Gazeta Nacional Albania

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh: Libri “Toka” i Naim Berishës, produkt i mirëfilltë poetik

Poezi tërheqëse deri në befasim, që zbulon një botë të pasur shpirtërore dhe një temporitëm të thyer emocional

Libri “Toka” i Naim Berishës, produkt i mirëfilltë poetik

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

• E veçanta e tij është se vetë i krijon tekstet, vetë i kompozon këngët, si dhe vetë i këndon ato, gjithë duke u spikatur me një performancë e profil të veçantë, që, siç e kanë përcaktuar studiuesit, poetët, si: Agolli, Arapi, Laço e të tjerë, eseistët dhe studiuesit, prof, dr. Fatmir Terziu e Behar Gjoka, kompozitorët Edmond Zhulali, Përparim Tomçini e Kolë Susaj, Naimi edhe si shkrimtar dhe poet, por edhe si kompozitor dhe këngëtar, përcjell një botë të tejndezur nga pasioni për të bukurën, për traditën dhe risitë e modernitetit

Befasia që sjell poezia e Naim Berishës vjen nga rikonfigurimi i imazhit si perceptim dhe memorie si dhe nga strukturimi poetik me ritëm e rima të zgjedhura, ku simboli dhe metafora pasurojnë dukshëm figuracionin, gjuhën poetike, si dhe ngërthejnë dritëhijet e një bote, nganjëherë, imagjinative që të kënaqin me rrëfimin narrativ plot ndjesi të këndshme dhe emocione të forta. Këto veçori dallohen qartazi ne librin e tij më të tij me titullin universal “Toka”, poezi kjo e përfshirë në një tekst shkollor në ciklin 9-vjeçar të Shqipërisë.
Si redaktor i librit, që në leximin e tij të parë pikasa e përftova një plazmim estetik të ngjeshur në përfytyrime, imazhe të reja dhe origjinale, mesazhe te qarta dhe sinjifikative, tekst e nëntekst, gjeta të plazmuar përditshmërinë dhe, njeheresh, pashë të gëlonte historia, e tanishmja si dhe e nesërmja e përfytyruar sipas vizionit te tij poetik.
Në këtë vëllim të ri poetik, botim i Shtëpisë Botuese prestigjioze “M&B”, poeti është më shumë se më parë i natyrshëm në aktin e tij shkrimor. Ai tejsheh e tejshtrin botëvështrimin e tij në hulli të reja përjetimesh, por mënyrat sesi i sheh këto hulli janë befasuese; gjithë duke sjellë ritme dhe melodi spontane e trille që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete. Mjafton për ketë të lexosh me kujdes poezitë me radhë, të cilat poeti i ka venduar sipas tematikës dhe qasjes se tij preferenciale në pesë cikle. Kjo shpalosje e poetit, sjell me vete një aromë të veçantë jete, si një kumt ndjellës drejt përsosmërisë shpirtërore, në kufijtë mes realitetit të rëndomtë, që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Do të mjaftonin për këtë qoftë edhe vetëm katër vargjet e poezisë “Toka”, (që është edhe titull i librit): “Ёshtë një dhè i shkriftë në ngjyrë të kafenjtë/ me të cilin jemi lidhur qysh në lashtësi/ Ecim mbi të dhe ndihemi të qetë/ e kemi nënë, na ka fëmijë…”.
Në kohën kur sot nuk shkruhen poema, Naimi vjen përpara lexuesit përmes këtij libri edhe me katër poema: “Muhurrakët”, “Pemët e jetës”, “Tirana” dhe “Gjenerata ime”, poema të cilat terheqin së tepërmi për sharmin, lirizmin, poetikën dhe mendimin e thellë të një poeti të veçantë me një eksperiencë të gjatë krijuese. Në këte libër ka lëng jete, realitete që të gjithë i prekim çdo ditë, por autori i transfiguron në materie estetike. Ka detaje të imëta, ka nerv, zhbirime psiko-analitike, mesazhe që të bëjnë të reflektosh rreth të ndodhurës së pasqyruar në këto poezi.
Një element që vazhdon të mbajë në fokus një procedim të lartë është lirizmi, që ashtu si në librat e tij pararendës, por, tashmë, në një mënyrë tjetër, i shërben poetit si element konceptual dhe organizues i “lëndës së parë” poetike. Ajo që e bën të veçantë, të ngrohtë dhe sugjestive në kuptimin e befjes si lexim dhe reflektim është mënyra poetike e rrëfimit, procedimi poetik, që strukturon të gjithë elementët e formës dhe përmbajtjes. Aftësia e tij për të rrëfyer përfundimet e vëzhgimeve, soditjeve, përsiatjeve të mjediseve, njerëzve, ndodhive, por mbi të gjitha të thellësive të unit, e bëjnë poezinë e Naimit tërheqëse deri në befasim, duke na zbuluar një botë të pasur shpirtërore dhe një temporitëm të thyer emocional. Mjafton për këto të lexosh me vëmendje poezitë e bukura, si: “E pashmangshme”, “Kohë e ngrirë”, “Gjuha ime”, “As në vera, as në vjeshta”, “Ftohje e vjetër”, “Pikëllimi i poezisë”, “Peizazh begatie”, “Saksia në dritare”, “Gjyshja në lulishte”, “Duart që zgjaten”, “Cicërima”, “Do hamë diell”, “Eskiz”, “Brigjeve te dikurshme”, “Gruaja me fëmijët”, e tjerë.
Kuadratimi lirik, vëzhgimi i imët, i ndjeshëm, konkret në përshkrime, thellësisht realiste dhe transhendente, duket se janë produkte të një shpirti të ushqyer me dashurinë e madhe për jetën, me frymëzime nga lufta për të triumfuar mbi ndalesat fiktive të dashurisë, mbi harresën dhe zhbërjen si procese regresive, mbi humbjen dhe dhimbjen, mbi rënien dhe zvetënimin, mbi fatin që, nganjehere, duket si fatalitet, por që, përgjithësisht, në poezitë e tij të bukura përjetohet si çlirim nga çdo dozë pesimizmi dhe fataliteti, si kërkim në shpirtin vetjak dhe universal të plotërimit. Mund të lexohen për ketë poezitë, si: “Bodler i vetmuar”, “M’u kujtua Frojdi”, “Pa nënën”, “Hënë vere”, “Rrokulli”, “Frymë lirie”, “Peizazh me hënë”, e tjerë.
Për krijimtarinë e mëparshme të Naim Berishës, si për atë letrare dhe muzikore, por edhe për shqipërimet nga anglishtja në shqip, kanë shkruar shumë autorë, studiues e kritikë të njohur të letërsisë dhe muzikës, të cilët e vlerësojnë autorin në fjalë si një nga krijuesit më të suksesshëm në tridhjetë vitet e fundit. Vlerësime të tilla kanë bërë: D. Agolli, B. Dedja, O. Grillo, F. Arapi, T. Laco, Xh. Spahiu, N. Jorgaqi, F. Terziu, B. Gjoka, B. Xhama, M. Gjini, H. Mandri, H. Rama, Gj. Kola, K. Gjini, B. Bushkashi, S. Meziu, E. Zhulali, P. Tomçini. K. Susaj, V. Tabaku, A. Dodbiba, H. Taka, M. Buci, D.Musliu, M. Kraja, F. Cakaj, M. Gecaj, J. Margjekaj. L. Gorishti, D. Gjergji, A. Bejko, Sh. Matuka, S. Zogaj e shumë të tjerë.

KUSH ЁSHTЁ NAIM BERISHA

Naim Berisha ka mbaruar shkollën e mesme artistike (të kultures) në Tiranë, të drejtën e studimit të së cilës e pati fituar në konkurim kombëtar, më pas, u diplomua si“oficer gjitharmësh”dhe më pastaj kreu studimet e larta për “gjuhë-letërsi” ne Universitetin e Tiranes. Të tria këto shkolla i përfundoi me rezultate shumë të mira. Ka punuar në Dibër si mësues muzike dhe gjuhë – letërsie, drejtues kulture në shtëpinë e ushtarakëve të divizionit “Korabi”në qytetin e Peshkopisë, pastaj, sërish, si mësues, gazetar, redaktor i kulturës në gazetën e Matit “Rruga e dritës”si dhe drejtues, në fillim, i shkollës se mesme profesionale dhe pastaj si drejtor i gjimnazit “28 Nëntori” në qytetin e Burrelit. Në vitin 1997 u transferua në kryeqytet ku punoi si gazetar dhe si pedagog i letërsisë në disa gjimnaze të Tiranës. Në vitin 1998, disa muaj para se të emigronte për në Angli, emërohet drejtor i gjimnazit “Eqrem çabej” në Tiranë. Në Londër, ngaqë e njihte mirë anglishten qysh në Shqipëri, Naimi që në fillim, ndoqi, njeri pas tjetrit. disa kualifikime, si: për media, muzikë, kritikë letrare dhe, më në fund, për letërsi angleze. Ai ka berë emër jo vetëm si poet, tregimtar, romancier, fabulist, hajkist, sonetist, përkthyes artistik, por edhe si kantautor, që do të thotë: kompozitor, tekstshkrues dhe këngëtar i muzikës popullore, qytetare si dhe i këngëve të muzikës së lehtë. Në tridhjetë vitet e fundit, ka shkruar e botuar rreth 40 libra me krijimtari të mirëfilltë artistike: 6 romane, 2 vëllime me tregime, 24 vëllime poetike, ndër to, 12 vëllime me poezi e poema për të rritur, 2 vëllime me poezi për fëmijë e adoleshentë, 10 vëllime të tjerë me fabula e poema fabulike, me sonete, hajke dhe tekste këngësh si dhe njërin nga 6 romanet, romanin“Gurkështjella”e ka në vargje. Naimi ka përkthyer nga anglishtja në shqip, në tre libra, 154 sonetet e Shekspirit. Ёshtë i pari përkthyes shqiptar i anglishtes që ka sjellë në shqip direkt nga origjinali të gjitha sonetet e William Shekspirit. Po të marrim parasysh dhe romanin e tij në vargje, titullin e të cilit e përmendem më sipër, ky poet numëron në gjithë krijimtarinë e tij, si rrallëkush, më shumë se 35 mijë vargje të botuara deri më sot.

NAIM BERISHA POET, PROZATOR DHE KANTAUTOR

Me emrin e tij, krahas talentit letrar lidhet edhe ai muzikor. Ai njihet edhe si kantautor, ka publikuar deri me tani katër albume muzikore, CD dhe më shumë se 20 videoklipe, të cilat ndiqen jo vetëm në Youtube, por edhe në disa radio dhe televizione të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. E veçanta e tij është se vetë i krijon tekstet, vetë i kompozon këngët, si dhe vetë i këndon ato, gjithë duke u spikatur me një performancë e profil të veçantë, që, siç e kanë përcaktuar studiuesit, poetët, si: Agolli, Arapi, e të tjerë, eseistët dhe studiuesit, prof, dr. Fatmir Terziu e Behar Gjoka, kompozitorët Edmond Zhulali, Përparim Tomçini e Kolë Susaj, Naimi edhe si shkrimtar dhe poet, por edhe si kompozitor dhe këngëtar, përcjell një botë të tejndezur nga pasioni për të bukurën, për traditën dhe risitë e modernitetit. Në gjithë konstruktin e krijimtarisë se tij letrare e muzikore lëviz një jetë e gjallë plot kolorit, një botë e trazuar, në kërkim të një universi në hije, ku gëlojnë nën sipërfaqet e lëmuara të gjërave, qasje, ide, pasione, ëndrra, kauza, verdikte, që vënë në lëvizje gjeneratorët e një krijimtarie shpërthyese, me ndjeshmëri dhe emocion të fortë njerëzor. Shpërthimi i tij ne artin shkrimor, 30 vjet më pare, në vitin 1993, me librin e parë poetic “Ngado sytë e vajzës”me një parathënie të shkëlqyer nga shkrimtari i shquar Prof. Bedri Dedja, Akademik, ishte i paralajmëruar nga ciklet me poezi të botuara në shtypin e kohës, nga ai pasion që e ushqente me flakët e një shpirti të dashuruar me fjalën e bukur, me magjitë e fshehta të një lënde estetike, që ai e vështronte gjithkund, si një mundësi potenciale shprehjeje dhe vetërealizimi shpirtëror dhe intelektual. Një vit me pas, me 1994, Naimi boton librin me poezi për fëmijë e adoleshentë “Lejlekët e lumit tim” tashmë, me një parathënie te bukur e të merituar nga prof, Odise Grillo, shkrimtari dhe poeti shqiptar më i mirë për fëmijë dhe adoleshentë, i cili nënvizon se poezia e Naim Berishës do pëlqehet shumë nga lexuesit e vegjël dhe jo vetëm. Me 1995 ky poet publikon librin tjetër me poezi për të rritur “Hiq dorë” ku në promovimin e këtij libri në janar të vitit 1996, Dritëro Agolli do të përsëriste thënien e prof, Bedri Dedjes se N. Berisha premton shumë për të ardhmen, sepse poeti ynë i ri shpërfaq një botë aq të pasur sa dhe fluide të konkretizuar në një produkt poetik spontan, me akuarele të befta, me një gjuhë filmike e koncize, me ndjesi dhe risi moderne, me përgjegjësi të lartë qytetare dhe mesazhe të bukura njerëzore. Pjekuria e tij poetike ka ardhur nga libri në libër gjithnjë në rritje. Berisha bëhet më i menduar dhe filozofik, më i ndjeshëm dhe spontan. Lirizmi i tij si në prozë dhe në vjersha gjithnjë shoqërohet me struktura të reja të ligjërimit sintaksopoetik, duke rritur muzikalitetin dhe bukurinë e rrëfimit e të vetë diskursit të “ligjërimit”, me synimin që të jetë sa me i ndjekur dhe i shijuar nga të gjitha nivelet e shoqërisë. Në librat pasues, si: “Zogu i qiellit”, “Le të vijnë vajzat”, “Njëzet lumenj rrjedhin në klasën time”, “Ç’m’i ra vrugu gjethit t’verës”, “Dashuri e ndaluar”, “Pengu i nëndheshëm”, “Sagë e vjedhur kohe”, “Shpirti i heshtur”, “Hiri i frymës”, “Pëllumbat nuk janë të qetë”, te romanet: “Vetëvrasja e shpirtit”, “Bjeshkët e dashurisë”, “Zëri i malit të Shënmërisë”, “Shpresa”, “Të jetosh në paqe”, “Gurkështjella”, te 100 sonetet “Kashta e Kumtrit”, te tri përmbledhjet me hajke, te librat me fabula, te libri me tekste këngësh, por edhe te tri përmbledhjet e soneteve të Shekspirit të përkthyera prej tij, Naimi vazhdon t’i qëndrojë besnik lirizmit dhe spontanitetit, ndërkohë që zgjeron rrethin e tematikës dhe të qasjes, pasuron spektrin liriko-emocional.
Ёshtë kënaqësi e veçantë të shkruash për krijimtarinë befasuese, si në përmbajtje, në stil dhe në formë, të krijuesit te talentuar multidimencionalisht Naim Berisha, të cilin e uroj nga zemra të mos i rreshtë kurrë së shkruari pena e tij e artë dhe origjinale si në letersi, në përkthimet artistike nga anglishtja në shqip si dhe në muzikë e në performancën e tij interpretative si këngëtar (kantautor) i këngëve të tij popullore, qytetare dhe të muzikës së lehtë.