekadave.

Presidenti Ronald Reagan vizitë në Zërin e Amerikës, 24 Shkurt, 1982, në 40-vjetorin e themelimit të Zërit të Amerikës. Me atë rast, Presidenti Reagan na u drejtua me këto fjalë: “Kohët e fundit, festuam ditëlindjen e 250-të të Xhorxh Uashingtonit. Ai e kuptonte fuqinë e së vërtetës dhe marrëdhënien e saj me lirinë. E vërteta përfundimisht do të mbizotërojë…” është shprehur ai. “Sot kemi këtë përgjegjësi: të nxjerrim në dritë të vërtetën, në një botë që rënkon në errësirën e shtypjes dhe të gënjeshtrave. Le të ridedikohemi detyrës që na pret dhe ashtu si Ati Themelues, mund të jemi të sigurtë se e vërteta do të triumfojë. Dhe nëse mbizotëron e vërteta, liria nuk do të zhduket nga kjo Tokë”. Ky ishte mesazhi i Presidenti Reagan para gazetarëve të Zërit të Amerikës në vitin 1982.
Ndonëse, ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson, për nga theksi i miqësisë amerikano-shqiptare, nuk ndryshon as nga deklaratat e mëparshme as nga ato të mëvonshme të zyrtarëve amerikanë, gjë që lë të nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur dhe kanë vazhduar të kenë një politikë pro-shqiptare konsekuente megjithë armiqësinë e regjimit komunist të Tiranës, për pothuaj një gjysëm shekulli, ndaj Zërit të Amerikës dhe Shteteve të Bashkuara.
Me mikun dhe kolegun tim të ngushtë prej dekadash në Zërin e Amerikës, Dr. Elez Biberaj

Megjithëse sot, në këtë 80-vjetor të VOA-s, si enti më i madh ndërkombëtar mediatik i Amerikës në gjuhë të huaja, gjërat kanë ndryshuar dhe ndërkohë që vitet e fundit, falë zhvillimeve politike në Shqipëri, po zhvillohet një debat i vazhdueshëm dhe deri diku i ashpër deri në ditët tona në media dhe në qarqet politike, mbi statusin aktual të këtyre marrëdhënieve dhe luhatjet, që mund të vihen re sot në marrëdhëniet dy palëshe. E kam thënë shpesh dhe vazhdoj të besoj se: megjithë aktorët e sotëm nga të dyja palët dhe megjithë pyetjen: “Quo Vadis” marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si rezultat i veprimtarive të këtyre aktorëve aktualë, unë besoj se ato janë aq të forta në themel, sa që askush nuk mund t’i dëmtojë ato në mënyrë përmamente. Mund t’i ngadalësojnë dhe mund të hedhin dyshime, madje të bëhen edhe kërcënime nga persona të caktuar dhe burokratë miopë aktualë nga të dy palët. Besoj se nga pikëpamja historike, deklarata e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson, në kulmin e periudhës më të errët të marrëdhënieve midis dy vendeve tona pasqyron gjithnjë këtë angazhim, se “Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”. Si i tillë, ia vlen që kjo deklaratë të sillet në vëmendjen e lexuesit, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare, si dhe rolin e rëndësishëm që Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe – ky ent amerikan i lajmeve,- ka luajtur në ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – popull me popull, duke bërë gjithmonë dallimin midis popullit shqiptar dhe regjimeve fatkeqe të tij gjatë kësaj periudhe 100-vjeçare.
Në hyrje tek “Zëri i Amerikës si visitor, në vitin 2020 – “Zëri i Amerikës ka mbi supe një përgjegjësi të madhe si mbartës i së vërtetës. Barra për të thënë të vërtetën nuk është e lehtë të mbartet…”. Kështu është shprehur, ndër të tjera, Presidenti Xhon Kenedi në fjalimin e tij me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës, në kryeqendrën e VOA-s, 26 Shkurt, 1962. Për30 vjet në detyra të ndryshme tek Zëri iAmerikës, por dhe gjithë jetën time si gazetar e publicist, jam munduar ta mbroj të vërtetën si një përgjegjësi morale dhe si një barrë dhe detyrë shoqërore!

Pason mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me 13 maj, 1951:

“Është një kënaqësi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar. Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të vërteta.
Që prej Konferencës së Versajës më 1919-n, kur Presidenti Woodrow Wilson mori përsipër duke treguar interesimin e tij personal për ri-vendosjen e një Shqipërie të pavarur, Qeveria e Shteteve e të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet e patriotëve shqiptarë.

Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me popullin shqiptar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar institucionet humanitare dhe arsimore private, siç janë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për të Rinjtë, Fondacioni për Lindjen e Afërt dhe Fondacioni Rockefelle për të ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre në themelimin dhe në zhvillimin e institucioneve të veta. Shtetet e Bashkuara ishin të parat nga fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë deklaratën e parë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte në përputhje me parimet e Kartës së Atlantikut.

Por kjo tani është pjesë e historisë, e së kaluarës suaj. Tani e tutje, Zëri i Amerikës do t’u flasë juve mbi të tashmen dhe mbi të ardhmen. Tani për tani, ju e dini më mirë se unë se shpresat e juaja për një vend të lirë dhe sovran, nuk janë realizuar. Me qëllim për t’u ndihmuar që të realizoni një të ardhme për veten tuaj, si një vend i lirë, i pavarur dhe anëtar i komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kësaj radioje do ju sjellë mjetet ose instrumentet për të gjykuar dhe vlerësuar gjërat- d.m.th, faktet. Zëri i Amerikës do ju sjellë atë që u është mohuar për një kohë të gjatë: të vërtetën nga bota e lirë. Me këtë rast, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan u dërgojnë përshëndetjet e tyre dhe Zëri i Amerikës u dëshiron mirëseardhjen në radhët e dëgjuesve të tij.”Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, 13 maj, 1951.
“Burri i mirë me shokë shumë…” Foto me rastin e 70-vjetorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. Gjatë 80-vjetë histori të VOA-s, me dyzina gazetarë shqiptaro-amerikanë, ç’prej 13 majit të vitit 1951, kanë punuar për Zërin e Amerikës me shpresën se një ditë do shembej komunizmi enverist dhe se midis një Shqipërie demokratike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona. Dhe se Shqipëria do të integrohej plotësisht me botën euroatlantike, siç ka ndodhur me shumicën e vendeve ish-komuniste evropiane. Në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike, midis dy vendeve tona dhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit: për fat të keq, gjithnjë presim për një Shqipëri vërtetë të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore, në kuptimin e vërtetë të fjalës!

Ky mesazh nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson pasqyron ndjenjat miqësore, simpatinë dhe mirëkuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë treguar gjatë dekadave për aspiratat e kombit shqiptar; për një ekzistencë kombëtare, të lirë dhe të pavarur, jashtë influencave të huaja. Janë këto aspirata të ngulitura thellë në traditën dhe psikozën amerikane, por njëkohësisht janë edhe pjesë e idealeve universale për liri e demokraci dhe njëherazi janë edhe burimi dhe prirja e shqiptarëve ndaj qytetërimit perëndimor. Andaj, gjatë dekadave të regjimit komunist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë, pritshin me ankth dhe me shpresë ditën kur Shqipëria dhe kombi shqiptar do të jetonte në liri, zot në tokën e vet dhe i lirë për të vendosur vet fatin e tij.

Vizioni i ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson-it për “një Shqipëri të lirë e të pavarur, anëtare e komunitetit të kombeve”, sot anëtare e NATO-s, është bërë realitet. Roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në realizimin e këtij vizioni ishte i konsiderueshëm, sepse sipas Dean Achesonit, VOA gjatë dekadave të kaluara, u solli shqiptarëve lajmet objektive, të vërtetën dhe faktet, për zhvillimet e mbrendshme dhe të jashtme – si mjete dhe instrumente të nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë – duke shërbyer, njëkohësisht, edhe si një lidhje e pa-ndërprerë dhe pa ndërhyrje komunikimi midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar; në ditë të mira dhe në ditë të vështira.

Frank Shkreli

*Ribotim me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe