Gazeta Nacional Albania

ILIAZ BOBAJ, Patra: VITI 2020 DO TË MBAHET MEND SI NJË VIT TEJET I MBRAPSHTË

Viti 2020 do të mbahet mend si një vit tejet i mbrapshtë, si një vit që mori miliona jetë njerëzish, duke e tmerruar botën me gripin Covid-19. E veçanta e këtij gripi, ishte se ai u përgatit nga dora e njeriut.

Ky vit kufizoi lirinë njerëzore, krijoi frikë dhe panik tek njerëzit, varfëroi botën dhe i pakësoi asaj shpresat.Edhe unë bëj pjesë në këtë bashkësi njerëzore dhe afrësisht provova të njëjtat ndjesi si të gjithë njerëzit.

Por ky vit na mësoi se jeta jonë duhet përkujdesur edhe në situata të tilla të vështira dhe se është ajo që vlen më tepër se çdo gjë tjetër në këtë botë.Kjo nga ana njerëzore.

Edhe pse një situatë e tillë nuk është fort e favorshme për krijuesit, pasi ajo krijoi njëfarë paniku dhe stresi të përgjithshëm, duhet thënë se gjatë këtij viti, jo vetëm që nuk e kam ndalur ecurinë time krijuese, por edhe e kam intensifikuar atë. Në të gjitha zhanret letrarë ku unë krijoj: në poezi, në fabula, në tregime satirikë, në letërsi për fëmijë, epigrame, fjalë të urta, përkthime, etj…ku hyn edhe bashkëpunimi me gazetën e mirënjohur Nacional dhe me disa organe të tjera letrare.

Gjatë këtij viti kam përfunduar librin e radhës me poezi, librin me 1500 fjalë të urta, një libër me fabula, një libër për fëmijë, një libër me tregime satirike, kam përfunduar një libër me tregime satirike të Jarosllav Hashek, 100 poezi të Janis Ricos e ndonjë tjetër.

Ndërkohë kam vazhduar edhe me përkthime nga letërsia botërore në gjuhën shqipe dhe nga gjuha shqipe në gjuhë të huaja.

Krijuesi nuk mund të ketë çaste apo kohë pushimi, sepse këto çaste krijojnë njëfarë ‘’ngrirjeje’’ në krijimtarinë e tij. Pushimet për një krijues, janë si pushimet në udhëtimet e gjata në dëborë, ku ndalesa është ftohje dhe, po të vazhdojë gjatë, ajo kthehet në vdekje.

Për vitin që vjen, shpresoj dhe dëshiroj që kjo pandemi të zhduket nga jeta jonë. Ajo nuk zhduket me fjalë.E gjithë bota duhet t’i gjejë asaj terapinë e saj përfundimtare. Njeriu duhet të çlirohet nga kthetrat e saj vdekjeprurëse.

Si krijues, do të vazhdoj pa m’u dridhur syri me krijimtarinë timë, atë që kam në mes dhe atë më të re, që do të sjellë koha.

Kam besim të plotë se do t’ia dal mbanë. Hyj në grupin e njerëzve, që besimi dhe shpresa, nuk i lënë të ndalen asnjë çast në vend. Ky është motivi im i jetës.

Edhe një urim për të gjithë miqtë e mi shkrimtarë, për ju dhe gazetën tonë Nacional dhe për ju, miku im,Muj Buçpapaj: Gëzuar dhe suksese!