Site icon Gazeta Nacional Albania

Harry Bajraktari : Takimet me Kryeministrin Albin Kurti me ish-Presidenten Vjosa Osmani, në New York

 

Pata kënaqësinë që së bashku me një grup nga komuniteti Shqiptaro-Amerikan, të takohem me Kryeministrin Albin Kurti dhe delegacionin e Qeverisë së Kosovës që këto ditë po qëndron në New York. Me ne ishin edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Takimi u zhvillua në restorantin e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Bruno Selimaj, të cilin e falënderoj për mikpritjen dhe bujarinë që e tregon përherë.

Së bashku biseduam për situatën në Kosovë, sfidat dhe prioritetet e vendit, nevojën për unitet, institucione funksionale dhe stabile, çështjen e Gjykatës Speciale në Hagë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Me Kryeministrin Kurti u pajtuam se Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në Washington me Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Kongresin Amerikan. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka punuar për dekada për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën dhe trojet shqiptare.

Washingtoni është çelësi për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe garanca e vetme për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës dhe mbarë shqiptarëve në Ballkan.

Zoti e bekoftë popullin amerikan. Zoti e bekoftë popullin shqiptar

: Fotot nga Halil Mula

 

 

SOT PATA KËNAQËSINË TË TAKOHEM NË NEW YORK ME ISH-PRESIDENTEN VJOSA OSMANI

 

Sot pata kënaqësinë të takohem në New York me ish-Presidenten Vjosa Osmani, me të cilën bisedova për situatën në Kosovë dhe të ardhmen e vendit, si dhe e falënderova për punën e saj të palodhur dhe të vazhdueshme për Kosovën.

Me ish-Presidenten Osmani u dakorduam që të vazhdojmë punën e përbashkët drejt avancimit të pozitës së Kosovës në skenën ndërkombëtare, veçanërisht anëtarësimit në NATO

Biseduam edhe mbi domosdoshmërinë që udhëheqësit politikë në Kosovë të arrijnë unitet dhe të punojnë së bashku për ndërtimin e institucioneve funksionale e stabile.

Shtetet e Bashkuara ishin me popullin e Kosovës në rrugëtimin për liri, pavarësi e demokraci. Prandaj, e kemi obligim që të gjithë së bashku të angazhohemi që ta fuqizojmë këtë miqësi të shenjtë për popullin shqiptar Rruga e vetme për Kosovën është koordinimi i vazhdueshëm në Washington me Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Kongresin Amerikan.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar

 

Exit mobile version