Curraj, fshati ku është mbledhur i gjithë Cikli i Kreshnikëve nga At Bernardin Pali
“Mbase jo të gjithë e dijnë se këtu në Curraj të Epër, prej këngëtarit të papërsëritshëm Mirash Gjoni , aso kohe 60 vjeçar , është vjelur në korrikun e vitit 1922, këtu në Prebibaj, poema “Martesa e Halilit” e Ciklit të Kreshnikëve, një fill nga lahuta e butë e alpeve.
Pjesëmarrësit jo të gjithë e dinë se këtu të treguar dhe kënduar po nga Mirash Gjoni është mbledhur nga At Bernardin Pali i gjithë Cikli i Kreshnikëve, kënga e Gjergj Elez Alisë, këto kreshta të Eposit tonë kombëtar.”
Rrezet e para të diellit të 19 korrikut 2020 na nisin nga qyteti Bajram Curri për në Curraj të Epër. Lëmë në të djathtë fshatrat Bujan, Geghysen, Rajë, Tetaj, Shëngjergj, kalojmë Lumin e Merturit, Lekbibajt për të lënë asfaltin dhe ngjitur nëpër Gjonpepaj, Mserr, Vranë, nëpër rrugë të varianteve pyjore e përtej Ndërmajës kemi dalë në Qafën e Mërretit. Na shfaqen hapësirat qiellore që rrethojnë atë që thirret Lugu I Currajve, Currajt e Epër.
Në qafë pjesëtarë të ansamblit “Dardania” me thirrjen e tupanit vërshejnë në valle. Malet marrin lartësi të re. Po vjen “Dardania” në promovimin e turizmit në këto vise strehë e zanave dhe dragojve, të hershëm dhe të rinj.
Duhet zbritur nepër një rruge ende e re, me shumë kthesa të pazakonta, për të rënë në Logun e Currajve të Epër. Në Curraj të Epër është lëshuar orteku i këngëve dhe valleve, hareja ka marrë Logun, lumin, bregun e tij, ka hypur mbi urë, ka rrethuar Kullën e Thepit, ia ka qitur rrethin Kishës dhe Shkollës që janë pranë e pranë në kodërzën në qendër. Hovet e shpirtit marrin hapësirat. Të kënaqin shtëpitë e rindërtuara dhe ndjen se po rigjallërohet kjo perlë e Alpeve Shqiptare
-Është manifestimi i pestë që bëhet nga Bashkia e Tropojës për promovimin e turizmit. Kjo veprimtari e sotme është organizuar nga njësia bashkiake Lekbibaj, Bashkia e Tropojës dhe Ansambli “Dardania”
– Jam i bindur se turizmi do të marrë zhvillim. Edhe pse pandemia është e pranishme ne nuk tërhiqemi por organizojmë punët për të qënë në krye të detyrës edhe për turizmin, ndonëse me vështirësi-thotë kryetri i njësisë bashkiake të Lekbibajt, Ndue Gjergj Ndou
Shpërthen arti. Artistët e “Dardanisë”marrin logun për ta bërë skenë vigane.
Është i pesti aktivitet në Bashkinë e Tropojës që bëhet për promovimin e turizmit- thotë Guximi.
– Mrekullia nuk mund të jetë ndryshe, thotë Ceni i ardhur nga Tirana.
Koncerti nisë me një këngë të flaktë dashurie të malësorit. Këndon Gjovalin Rama me atë zë të kthjellët dhe të vrullshëm si uji i lumit që rrjedh ato pranë. Duke dëgjuar këtë këngë të vjen ndër mend një botim i vjetër që ishte lidhur me titullin ”Lahuta e Butë e Maleve”. Ndjehesh i kënaqur kur një ditë festive dhe promovuese nisë pikërisht me lahutën e butë të maleve, me një këngë për dashurinë.
Ndërsa po vështronim troftat që koloviteshin në ujërat e kaltra krejt të tejdukshme, Gramoz Sokolaj, i ardhur nga Tirana na thotë: Ky lumë është kështu i kthjellët gjithmonë dhe trofta këtu është në shtëpinë e saj. Unë jam nip këtu dhe kam ardhur në pushimet e verës tek dajët, kapnim troftat me kosh se kështu na kishin mësuar, kënaqeshim . Mua s’më duket vend më I bukur.
Vërej pjesëmarrësit soditës të koncertit. Kënaqen.
Mbase jo të gjithë e dijnë se këtu në Curraj të Epër, prej këngëtarit të papërsëritshëm Mirash Gjoni , aso kohe 60 vjeçar , është vjelur në korrikun e vitit 1922, këtu në Prebibaj, poema “Martesa e Halilit” e Ciklit të Kreshnikëve, një fill nga lahuta e butë e alpeve.
Pjesëmarrësit jo të gjithë e dinë se këtu të treguar dhe kënduar po nga Mirash Gjoni është mbledhur nga At Bernardin Pali i gjithë Cikli i Kreshnikëve, kënga e Gjergj Elez Alisë, këto kreshta të Eposit tonë kombëtar.
Tregojnë se Mirashi para se të këndonte këngën përshkruante ngjarjen me hollësi të kuptueshme pastaj këndonte këngën me lahutë. Ishte Lahuta e Ashpër e Maleve të qendresës, ku frynin erërat gjithë tufane të kohëve ndaj të cilave kreshnikët dinin të ishin vetëm kreshnikë.
Shumë këngë dhe valle vërshyen sot në këtë skenë livadhore, u kënaqën pjesëmarrësit, u mbush hapësira e Currajve të Epër me ngjyra të bukura mes ngjyrave të pashoqe, u kënaqën shtëpitë që po rinohen dhe po rikthejnë të shkuarën e madhe të këtij vendi plot mrekulli.
Nuk janë vetëm këngët dhë vallet e Lahutës të Butë këtu. Në Curraj Epër gjëmon historia.
Para kishës dëgjon se më 1915, kjo kishë është rrethuar me trima të armatosur të këtij vendi, vetëm me një thirrje: ” O, kush të jeni, hajde dorëzoni pushkët!”. Ishte thirrja “e koduar” që të gjithë të vinin të armatosur. Pse? Forcat e armatosura malazeze pasi kishin bërë një rrugë të gjatë dhe të mundimshme thirrën të parët e fshatit dhe u kërkuan që të gjithë të dorëzonin armët. Eh, e kush me dorëzue armët pa dorëzue shpirtin!?
– Trimëria e don edhe dredhinë përballë armikut. Të gjithë të armatosur rrethojnë të ardhurit e paftuar të Malit të Zi. Përfaqësuesi i vendit kërkon që malazezët të dorëzohen. Shkelësit nuk pranojnë. Kërcet pushka. Të ardhurit vrapojnë dhe futen në kishë për tu mbrojtur.
-Padër, po i sulmojmë- I thonë Currajt e Epër.
– Sulmoni burra se ka hy shejtani brenda- u tha Pader Zefi.
Gjemoi lugina prej furisë së burrave. Malazezët u dorëzuan, lanë armët aty dhe me pak veshje , të përulur para burrave të këtij vendi, u përcollën për të shkuar në vatrat e tyre dhe për të çuar turpin në vend të fitores që synonin.
Si deshmi shihet një nga hekurat e dritareve të kishës I shtrembëruar deri në këputje nga pushkët e rrethuesve.
Ashtu sikur janë madhështore kreshtat e maleve, shpatinat e bleruara, burimet e akullta , lumi si vershim kthjelltësie dhe kaltërsie , janë edhe kreshtat e historisë, emra si Gjelosh Rama që e ndali vetëm litari i osmanëve në Gjakovë.
Shpërthen kcimi . Anjeza NikoçI me djaloshin e Kurtbalajve.Mund të thuash se fluturojnë në ajër dhe tokën vetëm e përkëdhelnin. Një valle liriko- erotike e ndërtuar dhe udhëhequr nga Skender Haklaj të rrëmben dhe të bën të kujtosh kërcimtaren e përjetëshme të Tropojës, fluturën fytyrëndritur Xhevahire Gashi.
Udhëheqësi artistik Skender Doshlani, koreografi Skender Haklaj dhe asistentja e tij Bukurie Demiri ndjejnë se “Dardania” është ashtu si e duan ata dhe publiku.
Deke shikuar rreth kishës, nën një bli shekullor një të ardhuri I tërhoqi vemendjen shkrimi në një gur varri. Ai varr i takonte një burri që kishte lënë këtë jetë 106 vjeç. Ndjehej i habitur që në kushtet e asaj kohe të kishte jetuar aq gjatë.
M’u kujtua Iliri që shumë vite më parë kishte intervistuar në moshën 105 vjeçare Mhill Prekën, bard i Eposit të Kreshnikëve që u nda nga jeta edhe disa vite më tej. E vlerë turistike është edhe faktori që I bën njerëzit jetëgjatë.
Plot interes u ndoq fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, I cili shpalosi projektet për zhvillimin e mëtejshëm të Turizmit në kret krahinë, veçanërisht për turizmin malor.
Halit GjeçI, ushtarak, general në pension, edhe pse me problem shëndetësore të ndjeshme ka ardhur në këtë promovim. Rrethohet për të bërë foto. Janë të shumtë ata që duan të fiksohen në një foto këtë ditë.Paandemia nuk e ndalon afersine mes njerëzve.
-Të bëjmë një foto bashkë- i thotë koreografi Skënder Haklaj.
Pasi ka thënë fjalën mbyllëse dhe vërsheu vallja nga të gjithë, Skënder Dozhlani , udhëheqës artistik I ansamblit ” Dardania”, pëlqen të ketë një fotografi me gjeneralIin. Skena pushtohet nga ata që duan të përjetësojnë pjesëmarrjen në këtë veprimtari promovuese në zemër të Alpeve Shqiptare.
Frani, vendas që banon jashtë Tropojës u flet të ardhurve: Përtej kësaj qafës në lindje është pjesë tjetër e katundit, janë të njëjtat vlazni, Geci, Çokaj, Mrishaj , edhe atje është një lum që thirret Lumi i Qereçit, është një burim I madh, Vrella e qershit, një shpellë e veçantë, dhe pamje po kaq të bukura. Në grykën lart vazhdojnë Lugu i Zajkut, Pjaja, Lugu i Boshit me burime të fuqishme me lëng bore. Pa frikë mund të them se ato janë vende edhe më të bukura se këtu dhe këtë verë turistët çek që vinin këtu janë vendosur me kamping në Lumin e Pjasë. Bukuritë këtu janë të pakursyera. Në pja ka edhe gjetje të hershme.
Vjen edhe çasti për të njohur gatimin e ushqimeve që janë karakteristike të këtij vendi.
Larmia e gatimit, mjeshtëria, finesa në paraqitje, kushte higjenike të përsosura , të gjitha me prodhime dhe traditë të vendit, duke filluar që nga prodhimet e qumështit dhe deri tek flija, maza e zieme, mishi në fërlik.
Hysen Hysa , mik i ardhur nga Tirana për këtë rast, nuk rrin dot pa folur të madhe që ta dëgjojnë të gjithë: Currajt e Epër më ngjajnë si binjak me Valbonën, por me diçka ja kalojnë asaj.
Ndue Marku I Probibajve, veç buzëqeshjes, shpirtit të çelun, gatimit ,servirjes shumë cilësore , e ka zbukuruar vendin me gjithë këto lule, me bimë ushqyese tradicionale dhe të sjella, currile uji në trajta të ndryshme, e ka rikthyer në gjendjen e mëparshme shtëpinë, dhe më e veçanta ishte shenimi që ka shkruar ke hyrja e shtëpisë:” Amanet shtëpinë, asht e hapun por mos damtoni gja !”. Ky është shpirti i malësorit. Edhe unë jam malësor I Tiranës por as flinë as mazen e zieme nuk e gatuajmë dhe pra nuk e kemi. Edhe këto do t’I bëjmë por më e shijshme është kjo që bëhet këtu që lihet shtëpia hapur ose lihet çelësi I varur se mund të hyjnë edhe egërsira. Mësova shumë në këtë udhëtim për njerës viganë, plot art dhe trimëri, bujar deri në pabesueshmëri. U lumtë! Do të vërshëjnë turistët. Kryetari u është gjetur dhe tha se do të jetë I gatshëm për ju.”
Duke kaluar rrugës së kthimit të tërheqin vemendjen përveç të tjerave parqet e bletëve të vendosura rrjesht sipër mureve të gurta të brezareve shekullore. Edhe në këto lartësi 1000 deri 1300 m bletët kanë mbarësi mes luleve të shumëllojshme Mjaltë bio si kjo nuk mund të gjendet. Më së shumëti lulëzon trumëza, rigoni etj, në këtë periudhë.
I lëmë Currajt e Epër në mrekullinë e tyre të bindur se turizmi aty do të marrë hov pasi të zotët e atij vendi të mrekullueshëm do të bëjnë atë që duhet bërë edhe për turizmin.
Kjo veprimtari ishte për krejt krahinën e Nikaj –Mërturit dhe floën edhe përfaqësues të njësisë bashkiake, banorë pjesëmarrës, etj.
Lahuta e Butë e Alpeve Shqiptare tingëllon bukur.
Mirupafshim përsëri në Currajt e Epër- I thamë njëri-tjetrit.
Ribotim
HALIL BUÇPAPAJ