Gazeta Nacional Albania

Frrok KRISTAJ: SHTJEFËN GJEÇOVI Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare

Në 148-vjetorin e lindjrs së Atë Shtjefën Gjeçovit

SHTJEFËN GJEÇOVI – figurë poliedrike i kulturës shqiptare

Pikërisht më 12 korrik 2022, u bënë plot 148 vjet që kur u lind Atë Shtjefën Gjeçovit (12 korrik 1874).

Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, pa dyshim se ishte figura e të Madhit Shtjefën Gjeçovit. Ai e pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Pra, Gjeçovi mbeti në kujtesën e të gjithëve si meshtar i devotshëm, historian, etnograf, arkeolog, pedagog, speleolog, mbledhës i folklorit, kodifikues i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, përkthyes, poet, prozator, patriot, e kështu më radhë.
Atë Shtjefën Gjeçovi u lind në Janjevë të Kosovës, pikërishtë më 12 korrik të vitit 1874, pra para plot 148 vjetëve, përkatësisht u vra nga pushteti okupator serb në Zym të Hasit para plot 93-vjetve, më 14 tetor 1929.
Shkaku kryesor i vrasjes së Gjeçovit nuk ishte vetëm hapja e shkollave shqipe, por shkak kryesor ishte se ai së bashku me shehun e Planejes e kishin penguar në Has shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet etnike dhe dërgimin e tyre në Turqi, si dhe shkak ishin edhe përpjekjet e tij me Fan Nolin për t’i bashkuar kishat (katolike e oortodokse) ndër shqiptarë.
Atë Shtjefën Gjeçovi rrjedhë nga i ati Mata (shkruan si Mata në librin e vdekjes dhe në pasaportë, kurse nëpër libra e tekste publicistike babai i Gjeçovit njihet si Konstandin), dhe e ëma Ana Guga nga Prizreni (poashtu në pasaport shkruhet si Marije). Kur u lind Gjeçovi prindërit e pagëzuan me emrin Mëhill, që shkurtimisht e quanin Hilë. Hili i vogël. Si fëmijë mësimet e para i filloi në vendlindje, pra në Janjevë, ku edhe shfaqi shenja zgjuarësie, prandaj famullitari me leje të prindërve, e regjistroi në Kolegjin françeskan në Troshan afër Lezhës. Kolegjin françeskan të Troshanit Hili e mbaroi në vitin 1888 dhe po atë vit, për studime të mëtejshme, shkoi në Bosne. Në Bosne më 15 gusht të vitit 1892, Hili hyri në urdherin françeskan në Kuvendin e Fojnicës, dhe mbas vitit të provës, vazhdoi mësimet liceale e filozofike në Kuvendin e Plehanit (afër Dërventës), nga ku herë pas here shkon në Banja Llukë e në Kreshevë për t’i ndjekur mësimet e Tolotcit, mësime këto që kishin të bënim me origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe.
Pas mbarimit të studimeve të larta teologjike, më 29 qershor të vitit 1896, sipas rregullit e ndërron emrin në Shtjefën Konstandin Gjeçov – Kryeziu, françeskan.
Atë Shtjefën Gjeçovi u lind dhe u rrit në shtratin e Rilindjes Kombëtare. Ishte personalitet i rrallë i fesë dhe i kombit. Ishte i nderuar nga mbarë kombi shqiptar. Ishte pishtar i devotshëm i shqiptarizmës, atdhedashurisë, arsimit dhe i kulturës shqiptare. Atë Shtjefën Gjeçov – Kryeziu bëri gjurmë të pashlyeshme në fushën e teologjisë së krishterë (katolike), në fushën e arsimit, të arkeologjisë, historisë, etnografisë, mbledhjes, sistemimit e kodifikimit të së drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijimtarisë letrare në prozë, poezi e dramë, si edhe në fudhën e përkthimeve. Gjeçovi ishte një figurë e gjithanshme që do të thotë se vepra dhe kontributi i tij përbëjnë tiparet dalluese të atdhetarizmit e iluminizmit shqiptar.

Kudo që shërbeu e la vulën e arsimit shqip

Françeskanët shqiptar vepronin sipas traditës së hershme të tyre: “Aty ku punon, hape një kishë, një shkollë dhe një bibliotekë”. Mbi këtë parim veproi edhe Atë Shtjefën Gjeçovi. Ai i mësonte shqiptarët e të dy besimeve, sepse ishte i brumosur me idealet e Rilindjes Kombëtare. Gjeçovi, kishte personalitet të formuar, kulturë të gjerë e interesim për shumë fusha të jetës. Kudo që ka shërbyer, ai ka lënë edhe vulën e arsimit shqip. Në fakt, “Jetën e vet si mësues e shkriu për të ngjallur ndenjën kombëtare të bashkatedhtarëve të vet, për të ngritur popullin në këmbë për liri e pavarësi”. Kudo që ka hapur shkolla për besim, apo që ka punuar në to (shkolla), ai ka lënë gjurmë nderi e krenarie, sepse në orët mësimore të besimit fetar, Gjeçovi i shndërronte njësit mësimore në atë qo t’i njihte nxënësit e vet me gjuhën shqipe, historinë kombëtare dhe kulturën shqiptare. Ai aspironte që ta shihte popullin e vet më të “gjytetnuem”, siç shprehej vetë ai. Ai edukon dhe ligjëron me gjuhën e popullit, edhe kur flet për arkeologji apo për shtetin, për qeverisjen e mirë apo për plagët e kohës. Edhe kur shkruan vepra letrare, si drama, poezi, apo novela (“Shqyptari ngadhnjyes”, “Tomorr e Pashtrik, përpiquni”, “Mnera e Prezës”, etj), apo kur merret me publicistikë (“Shtyllat e kombit”), ai do ta theksojë gjithnjë thelbin “gjytetnues” të edukimit e të arsimit.
Ashtu siç thotë filozofia Hana Arendt: ”Baza logjike e politikës është liria”, do të thoshim se edhe te Atë Shtjefën Gjeçovi, do të kishim reflektime dhe angazhime të tilla në fushën e arsimit e të edukimit, sepse sipas parimit françeskan do ta kishte po atë bazë logjikë angazhimi për një arsim qytetar, përkatësisht për një shoqëri qytetare. Nëse lagja e përkushtuar e idealistëve françeskanë, nisej nga parimi se ideali është udhërrëfyes i jetës, i shtetit, i rendit shoqëror, i familjes, etj., atëherë nuk është e habtishme pse modelin e përsosmërisë së Zotit ata përpiqeshin ta praktikonin në jetën e përditshme, si ideal të Lirisë, të Demokracisë, të Drejtësisë, të Barazisë e të Qytetërimit, vlera këto që do të arriheshin vetëm me anë të arsimimit e të edukimit të masave të gjëra popullore. Nëse pikënisje e këtij idealizmi është vetësakrifikimi për hir të realizimit të synimeve të larta morale, atdhetare e religjioze; nuk është, po ashtu, aspak e habitshme pse françeskanët shqiptarë, e ndër ta edhe Gjeçovi, u angazhuan aq përkushtueshëm në shumë lëmi të kulturës, të jetës sociale e poltike, të jetës arsimore etj, për hir të triumfit të këtyre idealeve, kurse si Gjeçovi që e sakrifikoi jetën e tij në shërbim të këtyre synimeve lartësore, do të përfundojnë edhe dhjetra françeskanë të tjerë.

Shtylla e mësonjëtoreve duhet të jetë gjuha shqipe

Atë Shtjefën Gjeçovi konsiderohet shëmbëlltyra më e shkëlqyer për t’i ruajtur, rigjallëruar dhe për t’i bërë të pavdekshme visaret popullore që kanë vlera të jashtëzakonshme kombëtare. Gjeçovi ishte në radhë të parë prift i ritit françeskan, ishte studiues, mësues, arkeolog, mbledhës i palodhshëm i folklorit, krijues letrar (poet, prozator e dramaturg), përkthyes, etnograf, publicist, speleolog dhe themelues i sociologjisë familjare, gjë që sipas këtyre aftësive Gjeçovi konsiderohet ndër figurat më të njohura të arsimit, të kulturës dhe atdhetarizmit shqipar.
“…Gjeçovi u dallua kryesisht për veprimtarinë e tij në fushën e arsimit, të letërsisë artistike dhe të shkencave albanologjike. Si të gjithë rilindësit tanë, edhe ai nuk e ndante çështjen kombëtare nga ajo e arsimit. Në çdo moment ai ishte një patriot dhe mësues i popullit. Gazeta “Dielli” e Bostonit (SHBA) shkruante “Shtëpia e Gjeçovit qe njëkohësisht shkollë e vend këshillash të mira për popullin”. Në librin e tij “Agimi i gjytetnisë” (1910) ai shkruante “Shtylla e mësonjëtoreve të Shqipërisë duhet të jetë gjuha shqipe, pse sa mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë” (Rrok Zojzi “Shtjefën Konstantin Gjeçovi”, “Gjeçovi, vepra 4”, Rilindja, Prishtinë, 1985, faqe 127).

Aktiviteti pedagogjik i Shtjefën Gjeçovit

Siç del nga e tërë veprimtaria e tij e bujshme, Atë Shtjefën Gjeçovi, për detyrë të veten përkushtuese dhe jetësore, kishte marrë me vullnetin e tij personl edhe arsimimin e brezeve shqiptare, ndaj kudo që dërgohej me shërbim fetar, ai zhvillonte edhe aktivitet të dendur kombëtar në lëminë e arsimit. Këtë aktivitet kryesisht e zhvillonte në kuadër të mësimit fetar.
Kështu që, është me shumë rëndësi të përmendet fakti historik, se gjatë qëndrimit të tij në Laç e rrethinë, kohë kur shqiptarët deri në fund të vitit 1908, ende nuk kishin alfabet të vetin zyrtar, për nevojat pedagogjike të shkollës që kishte hapur, Shtjefën Gjeçovi do të tubonte 12 shenja të kodeve të moçme shqiptare dhe format e vjetra ekzistuese të shkronjave shqipe, duke arritur të bënte shkrirjen dhe përshtatjen e tyre në një alfabet të përkohshëm, për përdorim në vendet dhe shkollat ku ai mbante mësim.
Po në këtë kohë ai filloi të mbledhëte e ta kodifikonte edhe veprën e tij më rëndësishme “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, vepër kjo që pas kalimit në amshim të Gjeçovit kjo vepër do të bëhet edhe kryevepra e tij.
Në vitin 1906, nga Laçi ai u transferua në Borgi Erico, siç quhej atëbotë lagja e Arbneshit në Zarë të të Dallmacisë në Kroaci, përkatësisht lagje kjo që sot njihet si lagja e Arbanasve, ku do të punonte si mësues i kurseve të gjuhës shqipe në kuadër të besimit, që mbaheshin atje, por për shkak të disa mospajtimeve me udhëheqjen françeskane të Kishës, në shenjë proteste pas gjashtë muajsh Atë Shjefni do të largohej nga Zara.
Për fatin e Shjefën Gjeçovit, Austro-Hungaria ishte shteti i cili kishte përgjegjësinë e mbrojtjes dhe të mbikëqyrjes së të drejtave të pjesëtarëve të besimit katolik, gjatë kohës së sundimit otoman në Shqipëri, dhe konsullatat e saj përkujdeseshin edhe për kishat dhe emërimet e meshtarëve të tyre në trojet shqiptare në kordinim me Vatikanin.
Ndaj Konsulli Austro-Hungarez, i cili kishte marrëdhënie të mira dhe çmonte lartë inteligjencën e Atë Shjefën Gjeçovit, pas largimit të tij nga Zara, do të kujdesej që në vjeshtën e vitit 1906, ai të emërohej drejtor i shkollave françeskane për vajza dhe djem në Shkodër, të cilat financoheshin nga Austro-Hungaria.
Qëndrimet e tij kombëtare, bënë që më 1 maj të vitit 1907, ai të organizonte një protestë, në formë shetie me nxënës në Shkodër.
Por veprimtaria kombëtare e Atë Shjefën Gjeçovit e pengonte Kishën françeskane, ndaj kjo edhe u bë shkak që me kërkesën e Kishës, Atë Shjefën Gjeçovi, nga qyteti Shkodrës, të transferohej në Gomsiçe.
Megjithatë pa mbaruar muaji i parë, me ndihmën e Konsullatës Austriake, Gjeçovi ynë i shenjtë edhe aty do të hapte një shkollë për besim ku nxënësit do t’I mësonte edhe për gjuhëln shqipe, por edhe për mbarë kulturën kombëtare shqiptare.

Gjeçovi hapi 11 shkolla për besim

Gjeçovi e filloi punën e arsimtarit që në vitin 1896 në Troshan, kur edhe u shugurua, dhe e vazhdoi në Zllakuqan (të Klinës), në vjeshtën e vitit 1897. Kështu, veproi edhe në vende të tjera kudo që jetoi e punoi. Gjatë 33 vjeteve të plota pune (u transferua 24 herë nga vendi në vend), sa punoi, 26 sosh ia kushtoi arsimit shqiptar, që i kaloi në detyrën e mësuesit në më shumë se 20 shkolla, prej tyre 11 sosh i hapi vet për herë të parë.
Gjatë përvojës së tij pedagogjike, Gjeçovi u dha mësim fëmijëve e të rinjëve, por edhe të rriturve. Madje, u mësoi shkrim-lexim edhe më të moshuarëve se që ishte ai vet.
Gjeçovi gjatë jetës së vet punoi si mësues legal e ilegal, si mësues i emëruar dhe si mësues vullnetar.
Ai dha mësim në shkolla të rregullta e të improvizuara, përkatësisht të hapura nëpër shtëpi të fshatarëve apo në lokalet e qelesë, ku banonte vet, shkolla këto që u mungonte çdo gjë përveç vullnetit të mësuesit e dashurisë së nxënësve për të nxënë dituri të reja.
Për veprimtari arsimore që e zhvillonte pa lejen e qeverisë Gjeçovit iu tërhoq vërejtja. Drejtoria e Arsimit në Shkodër, më 1916, ia dërgoi një shkresë Gjeçovit se “Nuk do të shpërblehej për punën e bërë nëpër shkolla” e ai u përgjegj se “Nuk shërbej për para e shpërblim, por për ta vleft popullin”.

Hero i shkollave shqipe

Atë Shtjefën Gjeçovi, sapo ishte familjarizuar me jetën e vendit dhe banorët e varfër të Thethit, ende pa përfunduar vitin, nga paria françeskane do të detyrohej të shkonte në një vend jo vetëm të varfër por edhe shumë të rrezikshëm për jetën, si në Prekal ku asokohe vepronin shumë banda dhe grupe të ndryshme haraqegjinjësh.
Kështu që në vitin 1917, ai do të vendosej në Prekalin e varfër e të shkatërruar, ku nuk mund të gjente qetësi edhe nga cubat e shumtë që vepronin në ato anë.
Madje përveç se pareshtur kishte punë me ta, atij i duhej edhe t’i diktonte se cilët kishin marrë malin nga zori për të shqyrtuar mundësitë e kthimit të tyre në jetën normale, e cilët ishin të nxitur dhe paguar nga bajraktarët e rretheve për të krijuar probleme për llogari të tyre.
Por edhe përkundër krejt fatkeqësive që e rrethonin dhe me të cilat ballafaqohej, Atë Gjeçovi nuk mund të jetonte pa shkollë e pa nxënës ndaj që në shtatorin e vitit 1917, ai do të hapte edhe aty një klasë mësimi, në të cilën do të punonte gjithë ditën pa pagesë, duke jetuar me bukën që i ofronin fshatarët, para dite me djem dhe pasdite me vajzat e fshatit që të mësonin shkrim-leximin në gjuhën amtare.
Por aq më keq, mësues Gjeçovi jo vetëm se nuk paguhej nga askush por edhe kërcënohej në vijimësi, për ndalimin e punës së tij si mësimdhënës.
Ndaj duke parë se ai nuk ndalonte punën me mësimin e fëmijëve aty, në vitin 1919, pas gati tri vitesh të kaluara, Atë Shtjefën Gjeçovi do të transferohej sërish në Troshan të Lezhës, ku kishte zhvilluar edhe vet mësimet si fëmijë i ardhur nga Janjeva (afër Prishtinës).
Gjatë shërbimit në Troshan, ai rifillon edhe një herë studimet arkeologjike të vendit duke studiuar dhe përshkruar me shumë hollësi lashtësitë e këtyre trojeve ku me punën e tij të palodhshme do të mblidhte mbi 500 objekte arkeologjike, nga periudha të ndryshme kohore me vlera të çmuara historike dhe kombëtare.
Por për të penguar dhe lënë në gjysmë punët e tij të nisura e të rinisura disa herë, në pjesën e dytë të muajit prill të vitit 1920, me shpresën se shenjti Atë Gjeçovi, do të afrohej me italianët dhe largohej nga çështja kombëtare, do të dërgohej për të shërbyer në Vlorë, e cila atëbotë mbahej e pushtuar nga Italia.
Ndërsa Atë Shtjefën Gjeçovi, me të arritur atje, do të kërkonte menjëherë lirimin e objekteve fetare nga italianët, për çka ra në konflikt të hapur së pari me ipeshkvin e Durrësit – Biankin, e pastaj me qendrën françeskane në Shkodër.
Për këtë arsye, Vatikani urdhëroi ipeshkvin Bianki, që Atë Shjefën Gjeçovit, të mos i lëshonte leje pune në Vlorë, duke detyruar edhe qendrën françeskane në Shkodër që ajo të mos i paguante rrogën Gjeçovit, për shkak se komanda e ushtrisë italiane ishte ankuar në Vatikan se Atë Shtjefën Gjeçovi ishte shumë prift nacionalist dhe i pa dëshirueshëm për ta.

Themeloi bibliotekën, koleksionin, ekskurzionin…

Gjatë kohës sa e kreu edhe detyrën e mësuesit të gjuhë e kulturës shqiptare, e në veçanti të mësuesit të besimit fetar, ai themeloi BIBLIOTEKËN E PARË shkollore në Shkodër.
Po ashtu, gjatë viteve të mësuesisë Gjeçovi themeloi KOLEKSIONIN E PARË ARKEOLOGJIK në trojet shqiptare, përkatësisht e zbatoi EKSKURSIONIN MËSIMOR, sidomos në mësimin e gjeografisë e të historisë. Këto ekskursione ai i quante “ARGËTIME ARKEOLOGJIKE E GJEOGRAFIKE”.

Gjeçovi hartues i teksteve shkollore

Atë Shtjefën Gjeçovi – Kryeziu gjatë jetës së vet nuk shkroi ndonjë vepër të veçantë pedagogjike, madje nuk i regjistroi as kujtimet e tij derisa e kreu detyrën e mësuesit, megjithatë problemet e arsimit dhe të edukimit të popullit shqiptar, në veçanti të brezit të ri, i trajtoi në shumë studime, artikuj, libra e publikime të tjera, që i shkroi e disa prej të cilave edhe i botoi. Në shkollat ku ka dhënë mësim Atë Shtjefën Gjeçovi vazhdimisht përpiqej të siguronte tekste mësimore.
Pikëpamjet pedagogjike Gjeçovi më së miri i shprehu në veprën e parë “AGIMI I GJYTETNIS”, pastaj në novelën “BESË E DASHTNI”, përkatësisht “MNERA E PREZËS”. Në fakt, këto vepra ”e vëjnë Gjeçovin në radhët e para të hartuesve të teksteve mësimore. Sidomos “Agimi i gjytetnis” e bënë Gjeçovin pjesë të historikut të shkollës e të mendimit pedagogjik shqiptar.
Madje, sipas këtyre veprave Gjeçovi e shihte njeriun si qenie shoqërore, por edhe aktivitetin e tij e konsideronte të vlefshëm vetëm në shoqëri, sepse jashtë shoqërisë ekzistencën e njeriut nuk e shihte. Për këtë ai thoshte se jeriu jashtë shoqërisë është “gjymtyrë pa shpirt”, apo “…i mjerë m’i t’mjerë kishte me kenë (njeriu) pa shokë”, “njeriu pa shoqni si peshku pa ujë”, “njeriu i vetëm – i tretun”, “ni gur s’ban mur”, “nuk mahet shpija me ni shtyllë”, etj.
Sipas Gjeçovit edukata shërben për ta mëkëmbur njeriun që “t’i shfillojë mënuen e shisën”.
Ai thoshte se edukimi i njeriut fillon që në moshën e re, menjëherë pas lindjes. Pastaj, përveç kujdesit prindor, për rritjen e fëmisë “duhet ni mësues”, sepse Gjeçovi edukatën e shikon si një proces që vazhdon edhe pas rritjes.
Në veçanti Gjeçovi e vlerëson lartë rolin e gruas si nënë në edukimin e fëmijëve, sidomos kur thotë se “m’ju o nana, e n’dorë t’uej asht pshtetë e mira dhe e zeza e fëmisë”.
Vlerën e edukatës, thotë Gjeçovi, ia jep nëna fëmijës. Këtë e bazon në radhë të parë në dashurinë e saj për te. Me një fjalë “si ta mson nana fmijn n’kam të vogla, ashtu punon kur t’rritet”.
Për Gjeçovin çdo femër mund të bëhet nënë, por jo edhe nënë e mirë, sepse ajo që nuk është e edukuar dhe e pajisur me virtyte të mira, sigurisht se nuk do ta edukojë fëmiun e vet si duhet.
Gjeçovi asnjëherë nuk ngurroi të ngrit zërin se “moskenja e giuhës dhe padija e kanë lënë shqyptarin mbrapa”, e dituritë nuk mund të përhapeshin pa e forcuar arsimin dhe edukatën kombëtare.
Për punën në edukimin e brezeve, Gjeçovi e konsideron se rol të rëndësishëm ka edhe përvoja, e cila duhet t’u jepet fëmijëve nëpërmjet të trashëgimisë gojore, si përrallave, fjalëve të urta, gojëdhënave, ndodhive, pra nëpërmjet të folklorit e të letërsisë në përgjithësi.
Si pjesë përbërëse të edukatës Gjeçovi e përfshinë edukimin mendor dhe atë të shqisave.
Vend të merituar në këtë kontekst i jep lëndëve të veçanta të gjuhës, letërsisë, historisë, gjeografisë, shkencave të natyrës e kështu me radhë, kurse nga roli i lëndëve shoqërore ai e veçon në radhë të parë edukatën morale.
Kështu, në veprën “Agimi i gjytetnis” Gjeçovi ka bërë përpjekje t’i trajtojë konceptet dhe normat morale. Mu për këtë ai (Gjeçovi) edhe gjatë gjithë jetës u kujdes shumë për mbledhjen e lojërave të fëmijëve nga viset tona etnike.
Atë Shtjefën Gjeçovi dha kontributin e tij edhe në lëmin e arkeologjisë shqiptare. Ky arriti të mblidhte e radhiste materiale arkeologjike, duke krijuar kështu një koleksion të pasur arkeologjik në muzeumin françeskan të Shkodrës. Në lëmin e arkeologjisë dallohet studimi i tij “Trashigime thrrako-iliriane” që botohej në revistën ”Populli”, e më vonë edhe në “Hylli i Dritës”.

“Kanuni…” preokupim në vete

Megjithatë, vepra më e rëndësishme e Atë Shtjefën Gjeçovit është përmbledhja e rregullave të së drejtës zakonore dhe dokeve të popullit me titull “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që për Gjeçovin ishte preokupim në vete, disa kapituj të të cilit filluan të botoheshin me 1913 dhe vazhduan më vonë në “Hylli i Dritës”, por që dolën si libër në vete më 1933, pra pas vdekjes së Gjeçovit. Përmbledhjen e tij, e cila ishte në dorëshkrim, e rënditën dhe e botuan etërit françeskan si vepër postume. Kjo, është përmbledhja e së drejtës zakonore shqiptare, me rëndësi të madhe për studime në disiplina të ndryshme shkencore.
Gjeçovi i kishte bërë hapat e parë edhe të speologjisë shqiptare. Kështu, ai në vitin 1923 kishte hyrë në Shpellën e Gajtanit, që deri atëherë askush nuk kishte zbritur në te. Këtë e dëshmon e dhëna se në vitin 1962 instituciionet e kulturës së kohës në Shqipëri kishin përgatitur ekipin e speleologëve për të zbritur, siç thonin ata për herë të parë në Shpellën e Gajtanit. Dhe, me të mbërri ekipi i speleologëve, kishin hyrë në Shpellë dhe pasi depërtojnë diku rreth 30-40 metra në thellësi, e shohin të gëdhendur në në rras guri “Shtjefën Gjeçovi, 1923”, që do të thotë se ai kishte zbritur në Shpellën e Gajtanit 33 vjet më herët.
Ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar një biografi e sivëllazënve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashkë Bardhi, më pastaj një monografi e kishte shkruar Rrok Zojzi, të cilën pushteti i kohës nuk ia botoi. Më vonë Ruzhi Mata, në vitin 1983 e botoi monografinë “Shtjefën Gjeçovi: Jeta, vepra”. Megjithatë, unë e Skënder Zogaj e kemi botuar në vitin 1980 monografinë e parë për Gjeçovin, që ishte mjaft modeste, me titull “Njeriu i penës dhe i armës”, e kështu me radhë.
Do përmendur se tash u bënë 54 vjet që kur Shkolla fillore e Zymit u pagëzua me emrin e Gjeçovit, përkatësisht vjet u bënë 50 vjet me radhë, që kur ne zymjanët e organizojmë manifestimin letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, që mbahet në Zym, që nga viti 1971, pastaj manifestimin “Gjurmë të Gjeçovit”, që mbahet në Janjevë, që nga viti 2000 e manifestime të tjera. (“Takimet e Gjeçovit 2015” (almanak), Klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi”, Zym, 2016, faqe 181-188).

)