Genc Pollo,Ish ministër e deputet: Propozime që dëmtojnë Kosovën, Shqipërinë dhe Europën
Michael Martens, gazetari që mbulon Ballkanin për të përditshmen kryesore gjermane Frankfurter Allgemeine mesa e njoh unë, nuk është vetëm një person me sensin e satirës. Ai në rradhë të parë është një reporter akribik që shkruan artikuj vetëm mbasi e ka studjuar e hulumtuar personalisht çështjen dhe eviton klishetë që i gjen jo rrallë në median europiane. Prandaj edhe postimi i tij se Edi Rama është më i miri kryeministër që Serbia ka patur mbas Nikolla Pashiçit, duhet parë edhe përtej satirës. Gjithësesi janë tre çështje kosovare ku ndërhyrja personale e Ramës ka provokuar kundërshtime në Prishtinë e më gjerë. Në fakt janë tre çështje shumë të rëndësishme për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, Ballkanin dhe Europën që gjithësesi meritojnë vëmendje e shqyrtim.
Zajednica ose Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë
Në qershor të këtij viti kryeministri Rama i dërgoi qeverive të Berlinit e Parisit një koncept si duhej të ishte Zajednica. Ky koncept që nuk është bërë i njohur deri më sot sipas Ramës ishte “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar” i hartuar prej ekspertëve të shquar perëndimorë në këtë lëmë që ishin pajtuar nga qeveria për këtë punë.
Për vëzhguesin distant mbetet e paqartë dobia e kësaj nisme sepse një të tillë “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar” mund t’a hartonte edhe Prishtina që është direkt e përfshirë në këtë çështje duke patur edhe autoritetin e financat për të pajtuar një grup “ekspertësh të shquar perëndimorë”. Po kështu mund t’a bënte edhe Beogradi që është i dyti nga radha e përfshirjes. Po kështu mund t’a bënte Brukseli me rolin e tij në dialogun Kosovë-Serbi dhe sigurisht edhe vetë Parisi e Berlini qoftë edhe pa marrë postë nga Tirana. Disa fondacione e think-tanke kanë publikuar këto dy vjet konceptet e tyre për Zajednicën duke kontribuar në debatin publik; i cili, në demokraci formëson vizionin politik. Por kur një palë e tretë e interesuar por periferike u dërgon koncepte jo-publike një tjetër pale të tretë, kjo e fundit me gjasë e surprizuar nga nisma, dobia duket edhe më mjegullt.
Për vëzhguesin distant është e më e paqartë pse Rama nuk ja dërgoi Kosovës konceptin e “nivelit më të lartë ndërkombëtar” nëse vërtet besonte se teksti përmbante ide të reja për qeverinë në Prishtinë. Kjo do të ishte në frymën e afërsisë së vetëkuptueshme, të bashkëpunimit tradicional e të traktatit dypalësh; mund t’ja dërgonte edhe Serbisë me presidentin e të cilës ka konsoliduar një marrëdhenie speciale që synon “Ballkanin Europian”; ose fundja edhe dy ndërmjetësve/facilitatorëve të Brukselit të angazhuar direkt në këtë dialog (aktualisht zz. Borrel e Lajčâk). Për arsye që mbeten të shpjegohen koncepti ju dërgua dy shteteve kryesore të Bashkimit Europian të cilët, tok me 25 shtetet e tjere, kanë deleguar prej vitit 2011 ndërmjetësimin tek Shërbimi i Jashtëm i BE-së, pra tek dy ndërmjetësit/facilitatorët e lartpërmendur.
Por vëzhguesi mbase nuk e ka të nevojshme të lodhë mendjen për të kuptuar të pakuptueshmen dhe as të nxjerrë nga lumi gurin kryeministror, po të ketë parasysh se personazhi ynë nuk e ka problem të duket karakteropat mjafton që të duket lojtar i rëndësishëm dhe të bëhet i pëlqyeshëm për segmente ndërkombëtarësh mjaft që këta të mbyllin sytë për problemet në vendin e tij. Qoftë edhe përmes trysnisë joparimore ndaj Kosovës.
Dhe kjo e fundit është çështja madhore: a lipset dhe a duhet që Kosova me ligj të mundësojë themelimin e Zajednicës? Përgjigja ime është po edhe po!
Po sepse Kosova sovrane përmes titullarëve të saj gjatë kesaj dekade të “dialogut” ka pranuar disa herë me shkrim, këtë vit edhe nga KM Kurti, detyrimin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe; çdo refuzim apo shmangie e njëanshme dhe arbitrare nga detyrimet ndërkombëtare të jep hijen e shtetit renegat që nuk meriton as simpati e as përkrahje.
Po sepse Kosova sovrane e moderne ka detyrimin parimor që të akomodojë të gjithë shtetasit e saj sipas përvojës ndërkombëtare më të mirë. Këtu përfshihen edhe ata do të donin të jetonin në shtetin e vjetër edhe pse jo detyrimisht thyejnë ligjet e shtetit të ri: pra serbët kosovarë.
Debati publik për Zajednicën fokusohet tek kompetencat dhe druajtja se mos kthehet në një Republika Serbska. Ky fokus është i mangët. Dodik, shefi i Republika Serbskas ka në bazë të kushtetutës së Daytonit tagra të mjaftueshme për të paralizuar nivelin federal. Por edhe pa këto tagra përkrahja që ai merr nga Beogradi e nga Moska do të mjaftonte për të ushqyer secesionizmin e tij.
Si modele për Zajednicën dikur përflitej Tiroli i Jugut/Alto Adige në Itali e tashti statusi i pakicës serbe në Kroaci. Të dyja këto raste kanë të përbashkët atë që shteti strehues i pakicës nuk kërcënohet nga shteti mëmë i asaj pakice. Sot Serbia nuk është rrezik sigurie real për Kroacinë e rimëkembur dhe anëtare në NATO e në BE. Po ashtu statusi bujar i pakicës gjermanofone në Tirolin e Jugut/Alto Adige u arrit gradualisht në dy faza kur Italia e Austria, në përgjithesi shtete mike mbas 1945, arritën një nivel të lartë mirëbesimi.
Në rastin tonë Serbia jo vetëm nuk e njeh Kosovën por me kushtetutë e quan pjesë të saj; ajo influencon dhe instrumetalizon pakicën serbe, të paktën në veri të Ibrit, përmes shërbimit sekret, grupeve mafioze, zgjatimit të partisë shtet të mbështetur me superbuxhet. Beogradi përdor edhe kërcënimin ushtarak (katër herë në dy vjet) por edhe dhunën e armatosur përmes grupimeve si ai Radojcicit në 24 shtator.
Atëhere pyetja për Zajednicën nuk është më si lipset të jetë ajo, por kur mundet të krijohet ajo. Dhe përgjigja tingëllon e thjeshtë: kur Serbia të mos kërcënojë e mundësisht të pranojë/ njohë Kosovën. Dialogu i Brukselit nën shenjën e një “ambiguiteti strategjik” të padobishëm nuk arriti t’a adresojë dot çështjen e pranimit/njohjes. ShBA, ndonëse shprehej vazhdimisht për proces me fokus tek “njohja reciproke” nuk mundi të shënojë progres në këtë pikë.
Për këtë arsye plani franko-gjerman i prezantuar vjet sillte risinë e njohjes faktike por jo formale mes dy shteteve ngjashëm me dy Gjermanitë gjatë Luftës së Ftohtë. Fatkeqsisht ndërmjetësit perëndimorë nën iluzionin e joshjes së Serbisë nga BE apo ndonjë tjetër përfitim momental e harruan thelbin e këtij plani; ata i kërkuan Kosovës “këtu dhe tashti” Zajednicën kurse njohjen faktike e lanë për më vonë kur të bindej Serbia. Kaq i duhej dhe Edi Ramës për të nisur letra me postë.
Konferencë ndërkombëtare por me kë?
Propozimi tjetër i Edi Ramës është që të thirret një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi mbasi negociatat aktuale me regji nga Brukseli nuk kanë gjasë për përfundim të suksesshëm. Për këtë të fundit duket se ka një konsensus në rritje të paktën nëse regjia e Brukselit mbetet tek i njëjti model dhe me gjasë tek i njëjti regjizor. Por a sjell një konferencë ndërkombëtare një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje lipset të kujtojmë se dialogu Kosovë- Serbi nuk ka mbetur gjithmonë në nivelin Lajčák/Escobar. Ai është ngritur shpesh në nivelin e ministrave dhe ndonjëherë ka qenë objekt direkt i shefave të shteteve. Para një viti Presidenti francez e Kancelari gjerman prezantuan planin e tyre; kësaj nisme ju bashkua edhe Kryeminstrja italiane. Të tre bashkë ata i dërguan letër Kryeminstrit Kurtit e Presidentit Vučić dhe dërguan këshilltarët diplomatikë në Prishtinë e Beograd për të njoftuar pasojat nëse plani refuzohej. Ndonëse ky plan u pranua verbalisht ai nuk është zbatuar praktikisht. Shkak për këtë është refuzimi thelbësor i Vučićit për të ecur drejt njohjes së Kosovës (refuzim i maskuar me dyfytyrësi retorike) si dhe mungesa e vizionit strategjik e prevalimi i interesave taktike përfshi edhe njëanshmëri sporadike tek ndërmjetësit facilitatorë.
Por ka dhe një kufizim tjetër: Europa e Perëndimi nuk kanë mjaftueshëm karrota e shkopinj për të çuar palët drejt një marrëveshje të drejtë e të qëndrueshme.
Karrota “anëtarësim në BE” është iluzore ose në rastin më të mirë do jepet mbas nië brezi. Korruptokratë si Vučići, ku për më tepër opinioni publik i bombarduar nga propaganda shtetërore është kundër BE-së, nuk kanë pse t’a duan anëtarësimin. Sepse kjo do të do të thotë fund apo kufizim i korruptokracisë; kështu që pavarësisht retorikës proeuropiane në të vërtetë ata nuk e duan. Ndërkohë që nga BE edhe kështu siç janë përfitojnë atë që duan vërtet: ndihmë financiare e koperturë politike. Të njëjtën qasje kanë dhe në Tiranë e Shkup.
Ndërkohë që shkopin mund t’a vëzhgojmë në Kosovë: sanksionet e BE as nuk e kanë ndryshuar thelbësisht sjelljen e qeverisë Kurti e as kanë ulur përkrahjen publike të saj. Me gjasë sepse konsiderohen si të padrejta (siç janë!). Ose konsiderohen edhe të neglizhueshme. Është kollaj të imagjinohet se sikur të njëjtat sanksione t’i vihen Serbisë, siç po flitet, reagimi i Beogradit do të jetë shumë më shpërfillës.
Por të jemi të qartë Europa e ShBA kanë potencialin për masa e ndërhyrje që do t’i trondisnin keq shtetet të vogla si këto tonat. Por duket se nuk kanë vullnetin dhe aktualisht as terezinë për t’u marrë me këtë punë.
Një konferencë me Francën, Gjermaninë si violina të para tok me BE plus ShBA do të ishte një deja vu. Po të shtojmë fuqitë botërore të interesuara forca imponuese e konferencës do të rritej dukshëm. Këto fuqi botërore aktualisht janë Rusia (me agresionin e saj ndaj Ukrainës pak gjasa ka të ftohet) dhe Kina. Por konkluzionet e kësaj konference do të ishin fatkeqe për Kosovën dhe dëmtuese për Europën. Rama nuk e thotë shprehimisht se konferenca duhet zgjeruar kësisoj por logjika e kontekstit fare mirë të çon këtu.
Veriu nën kontrollin e KFORI-it po përse?
Propozimi më i çuditshëm i Edi Ramës ishte që KFOR-i të merrte kontrollin në katër komunat në veri të Ibrit. I çuditshëm sepse një forcë ushtarake e pranishme në territor si rregull ka kontroll mbi atë territor. Ajo forcë ushtarake instalon një pushtet civil për punët e përditshme dhe vetë merret eksluzivisht me sigurinë. Në kontekstin e Kosovës punët e përditshme të pushtetit civil si dogana, rendin publik, arsimi, shëndetësia, pastrimi i rrugëve janë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që KFOR-i kurrë nuk i ka patur. Me bojkotin e Lista Serbska situata dhe me kryebashkiakët me 3 % vota situata është komplikuar por parimisht nuk ka ndryshuar. Institucionet janë të Kosovës edhe kur funksionojnë jo mirë. Ky është një mesazh i rëndësishëm politik e simbolik. Nëse dikush e ndryshon këtë në favor të një minirepublike nën tutelën ndërkombëtare atëhere nuk do shumë fantazi për të kuptuar se synohet preludi i coptimit territorial. Para disa vitesh Rama me kolegë e tentoi seriozisht këtë projekt dhe gjeti pëkrahje në dyshen aventuroze Mogerini/Eichhorst në Bruksel dhe në dyshen idelogjike Bolton/Palmer në Washington. Që të katërt të bashkuar nga joparimësia e miopia. Për fat të mirë të Kosovës, Serbisë dhe Europës ky projekt dështoi.
Europa e kuptoi nga tragjedia e Luftës së Dytë Botërore se shtetet etnikisht homogjene ishin të pamundura dhe investoi në të drejtat e pakicave kombëtare dhe në tretjen e kufijve shtetërorë. Kjo vlerë europiane nuk është e pamundur në Ballkan siç dëshmojnë shembuj pozitivë të shumtë. Nuk do të ishte e pamundur as në Serbi e Kosovë edhe pse vështirësohet nga korruptokratë e aventurierë.
Sfida në Kosovë do të ishte një konsensus politik e shoqëror rreth këtyre çeshtjeve i formuluar qartë e shkoqur për të arritur optimalen në javët e muajt e ardhshëm.
Sfida në Shqipëri është që personin me llagapin e ri nga Michael Martens t’a bëjë sa më të padëmshëm në javët e muajt e ardhshëm.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet