Gazeta Nacional Albania

HAMIT ALIAJ NË LETËRSINË E SOTME SHQIPE. Studim nga LULZIM LOGU

 

Bota është një fjalë që dhëmb!…

 

 

(ose pse kam zgjedhur poetin Hamit Aliaj dhe kontributin e tij në letërsinë shqipe, për këtë shkrim!).

Argument:

Akoma nuk e kisha zgjedhur titullin e shkrimit, kur një çast pushimi, dikush më afroi për të rilexuar librin poetik: ” E ruaj një fjalë për ty” të poetit tropojan, Hamit Aliaj. Sapo e hapa, diku në poezinë e dytë, hasa në vargun që mënjëherë më goditi çuditshëm: ” Çfarë i ke thënë shekullit tënd poet, që mrrolshëm, po të këqyr?!” Në veten time fjalën poet e ktheva në fjalën njeri dhe ndërtova në çast një motiv në dukje të thjeshtë, por që më pas mu duk një dilemë sa njerëzore, po aq dhe e domosdoshme, jo vetëm në gjykimin e përditshëm, por në tërë veprimtarinë time: Vërtet çfarë i japim sejcili prej nesh shekullit që jetojmë, thënë më saktë çfarë gjurme lëmë në në kohën që jetojmë?! Kisha lexuar librin e parë të poetit, me një titull modest, por mjaft domethënës: “Bjeshkët janë mbiemri im!”Një libër i suksesshëm, që i dha njohje të mënjëhershme, jo vetëm në trevën e tij, por më gjërë. Një poet i formuar, autoritar, me personalitet të spikatur poetik që në fillimet e krijimtarisë së vet, pikërisht nga motivet e tij njerëzore, nga gjetjet e papërsëritshme, nga figurat brilante letrare, nga stili origjinal, nga thellësia e mendimit dhe frymëzimi spontan. E kisha lexuar me një frymë dhe kisha filluar ngadalë të njihesha me poezinë e autorëve të brezit të Alisë, një brez i artë, me përfaqësues të njohur. Në njëfarë mënyre ka qënë poezia e Hamit Alisë që u bë orientuese dhe paraprijëse e hyrjes time në botën e poezisë shqiptare të këtij brezi, që më dha mundësinë të zgjeroj fokusin e leximit dhe njohjes me veprat më të mira letrare të kohës,e cila thënë sinqerisht dhe pa mëdyshje I dallonte poetët e vertetë nga imituesit dhe shkarrashkruesit mediokër. Poezia e Alisë më joshi dhe më drejtoi te poezia e mirë, më tregoi se cila është poezia që ja vlen për tu lexuar dhe përjetuar dhe cila për të mos u mbajtur mend, për shkak të vlerave të zbehta, që nuk mund ti qëndrojnë kohës, sepse nuk sjellin dhe përcjellin mesazh dhe nuk zgjojnë ndjesitë e duhura te lexuesi.Ka dhe nje arsye personale, se përse ndalova te Hamit Alia dhe poezia e tij: Ai ka lindur dhe është rritur në një fshat të Tropojës, fare pranë kufirit me Kosovën, fshati thirret Kasaj dhe bash Hamiti është kurora e lavdisë së bashku me historinë e rrallë të qëndresës ndaj pushtuesve.fundit pushtues tentoi të jetë serb, në 1999, por fshatarë, poetë, ushtarë, bile dhe fëmijë u vunë së bashku në llogore, për të mbrojtur livadhet dhe kodrat e bukura, ku pikërisht gjetën frymëzimin poetet Selim Aliaj, Hamit Aliaj dhe shumë të tjerë, më të rinj.Në këtë fshat, një ballkon i mrekullueshëm malor, gjithkush ka dëshirë të flas për poetët e alpeve dhe të recitoj poezitë e tyre. Duke filluar nga kjo poezi:

Udhët e Atdheut

Mblidhen në shtëpi të tëra

Siç mblidhen penjtë në lëmsha

Dhe sa bukuri në këtë kohë

sa bukuri në këtë shekull

Me udhët e atdheut

Jemi veshur

E zgjodha Hamit Alinë sepse është një poet i cili u përket të dy kohrave dhe asnjëherë nuk ju dha sasisë së rëndomtë, por vetëm cilësisë, frymëzimit dhe shpresës, në vend të fabrikimeve dhe eksperimenteve banale mbi rrugën, fundin apo vdekjen e poezisë të vertetë, jo pak të trumpetuar në Evropën e pasluftës së ftohtë.E zgjodha Hamit Alinë si poet i “fluturimit” në qiejt e traditës dhe kohërave moderne, për të mbetur përherë, njeriu i sinqertë, i angazhuar, që s’di për kompromise të ulëta, përpara lirisë së tij dhe të tjerëve, jo vetëm në poezi.E zgjodha Hamit Alinë si përcjellësin e visareve dhe këngëve tashmë hite të festave dhe memorjes kombëtare që nga Gjergj Elez Alia e deri te Mic Sokoli, të lirikës së rrallë popullore që nga Tanusha e deri te Rushe Rexha, tekste që kanë hyrë me kohë në fondin e artë të kombit.E zgjodha Hamit Alinë sepse mbetet poeti që ju afron lexuesve të vet një gjeografi pjellore të temave, angazhimeve dhe figuracionit poetik, karakteristikë për poetët e mëdhenj që fatin personal e nënshkruajnë gjithmonë të lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e kombit të vet. E zgjodha Hamit Alinë sepse siç ka shkruar Rexhep Qosja:” Hamit Alia është poet që të bën mik të përjetshëm shpirtëror dhe do ta nderonte çdo letërsi evropiane”

Jeta dhe veprat:

” Në qiell nuk vdiset…”

Poeti Hamit Alia ka lindur në Kasaj të Tropojës, më 1.10.1954. Fëmininë e kaloi në vëndlindjen e tij, në një vend ku bashkëjetonin doke dhe zakone të shumëllojta, ku letërsia gojore dhe tregimi I legjendave të moçme akoma ishte riti i mbrëmjeve të gjata.Ditëve ai rriste shtatin në kodrat dhe livadhet e fshatit, trupin e kridhte në liqenet alpine dhe mrekullohej nga tingujt e fyejve te barinjëve që çdo verë ja mësynin bjeshkëve të Shkelzenit, ndërsa tufat e deleve, formonin në imagjinatën e tij poema pafund me vargje të bardha, ku natyra dhe njeriu jetonin duke marrë dhe dhënë, përditë nga njeri tjetri.Ky ishte sfondi, ku poeti së pari nisi të shquhet për fjalët e rralla , por të bukura që shqiptonte ndrojtshëm në odat e burrave, në takimet shkollore dhe më vonë në fletoret e thjeshta, që i fshihte diku nga shikimet e të tjerëve…Nëna e tij do të ishte mbështetësja dhe frymëzuesja më e madhe, një grua e fortë, e cila shpesh dinte të ishte edhe burrë, kur e jipte fjalën dhe i qëndronte asaj deri në fund. Ajo i dha jo vetëm dashuri prej nëne Hamit Alisë, por i mëkoi edhe shpirtin artistik, i hapi horizontin dhe i lejoi hapësirën e duhur shpirtërore të birit. Duke kuptuar se ai nuk ishte krejt i njejtë me fëmijët e tjerë, diçka më e rrallë po piqej në gjoksin e djaloshit të ri, që shpesh shihej i menduar, duke soditur larg yjet dhe hënën alpine, tek perëndonte në majat e Bjeshkëve të Nëmuna. Në sytë e tij të shkruar, vazhdimisht dukej se digjej një zjarr i brëndshëm…Vendosja e fshatit të lindjes përballë Kosovës, e cila ishte disa minuta afër, por mijra vjet larg, kur shikoje gardhin e klonit përshkuar nga korenti vdekjeprurës, për çdonjërin që do të mund të tentonte ta kalonte, ka qënë një dhëmbje e gjatë, një dilemë e madhe, por edhe një burim frymëzimi për shumë poezi të poetit, që natyrisht e vuante si çdo malësor paradoksin historik të ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut:

Ah, grada zero, akull, kallkan

Të vdekurit ngjallen në katundin Ballkan…

Sytë që s’kanë lot

Marrin qiellin e shkojnë përtej drinave

Ku të rrijnë zotat pa qiell?!

Adoloshencën poeti Hamit Alia e ka kaluar në Shkodër, është për tu theksuar ky fakt, një pjesë e mirë e poetëve të përmendur shqiptarë, ndër të cilët, jo pak tropojanë, janë rritur jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht dhe intelektualisht, në kryeqëndrën e Veriut.Në vendin e poetëvë të mëdhenj të Rilindjes, I cili u ka afruar historinë e lavdishme të kulturës së lashtë, të mbijetesës historike, të pejsazhit romantik, por dhe mundësinë e kontakteve me librin e çdo lloji në bibliotekat e famshme, jo vetëm publike.Rininë e kaloi në Tiranë, ku kreu me rezultate të shkëlqyera Universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi shqipe.Hamit Aliaj është një nga nismëtarët për krijimin e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tropojë, në vitin 1974, duke qënë për 10 vjet drejtues I saj dhe njëhkohësisht ndër të parët poetë tropojanë si anëtar I Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.Punoi për disa vite si mësues I gjuhës dhe letërsisë në Shkollën 8-vjeçare të fshatit Buçaj dhe më pas si mësues në të vetmin gjimnaz të Tropojës, në gjimnazin: ” Asim Vokshi”.Më vonë drejtoi shtëpinë e pionierit në qytetin B. Curri, të cilën e shndërroi në një shtëpi të dashur për të gjithë fëmijët e Tropojës, aty organizoheshin festivale të këngës, manifestime poetike, olimpiada të ndryshme etj.Anëtar I Shoqatës së Historianëve të rrethit, ai ishte pjesmarrës aktiv në aksionet për ndriçimin dhe njohjen e momenteve thelbësore historike të rrethit, duke kontribuar me punime të shumta në konferenca me karakter kombëtar dhe lokal dhe sesione të ndryshme shkencore.Që nga viti 1981, duke qënë Kryetar I Komisionit për Gjuhësinë, në Seksionin e Arsimit dhe Kulturës, punoi me vullnet të lartë dhe përkushtim shkencor, në drejtim të mbledhjes dhe përpunimit të njësive frazeologjike, fjalëve të rralla, por edhe në motivimin dhe mbështetjen e talenteve të reja artistke.Deshmoi talent, kulturë, tolerancë dialogu dhe ishte një ndër intelektualët më të kompletuar, duke shërbyer në shumë fusha të kulturës si konsulent I aftë dhe organizator I talentuar.Bie në sy roli I tij I madh në formimin e Pallatit të Kulturës :” Dardania”, në formimin dhe konsolidimin e ansamblit popullor me të njëjtin emër, I cili shkroi histori për tu admiruar në shumë skena të vendit dhe të botës.Padyshim Hamit Alia, me tekstet e këngëve , të shkruara, një pjesë e të cilave tashmë janë hite kombëtare, të skenarëve të shfaqjeve, të libreteve etj, solli një pjesë të çmueshme të krijimtarisë së vet për publikun shqiptar.Mjafton të përmendim këtu, tekstet si : ” Në Dardani bie një tupan”, “Motra e Gjergj Alisë”, ” Çikë e bukur nga Tropoja”, ” Nusja e murosur”, ” Prite Azem Galicën”,” Ani Rushe Rexhja” etj.Vlera të veçanta morën ato në inerpretimin virtuoz të këngëtarëve si Fatime Sokoli, Gëzim Nikaj, Fatmira Breçani etj, duke mbetur si perla në gjerdanin e muzikës dhe krijimtarisë popullore.Puna dhe kontributi I madh e ka bërë Hamit Alinë Qytetar Nderi të Tropojës, krijimtaria e tij cilësore e ka vlerësuar atë me çmime dhe mirënjohje të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.Shtatë çmime të para në konkurse kombëtare, një çmim I dytë, një çmim I tretë si dhe tre medalje, urdhëra dhe tituj, ndër të cilët po japim disa më kryesorët:

Çmim I parë në konkursin e letrarëve të Shkollave të Mesme të Republikës, Tiranë 1973.

Çmim I parë në konkursin e 40 vjetorit të çlirimit, Tiranë 1974.

Çmim I parë për publicistikë, gazeta:” Drita”, 1977.

Çmim I parë për dokumentarin: ” Ylber në Alpe”

Çmim I parë për tekstin :” Ani Rushe Rexha” Gjirokastër, 1999

Çmim I parë krijimtarie, Detroit, SHBA, 2006.

Medalja: ” Naim Frashëri’ nga Kuvendi Popullor, 1983 etj.

Vepra të botuara:

1.Bjeshkët janë mbiemri im- përmbledhje me poezi, Shtëpia Botuese” N. Frashëri” Tiranë, 1974.

2.Epikë ( Bashkëautor)- Prishtinë, 1979.

  1. E ruaj një fjalë për ty – përmbledhje me poezi, Shtëpia Botuese:” N. Frashëri” Tiranë, 1986.
  2. Lotin nuk ta fal – përmbledhje me poezi, Tiranë 1991.
  3. Mungon viti një – përmbledhje me poezi,Shtëpia botuese: ” Albin’ Tiranë, 1997.
  4. Njëqind vjet e martë – përmbledhje me poezi, Shtëpia Botuese :” Kristalina” 2005.

Tekste këngësh: 150.

Dokumentarë televizivë: 10

Aktualisht poeti Hamit Alia jeton në Tiranë, duke u marrë me publicistikë, redakton libra dhe jep opinionet e veta mbi zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore.

Roli dhe veprimtaria e Hamit Alisë në letërsinë shqipe:

” Veç fjala nuk vdiska në këtë jetë!”…Në krye të herës më duhet të pohoj se numri I veprave të botuara të poetit Hamit Alia nuk është aq I madh, sa ç’është vlera e poezisë së krijuar nga ai, kjo padyshim është një e vërtetë e cituar edhe nga kritika letrare, por edhe nga emri që poeti gëzon në mbarë botën shqiptare.Natyrisht se këtu kanë ndikuar edhe momentet historike dhe angazhimi I poetit në çeshtje me rëndësi kombëtare, si fati I Kosovës , liria dhe pavarësia e saj, demokracia si nocion I domosdoshëm I të arthmes së shqiptarëve, lidhur pazgjidhshmërisht me integrimin e tyre të përbashkët evropian.Megjithatë, duke u ndalur te pjesa letrare dhe ndikimi në zhvillimin e letërsisë shqipe të dekadave të fundit( vitet ’60 –’80), por edhe më pas , duhet pohuar pa dilemë, se krahas evolimeve letrare, frymës së re të shkrimit, hapësirave të bollshme të eksperimentimit, ardhjes së grupimeve alternative, prapëseprapë poezia e Alisë është në një hap me kohën dhe s’ndihet aspak e vjetëruar, siç shpesh rreken ta emërtojnë këtë brez, ndonjë nga poetët dhe kritikët e viteve ’90..Më mirë se kushdo e tregoi libri I fundit I tij: ” Njëqind vjet e Martë” I cili u cilësua nga kritika si : ” një manifest I dhëmbjes së fateve njerëzore, një matematikë e pranuar njëzëri për shprehjen e qëndrimit objektiv ndaj kohës së re!”

Duke kërkuar ditën e tetë

Në delir vertitet kjo jetë

Një luftë të re po shpik njerzia

Të çlirohen nga liria…

Një pasuri të madhe idesh, mendimesh, ndjenjash, një pasuri e madhe shpirtërore, poeti ka mendim subtil, figurat origjinale krijojnë gjithmonë pamje krijuese:

Po nëse bota u bë për shtatë ditë

Përtej mallkimit, ne jemi dita e tetë…

Ka kohë që bota nuk po flë

Me një dhimbje pas koke

Ylberore si dhimbja e flijimit

Dhimbje pas së cilës, as vdiset, as shpëtohet

Syri I Shivës pas koke I dhëmb njerëzimit…

Tek libri: ” Lotin nuk ta fal “, kritika vë theksin tek kultura e gjerë e poetit e cila I jep dimension evropian poezisë së tij, ndërkohë që tek libri: ” Mungon viti një” shfaqet pjekuria poetike e cila të dhuron përjetime të nivelit emocional, simbolikë të pashoqe në trajtimin e zhvillimeve aktuale shoqërore, por dhe një delikatesë fëminore dhe nostalgjike në tematikën e dashurisë:

Mermeret dhe ditët rënkojnë dhe plasariten

Prej teje duan frymën, prej teje shpirtin

Unë shkul një brinjë, prej saj të krijoj ty

Në vitin një, në vitin tremijë…

Para shpikjes së alfabeteve

Para lindjes së Romës

Gërmën V të demokracisë

E formuan dy kokat e shqiponjës…

Poezia e viteve ’60 – ’80 e shekullit që shkoi, në rrethanat e reja nuk pati stepje. Mjetet shprehëse të përpunuara në vite, pësuan një tendosje në atakimin me temat e reja dhe ia dolën mbanë.Dhe mjetet shprehëse poetike I përballuan temat e reja, talenti dhe përthyerja nga humanizmi çuan te poezia e situatave dhe mjediseve të ngjeshura me pikëllim, shpresë dhe zhgënjim bashkë, duke sfiduar dorëzimin në anarkinë, dalldinë dhe kaosin e krijuar të botimeve, të vëna nën diktatin e ” parasë” dhe ” kultit” të librit si shprehje e intelektualizmit…Poetët e mëdhenj, shkrimtarët me zë vazhdonte ti krijonte tregu I vlerave, përkundër sulmit të tregut të parasë dhe tregut të politikës, të shkruarit për ata është si një rit I lashtë shënjtërimi, poetët mund të jenë të varfër e të përbuzur, edhe mund të vdesin, por poezia e mirë dhe e vërtetë mbetet.Ka mbetur Migjeni, Camaj, Poradeci, mbeti Agolli, Spahiu, Paplekaj, ka mbetur në këtë rradhë edhe Hamit Aliaj. Aliaj me një frymëzim të qelqtë nën veskun e jashtëm të legjendares folklorike, vjen si engjëll, bashkë me ëngjejt e tjerë të viteve ’60 –’80, në dukje të zbritur nga parajsa, të zhgënjyer nga domosdoshmëritë që I patën përlëvduar, heroi I tyre lirik tashmë është I kundërti, ndonjëherë janë për tu marrë në ndjesë , por prapë poezia e tyre në fund të fundit ka fituar, ka mbijetuar, pikërisht në saj të vlerave universale.

Në poezinë e Aliajt, si në mbarë poezinë e brezave të para ’90, endet hija e kundërvënjes, ne dhe të tjerët, ne dhe ajo jashtë nesh, ne dhe lindja, ne dhe vdekja, ne dhe historia, ne dhe rrethanat…Nëse poezia pranon të qëndrojë në krye të të gjitha risive, siç ka qënë e thënë gjithmonë në këtë truall, ajo edhe kësaj here me ndryshimet në jetën shoqërore të viteve ’90 prodhoi brenda vetes energji dhe forca të reja ndërtuese si nga të ” vjetrit” të mbështetur apo te kundrvënë ndonjëherë nga të ” rinjtë”…

Në këtë qerthull të ndryshimit Hamit Alia ja ka dalë të jetë poeti I merituar I brezit të vet, por edhe poet I rilindur I kohës më të re:

Sa të vjella o zot, sa shumë

Mbi rrugët, artet, njerinë

Vijnë qentë mëpas

I lëpijnë…

Në njëqind copa u thye pasqyra

Fytyra që shihej në të

U bë njëqind fytyra…

Ai vlerësohet mbi të gjitha për erudicionin dhe vënjën në funksion të një poezie simbolike e cila flet shumë përtej leximit të parë, poezi që pohon dhe përplas mesazhe të nivelit të lartë për një lexues të ” kualifikuar” të dashuruar përjetësisht me poezinë:

Krijimi I botës s’ka mbaruar ende

Përderisa bëjmë njerëz prej guri, druri dhe balte…

Poet I figurave të befta që vezullojnë si yje, I vargjeve që rëndojnë nga ndjenja dhe mendimi fin, poet I harbimit dhe trazimit metaforik, I gjuhës së paparë për nga vendosja dhe formimi I fjalëve, si një rrobë e qëndisur nga duar të mrekullueshme femre:

Do të bëjmë dashuri kësaj nate, pa shtroje e mbulojë

Hiqe nga muret hartën e Evropës ta shtroj përfundi

Zhvishu si hëna, krejt të virgjëra mbeten vetëm statujat

Shtrihu mbi hartën e Evropës, si një lekurë ujku

Ta ndjejë ajo të paktën njëherë, peshën e dashurisë time…

Poezi e shkruar nën Majën e Hekurave, aty ku Noeja ose Nuhu e paska lidhur varkën Ditën e Përmbytjes së Madhe , shtyllë e tëra prej një metali të çuditshëm që nuk përkulet dhe as nuk ndryshket kurrë, ku poeti gjen të kaluarën dhe të tashmen si dhe rrënjën e vet, krenarinë e të qënit qytetar nën Çatinë e botës:

Gur, gur, gur

Në një pyetje ngrirë koha

Në një fjalë me tre shkronja

Kur, o gur?!…

Shtatëqind varre të hapura në bjeshkë

E asnjë të vdekur në ta nuk ka

Ku kanë shkuar të vdekurit moj Ajkunë

Që varret të zbrazëta po I ruan?!…

Ky poet ka ndjeshmërinë dhe penelin e piktorit për të hyrë dhe dalë në muzgun e kohës si dhe për të ndriçuar në agun e ditës së re, është lehtësisht I rrokshëm në idetë e veta, mbështetur në dy shtylla thelbësore: Në dashurinë dhe humanizmin:

Më jep pëllëmbën e vogël, pranverë e vonuar

Ta shoh fatin në vijat e duarve

Në këtë hartë klithëse e memece të njeriut…

Në qiell nuk vdiset, atje zotat rrijnë

Harta e dorës më thotë ditë të bukura

Krejt krimbat u bënë flutura…

Detyra e çdo shkrimtari është ta transformojë realitetin në lëndë artistike, ta transformojë të shkuarën në bashkëkohore, bashkëkohoren ta bëjë më të prekshme, më të pranueshme, më të afërt.Në këtë kuptim, Hamit Alia mbetet në misionin e tij I realizuar deri tani, duke qënë edhe poeti I traditës, edhe poeti I sotëm I imazheve të gjera dhe I vargjeve plot tharm e imagjinatë.Duke qëndruar me dinjitet në të dy kohët, duke botuar pasi është maturuar, duke vlerësuar se bën pjesë tek ata që poezia ju buron së brendshmi si nevojë, duke u përpjekur të jetë asgjë më shumë se poet,ka arritur të mbetet ndër të mëdhenjtë e letërsisë shqipe, realist dhe I mirëpranuar nga të gjithë.

Ti je harrimi

Kur të shoh ty harroj të plakem

Gjithë bukurive tjera emrin ua harroj

I thërras me emrin e paemër: Ato…

Në ty e bukura ime

Endrrave ua gjej emrat e humbur…

Poezia si universi I gjithçkaje, përfshin filozofinë tënde, kulturën, mënyrën e të jetuarit dhe qëndrimin e shpallur ndaj realitetit.

Poeti Alia ka qënë gjithmonë I drejtëpërdrejtë, ka rrëfyer dhe ka dëgjuar, ka ndjekur, por dhe është kthyer, është përmalluar, por dhe ka sfiduar, duke ju bindur gjithmonë çastit që ndjen, duke sendërtuar të vërtetën jo vetëm për vehte:

Shumëkush e shpalli veten Krisht

Prej tyre u drodh litari dhe varri…

Po prej kryqit nuk zbritet së gjalli…

E populli s’shfletoi më bibla

Veç pemës së vet gjenetike

Kryqin e pa në sy

Pa drama, pa hije frike…

Ka qënë poet I dhimbjes sipas tabanit të traditës, ka qënë poet I dashurisë sipas riteve, ka kënduar heronjtë e fisit dhe kombit të vet ( S’po më ndahen heronjtë, pohon diku!…)I ka kënduar mrekullisë natyrore të shtatë grykave në alpe, të shtatë qafave, të shtatë lumenjëve, të shtatë majave:

Ditëve të prita shtatë orë diell

Netve të prita tre orë hënë

Asnjë orë e botës s’punonte

Dhe asnjë fjalë se kemi thënë…

Poezia shkruhet në të gjitha mënyrat, inteligjenca në përmbajtjen e tyre dhe frymëzimi I shpirtit janë tharmi që I jep asaj jetëgjatësi, që I hap rrugën për tek lexuesit, jo vetëm në disa sosh, por në shumë mosha.

Hamit Alia është poet I traditës, po aq sa dhe poet I të rinjve, ta ndjesh dhe ta kuptosh atë të duhet të dish të ndjesh, të thuash, të dialogosh dhe ta jetosh me sentiment jetën.Ai I ka dhënë poezisë shqipe pikërisht sentimentin, ngarkesën e kohës në varg, mundësinë e përdorimit të vargut si motivim dhe shtysë emocionale, si rrugë eksplorimi në marëdhëniet njerëzore, si shkas për njohjen e vetvetes dhe të realitetit, si sens historik, në përcaktimin dhe angazhimin kohor të poezisë.Në aspektin e teknikës dhe stilit mbizotëron simbolika e dëndur me terma historikë dhe mitologjikë, metafora tronditëse, vargu I bardhëi imazheve dhe toni I fortë imagjinativ I mesazheve për publikun:

Se kur në rrugë hesht robëria

Liria ngrin nëpër muzeume…

Në krahasim me bashkëkohësit e vet, Alinë e bashkon origjinaliteti, mënjëherë vargun e tij mund ta dallosh dhe emërosh , ritmi dhe realizimi ndonjëherë I rimës I japin një frymëmarrje të çuditshme vargut të cilin vetëm Hamit Alia dhe pak poetë të brezit të tij, mund ta transmetojnë te lexuesit.Në poemën e tij: ” E njeriu nuk vdes” shpalosen më së miri këto tipare, bashkuar në përpjekjen e mundimshme të tij për të rrëfyer së pari vetveten, duke dashur ta fitojë herët, që në fillim të krijimtarisë , zemrën e lexuesit:

Shtëpinë e kam te retë e bardha

E lisi im mbi retë e bardha del…

Zemrën e lexuesit ka kohë që e ka fituar, përmes vargjeve, këngëve dhe skenarëve televizivë të shfaqur kudo ku ka shqiptarë, ndjehet popullor nga interpretimet e krijimtarisë së tij në skenat e botës shqiptare.Shfaqet shpesh në përkrahjen e talenteve të reja, konteston harrimin dhe mungesën e vëmëndjes ndaj figurave mbresëlënëse si Fishta dhe Camaj, mbështet zhvillimet demokratike, duke përfaqësuar poetin e integruar, I cili nuk ka frikë tribunat publike, ku I jipet frymëmarrje përmirësimi demokracisë së brishtë shqiptare.Mendoj se me Ndoc Paplekaj, Skender Buçpapaj, Besnik Mustafaj, e përplot talente të tjera që kurrë nuk I munguan kësaj treve të shquar të poezisë, Tropojës, I dhanë Shqipërisë një Pol Poetik të shndritshëm, që ndriçon natyrshëm në mozaikun shumëngjyrësh të mbarë poezisë shqiptare.Shkrimtarë dhe poetë të shquar e kanë vlerësuar poezinë e Alisë për lirshmërinë e burimit, spontanitetin e krijimit, forcën impozante dhe thellësinë e vargut, për pastërtinë dhe shkëlqimin e gjuhës që ka përdorur.

Në zemrën tënde tani hyj

Si një muze ku gjithçka hesht

Gjithnjë një stinë ka aty

Pak gjysmë dimër, pak gjysmëvjeshtë…

Prarim I lodhur, kohë e shkuar

Mermer I krisur, ditë plot etje

Kështjellë e njohur e rrethuar

Pushtuar nga ëndrra ti mbete!…

Letërsia shqipe tek Hamit Alia ka gjetur një zë të veçantë, I cili këndon një këngë të veçantë, destinuar të jetojë gjatë, sepse e ka burimin e siguruar.Në viset ku ujrat malore thyejnë pritat dhe rrjedhin barit të harlisur, në malet ku ende ruhen legjendat e Ciklit të Kreshnikëve dhe Mrizojnë Zanat, në baladat e gjata të kryengritësve të pandalur, në etjen e pakallur të lirisë, në ëndrrat e pafund të pavarësisë dhe bashkimit, në nina nanat e pambaruara për foshnjat, në rrugët e reja që çojnë vetëm kah Evropa:

Bashkë kemi qënë e ishte viti Një

Çliruem detin e ngujuar në bririn e Dhisë

Shkulëm nga një brinjë tonën

Dhe krijuam dy Eva

Lirinë dhe Paqen…

Mua krejt më ngjan kjo botë

Tre pjesë ujë e një pjesë tokë

Nuk kam tokë as për dy varre

Më varrosni në lot sorkadhje…

Më pak hënë më mbuloni

E pastaj pini, këndoni

Dhe më gjeni një emër të ri

Më duhet të lindem përsëri!…

Vitet po shkojnë, bashkë me shekullin e ri , poeti e ndjen se jeta ka ndërruar, por prapë se prapë beson tek forca e poezisë, tek magjia e saj dhe I mbetet besnik asaj përgjithmonë:

Dhe zbresin vitet e mia kalendareve, tmerr a bukuri

Unë zgjohem me ëndrrën e frikshme

Se mos bëhem fëmijë…

Përfundime të shkurtra:

” Dhëmb vetëm ajo që është jetë!…”

Hamit Alia mbetet kësisoj poeti pa moshë, poeti gjithnjë I freskët që kapërcen kohët ashtu si në ëndërr dikur kapercente shpesh ylberin…Duke që një ngjyrë e bukur e ylberit poetik shqiptar I cili nuk humbet kurrë, pavarësisht tonalitetit të ngjyrave dhe brigjeve ku hapet, për tu ekspozuar përpara adhuruesve pafund të poezisë shqipe.Hamit Alia gjithmonë ka qënë një poet modest dhe I pabujë që ndonjëherë duket se mungon, se ka pushuar së shkruari, se është zemëruar me tekat e kohës moderne, se I ka dhënë fund ” kësaj dhimbjeje të egër” sipas Eliotit, këtij ” dueli të trishtë dhe të përjetshëm” me veten…

E mua harruar më kanë, nën shirat që binin në vite

Harruar më kanë tek gdhëndja statujën e Lopës në Sheshin e Lakut

Thonë se I kanë parë të falen atje

Unë gjë nuk di, ka kohë që mungoj…

Në fakt Hamit Alia nuk ka munguar kurrë ta gdhendë në vargje kohën e vet, të vlerësohet dhe të nderohet në vendin e nderuar të letërsisë shqipe.Por poetët janë prej natyre shpesh të pakënaqur, duke tentuar ta ndjejnë të plotë jetën e ta përsosin papushim atë, ta ndjejnë si dhimbjen e tyre, ta ndreqin vazhdimisht si mjeshtrat e mëdhenj…Unë jam e bindur se ai është një mjeshtër I poezisë shqipe tashmë!

Bibliografia:

Rexhep Qosja: ” Jam vonuar të pasurohem… Intervistë, Prishtinë, 7.12.1992

Selim Matoshi: Libri:” Tropoja, djep kulture” Fq. 250-253, Tiranë 2008

Idriz Logu: Libri në botim:” Kujtime pedagogjike” Fq. 22-25, Tiranë 2011

Sadik Bejko: Studimi:” Sfida e poezisë” Gazeta :” Fjala” 2-3 nëntor 2003, Tiranë

Sulejman Mato: Studimi:” A kemi sot poezi” Gazeta :” Nacional” Fq. 9-11, 24-31 Maj 2009, Tiranë

Mehmet Elezi: Libri:’ Kalendari i Noes” Tiranë 2005

Gjon Neçaj : Studimi :”Bardi i poezise alpine” Tirane 2009,faqe 7-8