Gazeta Nacional Albania

Gjekë Marinaj: NJË FAMILJE E MIRË ZBUKURON IMAZHIN E NJË SHTETI

Nganjëherë momentet me të bukura në jetë kanë të bëjnë me surprizat. Surprizat e këndshme janë ato momente të papritura që kanë fuqinë të ndryshojnë jo vetëm çehren e fytyrës, të rrisin shpejtësinë e të rrahurave të zemrës, por edhe të ndryshojnë për mirë perceptimin tonë për jetën.
Ndodh që një drekë të mbetet në mendje si një nga drekat më mbresëlënëse të jetës dhe që një familje e vetme të zbukurojnë në sytë tanë imazhin e një vendi apo një shteti. Të paktën në eksperiencën time, ky fenomen mori jetë që në kilometrat e para në hyrje të Kazakistanit.
Gjithmonë ndej përgjegjësi për çdo lëvizje që bëj, çdo moment që ndaj me të tjerët, çdo fjalë që shkruaj për publikun apo them në publik. Të gjitha janë të rëndësishme për mua, sepse përbëjnë detajet e imazhit tim para miqve, lexuesve të mij, por edhe vetë botës.
Ndaj para se të nisesha, shkova në Youtube të gjej ndonjë video nga të cilat mund të mësoja diçka më shumë rreth kulturës së Kazakistanit dhe mënyrës së sjelljes me njerëzit brenda strukturave demografike të këtij vendi, sidomos për mënyrën e përshëndetjes me të moshuarit dhe femrat.
Me të hyrë në anën tjetër të kufirit, fillova të mësoj se në Kazakistan, si në çdo vend të botës, kultura e sjelljes dhe njohja e zakoneve ka rëndësi të madhe në komunikim e zëshëm edhe te pazëshëm me njerëzit. Por sinqeriteti, qëllimi i mirë dhe modestia me të cilën vepron ndër rrethana të panjohura merr rëndësi të veçantë. Njerëzit janë më të kuptueshëm, më falës, më ndjesë-dhënës se ç’mund ta imagjinojmë.
Mësova edhe njëherë nga e para se injoranca e njëriut mbijeton falë kulturës së tjetrit. Fjalës injorancë këtu i jap konotacionin gjuhësor “padituri” kundrejt një segmenti të veçantë jetësor dhe jo “idiotësi” të dominuar nga banaliteti apo mangësitë e theksuara kulturore.
Me fjalë të tjera, isha përgatitur për një udhëtim shumë të gjatë me makinë dhe veshja ime e konfirmonte këtë. E dija se gjatë rrugës për në qytetin Turkistan, ku gjendej universiteti që më kishte ftuar zyrtarisht, ishim të ftuar tek një familje kazake, por e paramendova si një ftesë të thjeshtë për një kafe apo limonadë.

Pas disa kilometrash ndaluam në anën e djathtë të rrugës kryesore. Aty, si një imazh simbolik i historisë dhe kulturës së këtij vendi unik, qëndruam përballë një kodre të lartë ku prehej skeleti i restauruar i anijes së profetit të lashtë Nuk.
Para dy makinave me kapacitet të lartë pasagjerësh, na priste gazetari i njohur i Kazakistanit Baltabek Tuyetaev. Po ashtu edhe këngëtari Ablaikhan Ospanov, i cili njihet për kontributin e tij në traditat dhe zakonet e rajonit. Veshur sipas zakoneve të krahinës, filloi të këndonte këngë tradicionale kazake të shoqëruara me tinguj muzikor nga disa instrumente muzikore popullore të ngjashme me ato që artistët e folklorit përdorin në Shqipëri dhe disa vente të tjera të ballkanit..
U përshëndetëm sikur të ishim të njohur të vjetër, ndonëse ishte hera e parë që shiheshim apo flisnim me njëri-tjetrin. Mes këngës dhe bisedës morëm rrugën e gjatë për në qytetin Shymkent, ku jetonte gazetari Baltabek me familjen e tij. Natyra e bisedave me karakter sa shoqëror aq edhe intelektual vihej pa e kuptuar në ekuilibër me peizazhin piktoresk natyror që ishte vështirë ta anashkaloje pa vëmendjen që meritonte.
Pas atyre pak orëve udhëtim, pothuajse të pandjeshme, arritëm në shtëpinë e bukur të gazetarit Baltabek. Një arkitekture e ndërtuar me rritjen e familjes dhe nocionet e mikpritjes në mëndje. Paralel me shtëpinë zgjatej një verandë e ndërtuar me art, një mozaik i vërtet shijesh dhe kulturash, hapur anash dhe e mbuluar me një çati që nga dekorimi i tavanit dhe perceptimi hapësinor të jepte një shije të ëmbël rehatie dhe mikpritje.
Në krye të verandës kishin vendosur një tendë artistike në shenjë nderimi dhe mikpritje për ne, brenda së cilës gjendeshin ornamente të zgjedhura me kujdes për këtë rast. Para tendës kishin vënë një tavolinë me pije dhe gjëra të tjera freskuese si mundësi qetësimi pas një udhëtimi të gjatë. Në dy anët e tendës kishin vënë stenda nga ato që zakonisht bëjnë botuesit për promovimet e librave. Djathtas pasqyrohej një fotografi e imja dhe e librave të mi përkthyer në gjuhën Kazake dhe Uzbeke. Majtas, e njëjta gjë ishte bërë për poeten dhe miken time uzbeke Xosiyat Rustamova, e cila udhëtonte me mua nga Tashkenti, së bashku me poetin dhe përkthyesin A’zam Obidov dhe kryeredaktoren e revistës “Guncha” Dilfuza Shomalikova. Nuk mungonte as gazeta “Erkin Oi”, një prej gazetave të pavarura më me influence në Kazakistan, e cila më kishte kushtuar tërë hapësirën e 3 faqeve të para.
Por para se të uleshim, që në hyrje të oborrit të brendshëm, zonja e shtëpisë u shfaq me një shportë në dorë dhe që andej nxori çokolata dhe karamele të llojeve më të ndryshme dhe i hodhi në ajër mbi kokat tona në shenjë mirëseardhje. Një zakon domethënës që më solli ndërmend dasmorët e zonës së veriut kur vinin të merrnin nuset në Malësinë e Madhe.
Një nga një erdhën na përshëndetën dhe u falën me ne të gjithë pjesëtaret e familjes së Baltabek Tuyetai, që përveçse një gazetar i njohur e autor librash për lojën e shahut, ishte shpallur edhe kampion në sportin e shahut në vendin e tij. Me çfarë mund të kuptojë njeriu brenda një dite, ai dukej njeri me karakter të lartë që kishte punuar pa pushim gjatë gjithë jetës për të arritur statusin që gëzonte sot.
Pas “shiut” që na bëri me çokolata e karamele, e para erdhi gruaja e Baltabekut, Farida Asai, një zonjë me shumë kulturë që me paraqitjen e saj shenjtërore dhe mënyrën e sjelljes më kujtoi nënën time në moshë të re. Po ashtu erdhën edhe djemtë e shtëpisë Danabeku dhe Asylbek Maksati. Pastaj u afruan nuset Nagima dhe Saniya që me pastërtinë shpirtërore dhe fizionominë e sinqertë që kishin, të jepnin përshtypjen sikur sapo dolën nga një kartolinë e kompozuar bukur për Vitin e Ri. Na përqafuan edhe fëmijët e tyre Dayana, Dastani, Danelya, Aslani, dhe Ailini që u duk sikur i shtuan shkëlqim asaj dite me diell.
Ndryshe nga marrëzirat e sugjeruara në Youtube, u përqafuam me të gjithë si të ishim prej kohësh pjesëtar të së njëjtës familje. Kënaqësia dhe çudia ime njëherësh, u fuqizuan nga fakti se secili prej tyre ishte veshur me rroba tradicionale nga folklori kombëtar i Kazakistanit. Një veprim që akoma më ngrohë në shpirt, si në aspektin e ndjenjës ashtu edhe të shijes artistike me të cilën ishin realizuar. Kostume që me ngjyrat, stolitë dhe motivet unike reflektonin në sytë tanë një dritë të re shprese, civilizimi dhe dashurie njerëzore ndaj artit.
Veshje që të frymëzojnë ta duash folklorin, këtë pjesë kolatike të artit të tyre etnografik që është në përputhje të plotë me vlerat shpirtërore dhe filozofinë e tyre krahinore pa kompromis me modën e vendeve të tjera të botës.
Tingujt e muzikës kazake, si paralele translucente me kodet koreografike, frymëzuan lëvizje të personalizuara në sekuencën e hapave dhe dukurive të tjera fizike të Dilfuzës. Ajo me elegancën e saj natyrale, ndonëse në cilësinë e njërës prej vjehrrave, na ftoi të kërcenim të gjithë së bashku. Një ftesë që ndoshta kishte të bënte me përpjekjet e saj për të më qetësuar disi, ngaqë ndjehesha keq për veshjen time të papërshtatshme për një pritje kaq madhështore.
Pastaj u ulëm në tavolinën e përgatitur për ne, nën tendën e stolisur me elemente që përfaqësonin historinë dhe simbolizonin thesaret e kulturës së tyre familjare e krahinore. Tavolina e mbushur me pije dhe meze të lehta për freski dhe hapje oreksi, kishte në përbërje shumë përzgjedhje që nuk i kisha parë apo provuar më parë. Njëra nga specialitetet me simbolikë maksimale respekti dhe mikpritje ishte freskia me qumësht kali. Nuk kisha provuar qumësht kali ndonjëherë dhe nuk e dija se si do reagonte trupi im ndaj tij. Ngaqë isha për rrugë, si fillim u tregova pak më tepër se sa duhet i kujdesshëm në këtë aspekt.
Anash kisha poeten e njohur dhe shumë të dashur në ato anë Khosiot Rustamova që, mesa dukej, edhe ajo e shijonte për herë të parë qumështin e kalit. I dhamë një shikim miratues njëri-tjetrit dhe u befasuam me shijen e mrekullueshme dhe lehtësimin fizik që na dha ai qumësht i hollë, afërsisht i bardhë dhe tejet i shijshëm.
Pastaj provuam pa derte gjithçka që gjendej në tavolinë. Secili specialitet sikur gdhendi një fjalë të re në përvojën e jashtëzakonshme që po fitonim nga ky prezantim i parë me kulturën familjare dhe kombëtare të Kazakistanit, ku ushqimi i mrekullueshëm, shërbimi i jashtëzakonshëm dhe dekori ekskuizit na bënë të ndjeheshim pjesë të historisë së asaj dite.
Atëherë kur menduam se kaluam një orë të papërsëritshme me këtë familje thuajse të shenjtë, thamë se hapi tjetër do ishte lamtumira dhe vazhdimi i udhëtimit për në destinacionin kryesor që kishim. Por jo. Papritmas u ftova nga vogëlushja engjëllore Dayana për një lojë shah. Një fëmijë brilant në pamje dhe sjellje, me një kapacitet kognativ përtej moshës së saj, e cila me përqendrim të plotë në lojë, më zuri “mat” me vetëm katër lëvizje. Buzëqeshi dhe më dha dorën duke më thënë “qe një lojë e këndshme”.
U çuam dhe prapë mendova nisjen për në Turkistan. Por zonja e shtëpisë na bëri me dorë të shkonim në dhomën e pritjes. U futëm dhe pamë se mahnitja jonë akoma nuk e kishte gjetur fundin. Pastërti absolute, dekorim i brendshëm i shijes më të lartë, arkitekturë që do bënte krenar edhe arkitektin më të mirë, sidomos në aspektin se çfarë është e mundur të bësh me një buxhet të kufizuar. Pra kishin të bënim me një finesë të madhe arkitekturale ku atributet fizike të shtëpisë ishin kompozuar me ngrohtësinë familjare dhe kulturën mikpritëse në mendje, duke na ofruar një përvojë të pa parashikueshme.
Tavolina e gjatë shoqëruar nga 16 karrige të stilit aristokratik ishte mbushur njëherësh me specialitetet më përfaqësuese dhe më të veçanta të qytetit dhe zonës. Që në shikimin e parë të tryezës, dukej përpjekja për t’na kënaqur me një luks inteligjent ku gjithçka shkëlqente. Ushqime nga më të larmishmet me mishra e djathëra të llojeve të ndryshme, pije shoqëruese specifikisht për ushqimet që kishim përpara, sallata organike dhe fruta të freskëta, ëmbëlsira nga më të ndryshmet, e shumë gjellë të tjera nga arti i gatimit që i provoja për herë të parë. Përvoja ime personale u pasurua me shijet e veçanta të talkaninit, supës së grurit, kumiyzit, kimyranit, çubotës, e salcës së noraçit.
Sikur të kishin studiuar kulturën e mikpritjes së Malësisë së Madhe apo sikur të donin të demonstronin ngjashmërinë e traditave kazake me ato shqiptare, më ftuan të ulesha në krye të vendit. Para meje gjendej koka e një dashi të pjekur në mënyrë të përsosur. Kjo simbolizonte nderimin më të lartë që mund t’i bëhej një miku përmes artit të gatimit.
Para fillimit të ngrënies, më ftuan të marr pjesë në lutje sipas kulturës fetare islamike. Me shume respekt, afrova duart e hapura para fytyrës dhe u luta pa zë për lumturi të vazhdueshme të kësaj familje, sipas perceptimit tyre të lumturisë. U luta që bota të ketë paqe, harmoni dhe dashuri midis gjithë njerëzve pa paragjykime e dallime midis tyre.
Ndonëse sipas traditës familjare jam anëtar i besimit katolik, ajo lutje e sinqertë bëri të ndjehesha i lehtësuar në shpirt dhe mendje, të ndjehesha mirë, si gjithmonë, midis njerëzve të besimit myslimanë.
Pas lutjes, si i ftuari i nderit dhe njeriu që gjendesha në krye të vendit, më ftuan të them dy fjalë:
“Mirë se ju gjeta! Jam lindur në Shqipëri. Edukimin e avancuar e kam marrë në Amerikë, vendin ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës, i cili më ka ofruar përvoja të ndryshme dhe të larmishme.

Por përvoja e sotme në shtëpinë tuaj është e veçantë dhe e papërseritshme.
Ndoshta një ditë edhe mund t’i harroj ndonjë nga emrat tuaj apo disa nga emrat e pijeve dhe ushqimeve të veçanta me të cilat po na nderoni. Por nuk do e harroj kurrë familjen tuaj, vendin tuaj, e veçanërisht mënyrën se si më bëtë të ndjehem sot midis jush. Dhe për të gjitha këto falënderoj nga zemra familjen tuaj, letërsinë që e bëri të mundur njohjen tonë dhe zotin që na dha mundësinë dhe dëshirën të takohemi e njihemi bashkë.”
Gjatë drekës biseda mori drejtimet e saj natyrale. Dominoi përpjekja për të njohur më mirë njëri-tjetrin dhe për të ditur më shumë rreth kulturës, traditave dhe letërsisë bashkëkohore të vendeve tona respektive.
Në fund erdhi dhe surpriza tjetër e madhe: zoti dhe zonja e shtëpisë më nderuan me një Mantel dhe Kapele me simbolikë të veçantë kombëtare.
Duke shijuar fillimin e një miqësie të përhershme midis familjeve tona dhe lidhjeve të reja letrare e akademike, morëm rrugën e gjatë drejt Universitetit Ahmet Yesevi me qendër në Turkistan, ku të nesërmen do bëhej prezantimi i librit tim universitar titulluar “Përqafimi i hënës: Arti i veprave të Gjekë Marinajt” në gjuhën kazake.
E ndjeva se po lija një pjesë të familjes sime mbrapa. Edhe gazetari Baltabek Tuyetai e shprehi këtë ndjesi në mënyrën e tij: “Ju sollët në jetë misionin tonë njerëzor dhe këtë sukses e konsideroj një ditë të lumtur. Lutem dhe falënderoj Zotin për mundësinë e takimit me miq të mirë si ju. U pafshim në ditë të mira.”