Gazeta Nacional Albania

HUMANISTI SABIT BYTYÇI, NGA SHBA, DËRGON VAJ PËR  RRETH 1 MIJË FAMILJE, NË TROPOJË  

 

Edhe kjo kohë pandemike, e fatkeqësisë natyrore “Covid-19”, i ka dëshmue edhe një herë tjetër atdhetarët e humanistët e vërtetë, si shqiptaro-amerikani i njohur Sabit Bytyçi në Nju Xhersi – kryetari i Këshillit të Federatës PanShqiptare “Vatra” në Amerikë,  donatori i sotëm me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Tropojë, në vendlindjen e tij.

Kjo është e dyta dërgesë humanitare e Shqiptarëve të Amerikës për Tropojën e tyre, pas asaj shembulldhënës të biznesmenit humanist Harry Bajraktari, personalitet i shquar shqiptaro-amerikan (me origjinë të hershme tropojane, nga Geghyseni- “Nderi i Kombit”) me 25 tonë miell për 1 mijë familje.

Këto ndihma ma shumë se vlerën e tyre monetare e gjendjen përkrah në këtë fatkeqësi natyrore globale, sjellin e përcjellin dhe një mesazh të madh që vjen nga Amerika- mike e aleatja ma e madhe e shqiptarëve, që bijtë e saj në brezni genetike e të larguem me dekada e shekuj, në mbi 7 mijë km. largësi tokësore e oqeanike, në kontinent tjetër, mendojnë e ndihmojnë në kohë e raste të ndryshme vendlindjen e tyre e të të parëve të tyre.

 

2.

Shqiptaro-amerikani Sabit Bytyçi (Bitici), donatori i 16 prillit 2020, me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Tropojë, është nga Veliqi i fisit e i krahinës së sojshme të Bytyçit, djali i tretë i një burri të fismë e zemërmadh- i të ndjerit Adullah Avdia, është një nga “Katër Vllaznit Bytyçi” në Amerikë, janë të shquar për atdhetari kombëtare e bujari shqiptare, të mirënjohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, në Rajonin Ballkanik Shqiptar. Dr. Ibrahim Rugova i cilësonte Vllaznit Bytyçi, si “miqtë e mirë të Kosovës” (1991), dr. Sali Berisha si “një krenari shqiptare…”( 2017), Azem Hajdari thoshte shpesh “janë si shqiptarët e mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit”, etj.

Sabit Bytyçi është një shqiptar me tradita e vlera të larta njerëzore, një vatran i kahershëm dhe i gjithkohshëm, që për aktivitetin e kontributet e tij me devotshmëri vatrane e zgjodhen  tani  së vonit në detyrën e lartë të Kryetarit të Këshillit të Federatës PanShqiptare “Vatra”.

Sabit Bytyçi, prej nga dekada ’80-’90 e shek. Kaluar,  njihet  e çmohet si një ndër miqtë e mirë të Presidentëve Shqiptarë dr. Rugova e dr. Berisha dhe i personaliteteve të tjera shqiptare në Amerikë e në Rajonin Ballkanik Shqiptar.

Sabit Bytyçi, ndër vite e dekada, i ka miq të afërt disa senatorë e kongresmenë amerikanë, shumë zyrtarë të lartë të DASH, etj. tek të cilët, sëbashku me miqtë e tij shqiptaro-amerikanë, kanë lobuar mirë e shumë për Kosovën, për Shqipërinë, etj.

Familja e atdhetarit e biznesmenit humanist mbi 70 vjeçar, Sabit Bytyçi në Nju Xhersi të Amerikës, sëbashku me bashkëshorten e tij, Hatixhe Bytyçi, me dy djemtë Ilirin e Mentorin e vajzën Doruntina, kanë dhanë në vazhdimësi dituni, kohë e pasuni të tyne monetare e materiale për kombin shqiptar,  për çështjen kombëtare shqiptare, për kulturën, letërsinë, artin e shtypin shqiptar, etj., shpesh herë dhe për vendlindjen, siç është dhe ky donacioni ma i fundit me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Bashkinë e Tropojës, në këtë fatkeqësi natyrore “Covid-19”.

 

Ramiz LUSHAJ