Gazeta Nacional Albania

Gara presidenciale ne SHBA ende pa rezultat të qartë

 

05 nëntor, 2020

Dy ditë pas votimit, amerikanët vazhdojnë të presin për rezultatin përfundimtar në zgjedhjet presidenciale. Të gjithë sytë janë tani tek disa shtete ku disa rezultate janë pranë shpalljes dhe të cilat mund të përcaktojnë fitoren mes ish-nënpresidentit demokrat Joe Biden dhe Presidentit të tanishëm republikan Donald Trump.

Në Nju Jork, një kërkesë për të numëruar çdo votë, ndërsa vendi vazhdon të presë njoftimin e fituesit të gjedhjeve.

Njerëzit në mbarë vendin janë në ankth, përfshirë edhe në shtetin kyç të Pensilvanisë.

“Shpresoj të përfundojë me qetësi. Po përpiqem të jem optimiste”, thotë Monique në Filadelfia.

Votat ende janë duke u numëruar në një pjesë të shteteve të rëndësishme. Por, pasi Joe Biden u shpall fitues në Miçigan dhe Uiskonsin – dy shtete që Presidenti Trump i fitoi katër vite më parë – kandidati demokrat tha se është i sigurt se do të marrë 270 votat e Kolegjit Elektoral, minimumin e nevojshëm për të fituar.

“Nuk jam këtu për të shpallur fitoren, por jam këtu për të njoftuar se kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fitues”, tha zoti Biden.

Xhorxhia, një shtet tradicionalisht republikan, është një nga shtetet fushë-betejë ku mbështetja më e fortë për zotin Biden nga votuesit në qytete dhe ata të periferisë, mund t’i jap atij fitoren përfundimtare.

Me numërimin ende në proces, Presidenti Trump shkroi në Twitter të mërkurën se ai kishte fituar në Pensilvani, Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe Miçiganin, një postim që Twitter-i e etiketoi si “të pavërtetë”.

Fushata Trump filloi sfida ligjore për të ndaluar numërimin e votave në Miçigan dhe Pensilvani, duke thënë se republikanët nuk kishin qasje të mjaftueshme për të vëzhguar procesin.

“Do ta çojmë çështjen në Gjykatën e Lartë. Ne duam që të gjitha numërimet të ndalen. Ne nuk duam që ata të gjejnë fletëvotime në orën katër të mëngjesit dhe t’i shtojnë në listë”, tha presidenti.

Presidenti po kërkon gjithashtu një rinumërim të votave në Uiskonsin, ku diferenca është shumë e ngushtë.

“Secili kandidat mund të kërkojë një rinumërim kur diferenca është më pak se 1%, dhe kështu po veprohet. Historikisht rrallëherë ndodh që rinumërimi të ndryshojë rezultatin fillestar kështu që nuk ka të ngjarë që do të dalë rezultati që ai po kërkon”, thotë William Howell me universitetin e Çikagos.

Qindra mbështetës të presidentit Trump protestuan në një qendër për numërimin e votave në Finiks të shtetit Arizona të mërkurën në mbrëmje, duke pretenduar se disa vota nuk ishin numëruar siç duhet.

Rezultati përfundimtar në Arizona dhe shtete të tjera mund të vendoset në gjykatë.

“Nëse ka ndonjë çështje gjyqësore që konteston numërimin e fletëve të votimit, refuzimin e fletëve të votimit në mungesë apo zgjatjen e kohës për marrjen e votave me postë, nuk kam dyshim se kushdo që humbet në atë proces gjyqësor ndoshta do të jetë i gatshëm ta çojë çështjen deri në Gjykatën e Lartë”, thotë Hans Spakovsky me Fondacionin Heritage.

Që do të thotë se shpallja e fituesit mund të zgjasë me ditë ose edhe javë.

Marre nga Zeri I Amerikes