Kur më del në ëndërr Taip Madani, nuk mund të mos e ripostoj këtë shkrim që e shkrova sa mora vesh lajmin e ikjes pa kthim të tij dhe ja lexova tek koka në varrim…U prehsh në parajsë Taip Madani! Vallzofsh me retë dhe me yjtë!
Njeriu që fliste me valle.
Çamëria ka patur,ka e do të ketë shumë valltare e valltarë të mirë,të talentaur,disa prej tyre të rrallë,sepse është djep i këngës dhe i valles.
Por, si Taip Madani kanë qënë të rrallë,për të mos thënë se ai ka qënë i pashoq. Pa e tepruar mund të themi se Taipi ishte një Osman Taka i dytë,valltar që historia i nxjerr në skenë njëherë në 200 vjet. Jo më kot shpesh atij i flisnin edhe Taip Taka.
Për Osman Takën,valltar i rrallë i Çamërisë e krejt perandorisë turke të viteve 1820-1880,janë thurrur shumë këngë,janë thënë shumë gojdhëna,janë shkruar shumë vjersha e tregime. Ja dy vargje të një poezie shumë të bukur për komitin e valltarin Osman Taka…
… Djal që për trupin tënd të bukur Flitej kudo në Çamëri …
Këto vargje na evidentojnë faktin ,se vallja çame flet me trup,me lëvizje,me mimikën e fytyrës,me muzikën që e shoqëron, me veshjen,me çdo element e lëvizje të atij që e interpreton atë, flet me bukurinë e atij që e interpreton…
Po Taipit…? Taipit i këndontë dhe i vallzonte trupi,i këndonte dhe i vallzonte fytyra ëngjëllore,i këndonte dhe i vallzonte zemra,i këndonte dhe i vallzonte shpirti,i këndonte dhe i vallzonte rrobja e trupit ,kur ishte dhe nuk ishte në valle.
Ai i gjithi ishte një këngë , një valle e pambarimtë,një krijesë e jashtëzakonshme njerëzore, burrërrore. Vetë vallja e tingujt e muzikës dashuroheshin me të,siç humbiste e dashurohej ai me to.
Me Taipin dashuroheshin e gurët e sokakut ku shkonte e jo më skenat që shkeli e hodhi vallen çame nga vëndlindja e tij, Shalësi, deri në skenhat e Europës, mbasi këmba e tij ishte e lehtë si krah zogu në fluturim,dheu nga prekja e tij çelte luledel, përkëdhelej. Me Taipin dashuroheshin drurët e pemët kur i përkëdhelta para se t’i mbillte aq bukur,para se t’i krasiste mjeshtërisht, si agronom me nam po aq sa edhe valltar.
Po njerzit në salla e sheshe,si bëheshin e si ndjeheshin kur ai dilte në valle?!… Vallzonin nga vendi më të,hovnin me të e me fustanellën çame në qiell e beheshin atje re e bardhë,qanin me të,qeshnin me të,gëzonin me të, lumturoheshin me të,bëheshin hark ylberi e binin në urë me të me kurmin mbështetur fort tek dheu i të parëve,psherëtinin me të kur mbaronte vallja,stepeshin një çast,pastaj shpërthenin në duartrokitje e thirrje, përsëri,përsëri,përsëri… Kështu në Shalës,Konispol,Sarandë,festivalet e Gjirokastrës ku rrëmbeu edhe çmimin laurat i festivalit, në Tiranë, në Greqi,Itali,Turqi…
Me vallet e papara të grupit çam të Konispolit me Taipin në krye e me këngët brilante të grupit çam të Rogozhinës në festivalet kombëtare të viteve shtatëdhjet-tetëdhjet, do të rilindëte dinjiteti ,historia ,tradita e kultura e një krahine të madhe e martire ,e Çamërisë, e cila ishte nëpërkëmbur nga regjimi komunist në vitët gjashtëdhjetë.
Vallja e Taipit dhe kënga e Refatit në ato kohëra e tejkaluan kufirin e të qënurit thjesht folklor, zbavitje,koncert,festival. Ato u bënë histori,traditë,kulturë,u bënë zë i fuqishëm me të çilën foli Çamëria e çamët për padrejtësitë që u ishin bërë, për dënimet e padrejta ,për persekutimin deri në harrim të tyre,u bënë shpresë,jetë,krenari,mobilizim për arritje më të mëdha.Ato u bënë gjithçka e me to nuk u krenuam vetëm ne çamët ,por e gjithë Shqipëria, i gjithë kombi, si perla mbarëkombëtare…
Ndaj edhe për këtë, ato marrin rëndësi e vlerësim të vëçantë. I dinte këto vlera Taipi,ndaj nuk rreshti së punuari për dhjetra vite me djem e vajza çamë nga Shalsi, Konispoli,Saranda,Vlora, në asamblin e këngëve e valleve me të cilin u përfshi shpesh në koncertet e tijë, për tua mësuar e dhënë edhe atyre vallet e pashoqe çame.
Janë të shumta vlerësimet, titujt, dekorimet e marra nga ai ,brënda e jashtë vendit,si një valltar i rrallë i skenës shqiptare e më tej…
Për të gjitha këto e deshëm shumë Taipin tonë, artist,agronom,familjar,mik e shok i rrallë,por… fatëkeqësisht e deshi edhe vdekja mizore dhe e mori para kohe në gjirin e vet, duke na lënë në një dhëmbje të madhe… Që orën e parë të ikjes ,filloi përjetësimi i jetës e veprës së tijë, që nga dita në ditë do vijë duke u shtuar…
Ti ike,
Ne na le pa fjalë në gojë.
Ç’valle vallë le pa kërcyer,
Ç’pemë le pa mbjellë në oborr?…
Mos ndoshta u bëre hark ylberi,
Apo në qiell re e bardhë?
Pse ike o Taip Madani,pse ike,
Mos doje të takoje Osman Taknë?…
Na ike o miku ynë, na ike
Ndaj , sot gjithçka për ty qan…
Me humbjen e Taip Madanit Çamëria humbi një pjesë të shpirtit të saj, atë më të bukurin, që përbën thelbin e egzistençës së saj , vallja. Taip Madani si askush tjetër na bëri ta shihnim dhe ta preknim nga afër shpirtin e Çamërisë, nëpërmjet valles. Humbje e madhe…
Por ne e Çamëria do ta kemi atë përherë në mendjen tonë, në festat tona, në vallet tona, në arritjet tona… Vallzoftë përherë mes nesh shpirti i tij!
Hekuran Halili

