Gazeta Nacional Albania

HAMDI HYSUKA, Mat: Ky vit  na ndihmoi për të rigjetur  kuptimin e jetës

-Faleminderit për pyetjen “Nacional”, gazeta letrare dhe kulturore, e pa infektuar nga asnjë lloj virusi! Në shtëpitë tona dhe tuajat ka trokitur atmosfera e festave të fundvitit, por krahas zbukurimit të pemës, janë shtuar masat për të përballuar koronavirusin, këtë krizë të rëndë, që po na dëmton të gjithëve. Që nga 11 shkurti 2020 sëmundja e quajtur Covid-19 është shndërruar në epidemi botërore. Ka infeksione të përmasave të mëdha, shoqëruar me humbje jete njerëzish. U infektuan dhe shkrimtarë e artistë, që ndërruan jetë bashkë me të tjerët. Aktualisht frika nga ky virus është më e madhe se vdekja fizike. Kjo lloj pandemie mbetet emergjenca më e rëndësishme shëndetësore e kohës sonë.

Si në çdo aspekt të jetës së vitit që po lëmë pas, pandemia e koronavirusit ndikoi në mbajtjen e takimeve të festivaleve të përvitshme të poezisë. Shumë klube e shoqata shkrimtarësh i anuluan ato për të shmangur përhapjen e virusit në manifestime të tilla me shumë pjesëmarrës. Por Klubi Letrar “Pjetër Budi” nuk ndoqi këtë rrugë. Ndryshuam mënyrën e organizimit dhe patëm arsye për t’u ndjerë festivë e mikpritës. Përmes njoftimeve online e postimeve në facebook i takoi muzës poetike budiane të ftonte krejt ndryshe poete e poetë gjithkombëtarë në festivalin e pestë virtual gjithkombëtar të poezisë. Ftesës iu përgjigjën 52 autorë, 20 prej të cilëve për herë të parë. Poetët pjesëmarrës në këtë mënyrë organizimi sollën videot artistike të realizuara prej tyre, ku lexuan krijimet e dërguara më parë përmes aplikimit. Festivali u zhvillua në kushte të mospranisë shoqërore të konkuruesve dhe u transmetua live në portalin “mattv.al”, në platformat “Mat Televizion”, yotube dhe rrjetet sociale facebook dhe instagram. Festivalit i parapriu botimi i vëllimit poetik “Stinë e blertë“, me 120 poezitë e zgjedhura të 80 poetëve bashkëkohorë nga katër festivalet e mëparshëm. Është vepra e parë e këtij lloji, e cila na miqëson e do të na miqësojë me krijuesit e mbarë trojeve kombëtare. Ftesa jonë për të organizuar këtë festival poetik vërtetë qe hap i guximshëm dhe sakrificë. Por them me bindje, se veprimtaritë letraro-artistike në stadin e zhvillimit të sotëm kanë nevojë për një model vaksinimi të llojit artistik.

Pas një muaji, më 23 tetor 2020, në datëlindjen e poetit kombëtar, at Gjergj Fishta, Klubi Letrar “Pjetër Budi” mori pjesë në takimin poetik kombëtar, “Ora e Muzës, Lissus”, organizuar nga Klubi Letrar ‘’Ndoc Gjetja”, Lezhë. Më pas, në datën 30 nëntor 2020 u përfaqësum në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Drini Poetik”, organizuar në Prishtinë nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, sipas kushteve të krijuara nga pandemia. Në sesionin letrar “Lira magjike” krijimi “Klithmë sipër varresh” i poetit Gjokë Dabaj u vlerësua me çmimin “Metafora II”. Po në Prishtinë, më 17 dhjetor 2020, morëm pjesë dhe në takimin tradicional kushtuar akademikut dhe poetit Esad Mekuli, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës.

* * *

Çdo javë gazeta “Nacional” na bashkon mendjet, zemrat dhe shpirtrat tanë. Ta pranojmë, që përtej ndikimit negativ të karantinimit, vetizolimit, covid-19 solli dhe efekte pozitive në përmirësimin e mjedisit jetësor. Ndryshe nga herët e tjera, t’u kthehemi më shpesh filozofëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj për të mësuar prej tyre historinë njerëzore dhe dramat brenda shpirtit tonë, për të gjetur më realisht kuptimin e jetës.

Portalet e lajmeve tregojnë se njerëzit janë të frikësuar dhe të dëshpëruar. Megjithkëtë, viti që po vjen do të jetë më ndyshe, për mirë. Këmbana e alarmit për virusin tashmë ka rënë dhe vaksina kundër tij është gjetur. Por koha është që në ndërgjegjen tonë të ndiejmë më shumë përgjegjësi për të shëruar plagët e atyre që lëngojnë dhe t’u ndalim infektimin virusëve të rinj.