MOLLË DRITE
Në mollë -prillet e pafjetuna,
E në prille- hënat që lulojnë,
E në lule – fruti,
E në frut – bërthama,
E në bërthamë – fidani i ri,
E në fidan – molla e dritës,
E në mollën e dritës – goja jote,
Gjarpëri biblik më sheh me inat
E sillet rreth mollës në duart e mia.
SHKRETAN
Ndërton kullat më të bukura në fytyrë të dheut,
E vet i shemb kur s’ta këndojnë emrin,
Lind bukuri që s’i ka pa syni
E vet i shemton , verbuar bukurie,
U vjedh zjarrin perëndive
E veten e djeg me atë zjarr,
Lind zota sa herë erret dheu
E vet i vret kur s’mbërrin tek ata
Ndërron qiej e askush s’e di:
A mbet njeriu pa perëndi
A perëndia mbet pa njeri ?!
VJESHTIM I EPËRM
U hutuan drerët mbas ylberëve të fundmë
E gjumi eremit reciton Hamletin
Thyej dy-tri vetëtima
E ndez me to zjarre muzgjesh të lashta
Nën mjegullat që vjeshtojnë në ty
Mot i vranët bën në mua
Në qiej nuk mbërrihet si perëndi,
Në qiej mbërrihet vetëm pas vdekjes
Dy-tri hëna të ftohta më lëshohen mbrapa
E një diell budalla nëntori
E një ëndërr e çmendur që e ka emrin Liri
Hamleti eremit endet nëpër re
Atdhetar pa Atdhe …
ORA E ENGJEJVE
Ora e engjejve s’më ka pëlqyer asnjëherë
Është orë fatale për njeriun
Krahëbardhët bien prej qiejve
Për të marrë shpirtërat
Mos më thirr më :
“ Qiellori im”
Në qytetin tënd të vogël sa një fushë ore
Njw plak i kohëve që mateshin me hijet
Paska hapur dyqanin më të çuditshëm të botës
Me pasqyra të vjetra të shtëpive të braktisura
Në të cilat shiheshin dikur femrat e bukura
Që shkuan në orën e zbritjes së qiejve
Vjeshtat e përmortshme
Në sy grashë trimërohen
Kur ikjeve flatrojnë engjëjt …
BOTËT PËRTEJ MALEVE
Shkrepave të mnershëm ku shkelë veç këmbë zogu
Bie një shi plak që s’pran prej trimijë vjetësh,
Po ç’dreqin ju desh zotave mitikë të rrinë në këtë vetmi të epërme
Me re që grinden përjetë e me rrufe që gjuhen ndërveti ?
Tashmë zotat e moçëm janë bërë fara drurësh
Qe mbijnë plasave te gurit
Dhe mësyjnë dritën
Gjithë verën, njeriu i vogël
Rri nën hijen e tyre dhe u falet,
Në dimër i pret për dru zjarri
E zhveshur pranvera që vjen pas !…
PYETJE TË VJETRA
Një zë femre i hershëm, para vitit zero
Më thotë:Pse u vonove të vije në jetë?
Se unë të prita, të dashurova
Dhe mbi botë endem tash trimijë vjet
Një zë tjetër femre më vjen nga qielli:
Pse u linde kaq heret, o i shkretë?
Pas njëqind vjetësh do lindem unë
Në ty e dashuruar, thënë nga profetë
Unë i pakohë, ato të paemra ,
E vdekur njëra, e palindur tjetra
Pse linde herët, pse linde kaq vonë?
Lënë botën pa gjumë pyetjet e vjetra…
SHIRAT JANË SI NJERËZIT
Shirat janë si njerëzit:
Ka shi budallë
Që han dherat e shkon duke qeshur,
Ka shira të çmendur që çmendin lumenjtë,
Shira vajtues si gratë e mortit,
Një re handikape jargavitet mbi mal
Me bubullima që u merret goja
O Zot, shëroji këta qiej
Të shpëtosh njeriun
Që udhëton me varkën e Noes në shpindë!
LIRIA E KEQE
Hajneshë sylarme
Ti u vodhe zjarrin perëndive, jo Prometeu,
Ç’prej asaj dite, s’ka më gjumë, për zotat as njeriun
Dhe solle lirinë më të kobshme mbi dhe:
Lirinë e zjarrit !
Drurin e bën zog
E gurin lot hëne
E bota e përhënur nuk zë mend:
Mësyn të digjet në ty, hajneshë e gjumit
Ka një liri të keqe që botën shkreton:
Liria e zjarrit
Sa herë u bëra hi
Zjarreve të tua, e botën s’e shpëtova dot !
———-
Tropojë, 14.06.2021
MË GËNJE
Më gënje, më gënje, thoshte ajo
Më thuaj se në borën që bie çdo vit
Janë gjurmët e mia të dikurshme
Që bëhen re, e prapw kthehen në tokë,
Më thuaj se perëndesha e lumturisë ka lindur këtu
E dy detet e tokës sonë i krijove ti
Për t’ua prerë bukurive gjithë rrugët e ikjes,
Më gënje, gënjemë sonte i dashur
Më thuaj se bota u bë e bukur
E sytë shohin pa zili,
Më thuaj se tradhtitë mbaruan
E luftra s’ka më
Më gënje, më gënje i dashur
Të mos vdesim nga ditët ndjellakqija,
Edhe rrena, e bukur qenka
Kur botën ta bën të ndritshme
E të fton ta jetosh
Qoftë edhe një ditë më shumë
Më gënje !…
SYTË E UDHËS
Pemët në oborrin e shtëpive të braktisura
Në shkretnajën e vetmisë, me sy nga udhët që ngjajnë
Me plaka që i ka lënë kujtesa,
Çmezi presin ndonjë udhëtar,
Të lidhura për toke ruajnë shtëpitë që moçmohen
E ora e vdekjes
I gjen në këmbë
Gjithë jetën përjashta,
Gjithë jetën pa fjetur
S’ka lule më të trishta
Se lulet e përvitshme të pemëve
Në oborrin e shtëpive të lëna shkretw.
GRATË E TË PREMTEVE
Te premtet u bënë gra lutjesh,
E djela askund,
E djela që pret të bëhet nuse..
E flutura që qajnë nën za
Digjen rreth qirinjve të dridhshëm
Te dyert e tempujve, në përjetësi
Plaken kuajt ikanakë
Që u hingëllijnë reve dhe zjarreve
Oooo, një ditë të gjitha vajzat do të bëhen e djelë
Përtej vetmive të djemve dhe reve!
HUMBËS
Jam humbësi i madh:
Humb gjëra që s’i kam patur kurrë
Humbës jam:
Humba të dashura që kurrë s’i kam njohur
I humbur jam:
Humba luftëra që s’u bënë asnjëherë
Heronjtë në kryq
Askush s’i merr për darkë
TI NUK I PËRKET ASNJË STINE
Në 12-ën e një nate që përsëritet çdo mot
Dhe ndan dimrin që shkon e pranverën që vjen,
Ti je Ora e paemër
Gjysmaverë e gjysmadimër
Mes verës që plaket në emrin që veç unë e di
E vjeshtës bubulluese
Je ditëvranta e paemër,
Asverë, asvjeshtë
E dënuar të jesh gjithmonë e paemër:
Orë që i ndërron
Të katër stinët brenda meje
Në të gjitha netët
Ora 24 je
Kur një datë vdes për të mos u kthyer kurrë më
E lind një ditë e munguar si ti
Dhe askush nuk e din
Pse të gjitha ditët,
Në mesnatë fillojnë !
SHËNGJERGJ
Sonte do fle në tbanin e prillit,
Në kasollen e fëmijërisë
E tëra prej hëne
Prej hëne, që vajza e pemë
Gjithë natën e lume i dridh e i lulnon
E rreth agut
Zogu i dritës do thyej vezën e kaltër të qiellit,
E nëna ime do çohet para diellit,
Do të marrë njomzat e ahut,
Dushkun e njomë e barin ku fjetën yjet,
Nën krye do m’i vejë pa ma prishur ëndërrën,
Dhe me ujin e ri të kroit që s’fle kurrë,
Do m’i çelë sytë e do më thotë te veshi:
Çohu, merre diellin që po të pret pas kodre,
E të dy së bashku, dritë mbusheni dheun!
E unë nëpër dushqe do gjej mollat e qyqes,
Do ta mund turrecin qysh në vijë të agut,
Pupëzën nëpër lisa që i merret goja,
Lëkurën e gjarpërushes që e la në ferra,
Do ia vesh pranverës mos të marrë mësyshë!
Po gjumi më doli në tbanin e prillit,
Paskam qenë në ëndërr, askush s’ish rreth meje,
Dera ish e hapur e në oborr unë njoha
Gjurmën e nënës, jetëndërruar prej vitesh
Hënë e Shëngjergjit dridhej nëpër gurra
E lule të lulsa lulonin në thana…
ZOTA JETIMË
Fëmijët kujdesen të mos u sëmuren kukullat,
Prindërit kthehen në libër lutjesh të mos u sëmuren fëmijtë,
Qentë qajnë kur u sëmuren të zotët,
Po kush do të kujdeset kur sëmuren zotat ?!
Vetmi zotash jetimë
Të mbetur pa njeriun, në qiell e në dhe,
Për Qiell e për Dhe !
GRUA E PANJOHUR
Atë rrugën e holluar, si krah zogu
Vetmitare, e harruar, plot bar të egër
Tash s’e shkeli më, se tek ti më sjell,
Mijëra sy të bukur me zjarre ujkonjash
Si sytë e tu, më panë plot lutje,
Por fytyrat nuk ishin asnjë si e jotja
E kur fytyrat që m’u dhanë, si e jotja ishin,
Sytë ishin të tjerë, tjetër ishte qeshja,
Kaprolle të hutuara s’kish në ata sy
Veç dete plot varka ikanake,
Detet s’e mësuan kurrë artin e plakjes !
Grua e panjohur, fjalë e pathënë
Nëpër qiejt e Europës që me avionë i brodha
Ajo rrugë e hollë mbuluar me bar të egër
Avionët i huton, radarët i prish
E më ndjek, fërgëlluese nën hënë…
QIELLNISHT
Gratë e të humburve
Pikëllim i botës janë,
Qershi të mbjellura në oborre jetimoresh
Të pikëlluara lulet
Që çelin në tokat e robnueme
Fatkeqët hyjnë në këngë :
Të vdekur
Hypur në kalë të drunjtë
Qiellnisht rrëzohet kujtesa
Mbi gurin që nuk plaket,
E as gjak nuk ka
Nuk është qëndresë,
Burg i dritës është guri
Se botët ndryshojnë
Vetëm kur çmenden kukullat
Kan me u çmendë kukullat një ditë !
FAJE DRUNI
Ai nuk shkoi asnjë ditë në luftë,
Kur ajo mbaroi dhe flitej për të munguarit,
I shpalli tradhtare të gjitha pemët:
Pse ju çelët lule
Edhe në kohë të robërisë ?!
Me sakicë në krah, një nga një i pret,
Me drunin e tyne gdhend
Të dekun prej druni
Që del e i shet
Në emën të historisë…
NESËR…
Ia heq urat lumit dhe i merr me vete si libër
Për të lexuar në to hapat që s’kthehen më,
I vë drynat qiellit dhe zgjidh qenin në muzg,
Në besë ia lë natën ku pipërrin veç qokthi,
E shkon të bëjë gjumin në botët e Ajnshtajnit
Ku nata e atjeshme është sa njëqind të këtushme
I lumi ai, i mjeri
Në çfarë agu do të zgjohet nesër !
BIBLA E DRITËS
Në errësi vërtitej Universi,
Të bëhet njeriu, u tha në ditën e fundit.
Njeriu u bë,
Po prapë ish terr Gjithësia
Pastaj erdhi dashuria
Dhe u bë drita.
KTHIME PA HËNË…
Në katundin ku vdiqën gjithë burrat
Natën nga varrezat dilnin hije të çuditshme,
Shkonin te shtëpitë pa zot
E flinin me vejushat e mbetura shkret
Ishin burrat e tyre të dikurshëm
Vdekur prej pengjesh të mëdha
Pa u mbushur ende viti diellor
Fëmijë të çuditshëm mbushnin
Netët e frikshme të katundit- shtet
Dhe historitë edhe sot fillojnë
Me njerëz të lindur prej fantazmash
QENI I ÇARTUN
Vrite qenin e çartun, Imzot
Se edhe qiellin po e msyn
E ka me na i hanger zotat !
Për qiell e për dhe !
Po s’lë kanuni qenin me e vra,
Shoqata e qenve, nuk lë !
E qeni i çartun msyni udhëtarin e parë,
Udhëtari i parë kafshoi udhëtarin e dytë,
I dyti të tretin, i treti …
Në mbrëmje gjithë katundi u çart e lehte si qen,
I u turr deleve çartani i zi,
E delet e terbuara lehnin si qen,
Lehnin krojet ku pinë ujë të çartunit,
Lehte dhia e Paria, huta e lahuta,
Të nesermen ranë shkabat mbi gjahun e tyre,
Këlyshë të vegjël, lepuj, qingja e gjithçka gjetën
Po krejt ishin të trenta, të çartuna, nis e sos,
Shkonin qiellit me to, e qielli lehte,
Leh qielli, Imzot,
Atë e ditë e sot !
DRURI I NATËS
Në atë dru prej terri janë rrathët e dritës,
Në ata rrathë është një burrë,
Në atë burrë është një grua e bukur,
Në atë grua është udhëkryqi ,
(Gjithë udhëkryqet e botës janë në një grua),
Në atë udhëkryq është druri i natës
Që pret të bëhet violinë,
Në drurin e natës janë hënat dhe zjarret,
Mungon vetëm fjala…
NATA E SHTEGTARËVE
Njeriu i mbetur në moskohë
Duke shkelë hijen e vet shkon pyjeve
Me diej të ftohtë e gjuan vjeshta
Frymë njeriu s’piplon ag e mug
E drurët e natës lëshojnë
Hije nën hanë
Oh ç’tutë e vetmueme
Hijet e hanës !
Është nata e shtegtarëve
Para se me shkue te krojet e vetmive
Me za të naltë i thërrasin vetes
Që të degjojnë të Lumet e natës që hënojnë burimeve
E të mos shkelin në sofrën e tyre që të zanon
Çfarë rrenë e bukur :
Njeriu i thërret vetes, jo për zanat e malit
Po për të mundur frikërat e vetmisë së përjetshme
Që lindin perëndi të vogla
Është nata e shtegtarëve
Që ikin nga dheu im,
Në shpindë mbajnë
Perënditë që vetë i krijuan
PIKLA
Në një pikël uji fle vetëtima,
Qiej që murmurojnë, shirat e vetmive
( Në ujin që pin ti )
Janë retë ,
Dhe anatomia e detit,
Pikëllimet e botës, në një pikël uji,
( Në ujrat ku kqyresh ti )
Ah, uji që ti lan sytë, në çfarë qielli shkon,
Kur bëhet rrufe, mbi ç’botë bubullon?
( Një re e bardhë prej teje del
E qiell më qiell prapa më vjen)
Në një pikël uji, gjithë etjet e botës…
RRETHI 365
Kish ra një bishë e çuditshme
Që faroi gjind e gja të gjallë,
Një imcak u nis malit dhe u trand dheu,
E s’u panë më, bisha as njeriu
Një ulurimë ndihet mot për mot
Thua se bisha ende s’ka dhënë shpirt
Libri i pashkruar flet për një kulshedër
Që i thau gurra e kroje,
Flatra i dolën një djali dhe bubulloi,
Gjak i zi ra qiejsh e u lshuen ujnat
Më nuk u panë, kulshedra as djali me flatra
Një tjetër u rrzue në kersh
Ku lulonte një lule që s’e mbrrini kush
E kurrë s’kish shkelë kambë e të gjallëve,
I rrëzuemi s’u gjet e thanë e hangri lulja
Kur erdhi liria dhe po lypeshin të zhdukurit
Në mal u gjet njeriu që pat vra bishën,
Edhe djali që i dolën flatra e vrau kulshedren,
Edhe i rrzuemi për një lule
Njëri ish bërë vet bishë, zot i grigjave memece,
Tjetri – kulsheder, zot i ujrave të ngujueme,
Ndërsa i treti- lule
Në shkëmbin ku s’ngjitet askush
Metamorfozë e gjëmshme e Lirisë !…
Mbas rrethit 365 të rrotullimit të tokës
Fillon viti i paemër.
PRITJE
Gaztorët e qytetit
Paskan shkuar ta bëjnë zotin të qeshë
Aktori që vdiste çdo natë në skenë
Herë si Romeo, herë si Hamlet,
( O zot, si qanin gratë e qytetit të vogël për të !),
Në mesnatë shfaqet i dehur me konjak Skënderbeu
Në kafènenë “Tri zanat”
Veterani i luftës së fundit
Merr në krah këmbën e tij të drunjtë
Dhe shkon ta shesë në tregun e heronjve
Qyteti nuk fle
Pret në ankth gruan e bukur
Mos çliron bishën që ka brenda saj
Për ta pushtuar tej e tej qytetin
Dhe i luten zotit
T’ua sjellë këtë robëri të bukur
Priftneshat e pafjetuna
S’lejojnë asnjë prishje martese
E vetmja që divorcohet
Është Liria !
HUMBËTIRA
Vjetranët në humbëtirën pa hartë
Bëjnë be se Krishti është prej katundit të tyre
Dhe mësime pleqnare i kanë dhënë djaloshit të ri
Qyshse 33-shi u bë numri fatal i botës
Prapë besojnë se ai shfaqet netëve sa herë hingëllijnë kuajt,
Udhëtar këmbëzbathur i mbetur jashtë në natën e botës,
E këta ia mësojnë udhët për te njeriu,
Rreth mëngjesit ai bëhet re e bardhë
E netëve kujdesen veçanërisht për grazhdin e kalit
Se Krishti nuk lind qyteteve të betonta e dritave
I duhet patjetër një kasolle, një grazhd e një qiri …
Mariet me burra të vdekur prej kohësh
Për çdo vit lindin nga një fëmijë pa baba.
MËNI ZOTASH TË LASHTË
Nëpër dënesje reshë zbresin zotat e lashtë
Si mjegulla vjeshtojnë lugjeve të vetmuara
E bëhen barinj me fyej ndjellazanash
Vetëm e vetëm të takohen me ty,
Në të njëjtën orë, në të njëjtin vend
Ti, zotave u lije takim
Por vije tek unë, rrence zotash !
Atë ditë e sot qiejt e hutuar
Mbetën pa zota, se pas teje u harruan
Bjeshkëve ku vazhdojnë duelet për ty
Bora e qindvjetshëve aty i ka zënë
Në pritje të verës që s’do të vijë më
Qysh atëherë kam ngjallur mëninë e hyjnive
Që nuk m’u nda asnjëherë,
Sa Troja të rrethuara u dogjën në mua !
Avionë plot natë shkojnë e vijnë nën hënë,
Një kalë i bardhë më pret te retë e bardha.
PARA SE TË NISESH…
I mërzitur nga viset e tua,
Para se të nisesh në vende të panjohura,
Merr pak vjeshtë në strajcë për shpendët ikanakë,
Lidhe qenin që brenda teje leh,
Skifterin që del prej teje lere në qiellin e vjetër
Dhe natën, oh, natën e viseve të para,
Merre me vete, mos e harro,
Se asnjë yll nuk ndizet po nuk pati natë !
Të paktën të mos mbetesh i paqiell
Kur vetveten e humbur
netëve ta kërkosh, me fener fëmijërie
Se mbrapa teje mbetet guri
Që pret të bëhet njeri,
Njeri me fytyrën tënde të harruar
Sa herë të kalojë andej një grua…
GJAHTARËT
Në pyllin e mistershëm dolën për gjah
Gjahtarët, pa ikur hënë e mëngjesit
Zunë pritat kahdo ku s’ikën as zogu
Dhe erdhën në prita krejt të egrat e pyllit
Mos ma vrisni atë kaprolle, tha gjahtari i parë,
Në të është shpirti i një vajze që e dashta dikur,
Mos e vrisni atë ujk, tha gjahtari i dytë,
Në të është shpirti i një njeriu që kam njohur
Që u bë ujk e iku nga jeta,
Mos e vrisni këtë dhelpër, tha gjahtari i tretë,
Në të është shpirti i hafijes së katundit
Që vdiq një natë me borë e s’e pamë më,
Mos e vrisni atë lepur, tha gjahtari i katërt,
Ka jetuar në mua e shpirt nga imi ka
Gjahtari i pestë, i gjashtë, i shtatë,
Në gjithë kafshët a zogjtë njohën shpirtrat e dikurshëm,
E shpirtrat nuk vriten, thanë ata
As kur dalin prej njeriut e te egërsirat hyjnë !
Në muzg u kthyen me armë të pashkrehura …
EDHE VDEKJA ËSHTË NËNË
Në këtë jetën e shkurtër
Unë qeshi me vdekjen:
E gënjej, i vë emra si të më teket,
Kurrë nuk këndoj lavde për të
Ajo ka të veten
Kohën e pamatë, unë këtë të matshmen,
Ka kohë të hakmerret për shpërfilljen time
Të paktën me fjalë të hiqem trim
E ta mund tutën, frikërat e mëdha
Me të cilat ajo sundon botën
E të bëjnë të vdesësh përditë përsëgjalli !
Edhe vdekja është nënë :
Nëna e të gjitha frikërave !
ÇARTANI I QYTETIT TË ÇARTUR
Si kalë e shalonte vdekjen e vet,
E lidhte për freri te këmbët e statujave jashtë kafenesë
Atë dhe hijen e tij
Vetë hynte e pinte verë,
Këndonte këngë për femrat e bukura
Dhe ftonte në dyluftime profetët
E lodhur nga mospërfillja e tij
Vdekja e braktisi çartanin e përhënur
Ai dilte mbrëmjeve i dehur dhe e kërkonte ngado:
Kush ma pa të bukurën time ,
Të pabesën që shkon me të tjerë?
I hypte kalit mespërmes qytetit
Dhe u hakërrehej statujave plot morte :
“ Mashtruese të shekujve, ju ma gënjyet atë dhe ma morët,
Dekën time të bukur”!
Po ajo kish punë të tjera derë më derë,
E harroi çartanin e qytetit të çartur
Dhe e dënoi me jetue !
EMRAT E UJIT
Emrat e ujit i ka një grua,
Herë bëhet lum, herë re e bardhë,
Borë që bie mbi gjithësinë
Uji dhe gruaja…
Emrat e ujit i ka një grua,
Syve të saj lexohet
Ndryshimi i motit
Një grua është e tëra prej shpendësh
Gjithë fluturimet janë në të:
Ikje flatruese e kthime qiellore
Skifter i larmë ndjek pëllumbin e egër,
Diku nëpër të
Çirret sorrë e zezë
Gjithë zjarret prej qiellit bien
Krejt vdekjet në qiell shkojnë…
Emrat e ujit i ka një grua.
VJEDHËSIT E VDEKJEVE
Përsëgjalli ia bënë muzeun,
Në muze renditën krejt fotot e tij,
Bustet e tij me mermer të kuqërremtë,
Ku diejt harrojnë të perëndojnë,
Armët e luftës ku nuk shkoi kurrë,
Rrobat e ceremonive dhe dekoratat,
Disqet e rapsodëve që i kënduan këngë,
Librat e bibliotekës që s’i lexoi ndonjëherë ,
Gazetat e zverdhura prej motesh që shkruan për të
Dhe teshat që gjindja i ruajnë për ditën e dekës
I futën në qelqe të ndritshme
E ai
Gjallë se gjallë !
Dëm i madh:
E lanë pa dekën e tij
Vjedhësit e vdekjeve !
DIEJ TË FTOHTË
Gjithçka u bë vjeshtë:
Ikin qiejt në krahë zogjsh verorë,
Kanë ftohtë edhe diejt e ikin s’di se ku,
Ik dhe vetja ime
Nga unë….
Ty po të lë
Me veten time të dikurshme
Në brigjet e vetmive të Veriut…
Diej të ftohtë
Ta paskan prarue fytyrën !
Harruan vajzat mbiemrin e parë,
Unë ,thjesht kam harruar
Emrin e lumenjve.