Gazeta Nacional Albania

Goditet ish-kryeministri Berisha në protestën e opozitës.

• Ilirian Agolli
Marre nga Zeri I Amerikes
________________________________________

Përkrahës të opozitës dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha zhvilluan sot një tubim proteste pak metra larg Takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.
Organizatorët pohuan se po u tregojnë në këtë mënyrë përfaqësuesve të Bashkimit Europian të mbledhur në Tiranë, mbi korrupsionin qeveritar dhe kërcënimin, që kryeministri Rama po u bën vlerave europiane dhe demokratike.
Pak para se të niste tubimi, ish kryeministri Sali Berisha u sulmua me grusht në fytyrë, nga një person, që sipas tij, është “agjent i policisë kriminale”, ndërsa sipas policisë, ai është person me precedentë kriminalë dhe me çrregullime të shëndetit mendor.

Ish kryeministri Sali Berisha u sulmua sot papritur nga 31-vjeçari Gerti Shehu, ndërsa po ecte nga selia e partisë së bashku me ish presidentin Ilir Meta, drejtuesin e Partisë së Lirisë, në drejtim të shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, ku po niste një protestë kundër kryeministrit Edi Rama.
Shehu iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë, u bllokua nga rojet e ish kryeministrit dhe më pas ai u mor nga forcat e policisë.
Zoti Berisha, megjithë goditjen dhe gjurmët e rënda të saj në faqen e djathtë, përshëndeti protestuesit nga podiumi pranë urës në shëtiroten “Dëshmorët e Kombit”.
Ai tha se sot është rasti më i mirë që Europa ta dëgjonte nga shqiptarët të vërtetat mbi krimin, korrupsionin dhe narkotikët, ku është përzjerë qeveria Rama, duke e rrezikuar Shqipërinë.
Zoti Berisha theksoi se kryeministri Rama ka vjedhur votat e lira, ka dhunuar fjalën e lirë të shtypit, po abuzon haptas me pushtetin dhe me fondet publike dhe rinia po emigron masivisht.
“Kemi përballë një kryeministër mafioz, që arrogancën e ka të vetmen përgjigje mbi situatën e krijuar. Për 7 vite janë larguar 27 për qind e popullsisë. Kombit tonë po i vjedhin të ardhmen e tij”, tha zoti Berisha.
Tubimi u mbajt mbi urën e shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, aty ku policia kishte vendosur barriera hekuri, si perimetër sigurie, për mbarëvajtjen e takimit të nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij në tubim, zoti Berisha bëri thirrje që dhunuesi i tij të lirohej, duke theksuar se autori i vërtetë i sulmit ishte kryeministri Rama. A i shtoi se korrupsioni është mbizotërues në vend dhe kjo nuk und të ndodhë, nëse nuk e bëjnë qeveritarët e lartë
“Në raportet e ndërkombëtarëve Shqipëria shënohet si vendi më i korruptuar i kontinentit. E vërteta është se Edi Rama dhe qeveria e tij si dhe nomenklatura e partisë së tij, janë më të korruptuarit në Europë, ndërsa shqiptarët e thjeshtë, që janë në këtë shesh dhe në shtëpitë e tyre, janë viktimat më të dhimbshme të vjedhjes dhe korrupsionit në kontinent”, tha zoti Berisha.
Në tubim foli edhe ish presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i partisë së lirisë, duke theksuar qeveria po e shpopullon vendin me keqqeverisjen e saj dhe se koha e e fjalimeve duhet t’i lërë vendin kohës së veprimeve të organizuara ndaj kryeministrit Rama, të cilin e akuzoi si orkestruesin e ngjarjes kundër zotit Berisha.
Policia njoftoi më vonë se 31-vjeçari i cili goditi me grusht deputetin Sali Berisha, është person me precedentë të mëparshëm kriminalë: plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve.
Familjarët i treguan policisë diagnozën klinike, sipas të cilës, 31-vjeçari vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh për këtë.
Më pas në një konferencë shtypi zoti Berisha deklaroi se njoftimi i policisë ishte një mashtrim, dhe se Gert Shehu “ishte agjent i policisë kriminale”, që u keqpërdor nga kryeministri Rama. Ai tha se këtë akt e kryen zoti Rama, ministri i brendshëm Bledi Çuçi, dhe ish drejtori i policisë Ardi Veliu.
Por kryeministri Edi Rama shpërndau një deklaratë, sipas të cilës, ai dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme.
“Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit”, deklaroi zoti Rama.
Për sulmin reagoi një zëdhënës i ambasadës së SHBA-ve. Ai deklaroi se u skandalizuan nga sulmi fizik sot ndaj një anëtari të parlamentit dhe presin, që autoritetet ta hetojnë plotësisht incidentin.
“Askush nuk duhet sulmuar, sepse ushtron lirinë e fjalës në përputhje me ligjin”, shtoi ai në reagimin për ngjarjen para nisjes së tubimit të opozitarëve.