Gazeta Nacional Albania

Intervistë e dramaturgut Arben Iliazi, dhënë botuesit Mujë Buçpapaj, për premieren e drames se tij “Osman Taka”

“Osman Taka”, një shfaqje e jashtëzakonshme që vjen në skenë me një frymë të re regjisoriale

Drama “Osman Taka”, shkruar nga Arben Iliazi, me regji të Naun Shundit, së shpejti premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental

Box.
Veprat dhe karriera
I diplomuar për gjuhë – letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 1988, Arben Iliazi do ta niste rrugën e artit si libretist pranë Teatrit Profesionist të Sarandës, ku punoi për tre vite në vendlindjen e tij, duke shkruar skeçe, parodi, komedi me një akt dhe madje edhe komedi me tre akte. Pas vitit 1991 ai iu kushtua gazetarisë, duke punuar si gazetar profesionist në disa të përditshme, dhe kryeredaktor i disa gazetave të kohës. Do kalonin shumë vite dhe vetëm në vitin 2009 Arben Iliazi do t’i rikthehej skenës me komedinë “Burri im ka… zero kilometër”, vënë në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, me regji të Milto Kutalit. Suksesi i kësaj vepre e riktheu atë në gjirin e dramaturgjisë. Shumë shpejt pasuan veprat e tjera: “Trashëgimtari”, “Delirium”, “Tersi i Zululandit”, “Spiritus”, “Dhëndërri nga Europa”, “Farsa e Kurorës”, “Me një këmbë në parajsë”, dhe së fundi “Osman Taka”. Sot në korpusin e veprave të tij dramaturgjike numërohen 11 drama, ku shumica ka parë dritën e skenës dhe të tjerat janë ende në pritje. Shfaqjet e pjesëve të shkruara prej tij janë pritur mirë nga publiku. Madje me dramën “Delirium” në vitin 2012, në edicionin e 10-të të ETC (European Theatre Convertation – Komiteti Europian i Teatrit) në Teatër Bienale në Wizbaten të Gjermanisë, është shpallur si një ndër 100 autorët më të mirë në Europë.

INTERVISTA/

“Osman Taka” është një dramë historike, ku autori është përpjekur të ndërtojë një kontekst të fuqishëm artistik, përmes figurës së njohur të Osman Takës. Në intervistën për “Nacional” dramaturgu Arben Iliazi thotë se në rrethanat tona socio-kulturore, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të merremi me identitetin tonë kulturor e kombëtar dhe me vlerat tona identitare.
Në këtë dramë, që vjen premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental javën e dytë të muajit shkurt, autori ka vënë në pah kotësinë e luftërave dhe urrejtjeve nacionale që shpien në gjakderdhje e kaos, deri në trauma personale e zvetënime morale e shpirtëore, duke krijuar një model frymëzues për forcimin dhe ngritjen e moralit politik dhe kthjellimin e idealit për liri.
Me regji të Naun Shundit, muzikë të Endri Sinës, koreografi të Dion Gjinikës dhe kostumografi & skenografi të Anila Zajmit, vepra e Arben Iliazit “Osman Taka” shënon një moment të ri në krijimtarinë e tij. Lojën aktoreske regjisori ia ka besur emrave të njohur të teatrit: Neritan Liçaj, Ervin Bejleri, Ola Harizaj, Romir Zalla. Producent është Alket Veliu.
Arben, a mund të themi se heshtja juaj shumëvjeçare në letërsi, tashmë duhet konsideruar shpërthim?
-I dashur Mujë, së pari më lejoni t’ju falenderoj për intervistën, pasi kjo është intervista ime e parë si krijues. Kënaqësia është e dyfishtë kur bisedoj me ju, si një nga miqtë dhe shokët e mi më të vyer të fakultetit dhe njëkohësisht poet e krijues i spikatur. Për heshtjen time të gjatë mund t’ju them: Një fjalë e bukur thotë “kur s’ke çfarë të thuash, më mirë hesht”. Heshtja është flori. Gazetaria më ka ndihmuar shumë të arrij në këtë pjekuri letrare dhe këtë stad krijimtarie. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, një përvojë e gjatë jetësore që ta jep vetëm gazetaria. Ju e dini mirë, se keni ushtruar të njëjtin profesion. Të ndihmon të njohësh veten. Pa e njohur veten s’mund ta njohim tjetrin. Dhe nëse ne nuk merremi me njeriun tonë, me dramën tone, si do të mbijetojnë veprat e artit?
Cilat janë temat që ju tërheqin më shumë në krijimtarinë tuaj dhe a mund të risillni në kujtesën e lexuesit tonë disa nga veprat që i kujtoni si eksperiencë e veçantë ?
Zhan-Pol Sartri ka thënë: Jeta fillon në anën tjetër të dëshpërimit. Më tërheq fati i njeriut të “vogël” në shoqëri me botë të madhe shpirtërore. E kundërta ndodh me njeriun fals, me pushtet e para, ku hiçi qëndron si spirale në zemër, si të jetë një krimb. Më inspirojnë të drejtat e njeriut që ne si shqiptarë i kishim dhe i kemi gjithmonë të cenuara, më tërheq pabarazia në shumëkuptimësinë e saj. Më lumturon heroi i traditës, por dhe heroi i panjohur, që ne e ndeshim përditë dhe nuk e vërejmë, më lëndon fati i gjeniut të panjohur që shuhet pa e ditur potencialin e tij, në mungesë të kushteve. Me një fjalë më tërheq fati i njeriut tonë. Njerëzorja. Jeta e njeriut është e mbushur me dramë, përveç atyre thërmijave gazmore që mund t’i ketë. Dramat dallojnë nga rastet individuale dhe vendet. Ne si popull kemi shumë dramë në jetën tonë. Dhe mjafton t’i dramatizojmë saktë përjetimet tona dhe vepra del vetë. Unë e dua dramën si zhanër. Ngaqë emocionet njerëzore i përjeton dhe i përçon veç njeriu. Është gjë e bukur që edhe në një dramë të madhe të ngjallësh shpresë. Secili projekt që kam punuar deri më sot ka specifikat dhe veçoritë e tij, pra ka detajet e tij. Çdo proces pune ka qenë i mirë dhe i vështirë. Është kënaqësi me plot shqetësim e dhembshuri për të shkruar një tekst, për të hedhur themelet e një formati të caktuar teatror. Të veçantë do ta cilësoja shfaqjen e komedisë “Trashëgimtari”, produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental, në vitin 2018, me të cilën kemi udhëtuar edhe jashtë kufijve, pastaj komedia “Farsa e Kurorës” (2019) në Teatrin Andon Zako Çajupi, “Burri im me zero kilometër” (komedi-2009) në Teatrin Aleksandër Moisiu, “Me një këmbë në Parajsë”, monodramë, (2021).
Pse një dramë historike, pas komedive të sukseshme?
Drama historike ka qasje dhe ndikim jashtëzakonisht të madh tek opinioni publik pasi, që nga fillimi i saj, i është përshtatur disponimit të publikut, për shkak të elementeve patriotike që ka brenda vetes . Është një lloj sfide që me fantazinë tënde të bësh atë që s’e kanë bërë historianët. Ta konceptosh dhe trajtosh historinë duke dalluar dhe shprehur artistikisht shkaqet që e shpunë atë në luftëra të pakuptimta dhe përplasje.
Në rrethanat tona socio-kulturore, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të merremi me identitetin tonë kulturor e kombëtar, të merremi me vlerat tona identitare.
Të flasim konkretisht për veprën “Osman Taka”?
Drama “Osman Taka” mbështetet mbi një legjendë të njohur të historisë. Drama është ngritur mbi një sfond të tillë historiko-shoqëror, që krijon mundësinë të shpaloset kompleksiteti dramatik, historia e njerëzve që bartin me vete mallkimin e luftërave.
Në këtë vepër nuk kam ndryshuar thelbin e legjendës, por legjenda është përdorur si lëndë e parë burimore, si një platformë mbi të cilën është ndërtuar konflikti dramatik. Osman Taka ngërthen brenda vetes një realitet historik të ngjeshur, përmes shumë rrethanave dhe situatave historike që jeton ky hero i Rilindjes Kombëtare, të cilin shumica e shqiptarëve e kanë dëgjuar si një valltar të famshëm me vallen e tij pirrike, që kërcehet kudo në trevat shqiptare, madje dhe në Greqi. Përmes këtij heroi jam përpjekur që të analizoj, me një distancë kohe dhe vështrim kritik, zhvillimet dhe ngjarjet e mëdha, në frymën e idealeve kombëtare shqiptare, pikërisht përmes veprimit të ndërgjegjshëm dhe kurajoz të kësaj figure tejet interesante, këtij luftëtari të shquar të Çamërisë.
Mund ta përshkruani me pak fjalë subjektin dhe mesazhin që përcjell vepra?
“Osman Taka” është vepër dinamike, me shumë shtresa poetike, me një kornizë të pakapshme, që lëviz në suazat e fiksionit artistik, me situata të papritura, ku imagjinativja dhe fantastikja na bëhen reale, ndërsa ajo që është reale shndërrohet në të pabesueshme. Protagonisti i njëmendttë i veprës, Osman Taka, është shpirti i gjithë zhvillimit të veprës.
Fatet e personazheve të dramës, problemet dhe dramat e brendshme të tyre, janë sa njerëzore aq edhe tronditëse, deri në tragjizëm, dhe vijnë shumë të besueshme dhe reale në skenë.
Drama u jep mundësi personazheve që të shpjegojnë të vërtetën e tyre, dramën e tyre, historinë e tyre, të vërtetën e tyre, e cila i shqetëson. Madje ata nxitojnë që ta bëjnë sa më parë këtë gjë, me përballje mjaft dramatike.
Drama është një tablo jo vetëm e krenarisë, por edhe e pasionit, me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Subjekti përqëndrohet mbi veprimet e Osmanit dhe Xhemile Hanëmit, bashkëshorte e Valiut të Janinës, grua me shpirt të ndjeshëm dhe me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët dhe e zhgënjyer nga martesa me Valiun.
Osman Taka është dënuar me vdekje nga Porta e Lartë, me një ferman të firmosur nga vetë Sulltani. Sipas rregullave të Portës së Lartë të dënuarve para ekzekutimit u lejohej të shprehnin një dëshirë të fundit. Cila është dëshira e Osmanit? Të kërcejë një valle për herë të fundit në jetë të tij! Dëshira i plotësohet. Osmani kërcen vallen e tij, një valle e shkurtër (që zgjat diku tek tre-katër minuta), me lëvizje aq intensive dhe prekëse, plot melankoli dhe krenari, sa i lë të gjithë pa fjalë.
Dhe arrin t’i shpëtojë varjes në litar në momentin e fundit, falë ndërhyrjes së Xhemile Hanëm, e cila i lutet të shoqit ta falë, pasi mahnitet nga vallja e tij. Notat e butësisë, përunjjes dhe pasionit të saj janë patetike në shkallën më të lartë. Ajo dashurohet me Osmanin pas hekurave të qelisë dhe bën plane për t’u arratisur së bashku me të për një jetë të re, pavarësisht nga refuzimi i butë i Osmanit, i veshur me një tis legjende dhe i mbrujtur me stoicizëm folklorik. Për Osmanin e tmerrshme nuk është të vuash, as të vdesësh, por të vdesësh kot. Ndërkohë Valiu përjeton dramën e tij të dyfishtë, si në planin privat, intim, familjar, ashtu edhe në atë shtetëror, të përgjithshëm, kombëtar. Për shkak të ndjenjës patologjike të urrejtjes që e ka kapluar si me magji, i janë fikur të gjitha ndjenjat për gruan e tij, Xhemile Hanëm, dhe refuzon të flerë me të, pra mbetet pa fëmijë, edhe pse Xhemilja ka sakrifikuar gjithçka për të dhe duket se ka rënë në depresion të thellë.
Luftë emocionesh, gjeneruar nga pasioni, nga stresi dhe konflikti. Por ajo që gërryen shpirtin është ndjenja e armiqësisë dhe e urrejtjes, deri sa hakmarrja e humb betejën, duke i lënë rrugë të lirë triumfit të paqes shpirtërore. Xhemilja arrin në fund të ndryshojë burrin e saj. Në skenën e fundit Valiu heq dorë nga urrejtja pa kuptim dhe e lë të lirë Osmanin.
Osman Taka nuk vdes teatralisht, por lihet i lirë për të vdekur vërtetësisht, në kuptimin e ligjeve të jetës. Mesazhi që sjell vepra është se vorbullat e luftërave dhe urrejtjet pa kuptim mes popujve janë kulmi shkatërrues i vlerave të shoqërive tradicionale. Ato shkatërrojnë gjithçka: traditën, lidhjet, obligimet morale, identitetin. Ato sjellin shkatërrim të pamatur të harmonisë, në çfarëdo lloj kuptimi, një mjerim të thellë shpirtëror dhe degradim apokaliptik të vetë qenies njerëzore.
Ishte e lehtë të shkruaje “Osman Takën”? A paraqet vështirësi për një autor realizimi i një drame me temë historike dhe a i përshtatet ajo disponimit të publikut, duke pasur parasysh se teatri ndodh sot dhe këtu?
Nuk ishte aspak e lehtë, por ka qenë sfidë e fuqishme, për nga tërësia skenike e pamjeve, për ta shndërruar në një vepër të pasur dhe të ngjeshur ideo-artistike. Për mua ky mbetet projekti më i madh teatror, i cili u realizua falë mbështetjes së producentit dhe mikut tim Alket Veliu, drejtor i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsin”.
Regjisori dhe aktori i mirënjohur Naun Shundi ka përgatitur një shfaqje shumë serioze, me një qasje regjisoriale mjaft interesante dhe me një frymë të re, e cila mendoj se do të vlerësohet nga publiku si një shfaqje e denjë.
Lojën aktoreske regjisori ia ka besur emrave të njohur të teatrit: Ervin Bejleri, Ola Harizaj, Romir Zalla, Neritan Liçaj. Për këtë vepër u punua shumë, u punua për çdo detaj dhe për nuancat të cilat unë i çmoj tepër. Përgëzoj me këtë rast gjith stafin realizues, veç regjisorit dhe aktorëve, edhe skenografen dhe kostumografen Anila Zajmi, kompozitorin Endri Sina, koreografin Dion Gjinika dhe as/regjisorin Kristi Serani.
Drama me temë historike është pjesë e evolucionit të dramës në përgjithësi, që synon ndryshimin e tipologjisë së vetëdijes historike, si dhe ndryshimit të marrëdhënies karshi historisë, ndaj padyshim kërkon përvojë krijuese, që të transmetojnë mesazhe të gjithëkohshme si dëshmi e luftës për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar.

Çfarë mendoni se i duhet para së gjithash dramaturgjisë shqiptare sot? Si e vlerësoni frymën teatrore në Shqipëri?

Është fakt që drama shqiptare ka mbijetuar, kjo falë pasonit të dramaturgëve, megjithëse të paktë, dhe të atyre regjisorëve që nuk mund ta konceptojnë teatrin pa vepra shqiptare . Por që të realizohet kjo teatrit, ashtu si dhe filmit apo produksioneve të tjera artistike, i duhen paratë, buxheti, i cili tek ne është i kufizuar në krahasim me botën, është fare minimum. Padyshm që arti duhet të jetë nën kujdesin e shtetit në kuptimin që ta zhvillojë atë, ta inkurajojë. Veçanërisht teatrin, i cili kërkon për shumë arsye ndihmë nga shteti në kuptimin administrativ dhe atë financiar. Teatri jep vlera estetike, artistike, jo financiare. Shteti duhet ta mbajë kryesisht atë. Aktorëve u duhet që të kërkojnë projekte, të presin projekte dhe oferta nga regjisorët, të cilët gjithashtu duhet të gjejnë një buxhet konkret për të realizuar shfaqjet që mendojnë.
Dramaturgjia kombëtare është sfidë jetike për këdo që e kultivon këtë format artistik. Duhet të besojmë në dramën shqipe për ta sjellë në skena, sepse ajo ka brumë. Sa i përket frymës tetarore mund të them se kam parë realizime bashkëkohore mjaft cilësore nga disa regjisorë, pa i kategorizuar në të vjetër apo të rinj. Por në përgjithësi më vjen keq për frymën teatrore që kemi, krahasuar me teatrot më të mirë qoftë të Evropës, por edhe të teatrove fantastikë të Ballkanit. Vështirësitë janë të natyrës faktike. Teknikisht tek ne është gati e pamundur që të sendërtohet një teatër me kulturë dhe nivel evropian.
I keni botuar dramat tuaja?
Drama që nuk botohet rrezikon të vdesë. Kam botuar disa prej tyre në përmbledhjen “5 vepra dramatike” në vitin 2013. Kam botuar më pas dhe dy vepra të tjera: “Trashëgimtari” dhe “Spiritus”.

Cilat janë projektet e së ardhmes për ju?

Për të qenë i sinqertë nuk kam angazhime artistike të përcaktuara. I besoj spontanitetit dhe rastësisë.Teatrin e kam pasionin kryesor dhe padyshim është në fokusin tim. Kam disa materiale artistike për të vënë në skenë, por gjithashtu nuk jam shkëputur nga gazetaria.