Festivali Euphonia Musica 2025 | 29 qershor – Apica Village, Mirto Crosia (CS)
«Zgjodhëm këngë që i përkasin kujtesës kolektive italiane, por edhe shpirtit tonë personal.
Çdo notë, çdo fjalë, është një rikthim në shtëpi.»
Sabrina Gasparini
Një mbrëmje ku muzika u shndërrua në emocion në zemër të verës kalabreze, mes frymëmarrjes së ngadaltë të detit dhe përkëdheljes së një perëndimi dielli në shëtitoren bregdetare të Mirto Crosia-s, u zhvillua një nga ngjarjet më emocionuese të Festivalit Euphonia Musica 2025 të promovuara nga Akademia Muzikore Euphonia dhe AMA Calabria, nën drejtimin artistik të Mjeshtrit Salvatore Mazzei: spektakli “I Love Italy”.
Një titull i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, por i mbushur me premtime,dhe të gjitha u mbajtën.
Sabrina Gasparini, e shoqëruar nga Gentjan Llukaci në violinë dhe Alessandro Di Marco në piano, solli një udhëtim muzikor mes kinemasë, këngës autorësh dhe lirizmit popullor, duke i dhuruar publikut një përvojë të thellë dhe ndjesore.
Tre artistë, një shpirt i vetëm
Zëri intensiv dhe teatror i Sabrina Gasparini – i thellë, drithërues, i aftë me nuanca të rralla – e udhëhoqi publikun në një rrugëtim që shkonte përtej një koncerti të zakonshëm. Me forcën e komunikimit që e karakterizon, Sabrina ndërthurte muzikën me rrëfimin, duke e trajtuar çdo këngë me hir dramaciteti dhe ndershmëri emocionale.
Në krah të saj, Llukaci përkëdhelte violinën me saktësi dhe ndjenjë, duke krijuar atmosfera të pezulluara dhe sugjestive, ndërsa Di Marco, me prekje elegante dhe dinamike, alternonte momente lehtësie me thellësi të theksuar.
Një program që është trashëgimi kulturore
Trioja prezantoi një medley të rafinuar dhe mjeshtërisht të ndërtuar, ku kolonat zanore më të dashura të kinemasë italiane u alternuan me klasiket më të njohura të këngës autorësh:
Nino Rota: Amarcord, La strada (Canzone di Gelsomina)
Ennio Morricone: Il buono, il brutto, il cattivo, C’era una volta in America/West, Gabriel’s Oboe
Tema nga Il Padrino, Cinema Paradiso
Kënga italiane: Roma nun fa’ la stupida stasera, ’O Sole Mio, Caruso, Tarantella napoletana
Nicola Piovani: La vita è bella, La leggenda del pianista sull’oceano
Çdo interpretim ishte një homazh ndaj kujtesës italiane, por edhe një rizbulim personal, me anganzhime që nuk e tradhtonin shpirtin origjinal, por e lartësonin me freski dhe respekt.
Një atmosferë magjike
Me rënien e ngadaltë të mbrëmjes, me valët e detit që bëheshin sfond i heshtur, Apica Village u shndërrua në një skenë nën yje. Dritat e ngrohta, fytyrat e publikut të magjepsur, eleganca e përmbajtur e artistëve: gjithçka krijoi një klimë të pezulluar mes ëndrrës dhe realitetit.
Ashtu siç tregojnë edhe fotografitë e ngjarjes – përfshirë një portret të mrekullueshëm të Sabrina Gasparini dhe dy momente pas koncertit – emocionet ishin të prekshme. Sytë e përlotur, duartrokitje të gjata, buzëqeshje të sinqerta. Një publik i përfshirë, mirënjohës, që ndjeu se ishte pjesë e diçkaje më të madhe se një shfaqje muzikore.
Shumë spektatorë iu afruan artistëve në fund të koncertit, duke i falënderuar për zgjuarjen e kujtimeve, emocioneve, copëzave të jetës. Një spektatore tha:
“Qava gjatë Caruso. M’u duk sikur e pashë babain tim, kur e këndonte në shtëpi kur isha fëmijë.”
Ndërsa një turist i ri komentoi:
“Është hera e parë që ndjek një ngjarje të tillë këtu në Kalabri. Nuk është thjesht argëtim – kjo është art i pastër.”
“I Love Italy” nuk ishte vetëm një shfaqje: ishte një manifest dashurie për kulturën italiane, për historinë e saj muzikore, për kinemanë dhe për bukurinë e rrënjëve të saj. Falë punës së AMA Calabria dhe projektit Euphonia Musica Festival, ngjarje të tilla arrijnë të sjellin në territor përvoja kulturore me nivel të lartë, të hapura për të gjithë, përfshirëse dhe me kuptim.
Në një kohë ku shpejtësia dhe zhurma dominojnë skenën kulturore, ngjarje si “I Love Italy” na rikthejnë kohën e ngadaltë të dëgjimit, kujtesës dhe bukurisë. Dhe na kujtojnë se Italia nuk është vetëm një vend – është një simfoni emocionesh që merr jetë sa herë dikush, si Sabrina Gasparini dhe trioja e saj, vendos ta tregojë me zemër dhe talent.
Sabrina Gasparini
Kantautore dhe interpretuese me një zë të thellë dhe një prani skenike karizmatike, Sabrina Gasparini është një nga zërat më të rafinuar në skenën muzikore italiane.
E formuar mes teatrit dhe këngës, ajo ka një aftësi të lindur për të ndërthurur interpretimin, muzikën dhe tregimin, duke krijuar shfaqje me ndikim të thellë emocional.
Kërkimi i saj artistik përqendrohet në këngën autorale italiane, në muzikën popullore dhe në kolonat zanore kinematografike, me një vëmendje të veçantë për promovimin e trashëgimisë kulturore italiane.
Ka bashkëpunuar me artistë ndërkombëtarë dhe ka performuar në festivale, teatro dhe aktivitete kulturore në Itali dhe jashtë saj. Zëri i saj, i ngrohtë dhe teatror, lëviz natyrshëm midis butësisë lirike dhe forcës dramatike.
Gentjan Llukaci – Violine
Violinist me origjinë shqiptare, Gentjan Llukaci është një nga muzikantët më të vlerësuar për ndjeshmërinë, saktësinë dhe elegancën interpretative.
Ka diplomuar me rezultate maksimale në Shqipëri dhe është specializuar më tej në Itali nën drejtimin e mjeshtërve me famë ndërkombëtare.
Ka një karrierë të ndritur si solist dhe muzikant dhome, duke marrë pjesë në festivale të rëndësishme evropiane dhe duke bashkëpunuar me orkestra simfonike dhe ansamble të muzikës së dhomës.
Prej vitesh, përveç karrierës koncertistike, është angazhuar në projekte që bashkojnë muzikën klasike me atë popullore, autorale dhe filmike, duke sjellë violinën në territore të reja shprehëse.
Interpretimi i tij vlerësohet për intensitetin lirik, ekuilibrin dhe aftësinë për të dialoguar me çdo instrument apo zë.
– Alessandro Di Marco Piano
Pianist i gjithanshëm dhe kompozitor, bashkon një formim të fortë akademik me një ndjeshmëri muzikore moderne dhe të shumëanshme.
Ka studiuar piano në Konservator dhe është specializuar në shoqërim dhe improvizim; ka punuar në teatër, televizion dhe në muzikën e dhomës.
Dallohet për elegancën në prekje, përdorimin e pianos si instrument rrëfimi dhe aftësinë për të mbështetur dhe për të nxjerrë në pah zërin dhe instrumentet e tjerë.
Ka bashkëpunuar me artistë të ndryshëm dhe ka marrë pjesë në projekte që përfshijnë xhazin, muzikën autorale, pop-in e rafinuar dhe repertorin kinematografik.
Në triologjinë “I Love Italy” është elementi i ekuilibrit, duke krijuar atmosferë përfytyruese dhe shtresa emocionale që i japin thellësi dhe ngrohtësi çdo pjese muzikore.
Përgatiti dhe shqipëroi: Anila Dahriu

