1.
Më ra në dorë një libër i Xhevat Lloshit: “Fjalorët e shqipes me turqishten”(?). Një lloj mllefi për disa gjuhëtarë e vepra të njohura dhe për Fjalorin e M. Elezit (41.000 fjalë që nuk gjinden në fjalorët e Akademisë, 2006) duket jo përfaqësues për një njeri të dijes. I panevojshëm, i padobishëm.
2.
Një roman është fryt i talentit dhe punës së shkrimtarit, por fjalësi i një fjalori s’krijohet nga dikush. Atë e ka krijuar gjuha, qysh nga fillesa. Hartuesi nxjerr fjalë nga balta, mbledh, regjistron. Fjalori i Elezit ka të meta; të meta deri në dhimbje kanë fjalorët e Akademisë. Por kush kokrron vetëm të meta, duke i zmadhuar sipas ëndjes, ka arsye vetjake ose shtysa të nënvetëdijes.
Nuk dua të besoj se prof. Lloshi është dëshpëruar që Fjalori i ME rivlerëson pasuri të gjuhës shqipe, të përjashtuara për arsye jashtëgjuhësore.
3.
- Lloshi merr një shpatë, prêt symbyllur grimca me shpatë, i mpreh symbyllur me shpatë dhe i quan argumente të thella.Fjala e vjetëruar hajduk është një nga këto grimca. Lloshi shkruan se në fjalorin e ME fjala hajduk «është quajtur nga turqishtja, por në këtë gjuhë nuk ka një fjalë të tillë… (ajo) vjen prej serbishtes hajduk»; kjo dëshmon «sa larg është ai libër nga shkenca».
Nuk ndodh kurrë në shkencë që studiuesi t’i shtrembërojë edhe citimet.Por jaqë te Lloshi ndodh. Askund në Fjalorin e ME nuk thuhet se hajduk vjen nga turqishtja.Aty saktësohet, fjalë për fjalë:(prej hung., tur.), domethënë prej hungarishtes, hyrë në shqip nëpërmjet turqishtes.[1]
Kjo është njëra anë.
Ana tjetër: megjithëse z.Lloshi e përjashton prerë, këtë fjalë e ka turqishtja.E pohojnë mjeshtër të mëdhenj dhe turkologë. Çabej: “Prej turq. haydud, e kjo prej magj. hajdú, shm. hajduk”.Dizdari në të njëjtën hulli, u referohet edhe albanologëve Majer (Meyer),Veigand (Weigand)… Sami Frashëri, cituar prej tij: “tur. hajdúd, hajdút, vjen prej tur. haydamák “cub malesh, thyes xhadesh, vjedhës” ose nga hungarishtja hayduk”.
Besoj se dijetarë të tillë nuk janë “sa larg nga shkenca”.Ani pse z. Lloshi priret nga tjetër mendim.
Edhe një shembull dhe mjaft.Ndajfolja ham. Lloshi shkruan se prejardhjen e kësaj fjale Elezi “e quan prej amull ose prej hambar”!Por në shtjellimin e ME nuk përmendet kund hambari. Ja shtjellimi i plotë, marrë me copy paste nga Fjalori:“Ham ndajf. (prej amull ose prej hamshor. Thuhet: shko puno, çka po më sillesh si hamshor). Pa punuar. “Me u bâ ham si kualt në han” Gazulli)“ (këtu mbaron citimi nga ME).Ç’ka e shtyn një studiues me shtrembnue kaq pahijshëm kur citon një autor, duke e shndërruar hamshorin në hambar?
Kaq sa me krijue një ide për seriozitetin e studiuesit Lloshi.
4.
Ai është marrë me gjuhën, por vështirë përmendet ndonjë vepër e tij. Libri që ka habitur ata që e kanë parë është jo iLloshit, por për Lloshin. Një monografi për të.
Derisot, me ç’di, monografi për së gjalli janë botuar vetëm për dy emra. Për Ismail Kadarenë, gjeni i letrave (jo mirëfilli monografi), dhe për… Xhevat Lloshin.
Gjuhëtar unik, me “këngë për së gjalli”!
[1]NëFjalorin e ME, fq. 28, SHKURTIMET, shkruhet: “tur. = turqisht ose nëpërmjet turqishtes”. Po aty saktësohet: “Në rastet kur janë vënë disa shkurtime rresht, sipas rendit të tyre dëshmohet rruga që ka ndjekur fjala për të hyrë në gjuhën shqipe; p. sh. “prej pers., tur.”, do të thotë se fjala është me gurrë perse, ka hyrë në turqisht, prej aty në shqip”.