Germain Droogenbroodt lindi më 11 shtator 1944 në Rollegem të Belgjikës. Në vitin 1987 u transferua në në Altea, një qytet piktoresk dhe artistik i Spanjës duke u integruar kështu në jetën letrare spanjolle.
Droogenbroodt është një poet i vlerësuar në arenën ndërkombëtare. Ai është i ftuar çdo vit në festivalet më prestigjioze ndërkombëtare të poezisë. Ka shkruar tregime dhe recensione letrare, por kryesisht poezi, deri tani katërmbëdhjetë libra me poezi, të botuara në 28 vende të botës. Është gjithashtu përkthyes, botues dhe promovues i poezisë moderne ndërkombëtare. Ka përkthyer – pasi flet gjashtë gjuhë – më shumë se tridhjetë përmbledhje me poezi gjermane, italiane, spanjolle, latino-amerikane, angleze dhe franceze si dhe poezi arabe, kineze, japoneze, persiane dhe koreane në gjuhën hollandeze.
Si themelues dhe redaktor i shtëpisë botuese belge POINT Editions, ka botuar më shumë se tetëdhjetë përmbledhje me poezi kryesisht moderne, ndërkombëtare.
LUFTA NË UKRAINË
Pemët e bajames këtu janë në lulëzim
një kënaqësi për syrin
që e shijon bukurinë.
Së shpejti, lulet e portokallit
aromën e tyre joshëse do të përhapin.
Por gjetkë harbohet lufta,
shkatërrimi dhe vuajtja.
Lulet atje nuk lulëzojnë –
në tymin e dhunës barbare
mbyten ato.
DESPOTI
Nata agimin e ka sulmuar
dhe paqes i grabit
dritën e çmuar.
Heshtja shuhet
e mbytur nga armët e zjarrit,
topat dhe sirenat që ulërijnë.
Despoti Rus
indiferent ndaj vuajtjeve
të vetë popullit të tij.
PA PËRGJIGJE
Krahët e saj shtrihen në ajër
sikur dëshiron të përqafojë qiellin
një nënë Afgane për fëmijën e vet
po lyp ushqim.
Por lutjet e saj
nuk prekin as njeriun
dhe as Perëndinë.
KOPSHTI I EDENIT
Parajsa
s’ka humbur kurrsesi
nëpër shekuj
vazhdon të ekzistojë,
por jo për të gjithë.
LAMTUMIRË E VETMUAR
Për ata, të cilët kudo që ndodhen, vdesin të vetmuar
E ftohtë dhoma
mureve të bardha
dëgjohet veçse
jehona e vetmisë.
Asnjë fjalë e ëmbël tani
asnjë perqafim i ngrohtë
vetëm koha,
një rubinet që rrjedh,
me ritëm të shpejtë.
Askush nuk troket në portë
askënd ti nuk pret,
askënd, përveç vdekjes.
JETA
Si një lule jetëshkurtër
si një grusht dëbore
që për një çast shkëlqen në diell
dhe shkrihet
ngadalë kullon
bashkohet me
dhe bëhet përsëri
– tokë.
HAPËSIRA
Pastaj hapësira u bë e gjitha dritë
horizonti e fshiu
kufirin
midis qiellit dhe tokës
koha u venit,
zbrazëtia u bë plotësi
apo zbrazëtia ishte më e madhe
– një zbulim?
PERËNDESHA E NATËS
Kërcënuese,
si një qenie shtazore
errësira rri pezull mbi tokë
cila hëne vallë
na hedh një shikim drite të shpejtë
cili dielli
jo kërcënues
na jep vetëm një shenjë?
KRIJIMI
Pjesa e krijimit
të universit
universi vetë
nga çfarë është krijuar?
Mendimi është bosh
vizioni dështon
gjithçka që avancon
është rrënim e konfuzion
vjeshta është me mjegull
dimri do të jetë i ftohtë.
HIJA
Por
nuk ka hije
më të madhe
se sa drita e saj.
AGIMI
A i numëruan me gishta
damarët e gjetheve
a i lexuan rrudhat
në pëllëmbën e përjetësisë?
A e shpërndanë errësirën
sytë e tyre miopë?
A i njohën shenjat,
agimin, në fytyrën e natës së ftohtë?
PLANETI
Nga ke ardhur
ku do të shkosh?
Sa do të zgjasë ende
përjetësia jote
– planet?