Gazeta Nacional Albania

Gabimi më i madh, të heqësh dorë. Poezi nga Nënë Tereza

GJEJ KOHË

Gjej kohë të mendosh
Gjej kohë të lutesh
Gjej kohë të qeshesh
Është burimi i fuqisë
Është fuqia më e madhe mbi tokë
Është muzika e shpirtit.
Gjej kohë për të luajtur
Gjej kohë të duash dhe të duhesh
Gjej kohë të japësh
Është sekreti i rinisë së përjetshme
Është privilegj i dhënë prej Zotit
Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.
Gjej kohë të lexosh
Gjej kohë të jesh mik
Gjej kohë të punosh
Është burim mençurie
Është rruga e lumturisë
Është çmimi i suksesit.
Gjej kohë të bësh mirësi
Është çelësi i parajsës.

“FEMRAT”

Kigjithmonë parasysh se lëkura krijon rrudha,
flokët bëhen të bardhë,
ditët shndërrohen në vite…
Por ato që janë të rëndësishme, nuk ndryshojnë:
forca jote dhe bindja jote nuk kanë moshë.
Shpirti yt është ngjitës për çdo rrjetë merimangash.
Pas çdo vendi mbërritjeje është një vend nisjeje.
Pas çdo suksesi ka një tjetër zhgënjim.
Për aq sa të jesh e gjallë, ndjehu e gjallë.
Nëse të mungon ajo që bëje, kthehu dhe bëje.
Mos jeto me fotot e zverdhura…
këmbëngul, edhe nëse të gjithë presin të largohesh.
Mos e lër të ndryshket hekurin brenda teje.
Vepro në mënyrë që në vend të mëshirës, të tjerët të të tregojnë respekt.
Kur për shkak të viteve nuk mund të vraposh, ec shpejt.
Kur nuk mund të ecësh shpejt, ec ngadalë.
Kur nuk mund të ecësh dot, përdor bastun.
Por mos u ndal asnjëherë!
7 fakte interesante të Freddie Mercury

HIMNI I JETËS

Jeta është një shans, kape.
Jeta është bukuri, adhuroje.
Jeta është bekim, shijoje.
Jeta është ëndërr, bëje realitet.
Jeta është sfidë, përballoje.
Jeta është detyrë, kryeje.
Jeta është lojë, luaje.
Jeta është e çmuar, kujdesu për të.
Jeta është pasuri, vlerësoje.
Jeta është dashuri, jetoje.
Jeta është mister, zbuloje
Jeta është premtim, mbaje.
Jeta është trishtim, kaloje.
Jeta është himn, këndoje.
Jeta është luftë, pranoje.
Jeta është aventurë, rrezikoje.
Jeta është jetë, mbroje.

_________________________________________________________________
JEP ÇKA KE ME TË MIRË…

Njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egoist
nuk ka rëndësi, duaje.
Po bëre mirë, do të të veshin qëllime dytësore egoiste
s’ka rëndësi, bëj mirë.
Po realizove objektivat e tua, do të gjesh miq të rremë dhe armiq të vërtetë
s’ka rëndësi, realizoji.
E mira që bën do të harrohet nesër
s’ka rëndësi, bëj mirë.
Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm
s’ka rëndësi, ji i sinqerte dhe i ndershëm.
Ajo që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet
s’ka rëndësi, ndërto.
Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh
s’ka rëndësi, ndihmoji.
Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma
s’ka rëndësi, jep… çka ke më të mirë.

_____________________________________________________________________________________
MOS JETO KURRË PA JETË!

Dita më e bukur? Sot.
Pengesa më e madhe? Frika.
Gjëja më e lehtë? Të gabosh.
Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.
Rrënja e çdo të keqeje? Egoizmi.
Mëndjeheqja më e mirë? Puna.
Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës.
Profesionistët më të mirë? Fëmijët.
Nevoja e parë? Komunikimi.
Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Misteri më i madh? Vdekja.
E meta më e keqe? Të qenit pa humor.
Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria.
Dhurata më e bukur? Falja.
Ajo më e paçmuara? Familja.
Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur.
Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme.
Pritja më e mirë? Buzëqeshja.
Ilaçi më i mirë? Optimizmi.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca më e madhe? Besimi.
Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj).
Gjëja më e bukur në botë? Dashuria.

_____________________________________________________________________________________
MBI GËZIMIN

Një zemër e gëzuar është pasoja normale
e një zemre që digjet dashurie.
Gëzimi nuk është thjesht çështje personaliteti
është gjithnjë e vështirë të shfaqesh i gëzuar:
Një arsye më tepër për të kërkuar arritjen e gazit
e për ta rritur në zemrat tona.
Gëzimi është lutja; gëzimi është forca, gëzimi është dashuria.
E më shumë jep ai që jep me gëzim.
Fëmijëve dhe të varfërve, të gjithë atyre që vuajnë dhe janë vetëm,
jepini gjithnjë një buzëqeshje të ëmbël;
Jepuni atyre jo vetëm kujdeset, por dhe zemrën tuaj.
Ka të ngjarë të mos kemi mundësi për të dhënë shumë,
por mundemi gjithnjë të japim gëzim
që nxit nga një zemër valë dashurie.
Nëse në punën tuaj hasni vështirësi dhe e pranoni me gëzim,
me një buzëqeshje, në këtë, krahasuar me shumë gjëra të tjera,
do të shihni veprat tuaja të mira.
Dhe mënyra më e mirë për të treguar mirënjohjen tuaj
qëndron në të pranuarit e çdo gjëje me gëzim.
Po qetë të mbuluar me gëzim, gëzimi do të shkëlqejë në sytë tuaj
e në pamjen tuaj, në të folurit tuaj dhe në shpagimin tuaj.
Nuk do të arrini ta fshihni dot pasi gëzimi shpërthen.
Gëzimi është shumë ngjitës.
Kërkoni pra, të rrethoheni gjithnjë prej gëzimit
kudo që të shkoni.

Gëzimi duhet të jetë një nga engjëjt e jetës sonë.
është virtyt i një personaliteti zemërgjerë
Ndonjëherë është manteli që mbulon
një jetë sakrificash dhe vetëdhëniesh.
Një njeri që këtë dhunti posedon, shpesh arrin maja të larta
Shkëlqen si diell në gji të shoqërisë.

E Zoti ua ktheftë në dashuri gjithë dashurinë që keni dhënë
o gjithë gëzimin e paqen që keni mbjellur rreth jush,
nga njëra anë e botës në tjetrën.