Gazeta Nacional Albania

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh: BULQIZË – NDERI I KOMBIT MARGARITA XHEPA NË PROMOVIMIN E POEZISË

• Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, që falë drejtimit të saj me kompetencë, profesionalizëm e përkushtim qyetar, ka bërë dhe po bën aq shumë punë të mira në dobi të komunitetit, s‘kishte se si të mos vlerësonte në këtë ditë të shënuar ikonën e teatrit dhe kinematografisë, “Nderin e Kombit” Margarita Xhepa, duke i dhuruar asaj simbolin e qytetit minator të Bulqizës

Bulqiza, e njohur si qyteti i minatorëve për nëntokën e saj të pasur me mineralin e çmuar të kromit, ka dhe një pasuri tjetër mjaftë të çmuar: elitën e saj krijuese. Përfaqësuesit më në zë të kësaj elite u mblodhën të dielën e 2 tetorit 2022 në një nga resortet turistike vetëm disa kilometra poshtë qytetit, te “Pishat”, në promovimin e dhjetë librave të Demir Rusit: një në prozë dhe nëntë me poezi. Risi e këtij eventi qe ardhja për herë të parë në Bulqizë e ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa – Nderi i Kombit. E dashuruar me poezinë e poetit Demir Rusi, kjo margaritare e pashoqe do të shprehej e ngazëllyer me mikpritjen bulqizake, me natyrën e mrekullueshme joshëse në këtë ditë vjeshte me diell dhe mbi të gjitha me organizimin e përsosur të kësaj veprimtarie promovuese. Kësisoj, Demir Rusi erdhi si maja e kurorës së elitës krijuese bulqizake, pjesë e së cilës janë shkrimtari i mirënjohur Lutfi Hanku-autor i dhjetra romaneve e monografive, studiuesi e historiani Moisi Murra që la si testament “Historinë e Dibrës”, Dr.Hajri Mandri –poet, studiues e dramaturg, poeti e studiuesi i mirënjohur Sakip Cami – autor i disa librave me poezi, monografi letrare e studime historike, Barie Çupi që vjen si prurja më cilësore në poezinë e sotme shqipe me një stil e produkt letrar të veçantë, Ymer Keta-poet e studiues, poeti Arben Alliu, studiuesi Bashkim Lami, Destan Rama e disa të tjerë.
Por, ai që i dha madhështinë e duhur kësaj feste të bukur poetike, padyshim qe mjeshtri i moderimit dhe i dokumentarit televiziv Defrim Methasani. Pesha e fjalës së tij artistike u evidentua, jo vetëm nga artistja e madhe e skenës dhe filmit Margarita Xhepa, por edhe nga disa poete e shkrimtarë e artiste të njohur, që kishin ardhur nga metropoli shqiptar për të nderuar mikun e tyre Demir Rusi.

MIRËNJOHJE TË MERITUARA PËR POETIN
Qindra pjesëmarrësit që kishin mbushur sallën me arkitekturë moderne të këtij resorti provuan emocione të forta, jo vetëm nga interpretimi mjeshtëror i disa poezive të D.Rusit nga diva e skenës M.Xhepa, por edhe nga intepretimet me ndjenjë të poezive të këtij autori dhe fjalët e ngrohta përshëndetëse nga Kozeta Zavalani, Bujana Malaj, Nadire Karadaku, Dr.Dritan Korumi, Zamira Korançe, Barie Çupi, Artemida Arbri Nako, Perikli Shuli, Mjeshtri i Madh Muharrem Gjoka – President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”- Nderi i Kombit, Meri Mezini, Mimoza Shehu, Miranda Troci, Anila Kodra, Donika Gjura, Emrie Krosi, Zef Shtjefni etj.
Ndërsa kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla do të fitonte respektin dhe admirimin e pjesëmarrësve, duke i dhënë Demir Rusit Çertifikatë Mirënjohje me motivacionin sinjifikativ: “Për veprimtari të shquar të spikatur në krijimtarinë e veprave letrare në poezi dhe në prozë.”
Numri një i Bashkisë së Bulqizës që, falë drejtimit të saj me kompetencë, profesionalizëm e përkushtim qyetar ka bërë dhe po bën aq shumë punë të mira në dobi të komunitetit, s‘kish se si të mos nderonte në këtë ditë të shënuar edhe Nderin e Kombit Margarita Xhepa, duke i dhuruar asaj simbolin e qytetit minator të Bulqizës.
Por autori i dhjetë librave Demir Rusi, do të vlerësohej në këtë ditë të shënuar të jetës së tij, me Çertifikata Mirënjohje edhe nga shoqatat “Bulqiza” e “Jehona Shqiptare” (me Presidente znj.Margarita Xhepa), përkatësisht nga kryetarët e tyre Bashkim Lami e Zamira Korançe.
Kësaj feste të bukur ia shtuan madhështinë dhe gjallërinë me interpretimet e tyre mjeshtërore këngëtarët Kristina Ndoji, Arben Sinoni e Hysni Hoxha, si dhe valltarët e vegjël shoqërues të këngëve, ndërkohë që atmosferën festive e ndezi dukshëm improvizimi i odës dibrane ku të gjithë sëbashku kënduan këngën “Na k’nojn pushkët nëpër kulla”…

DISA NGA VEÇORITË NË POEZINË E DEMIR RUSIT

Me nëntë vëllime me poezi dhe një libër në prozë, të botuara në harkun kohor të dhjetë viteve të fundit, Demir Rusi vjen para lexuesit si një poet i spikatur, që paraqitet me atributet e origjinalitetit të tij të patjetërsueshëm. Ai nuk është i ngjashëm me askënd, është plotësisht dhe thellësisht vetvetja. Këtë identitet ai e shfaq, jo në një e dy por në afro 1000 poezitë e përfshira në këto nëntë libra me tituj intrigues.
Kushdo që e lexon poezinë e D.Rusit do të konkludonte se ai është ndër të paktët poetë, i cili synon origjinalitetin dhe jo imitimin, konstrukton vetveten, për të mos qenë i ngjashëm. E kësisoj, si poet i dashurisë por edhe i dhimbjes njerëzore, ai jep edhe mesazhin e vazhdimësisë së jetës. Poezia e këtij autori është përçuese e përjetimeve njëçastëshme, por edhe e cilësive identifikuese të njerëzve që e rrethojnë apo edhe e atyre me të cilët i takon të polemizojë për ngjarje e problematika therëse.
Këto veçori në poezinë e tij janë evidentuar më së miri edhe nga kritika letrare.
Kështu, nëse Artemida Arbri Nako, administratore e “Botimet: Arte-Graphic”, që ka botuar pesë librat e fundit të D.Rusit, në parathënien e vëllimit “Një grua po vuan” e vlerëson vargun e këtij poeti si galaktikë, ku me finesë shtrihen të gjitha ndijimet, përjetimet e gjendja shpirtërore në momente të caktuara, poetja e shumëtalentuar Barie Boba Çupi, evidenton natyrshmërinë e tij. Në parathënien e librit “Ditëlindja e përlotur” të D.Rusit, ndër të tjera Znj.Çupi shkruan se ky autor vjen natyrshëm si vëzhgues brengash dhe përjetimesh, pa lodruar në hapësira të largëta, nuk kërkon figuracion gjenial dhe aq më pak të tërhiqet nga ato. Ai është krejt origjinal në strukturën e ndërtimit të vargut me motive të ndryshme të llojit artistik, sarkaik, të thjeshtë gjithashtu”.
Ndërsa Emrie Krosi në parathënien e librit të dhjetë “Borxhi që s’ka të paguar” të D.Rusit evidenton modelin poetiko-letrar të llojit liriko-saterik; një zhaner letrar, ku ironia dhe sarkazma janë topose të modernitetit në poezinë e sotme shqipe.
Në këtë veprimtari promovuese u konkludua se në nëntë librat e Demir Rusit ka poezi tradite në varg e motiv dhe ku motivet dhe temat zënë një vend në dukje dytësor por që të mbeten në mendje. Temat janë: Mëmëdheu, qyteti, liria, shpendet simbolikë, referimet e ndryshme të personazheve, vende që kanë një histori të caktuar, etj.
Ritmi në poezitë e tij lëviz për shkak të përdorimit të natyrave të ndryshme strofore. Poezitë e tij janë plotë metafora e krahasime befasuese.

DHJETË LIBRAT E BOTUAR NGA DEMIR RUSI:

1. Djali që bleu vdekjen;
2. Ura e fjalës;
3. Anja;
4. Mos ik të lutem;
5. Mos perëndo o dielli im;
6. Suzi;
7. Mikja;
8. Ditëlindje e përlotur;
9. Një grua po vuan;
10. Borxhi që s’ka të paguar.