Gazeta Nacional Albania

Gabriel Escobar: Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e Brukselit

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa shfaqi shpresën se takimi i radhës në nivelin më të lartë politikë ndërmjet të dyja vendeve, do të krijojë mundësi për një përparim të gjerë në bisedime.

Ai i bëri këto komente gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në internet, disa ditë pasi që tensionet shpërthyen në veriun e Kosovës për shkak të vendimit të qeverisë për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë. Sipas vendimit të qeverisë makinat që kanë targa të lëshuara nga Serbia duhet të pajisen me targa të Kosovës dhe personat që hyjnë në Kosovë me dokumente serbe t’i zëvendësojnë ato me një dokument të përkohshëm, njësoj sikundër veprohet në Serbi me qytetarët e Kosovës.

Më kërkesën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për 1 shtator zbatimin e masave.

LEXONI EDHE KËTË
Qeveria e Kosovës pas kërkesës amerikane shtynë zbatimin e vendimit për reciprocitetin
“Nuk do thosha se është thjeshtë një shtyrje, do të thosha se është një mundësi për të gjetur zgjidhje që do të ndihmonte integrimin dhe qëndrueshmërinë rajonale”, tha zoti Escobar.

Shtetet e Bashkuara thonë se vendimet e qeverisë janë në harmoni me marrëveshjet e Brukselit, i cili ka ftuar për 18 gusht në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar zgjidhjet që do të shmangin tensionet si ato të së dielës.

LEXONI EDHE KËTË
Kosova dhe Serbia takohen me 18 gusht – Hovenier thotë se masat e reciprocitetit janë të ligjshme
“Në të njëjtën kohe në shpresojmë për diskutime më të gjera se si të dyja vendet mund të ecin përpara për të krijuar mundësi për marrëdhënie më të mira, për integrim në Evropë. Mendoj që ky muaj do të krijojë mundësi për të përparuar në më shumë gjera jo vetëm në çështjen e targave”, tha zoti Escobar.

Zoti Escobar tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe një gjë e tille tha ai është diskutuar edhe në takimin e presidentes dhe kryeministrit të Kosovës me Sekretarin e Shtetit Antony Blinkën.

“Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, tha zoti Escobar, sipas të cilit ka modele të shumta evropiane, sipas të cilave pakicat mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kuadrin kushtetues të vendit ku jetojnë.

Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti
Serbia ngulë këmbë në themelimin e asociacionit për të cilin autoritetet në Kosovë thonë se bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe Serbia përmes tij synon të dëmtojë shtetësinë e Kosovës, që nuk e njeh.

“Për ne, çështja e Kosovës nuk është një çështje e hapur. Ne e njohim plotësisht Kosovën si vend të pavarur, sovran dhe partner të ngushtë. Aspiratat tona për Kosovën janë po ato që janë të popullit të saj, që ajo të jetë e njohur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të ketë liberalizimin e vizave menjëherë dhe qe dera të jetë e hapur në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, tha zoti Escobar.

Por, ai tha se një e ardhme e tillë hapet përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian qëllimi i të cilave është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është para duarsh.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të zhdukurit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari Blinken u tha presidentes (Vjosa Osmani) dhe kryeministrit të Kosovës (Albin Kurti) kur ishin në Shtetet e Bashkuara, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha zoti Escobar.

Tensionet e fundit në veriun e Kosovës nxitën vlerësimin e analistëve se pas tyre fshihet edhe Rusia, që siç thonë ata, me përpjekjet për të destabilizuar rajonin, synon të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.

KOSOVO-TENSION/SERBS
LEXONI EDHE KËTË
Ekspertët perëndimorë, të shqetësuar nga tensionet në veri të Kosovës dhe roli i Rusisë në rajon
Zoti Escobar tha se me përjashtime të vogla, çfarë ndodhë në Ballkan është rezultat i faktorëve nga Ballkani. Në këtë kuadër ai paralajmëroi kundër retorikës nxitëse nga përfaqësuesit politikë në Bosnjë e Hercegovinë ku siç tha, pret që të mbahen zgjedhje të lira më vonë gjatë këtij viti.

Diplomati amerikan u zotua të mbështes Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në zbatimin e reformave që do të përshpejtonin rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, pasi këto dy shtete hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në bllok.

Ndërsa në Malin e Zi, tha ai, Shtetet e Bashkuara mbështesin çdo qeveri që përqafon vlerat e Bashkimit Evropian dhe është e përkushtuar ndaj NATO-s.

Marre nga zeri i amerikes