Gazeta Nacional Albania

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh: Prof. dr. Hajri Shehu, nga Çabej e Kadare, tek Ylli Asllani – si e vlerëson

Gjuhëtari dhe leksikografi i njohur, një libër me kujtime e vlerësime për kohën kur punoi si mësues i anglishtes në Gjirokastër

Nga Çabej e Kadare, tek Ylli Asllani – si e vlerëson
elitën gjirokastrite Prof. dr. Hajri Shehu

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

• Profesor Hajri Shehu evidenton veçori specifike edhe në profilin krijues të Kadaresë, për të cilin, ndër të tjera shkruan: “Të jesh gjeni i gjuhës, do të thotë ta zgjedhësh e ta përzgjedhësh shumë fjalën për kontekstin tënd (p.sh: sinonimet), të zgjedhësh e të përzgjedhësh bashkëlidhjet reale, tipike të fjalëve, fjalëformimet mbi bazën popullore të gjuhës dhe sepcifikisht për shqipen, të vjelësh fjalën popullore, duke zbatuar standardin. Ai ka mbi 60 vjet që e bën këtë. Dhe gjeniu respektohet. Respektohet duke i zgjedhur thëniet tona sipas modelit të gjeniut. Dhe duke i pasqyruar në vepra gjuhësore kodifikuese (fjalorë). Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjalët arkëmort, dehashpirt, e shumë të tjera janë formime të Ismail Kadaresë”.

Mirënjohja, si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut, gjen mishërim të plotë në librin e prof. dr. Hajri Shehut “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës”. Gjuhëtari dhe leksikografi i njohur, i vlerësuar si “një personalitet i heshtur i gjuhësisë shqiptare”, 35 vjet punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave (1971-1993 dhe 1997-2010), kurrsesi nuk mund t’ia linte “harresës” tri vitet kur shërbeu si mësues i gjuhës angleze në Gjirokastër (1966-1968) në shkollën 12-vjeçare “Koto Hoxhi” dhe në gjimnazin “Asim Zeneli”. Kjo edhe për faktin se këtu njohu dhe studioi më nga afër veprat krijuese të elites gjirokastrite. Dhe kështu, pas një pune përkushtimore disavjeçare, prof. Shehu botoi librin me kujtime “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës”. Dhe jo rastësisht, por sepse siç shkruan autori në këtë vepër (fq.58), “Gjirokastra ka pasur e ka shtetarë, ministra dhe zëvendësministra. Veprimtarë. Profesorë. Pedagogë. Pionierë të arsimit kombëtar. Intelektualë të përmasave të mëdha. Emrin ta bën vepra, nuk ta bën rangu. Këta janë ata që emrin ua ka bërë vepra dhe puna…”.
Dhe jo rastësisht, prof. Shehu evidenton, jo një e dy, por 58 nga dijetarët e Gjirokastrës (veprimtarë të Rilindjes Kombëtare, Heronj të Popullit, akademikë, historianë, gjeografë, gjuhëtarë, përkthyes, poetë, mjekë, ushtarakë etj), me të cilët ka pasur të bëjë ose që ua njeh veprën. Radhitja është sipas rendit alfabetik.
Duke i hyrë në “hak”, po veçoj disa prej tyre, që edhe unë i kam njohur ose i kam studiuar.
Eqrem Çabej, Profesor, Akademik, Etimolog e historian i gjuhës, Mësues i Popullit, Nderi i Kombit; Ismail Kadare, Shkrimtar i Madh, Akademik; Musine Kokalari, Prozatore; Aleksandër Meksi, Profesor, Historian i Artit, Agim Shehu, Poet, Kritik letrar, Studiues; Fatos Tarifa, profesor, Ambasador; Katjusha Pogaçi, Poete, Kulturologe, Veprimtare për emancipimin e gruas…
Por, më së miri, me këta emra të elitës gjirokastrite na njeh prof. Hajri Shehu, bashkautor në veprën madhore “Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe” (1980), nderuar me Çmimin e Republikës.
Në shkrimin me titull “Një fjalë e dytë për breza e brezatarë dijetarësh”, ai ka ditur të përveçojë anë të panjohura të këtyre personaliteteve. Kështu, për akademikun Eqrem Çabej “Nderi i Kombit”, ndër të tjera ai shkruan: “I madhi Çabej. I madhi etimolog dhe historian i gjuhës shqipe. Ishte shkencëtar i përmasave europiane. Por një njeri aq i thjeshtë. Kur i përshëndeste në mëngjes vajzat e Institutit – punonjëse tekniko-shkencore a skedariste, hiqte kapelën. Zbriste vetë në bibliotekë dhjetëra herë në ditë për t’u konsultuar me fjalorë, kur ato mund t’ia sillte në zyrë një nga punonjëset tekniko-shkencore të sektorit…”.(fq.63).

VEÇORI SPECIFIKE NË PROFILIN KRIJUES TË KADARESË…etj

Profesor Hajri Shehu evidenton veçori specifike edhe në profilin krijues të Kadaresë, për të cilin, ndër të tjera shkruan: “Të jesh gjeni i gjuhës, do të thotë ta zgjedhësh e ta përzgjedhësh shumë fjalën për kontekstin tënd (p.sh, sinonimet), të zgjedhësh e të përzgjedhësh bashkëlidhjet reale, tipike të fjalëve, fjalëformimet mbi bazën popullore të gjuhës dhe sepcifikisht për shqipen, të vjelësh fjalën popullore, duke zbatuar standardin. Ai ka mbi 60 vjet që e bën këtë. Dhe gjeniu respektohet. Respektohet duke i zgjedhur thëniet tona sipas modelit të gjeniut. Dhe duke i pasqyruar në vepra gjuhësore kodifikuese (fjalorë). Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjalët arkëmort, dehashpirt, e shumë të tjera janë formime të Ismail Kadaresë”.
Nga një këndvështrim real dhe objektiv e përshkruan profesor Shehu edhe Alizot Emirin, librar. Si një burrë mjaft komunikues e mjaft miqësor, që e bënte mjaft mirë propagandën për librin në librarinë, kur ngjiteshe për te Qafa e Pazarit. Dhe nuk ngurron të shprehë kënaqësinë të thotë që bagazhi i tij më i rëndë, kur është transferuar nga Gjirokastra, ka qenë ai i librave. I librave ku shiste Alizoti…Kësisoj, qoftë dhe me këtë portretizim të Alizot Emirit, profesor Shehu – autor i mbi 100 artikujve shkencorë në disa revista shkencore dhe katër monografive, (në kohën e sotme kur pranohet se është zbehur interesimi për librin) ju vjen në ndihmë librarëve të sotëm për të përsosur metodën e punës së tyre për propagandimin e librit.
Prof. Hajri Shehut, i cili është edhe në librin Ndërkombëtar të Biografive, si gjuhëtar, në librin e tij, vlerëson edhe Musine Kokalarin, që përveçse si një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit të XX, ka lënë gjurmë edhe me studimin për të folmen e qytetit të Gjirokastrës.
“Musine Kokalari. Prozatore. Ka botuar disa libra. Në veprën e saj mund të njohësh të folmen e qytetit të Gjirokastrës. Prof. Mimoza Kore ka disa artikuj shkencorë për të folmen e qytetit të Gjirokastrës, ndër to, edhe sipas prozës së Musine Kokalarit (Vepra e Musine Kokalarit, mbështetje për studimet etno-linguistike për rajonin Tosk”, “E folura e grave gjirokastrite në veprën e Musine Kokalarit”, etj). (fq.67).

“MENDJA KA FORMËN E SAJ TË VEÇANTË NË ÇDO GJUHË”

Si anëtar i Euraleksit (Shoqata Europiane e Leksikografëve), profesor Hajri Shehu ka vlerësim të veçantë për gjuhën. Si gjuhëtar, në shkrimin, “Pak për mësimin e gjuhës së huaj”, referuar Rusoit, ndër të tjera, shkruan: “Mendja ka formën e saj të veçantë në çdo gjuhë. Mendimi i njerëzve formohet nga mënyra si flasin. Mendimet e tyre ngjyrosen nga gjuha e tyre…Nëse flet gjuhën standarde, do të thotë se je bashkaatar me bashkësinë (që e flet atë)”.
Në këtë optike i sheh autori i këtij libri edhe zhvillimin kulturor në qytetin e Gjirokastrës dhe gjirokastritët si produkt të familjes, të shkollës dhe mjedisit (rrethanave shoqërore). Sepse, kultura ështe tërësia e arritjeve të një populli dhe të gjithë njerëzimit në fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror e mendor. Kësisoj, duke shkruar për aspekte të veçanta të kulturës shoqërore, kulturës së lartë familjare, kulturës së lartë materiale si dhe kulturës së lartë artistike, prof. Shehu i vlerëson ato të pandara nga qëndrim i veçantë i gjirokastritëve ndaj mjedisit rrethues, karakterit krijues dhe simbolikave si tipar dallues, vetëm i njeriut të të gjitha epokave.
Mesazhet që përcjell autori në këtë drejtim janë aktuale dhe në koherencë me realitetin e trishtë të dhunimit të grave, madje duke i detyruar të kryejnë akte ekstreme tragjike (si rasti i fundit në Shkodër…) .
“Kam parë një kulturë të lartë familjare në Gjirokastër. Ku? Te sjellja e burrave me gratë dhe vajzat. Mënyra se sillet dikush me femrat, tregon se çfarë është e çfarë dëshiron të jetë..”, shkruan prof. Shehu. (fq.49). Dhe për këtë i referohet një filozofi të hershëm, që konsiderohet një nga personalitetet më të mëdha të të gjitha kohërave (kështu e përcakton amerikani Maikëll Hart) Michael Hart, i cili në librin e tij “100 Personalitete më me influencë në Botë”, Tiranë, 1998) thotë: “Gratë janë binjaket e burrave”. Ndaj me te drejtë autori Shehu konkludon se fjalë më diturore e më vlerësuese e më emancipuese nuk mund të ketë. Sepse këtë binjakësi të grave me burrat e ka parë në Gjirokastër. Në gjithçka….

NGJARJE, BËMA, NJERËZ…

Gjuhëtari dhe leksikografi i njohur, në librin e tij me kujtime e vlerësime për kohën që punoi si mësues i anglishtes në Gjirokastër (1966-1968) ka vlerësim objektiv edhe për kontributin e gjirokastritëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sepse sipas tij, Gjirokastra nuk ishte vetëm e penës dhe e shkollës. Gjirokastra ishte edhe e pushkës. E pushkës çlirimtare. Nga ky këndvështrim, përveç faktit se dikur nga vitet ’80, Gjirokastra – qyteti i muzeve, kishte 22 muze (dhe i tërë rrethi 83), prof. Shehu ndalet tek Muzeu i Armëve në Kala, ku parakalonin si në revistë ngjarje, bëma, njerëz.
“Në Gjirokastër ka pasur 250 baza të Luftës. Dolën malit për lirinë e atdheut 2000 partizanë. Nga ata, 10 janë Heronj të Popullit. Katër janë ish nxënës të gjimanzit: Ali Demi, Muzafer Asqeriu, Nuri Luçi, Themo Vasi. (Brenda një dite, nga gjimnazi i Gjirokastrës, dolën partizanë 130 nxënës). Në gjimnaz, u shkëlqenin emrat në një pllakë në mur, në katin e dytë. Në muze u shkëlqenin fytyrat. U shkëlqenin sytë. Vetëm nga qyteti pati 55 dëshmorë. Dhe vetëm nga minoriteti pasi 140 dëshmorë. Emrat e Heronjve të Popullit – Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi dhe Sofie Noti i kanë kaluar kufijtë e historisë shqiptare”, shkruan ndër të tjera prof. Hajri Shehu. (fq.53).
Në librin e tij “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës”, autori shkruan edhe për Ylli Asllanin, fëmija i tretë i familjes së pedagogut të njohur Muzafer Asllani dhe edukatores Nejme Asllani. Për këtë personalitet të njohur gjirokastrit, prof. Hajri Shehu, ndër të tjera shkruan: “Në aktivitetin e tij publik, si president i Agjencisë së Mbështetjes së Infrastrukturës Vendore (AMIV), ka realizuar mbi 40 projekte në lëmin e demokratizimit të shoqërisë civile, përmirësimit të cilësisë së jetesës, infrastrukturës dhe zhvillimit rajonal, duke qenë partner me një varg programesh të Bankës Botërore, USAID-it, Europian Aid, Crossborder, IOM, UNHCR, OSBE, Fondacionit “Soros”, Interreg 2-3, Komisioni për Demokraci (U.S. Embassy), REC, Partners of Albania”etj.
Dhe po në këtë faqe (253) jep disa detaje simbolike për karakterin e Haxhiart Asllanit, që qe shumë i talentuar dhe ndër inxhinierët mekanikë më të aftë në vend.
Dhe kështu, lexuesi mund të mësojë në këtë libër për dhjetëra personalitete të elitës gjirokastrite me kontribute kombëtare e ndërkombëtare. Ashtu siç mund të njihet me vlerësime për “Bukuritë ndërtimore të Gjirokastrës”. Lexuesi mund të befasohet me fjalën artistike të autorit në shkrimet: “Nga Peshkopia në Gjirokastër”, “Në shkollën “Koto Hoxhi”, “Dheu i Gjirokastrës”, “Lagje, shtëpi dhe emra”, “Kultura gjirokastrite”, “Gjirokastra – qytet i muzeve dhe bibliotekave”, “Gjirokatra e dijetarëve”, “Katër kompozitorët”, “Arkeologë për Gjirokastrën”, “Për gjashtë pushtetarë dhe partiakë”, “Kolegë e kolege të shkollave ‘Koto Hoxhi’e ‘Asim Zeneli”. Për këta të fundit mjafton qoftë dhe perifrazimi në hyrje të librit: “Me kënaqësi të veçantë shpreh mirënjohjen time të përzemërt për kolegët – Dashamir Gega e Mineko Labi dhe për ata ish-nxënës e ato ish – nxënëse – Dhimitër Doko, Harallamb (Lame) Qirko, Katjusha Latifi (Pogaçi), Niko Rogo, Odhise Çerkezi, Pirro Millona, Tatjana Elmazi (Kora), Tatjana Karagjozi (Çene), Ylli Asllani, Ylli Xhakollari, që sollën fjalën e tyre në këtë libër”.
Për vetë vlerat ideoartistike e shkencore që bart, ky libër pa asnjë mëdyshje mund të konsiderohet si një përmendore për elitën gjirokastrite. Qoftë vetëm me këtë lexim, jam i një mendjeje me prof. dr. Eshref Ymerin për vlerësimin e profesor Hajri Shehut si një intelektual-shkencëtar me një botë mjaft të pasur shpirtërore, i thjeshtë si e vërteta, të cilin ke kënaqësi ta dëgjosh kur bisedon shtruar, pa folur kurrë për vetveten.

Pak radhë për prof. dr. Hajri Shehun
Ka lindur më 10 qershor 1942 në fshatin Vleshë të qarkut të Dibrës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Peshkopisë. Gjatë vitit 1961 ka qenë student i Istitutit të Gjuhëve Lindore në Moskë. Pasi Hrushovi i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ai u kthye në atdhe dhe në vitin 1965 i përfundoi studimet e larta në degën e gjuhës angleze të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në periudhën mes viteve 1965-1966 dhe 1968-1970, ushtroi detyrën e mësuesit të gjuhës angleze në qytetet e Peshkopisë dhe të Gjirokastrës. Meqenëse gjatë kësaj periudhe kishte shfaqur interesim të veçantë në lëmin e studimeve gjuhësore, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. Androkli Kostallari, u interesua në strukturat përkatëse shtetërore për ta tërhequr në Institutin në fjalë. Kjo u bë e mundur në vitin 1971, kur ai filloi punën në Sektorin e leksikologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave. Në këtë Institut ai punoi vite të tëra (1971-1993, 1997-2010), derisa doli në pension.
Prof. dr. Hajri Shehu ka veprimtari të pasur shkencore, si filolog, si përkthyes e si hartues tekstesh mësimore për gjuhën angleze. Ai është bashkautor dhe autor i 22 fjalorëve të gjuhës shqipe dhe të fjalorëve anglisht-shqip, shumica të botuar dhe ca në dorëshkrim, por që po përgatiten për në shtyp. Është autor i disa monografive dhe i më shumë se 100 artikujve shkencorë, kushtuar problemeve të gjuhës së sotme letrare shqipe, të leksikologjisë, të leksikografisë dhe të fjalëformimit. Është anëtar i Euraleksit (Shoqata Europiane e Leksikografëve). Është në librin Ndërkombëtar të Biografive, Kembrixh.