Disa mendime dhe këshilla për të ardhmen e shtetit të ri
Sot, është ditë feste për shqiptarët në Kosovë, por është ditë feste edhe për shqiptarët kudo ku jetojnë. Është festë për shqiptarët e Amerikës.
Kjo pavarësi është një fitore e çmuar kombëtare e cila u arrit me shumë punë dhe sakrifica, prandaj duhet ta mbrojmë me gjithshka dhe duhet ta bëjmë sa më të vlefshme.
Pavarësia erdhi me një premtim për një jetë më të mirë, më të begatë e më të sigurtë për popullin e Kosovës. Dhe në këto vite vendi ka bërë përparime të pabesueshme. Por shumë punë mbetet për t’u bërë për një jetë më të mirë dhe për më shumë besim te ardhmja.
Kjo kërkon angazhimin e të gjithëve. Megjithëse nuk është e lehtë, politikanët e vendit, në qeveri apo në opozitë duhet të bashkëpunojnë në ndërtimin e dy strategjive kryesore, për mbrojtjen përballë Serbisë dhe për drejtimet madhore të ekonomisë.
16 vite kanë kaluar dhe Serbia ende nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Përkundrazi, po armatoset e po kërcënon se do të kthehet me ushtri. Nuk duhet të kemi iluzione. Këto armatime të reja nuk i ka blerë vetëm për parada.
Për fat të mirë, Kosova ka mbrojtjen e aleatëve perëndimorë me Shtetet e Bashkuara në krye. Por kjo mbrojtje duhet të shoqërohet me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Populli shqiptar duhet të jetë i përgatitur edhe për skenarin më të keq. Politikanët e të gjitha partive duhet ta kuptojnë se kërcënimi i Serbisë nuk kursen askënd.
Ata duhet të bashkëpunojnë sidomos për hartimin e një strategjie për anëtarësim në NATO. Strategji e cila të vlejë për çdo qeveri për vitet që vijojnë, pavarësisht se kush është në pushtet apo në opozitë.
Në planin ekonomik, duhen kërkuar zgjidhje praktike për të sjellë më shumë investime, për të hapur më shumë vende pune, por duke menduar për ekonominë e shekullit 21, sidomos në teknologji. Shumë të rinj shqiptarë kanë pasur shumë sukses në botën kompjuterike dhe të teknologjisë moderne. Është një potencial i madh me të cilin duhet punuar më shumë.
Kjo ka rëndësi jo vetëm për ekonominë. Sot, inteligjenca artificiale po gjen zbatim në ushtri, në ekonomi, e kudo. Shembulli i Izraelit ka treguar se edhe vendet e vogla kanë mundësi të zhvillojnë sektorin e tyre të teknollogjisë duke konkurruar me vendet e mëdha. Të rinjtë e Kosovës kanë talentin dhe energjinë e nevojshme, prandaj duhet investuar me ta. Pavarësia ka vlerë më të madhe kur rinia e sheh të ardhmen në Kosovë dhe jo në emigracion.
Së fundi, Kosova ka nevojë të gjejë gjuhën e duhur të komunikimit me aleatët tanë. Kosova është vendi më proamerikan dhe properëndimor në Evropë. Nuk ka arsye themelore që të mos merremi vesh sidomos me partnerët tanë amerikanë.
Amerika na ka ndihmuar që Kosova të çlirohet dhe të njihet pavarësia e saj. Ajo mund të na ndihmojë që të bëhemi një shtet më i fortë, me kapacitete të mëdha e me aftësi konkurruese në teknollogji, ekonomi, në mbrojtjen e vendit etj.
Serbia po investon shumë që të krijojë përçarje mes Kosovës dhe aleatëve të saj, në Perëndim. Por ajo nuk mund të ndryshojë themelin e marrëdhënieve tona që bazohet në interesat dhe vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.
Prandaj, koordinimi dhe bashkëpunimi me aleatët ka rëndësi të madhe. Duhet kujdes që të mos ngecim në mosmarrëveshje për konflikte të vogla e kalimtare, apo për probleme që mund të zgjidhen edhe një ditë tjetër. Duhet të jemi vizionarë dhe të mendojmë se si duhet të jetë Kosova pas 15-20 vitesh dhe se si mund të na ndihmojnë Amerika dhe aleatët që të arrijmë këtë vizion.
Në fund, Kosova nuk është e vetmuar në rajon. Shqiptarët janë bërë faktor me rëndësi. Shqipëria është pjesë e NATO-s. Maqedonia Veriore ka momentalisht një kryeministër shqiptar, ashtu si e parti edhe Mali i Zi.
Udhëheqësit shqiptarë në rajon duhet të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar dhe hartuar strategji të përbashkëta që të forcojnë sigurinë dhe paqen, për të kundërpeshuar ambicjet luftënxitëse të Serbisë, si dhe për të tërhequr biznesin e madh në rajon.
Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku jetojnë!
* Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan. Është nderuar me shumë dekorata e mirënjohje në SHBA, në Kosovë dhe në Shqipëri.