Djali i emigrantëve shqiptarë po kandidon në zonën që dikur përfaqësohej nga kongresisti Engel – fitorja e tij do të kishte një vlerë të madhe simbolike
Njoftimi nga Vedat Gashi se po kandidon për Kongresin Amerikan është një lajm i bukur për komunitetin tonë.
Gjithmonë kemi dashur të shohim një brez të ri shqiptaro-amerikanësh që kandidon në politikë dhe përfaqëson zonat ku jeton komuniteti ynë.
Vedati sjell me vete një histori të bukur të djalit të emigrantëve që rritet dhe bëhet një udhëheqës duke realizuar versionin e tij të Ëndrrës Amerikane.
Historia e tij ka rëndësi sidomos për komunitetin tonë. Shumë nga ne mërguam nga trojet shqiptare, të shtyrë nga shtypja dhe vuajtjet. Në këtë vend gjetëm një atdhe të dytë. Gjetëm liri dhe demokraci. Amerika na frymëzoi që të punonim shumë, të bëheshim qytetarë të mirë dhe patriotë. Na frymëzoi që suksesin e arritur ta shfrytëzonim për të ndihmuar atdheun e të parëve. Vedati i ka bërë të gjitha këto. Kur mbaroi studimet, ai u kthye për të ndihmuar Kosovën e pasluftës që të ndërtojë institucionet e demokracisë së re dhe reformën e drejtësisë.
Në SHBA, ai ngriti biznesin e tij ligjor dhe kandidoi dy herë me sukses në politikë. Ka bërë punë shumë të mirë duke u shquar në Bordin e Ligjvënësve të Uestçesterit (Westchester). Ai ka shumë potencial dhe do të bëhet një përfaqësues shumë i mirë në Kongresin Amerikan të distriktin e 16 të sapondryshuar, që tani përfshin edhe qytetin e Vedatit, Jorktaunin (Yorktown).
Kam pasur kënaqësinë ta njoh personalisht Vedatin. E mbaj mend qysh fëmijë dhe e kam parë të rritet e të bëhet një avokat i zoti, veprimtar i komunitetit dhe përfaqësus i zgjedhur. Kam besim se do të na nderojë edhe në Kongresin Amerikan.
Ka vlerë të madhe simbolike, që po kandidon në distriktin që dikur përfaqësohej nga miku im i mirë, Eliot Engel për 32 vjet me radhë.
Engel hyri në histori duke shërbyer si Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Kongresit. Ai themeloi dhe bashkëdrejtoi Kaukusin e Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan. Engel e ka mbështetur me pasion çështjen e Kosovës por ka ndihmuar shqiptarët kudo që jetojnë në luftën e tyre për liri dhe demokraci. Kam punuar me të për më shumë se tre dekada dhe jam krenar për atë bashkëpunim.
Vedat Gashi do të vazhdojë në rrugën e Eliot Engelit me të njëjtën vendosmëri dhe krenari.
Ai është një kandidat shumë i mirë jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë njerëzit e distriktit të tij. Është bir i Jorktaunit dhe Uestçesterit, një njujorkez i vërtet dhe amerikan krenar. Ai është një demokrat që tërheq njerëzit e të gjitha shtresave dhe që do të shërbejë me ndershmëri dhe dinjitet.
I bëj thirrje të gjithëve që t’i japim të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që ka nevojë në këtë betejë historike.
Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.