Gazeta Nacional Albania

HAMIT ALIAJ: FJALORI I GJUHËS SHQIPE I MEHMET ELEZIT: SHTATË LIBRA NË NJË

– Përsë bëhet sikur nuk dëgjohet kumbimi i kësaj kambane, ku janë gjuhëtarët, poetët, njerëzit e letrave, shteti vetë? Për kë bie kjo kambanë, kush ka vdekur, a mos vallë, mosozot, te të gjithë ne ka vdekur diçka nga Shpirti Shqiptar? Nëse jo, përse heshtet? –

1.
Me 28 nëntor 2006 më ra një telefonatë nga Gjakova.
– Gëzuar Ditën e Flamurit! Si po shkojnë festimet në Tiranë? Këtu në Kosovë është kallur qielli.
– Nuk jam në Tiranë, i thashë. Jam… vetëm 20 km larg Gjakovës, në Tropojë.
– Jemi një grup miqësh që po të kujtojmë. Më prit, po vij të të marr.
Nënqielli i Gjakovës ishte mbuluar me një flamur, që shtrihej nga pallati në pallat, më i madhi që kam parë ndonjëherë.
Miqtë që më prisnin te hotel “Pashtriku” ishin shkrimtarë, gjuhëtarë, historanë, mjekë dhe “shoferi” im filolog: deputeti i Gjakovës, Kamber Kamberi.
Nuk ka parlament ku hierarkia e fjalës nderohet si në Kosovë. Në ndeja të ndryshme, në dasma a morte, flet njëri e të tjerët heshtin. Ata këmbëngulnin t’ju flisja për të rejat nga Tirana, megjithëse të tërë kishin edhe internet në shtëpi e ishin më të informuar se unë. Pashë se kulti i dikurshëm rozë për Tiranën ende s’ishte zhbërë tek ata. T’u flisja për marrëzitë e asaj fundvere në Parlamentin e Tiranës? Jo!
– Baca Din, iu drejtova poetit të njohur Din Mehmeti. Meqë po këmbëngulni… në Tiranë ka pasë një ngjarje të madhe. Anipse heshtanët kanë bërë bllokadë heshtjeje. Atë ngjarje e ka bërë një murg i madh. Po ju lidh në telefon që tani.
Më panë me habi.
– Ky murg… dëgjojeni vetë, u thashë, duke formuar numrin e Mehmet Elezit në Ambasadën Shqiptare në Bernë. Ka botuar para pak muajsh “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” me 41 mijë fjalë që nuk gjinden në fjalorët e akademisë së shkencave.
Shumica e miqëve të mi e kishin blerë “Fjalorin”. Ishin të një mendimi: sikur asnjë rresht tjetër të mos ketë shkruar njeriu gjatë jetës së vet, mjafton një vepër si ky Fjalor për të mbetur në mbamendjen e kombit.

2.
“Fjalor i Gjuhës Shqipe” i Mehmet Elezit doli në qarkullim në korrik 2006. Që në krye të herës duhet thënë pa patur frikë se e teprojmë se përbën ngjarjen më të madhe kulturore të vitit për gjithë botën shqiptare. Dhe jo vetëm të një viti: është më i madhi e më i kompletuari fjalor që ka botuar një individ në gjithë historinë e gjuhës shqipe.
Për shumëkënd “Fjalori…” përbënte një befasi. Autori s’ishte parë duke mbajtur ligjërata në katedrën e gjuhës shqipe të Universitetit të Tiranës, megjithëse ish-profesori i tij, akademik Shaban Demiraj, e kishte “piketuar” qysh student për ta mbajtur si pedagog në katedreën e tij. Nuk ishte parë nëpër konferenca gjuhësore. Në të tjera fusha, po.
Dikur, student pa i mbushur njëzet vjetët, ishte shfaqur në komunitetin e poetëve me librin poetik “Zhurmojnë ujvarat” (1970), një përmbledhje me varg të çliruar, vizion të gjërë e ndjenjë të hollë. Ndoshta shumë pak vetë e dinë se shpëtimtari i atij libri kishte qenë pikërisht Ismail Kadare: vetëm një reçension me shkrim i njeriut të madh të letrave shqipe bëri të mundur botimin, pasi shtëpia botuese e kishte hedhur poshtë si “të papranueshëm”. Më vonë, mjerisht, M. Elezi pati një “ftohje” me krijimtarinë e mirëfilltë letrare – shkaqet kërkojnë një hulumtim tjetër. Megjithatë prapa gazetarit prodhimtar, prapa stilit të mëvetësishëm e gjuhës së zgjedhur e krejt shqip, hetoheshin gjithkund poeti i ndrydhur e gjuhëtari i fshehur. Derisa në vitet nëntëdhjetë kthehet tek dashuria e parë, poezia, me librin “Kurrë s’jam ndalur” (1996), me kumtin domethënës: a mos kujtuat se kam vdekur? E përforcon këtë më 2005, kur ridel në skenë “Nën një flok të përlotur bore”. Vetë fjala “i përlotur”, në titullin e përmbledhjes së re poetike, tregon pendestarin dhe poezia di të falë. Apo është vonë? Poezia gjen hapësirë të lirë edhe në katër romanet e tij të botuara këto kohë: “Varri i fatit”, Tiranë 1998, (“Le tombeau du destin” Paris 2002), “Dita e tetë e javës”, Tiranë 1998, “(Pa)koka”, Tiranë 1998 dhe “Kalendari i Noes”, Tiranë 2000. Në mënyrë më të ndrojtur poezia gjen vend edhe te shkrimet e librat publicistikë që ka botuar ose i ka në proces botimi.
E shoh se natyrshëm po më tërheq pas vetes shkrimtari, megjithatë nuk do të ndalemi te romanet as te poezia e mirëfilltë. Me Fjalorin për të cilin po flasim M. Elezi u shfaq edhe si poet i gjuhës shqipe. Jo më me vargje…

3.
Jam ndër të paktët njerëz që e kanë ndjekur në proces tërë ngjizjen e këtij Fjalori. Gjatë punës, kur lodhej, me telefononte shpesh. E gjeja në apartamentin e tij, në dhomën e vogël të punës, përkulur mbi kompjutër, rrethuar me pirgje librash të shpërndara në mënyrë të çrregullt – për syrin tim, po për syrin e tij në mënyrë shumë të rregullt, se në atë grumbull të rrëmujshëm ai gjente fill e lehtësisht atë që i duhej. Dëgjues deri në fund i oponencës a mendimit të tjetrit, sqimëtar në çdo fjalë e deri tek germa, i rikthehej për të satën herë një rrjeshti që kish shkruar. Ndërsa ta sillte kafen Lavazza, të preferuarën e tij, në një filxhan pa vegë duke e shërbyer vetë si “skofnar” (e shoqja ishte në punë, duhej mbajtur familja me bukë, se Mehmeti kishte dalë i tepërt, i panevojshëm për shtetin!), të tërhiqte nëpër pafundësitë e pyllit madhështor e të pashfrytëzuar të gjuhës shqipe.
Ky ritual zgjati 8 vjet dhe s’e kam pyetur asnjëherë pse pikërisht 1997-a ishte viti i vendimit të madh për t’ia hyrë Fjalorit. Askush nga pendëtarët s’i spjegon dot disa zona të errëta të nënvetëdijes, disa mekanizma të laboratorit të vet krijues. Ndoshta kjo ishte mënyra e tij për t’iu kundërvënë djegies së bibliotekave, institucioneve, për të ndihmuar ose mbrojtur kujtesën e rrezikuar të kombit në atë vit të mbrapshtë, mënyra e tij për të protestuar, duke u marrë me vlera të shenjta?

4.
Fjalori i Gjuhës Shqipe i Mehmet Elezit është një libër që në vetvete ka shtatë libra.
Libri i parë është vetë Fjalori, në tërsinë e tij unike. Qartësia dhe rigoroziteti shkencor i shpjegimeve, pasuria e rrallë folklorike, etnografike, letrare, poetike etj, me të cilën ilustrohen kuptimet e fjalëve e të shprehjeve, bëjnë që Fjalori të lexohet sa si një vepër shkencore, aq edhe si një krijim artistik.
Duke e krahasuar me botimet e mëparshme leksikografike, arrijmë në disa përfundime:
1. Fjalori i Gjuhës Shqipe i M. Elezit është fjalori më i gjërë i botuar deri më sot në historinë e gjuhës sonë nga një vetje (individ): rreth 41 mijë fjalë e 54 mijë kuptime, që s’i ka FGJSSH.
2. Ai nuk është fjalor krahinor. Shumica e fjalëve që përfshihen në të përdoren në hapësira shumë herë më të gjëra se një krahinë ose disa krahina bashkë. Gjeografia e tij shtrihet nga Çamëria e Vlora në trevat shqiptare në Mal të Zi, nga Durrësi e Lushnja në Kosovë e në Luginën e Preshevës.
3. Për nga pasuria që përmban, ky fjalor mund të quhet një lloj enciklopedie e kulturës popullore shqiptare, e shprehur me anë të gjuhës e në funksion të saj.
4. Shumica e lëndës së “harruar” ose të përndjekur, që përmban ky fjalor, mund të hyjë lirshëm në të gjitha llojet e shkrimtarisë së sotme shqiptare.
5. Ky fjalor ndihmon shkencën gjuhësore shqiptare për studime të reja rreth gjuhës shqipe, pasurisë e vitalitetit të saj.
6. Ky fjalor hap horizonte (pse jo edhe për polemika) çfarë s’është bërë, çfarë është bërë keq e, sidomos, çfarë duhet të ndreqet ne standardin e gjuhës shqipe.
7. Ky fjalor dëshmon se ka ende shumë vlera gjuhësore të mënjanuara anembanë trojeve shqiptare. Kësisoj bëhet nxitje për gjuhëtarë të tjerë që këto bukuri të mos i lënë të vdesin.
8. Ky fjalor është kambanë që bie për insitucionet që merren me gjuhën dhe për vetë Shtetin. E këmbana thotë: ka ardhur koha t’i kthejmë sytë seriozisht nga gjuha shqipe. Është kumt që u thotë sh(tetarve) tanë, njerëzve të biznesit, fondacioneve, OJQ-ve: sa sponsorizoni koncerte mediokre a librushka qesharake, ktheni sytë nga gjuha shqipe, se nëse ka diçka që na përfaqëson në planetin ku jetojmë, e para është gjuha shqipe, iliriciteti i saj, siç shprehet Kadare.
Libri i dytë që përbën Librin e Madh, janë 5300 shprehjet frazeologjike, të cilat shpjegojnë apo ilustrojnë fjalët e Fjalorit. Ato përbëjnë një fjalor më vete. Të shkëputura nga ky fjalor do të qëndronin si vepër e mirëfilltë.
Libri i tretë janë mija fjalë të urta që edhe ato ilustrojnë fjalorin. Shumë prej tyre të pabotuara kurrë më parë, i ka mbledhur vetë autori nga goja e njerëzve që i përdorin. Do të mjaftonte një libër vetëm me këto fjalë të urta, për ta pasuruar cilëndo bibliotekë të madhe.
Libri i katërt ka rreth 1000 gjëagjëza, doke, urime, mallkime, paragjykime, besytni, yshtje, barnatime (mjekime) popullore, lojë fjalësh etj. Nuk ka më pak vlerë se libri i dytë dhe i tretë.
Libri i pestë mund të quhej ”Bibliografi” ose homazh fisnik, për mbi 40 autorë të letrave shqipe, që nga Gjergj Fishta, Anton Pashku e deri tek Ismail Kadare, madje nderim edhe për autorë të rinj, emri i të cilëve për herë të parë zë vend në një vepër të tillë madhore, si kjo. Autori ilustron fjalorin me krijimtarinë e tyre. Eshtë i pari fjalor në gjuhën shqipe që ilustrohet me autorë konkretë.
Libri i gjashtë është etimologjia e fjalëve e cila në vazhdën e Çabejt të madh, pasuron shkencën tonë gjuhësore në këtë lëmë, dhe i jep “Fjalorit…” vlera dyfishe. Përsëri është i pari fjalor i gjuhës shqipe që trajton edhe etimologjinë e fjalëve.
Libri i shtatë (por i pari nga faqosja në “Fjalor…”), është “Gjuha shqipe në bunker?” një ese – sprovë, e gjatë mbi 160 faqe, që shërben si parathënie. Në këtë sprovë (botuar si libër më vete më 2005), që ribotohet e ripunuar, me një guxim intelektual të spikatur autori trajton plagët e gjuhës shqipe, sfidat e saj; argumenton përse reformimi i standardit të gjuhës shqipe është një domosdoshmëri. Shumica e problemeve që shtrohen aty janë shtjellime të letrës së parë, dhe kjo gjë ka tronditur jo pak mendimin e mykur apo pseudoshkencën gjuhësore në Shqipëri, e cila, për këto arsye, bën “të paditurin”. Guximi i publicistit të shquar, ftohtësia e shkencëtarit dhe dhembshuria e poetit, janë tri shtyllat e kësaj sprove.
Këto shtatë libra që përbëjnë “Fjalorin…”, përbëjnë gjithashtu edhe portretin mozaik të Mehmet Elezit. Gjuhëtari e poeti, romancieri e publicisti, folkloristi e analisti, shfaqen me kufinj të zhbërë në këto shtatë libra.

5.
Ndoshta me secilin prej tyre, çdo studiues do të meritonte një gradë shkencore, por Mehmet Elezit i mungojnë gradat e titujt, ai s’i ka kërkuar kurrë ato. Por ani, s’ka dert! Librat janë shtatë e janë aty, sa shtatë ditët e javës (ai vetë ka pasë shkruar romanin “Dita e tetë e javës”!).
E gjithë kjo punë e pashembullt është një kambanë nëpër qiejt e trazuar të Shqipërisë së sotme e të krejt botës shqiptare. Përsë bëhet sikur nuk dëgjohet kumbimi i saj, ku janë gjuhëtarët, poetët, njerëzit e letrave, shteti vetë? Për kë bie kjo kambanë, kush ka vdekur, a mos vallë, mosozot, te të gjithë ne ka vdekur diçka nga Shpirti Shqiptar? Nëse jo, përse heshtet?
Në gjithë letërsitë e Europës vështirë se ka një shembull të tillë ku poetët e një vendi i kanë kushtuar gjuhës së tyre aq poezi sa poetët shqiptarë. Naimi, Fishta, Mjeda, Kadare… Në secilën poezi të tyre ka një kambanë alarmi. Për tre të parët, për shkak të kohës kur kanë jetuar, kohë me pikëpyetje të shumta ekzistenciale, spjegimi është më i lehtë. Pa marrë përsipër të bëj interpretime arbitrare, kam të drejtë të pyes: ç’kambanë alarmi ka ushtuar në kokën e gjeniut Kadare, pikërisht në vitin 1977, kur është botuar vjersha e tij me titullin e thjeshtë “Gjuha shqipe”, ashtu si dhe tri të parat e autorve të cituar? Ai thotë se hordhi pafund u derdhën mbi kështjellat shqiptare, por “kështjellë e Sinaksës s’u muar…”.
A mos “hordhi” të tilla sot janë strehuar diku brenda nesh, në koka të bunkerizuara?

Hamit Aliaj
Tiranë, 31 mars 2007.

________________________________________