Gazeta Nacional Albania

Genc Pollo: Sfida konceptuale e dyshes Millona-Gjoka nuk është vetëm për satirë

“Nga ana e shtetasit nën hetim Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, nëpërmjet miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore, në funksion të realizimit të interesave të pesë familjeve ish- pronare, ku përfitues i drejtpërdrejtë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi”

Ky është pasazhi ku prokurorë të posaçëm rreshton të tërë provat e akuzës kundër z. Berisha (përjashto një kontroll administrativ të një drejtorie në kryeminstri) duke e shpallur person nën hetim dhe person të dyshuar por jo të pandehur (të akuzuar) për “korrupsion pasiv në bashkëpunim”.

Kjo akt-akuzë ka ngjallur debat e kundërshtime që nga shkelja e lirive specifike kushtetuese të deputetit, tek paqartësia për veprën penale që ka konstatuar e deri tek misteri pse J. Malltezi konsiderohet funksionar shtetëror pa qenë një ditë i tillë.
Por gjëja më speciale në këtë tekst është një precedent që Prokuroria e Posaçme ka vendosur me provat për fajësinë e z. Berisha siç citohet më lart.

Aktet ligjore dhe nënligjore në fjalë janë:
1- një ligj për kthimin e pronave i v2006 i cili zgjeron të drejtat e ish pronarëve në terrenet e zonave turistike, pronave të ministrive (përfshi atë të Mbrojtjes), të instituteve kërkimore dhe të investimeve të mëdha strategjike. Ligji prej gati 30 nenesh ndryshon edhe disa kritere, procedura çmime, etj.
2 – një VKM e v2008 për vlerësimin e pronës shtetërore e për procedurën e shitjes së saj ku, ndër të tjera, parashikohej se ish pronarët në parablerjen e pronës mund të përdornin bono privatizimi të viteve 90.

Këto dy akte zyrtare janë të natyrës normative të përgjithshme. Dmth. efekti dhe detyrimi i tyre shtrihet mbi të gjitha subjektet e përfshira dhe të interesuara. Këto palë janë përveç organeve shtetërore e institucioneve publike edhe dhjetëra mijë ish pronarë që pretendojnë pronën, pronarë të rinj tok me shërbim-ofruesit ligjorë e financiarë të pajtuar prej tyre.

Është hera e parë në historinë penale shqiptare, dhe me sa jam konsultuar edhe në atë botërore, që akte legjislative me natyrë normative të përgjithshme të konsiderohen si provë krimi për shkak të efektit që mund të kenë patur mbi një subjekt të veçantë ndër shumë syresh. Mbase kjo nuk është hera e parë që disa veprime prokurorësh sfidojnë logjikën bazë por kësaj radhe sfida e kapërcen rastin konkret e përballet me traditën ligjore të kontinentit e më gjerë.

Më konkretisht le të shohim kontrastin me aktet zyrtare individuale të debatuara vitet e fundit. KM Rama ka nënshkruar personalisht statusin e investitorit strategjik për familje ministrore si dhe për banditë me Sky CC. Ai ka nënshkruar edhe VKM si ajo që i fal privatëve bazën e Forcës Detare (që u rrëzua nga gjykata sepse “cënon sigurinë kombëtare). Rama ka firmosur edhe dyzina aktesh për koncesionet e inceneratorëve, sterilizimit të cilat janë provuar nga gjyqësori si plaçkitje pa kufi e taksapaguesit. Këto e të tjera janë nën hetim penal dhe nuk dimë nëse do të shërbejnë si provë akuze kundë tij për veprën penale shpërdorim detyre. Në varësi të përcaktimit të motivit si altruist apo egoist (ka dashur të pasurojë të tjerët apo ka menduar edhe për vete) mund të provojnë edhe “korrupsionin pasiv”. Por në të gjitha rastet këto janë akte unike me detyrime e favore individuale për një kompani apo person. Dhe në përvojën shqiptare e botërore aktet zyrtare individuale ekskluzivisht mund të jenë produkt i abuzimit e i korrupsionit.

Në nivel më teorik aktet normative të përgjithshme shprehin një program, vizion e vullnet politik. Aktet zyrtare individuale mund të shihen si instrumenta zbatuese të të parave.

Në media kam parë shembuj që ilustronin sfidën logjike të prokurorëve të posaçëm si p. sh. një kryeminstër që rrit pagat e pensionet apo liberalizon vizat mund të fajësohet se ka favorizuar (edhe) të afërmit e tij. Mua më pëlqen më shumë shembulli i përmbysur: Kryeminstri Filan Fisteku është në konflikt personal e politik me zotin H. Q. Kryeministri vendos të ngrejë taksat. Zoti H. Q., kompanisë së të cilit si pasojë i reduktohet dividendi, ankohet për persekutim politik e personal, kallzon penalisht për “shpërdorim detyre” kryeminstrin dhe në fund i kërkon gjykatës që të mos paguajë shtesën e taksave.

Satira për këtë precedent mund të vazhdojë pa fund por nuk kemi luksin të reduktojmë gjyqësorin në objekt humori dhe as gafat individuale t’ja veshim automatikisht sistemit.
Le të imagjinojmë në makthin më të keq se “provat” e mësipërme konfirmohen nga gjyqësori shqiptar. Përtej rastit konkret një pasojë do të jetë që zor se një qeveritar mund të firmosë politika publike e ligje gjenerike sepse ndër dhjetra apo qindra mijë përfituesve mund të gjenden edhe familjarë të tij. Dhe një me kaq në dorë një prokuror i posaҁëm t’a akuzoje penalisht.
Të vemë re edhe se Gjykata e Posaçme po duket jo rrallë e paaftë të luajë rolin korrigjues dhe orientues ndaj SPAK-ut dhe e nxituar të vulosë broçkullat që i paraqiten.

Me keq akoma nën duhmën e “refomës paprecedent” dhe me tam tamet qeveritaro-ndërkombëtare për “heronjtë e rinj” po kthehemi në arrestime e aktakuza mirëfilli partiako-politike që i kishim lënë pas në vitet 90.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet
27 tetor 2023