- Në përditshmërinë e tij, Ai mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës mjekësore dhe intelektuale shqiptare. Kjo sepse ka qenë njësh me pacientin, i shkrirë në nevojën e tij duke iu gjendur sa herë ia lypte nevoja. Vlerësimi për dibranin e mirë dhe të zotin, Prof. dr. Ali Tonuzin për çfarë ka dhënë në profesionin e tij si mjek dhe si profesor është i merituari dhe të tilla vlerësime nuk duhet të mungojnë për profesionistët….
Gjashtë muaj më pare, Prof. Dr. ALI TONUZI do të ishte pjesë e komitetit shkencor, që mbështeti “Kongresin Ndërkombëtar të Shkencave Mjekësore 8”, në të cilin ai referoi temën me titull “MANAGEMENT AND TREATMENT STRATEGIES IN RETINOPATHY OF PREMATURITY: THE CRITICAL ROLE OF OXYGEN THERAPY AND SURGICAL INTERVENTION”.
Dhe jo rastësisht ishte përzgjedhur ky emër i Madh i Mjekësisë shqiptare, por sepse Prof. Dr.Tonuzi vlerësohet për nivelin e lartë profesional, përkushtimin dhe cilësitë e rralla njerëzore, profesionale dhe intelektuale. Përkushtimi, profesionalizmi dhe talenti i tij është vlerësuar në disa kongrese e konferenca shkencore, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare.
Ky kongres madhor shkencor që u mbajt në datat 21–23 Nëntor 2025, në Hotel Tirana International përfshinte 22 salla paralele dhe 1 sallë workshop, duke mirëpritur mbi 900 lektorë të shquar vendas dhe 100 lektor të huaj, përfaqësues të elitës së shkencave mjekësore nga mbarë bota, ku padyshim njëri prej tyre qe edhe Dr. Tonuzi që u ndoq me vëmendje maksimale dhe u vlerësua për risitë dhe profesionalizmin në trajtimin shkencor të kësaj teme. Kjo për faktin se Prof. Tonuzi njihet gjerësisht si okulisti me karrierë të shkëlqyer profesionale dhe akademike, madje si Kirurgu Vitreoretinal që ka marrë disa vlerësime nga institucione e agjenci të specializuara.
LIBRI I PROF.TONUZIT “LASERI NË OFTALMOLOGJI”,
VEPËR ME VLERA SHKENCORE
Po. Prof.asc.dr.Ali Tonuzi, në mesin e moshës së tij ka arritur një karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale. Jo vetëm si një okulist famoz (ndër të vetmit në rang vendi e rajoni që kryen operacione të shkallës së lartë), por prej më se dy dekash edhe si një ndër pedagogët më të mirë në Departamentin ORL-Okulistikë të Fakultetit të Mjeksisë në Universitetin e Mjeksisë Tiranë. Ai është përfshirë intensivisht në botën akademike pasi fitoi titullin “Doktor i Shkencave Mjeksore” (Maj 2002) dhe Prof. Asc. Dr. në Tetor 2012. Produkt i punës së thelluar studimore shkencore është edhe libri i tij “Laseri në Oftalmologji” për të cilin prof.Sulejman Zhugli pohon se është teksti i parë që botohet në fushën e Oftalmologjisë në vendin tonë, llojet dhe përdorimet e shumta të tij në këtë fushë. Libri është shkruar thjeshtë, i ilustruar me shumë figura, duke e bërë tekstin shumë të kuptueshëm për të gjithë gjeneratën e oftalmologjistëve dhe më gjerë. “Ky libër është konceptuar të shërbejë si një bashkudhëtar i fuqishëm për oftalmologjistët klinikë dhe siguron një ilustrim të mirë të koncepteve bazë të terapisë së laserit për shoqërime okulare të ndryshme të lidhur me kapakët, kornën, kristalinin dhe retinën”,-shprehet ndër të tjera prof.Zhugli në paraathënien e këtij libri.
KARRIERA AKADEMIKE
Prof. dr. Ali Tonuzi, në mesin e moshës së tij ka arritur një karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale. Okulisti famoz – Kirurg Vitreoretinal në Departamentin e Okulistikës, Qendra Spitalore Universitar “Nënë Tereza”, prej dy dekadash është edhe një ndër pedagogët më të mirë dhe Shef i Departamentit ORL – Okulistikë të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë Tiranë. Ai është përfshirë intensivisht në botën akademike pasi fitoi titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore” ( Maj 2002) dhe Prof. Asc (në Tetor 2012).
Padyshim që kjo karrierë e shkëlqyer e tij ka patur si bazë studimet universitare me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë, dega Mjekësi e Përgjithshme (1986-1991), për të vijuar me “Diplomë Kualifikimi”, Specializim në Departamentin e Okulistikës, Tiranë (1992-1996) dhe në vitin 1997, ndoqi dhe përfundoi Shkollën Pasuniversitare (SHPU). Për të arritur në këtë stad kualitativ dhe akademik, prof.as.dr. Ali Tonuzi ka kryer disa trajnime dhe kualifikime, si: Kirurgji Okulare (Syrit) në Malaga – Spanjë; Specializim në Okulistikë (ORBIS) në Varna – Bullgari; për Kirurgjinë e Kataraktit pranë Universitetit Charles – Pragë, Republika Çeke; Program trainimi në Phacoemulsification, në Aravind Eye Hospital Coimbatore – Shteti, Tamilnadu, INDIA si dhe Fellowship në Menaxhimin Medikal & Kirurgjikal në sëmundjet e retinës dhe Vitrosit, në Aravind Eye Hospitals & Postgraduate Institute of Ophthalmology. India.
Si njohës perfekt i anglishtes e frëngjishtes në të lexuar, shkruar e folur, Prof. dr. Ali Tonuzi, njëherësh ndër anëtarët më aktiv të Shoqatës së kirurgëve vitreoretinal të Indisë dhe Shoqatave Shkencore të Okulistëve të Shqipërisë e asaj të Kosovës, është pjesëmarrës dhe referues dinjtoz në disa kongrese e konferenca Shkencore, kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, si në Bern e San Galen – Zvicer, Romë – Itali, Prague – Czech Republik, Morfild – Londër, Dubrovnik- Kroaci, Sarajevë – Bosnje-Hercegovinë, Kerala – Shteti Tamilnadu India, Ljubljana – Slloveni, Thessaloniki – Greqi, Helsinki – Finlandë, në Prishtinë, Strugë, etj.
Prof. dr. Ali Tonuzi është autor i dhjetra artikujve dhe botimeve shkencore në revista e buletine shkencore të vendit e ato ndërkombëtare.
AKTIVITETI PROFESIONAL
Aktiviteti profesional i Prof. dr.Ali Tonuzit konsiston në zbulimin për të parën herë të të sëmurëve me retinitis nekrotizant nga CMV dhe të sëmurëve me endoftalmit endogen nga HIV. Po ashtu, në trajtimin e endoftalmitit me vitrektomi dhe injeksione intravitreale; përdorimin e triamcinolonit në edemën makulare diabetike; përdorimin e avastines në edemën makulare cystoide; trajtimin bashkëkohor të degeneracionit makular senile të njome me Anti-VEGEF, Lucentesis dhe TPP, PDT; përdorimin e laserit në edemën makulare diabetike (Fokal laser); përrdorimin e laserit për fotokoagulacionin panretinal në retinopatin diabetike proliferative si dhe trajtimin e okluzioneve venoze retinale me laser.
Specialistët e fushës i njohin prof. dr. Ali Tonuzit meritën e trajtimit për herë të parë të të sëmurëve me dislokim të lensit në trupin vitroz me vitrektomi anteriore dhe fiksim skleral në dhomën e pasme; aplikimin e Barage laser për degeneracionet dhe çarjet retinale periferike për parandalimin e shkolitjes retinale, përdorimin për herë të parë të Ganciklovirit intravitreal dhe cor vitrectomi në endoftalmitin nga HIV- i dhe CMV; trajtimin kirurgjikal në sindromë Marfan dhe riaftësim të plote të të sëmurit me anë të fiksimit të inplantit në sklere dhe vitrektomi anteriore si dhe të Trans plana vitrektomi në hemorragjitë masive vitreale dhe rrethim me buckel në shkolitjet retinale dhe injeksion i vajit të silikonit.
Me këto ndërhyrje kirurgjikale të suksesshme ai është bërë nga kirurgët vitreoretinal më të njohur e preferuar nga pacientët, jo vetëm vendas por edhe nga shtetet e rajonit.
VLERËSIME TË KOLEGËVE
Nuk është rastësi që në Spitalin Francez, në QSUT (Qendra Spitalore Universitare, Tiranë), pranë kabinetit të Prof. dr. Ali Tonuzit të ndeshesh, pothuajse, për çdo ditë radhë pacientësh. Ndsaj dhe Dr.Nexhat Kala,- otorinologu i njohur, ish -nëndrejtor i QSUT dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, këtë “dyndje” mirënjohjeje të pacientëve e shpjegon me nivelin e lartë profesional të okulistit të talentuar Ali Tonuzi, shpirtin human dhe reputacionin që ai e ka fituar me punën e përkushtimin qytetar, me sjelljen dhe shërbimin shembullor, pa i diferencuar në asnjë rast pacientët. Dhe kështu ai vepron jo vetën këtu në klinikën universitare të QSUT, por referuar koleges gazetare Viola Shkulaku, në një artikull të botuar para tre vitesh (4 Mars 2023) në gazetën “Mapo”, ai me të njetin përkushtim, profesionalizëm e kompetencë ka shërbyer edhe në vitet e para pas diplomimit kur shërbeu si mjek i përgjithshëm në qendrën shëndetësore, të një fshati të bashkuar në Dibër që kishte 5-6 fshatra në varësi, një ndihmës mjek e 8 infermiere.
“I rritur në një familje të madhe, me shumë fëmijë, në rininë e tij atij do t’i duhej të bënte punë të ndryshme, ndërsa pas pesë vite studimesh të vështira kthehej si mjek në Peshkopi. Edhe pse u largua drejt vendlindjes, me Tiranën asnjëherë nuk i shkëputi marrëdhëniet. Hera-herës bëhej pjesë e ngjarjeve, që preknin sferën politike të asaj periudhe. Ndërsa krejt rastësisht në një miting takoi anestezistin dhe ish-pedagogun e tij, Tritan Shehun, që në atë kohë ishte ministër Shëndetësie. Ishte një pedagog shumë i rreptë, i cili pasi e pyeti se sa e kisha mesataren i ofroi ndihmë dhe filloi specializimin në departamentin e Okulistikës në Tiranë” -shkruan ndër të tjera kolegia Shkulaku.
Po ashtu poeti Perparim Hysi shkruan, “Nuk ka si doktor Ali Tonuzi dhe stafi special i tij, tek “Qendra Shëndetësore e syve” në Tiranë. Pa modesti të rreme, unë si poet, mirënjohjen time për doktorin e talentuar që i ktheu dritën e syve bashkëshortes time po shpreh me vargjet: “Sytë e gruas sime, janë në terezi/ Mirënjohe të thellë, o DOKTOR ALI!/ Po humbnin shikimin, Ju u dhatë dritë/ Unë e ime shoqe ju urojmë me shpirt”. Dhe pas kësaj mirënjohje në vargje, poeti Hysi, përcjell mesazhin: “Ju që kini nevojë për të mjekuar apo operuar sytë, shkoni tek DOKTOR ALI TONUZI!” (Fjalaelire.com – 8 qershor 2021”.
Sa shumë mesazhe e urime të përzemërta lexon në rrjetet sociale për Prof. dr. Ali Tonuzin që njihet dhe vlerësohet si kirurgu që kryen operacionet më të ndërlikuara në sy.
QENDRA SHQIPTARE E SYVE, NDËR MË PROFSIONALET
Prof. Dr. Ali Tonuzi – oftalmolog, kirurg i vitroretinës, që e ushtron profesionin prej tri dekadash, si dhe një nga pedagogët e mirënjohur të Univeristetit të Mjeksisë (udhëheqës shkencor i temave të disa doktorantëve) është ndër të rrallët që ka realizuar me sukses mijëra operacione të ndërlikuara. Ndërkohë, Qendra Shqiptare e Syve, krijuar dhe drejtuar nga Prof. dr. Ali Tonuzi, është ndër më profesionalet, ku përveçse vizitave të përgjithshme okulistike janë kryer dhe kryhen me sukses ndërhyrje të ndërlikuara, si kirurgji strabizmi; pterigium; kirurgji katarakte; kirurgji glaukome; lazer për retinën; kirurgji vitreoretinale; trajtim i syrit të verbër të dhimbshëm; proteza okulare; plastikë e syrit si dhe hapje e kanalit të lotit endoskopike (pa qepje).
Një patologji problematike, sipas tij, veçanërisht te mosha e tretë, është dëmtimi i perdes së syrit. “Katarakti është një sëmundje e shërueshme totalisht. Shumica e operacioneve që bëhen në klinikën okulistike është katarakti. Trajtimi i kataraktit është i shumëllojshëm, por përzgjedhja e llojit të kirurgjisë varet nga mjeku”,- thotë dr.Tonuzi. Ai bën të ditur se prej vitesh Sherbimi i Okulistikës ofron me sukses një gamë të gjerë të ndërhyrjeve kirurgjikale në sy me teknika bashkëkohore dhe se prej vitit 2019 e në vazhdim është siguruar nga spitali e gjithë paketa e kataraktës që vazhdon të aplikohet me sukses në këtë shërbim.
Dr.Tonuzi gjatë karrierës së tij profesionale dhe akademike ka marrë disa vlerësime nga institucione e agjenci të specializuara, për nivelin e lartë profesional, përkushtimin dhe cilësitë njerëzore dhe si hartues i suksesshëm i një sërë leksionesh universitare në fushën e mjekësisë.
Përkushtimi, profesionalizmi dhe talenti i Dr. Ali Tonuzit është vlerësuar edhe nga shoqata Shqipëri-Itali. Kjo shoqatë i akordoi atij një Mirënjohje në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e mjekësisë dhe në atë të jetës akademike e universitare.
Dr. Tonuzi, ka tashmë më se tri dekada në shëndetësi. Në duart e tij kanë kaluar me dhjetëra e dhjetëra mijëra pacientë të cilët i kanë besuar dritën e syve këtij mjeku okulist të talentuar, ku prej shërbimit të marrë kanë qenë mjaft të kënaqur.
Nëse i përmbahemi sentencës së përbotshme, se: “Edhe kur njerëzit i kanë patur të dy sytë, prapë mençuria botërore ka parë njëlloj vërbimi me paditurinë që kanë patur njerëzit. Sytë hapen. Sytë shohin. Sytë njohin. Sytë qeshin..Sytë flasin. Sytë ëndërrojnë…Sytë kërkojnë. Sytë të magjepsin. Sytë të drithërojnë çdo qelizë të trupit. Sytë dashurojnë. Sytë gëzohen. Sytë dyshojnë. Sytë gënjejnë…Sytë fshehin. Sytë tremben. Sytë të trembin. Sytë lotojnë. Sytë thahen. Sytë mbyllen për të mos u hapur më….”, mund të themi me bindje të plotë se Doktor Aliu jeton e punon që t’iu shërbejë sa më mirë atyre.
Në një kënd të caktuar mbase një libër “Përtej syve” do të bënte një lloj nderimi modest për atë që ka bërë dhe bën ky mjek okulist i shumëtalentuar. Një libër përshtypjesh për ata që kalojnë qoftë edhe një herë pragun e Qendrës Shqiptare të Syve, do të ishte pjesa e lumturisë së tij me punën që ai bën për ta. Nëse e dëgjon dhe lexon se sa i mirëkuptuar dhe bashkëpunues është ai me pacientët e kupton se sa larg e sa bukur lexohet tek ai profesionalizmi dhe humanizmi që kanë qenë evident në çdo hap të karrierës së tij.
Për tri dekada këtu në Shërbimin e Okulistikës të Spitalit Francez në QSUT ai ka dhënë provat e një mjeku mjaft të aftë dhe ambicioz në profesion.
Pikërisht për këto merita, unë e kam përfshirë profilin e tij edhe në librat e mi “Të fitosh titullin NJERI” dhe “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave”(që në kopertinën e tij). Sepse, në kohët që jetojmë kemi nevojë për njerëz të mirë të mençur, vizionarë që të nderojnë jo vetëm një punë ku marrin një rrogë mujore, po shumë më tepër. Kohët që po jetojmë na bëjnë që ta kthejmë dhe më shumë syrin nga mjeku, nga humanizmi i tij.
Për ta bërë më saktë portretin e tij do të citoja fjalët e një pacienteje. “Sa hyn dhe shikon Dr. Aliun, të rregullohen vetë sytë e s’ke më nevojë për syze.”
Në këtë përditshmëri ai mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësues i elitës intelektuale shqiptare. Kjo sepse ka qenë njësh me pacientin, i shkrirë në nevojën e tij duke iu gjendur sa herë i lypte nevoja. Vlerësimi për dibranin e mirë dhe të zotin, Prof. dr. Ali Tonuzin, për çfarë ka dhënë në profesionin e tij si mjek dhe si profesor është i merituari dhe të tilla vlerësime nuk duhet të mungojnë për profesionistët.

