Site icon Gazeta Nacional Albania

Intervistë e poeteshës shqiptare Mirela Leka-Xhava, dhënë botueses franceze Chris TALAZAC

Kur keni filluar të shkruani?

Kam filluar të shkruaj që e vogël, rreth moshës 11 vjeç, kur fillova të mësoj letërsinë, lëndë me të cilën u ndjeva menjëherë mirë dhe kuptova se ishte pasioni im. Nuk e mbaj mend poezinë e parë, por kisha një bllok të vogël ku shkruaja vazhdimisht, derisa një ditë u prezantova në një rreth letrar për nxënës. Prindërit e mi më përgëzonin, më inkurajonin dhe ua lexonin poezitë e mia të afërmve tanë. Në një konkurs shkollash, poezia ime fitoi vendin e parë dhe u recitua nga një shoqe e imja.

Çfarë ju dha dëshirë për të shkruar?

Poezitë e mia të para ishin me rimë. Më vonë, megjithëse ka pasur herë pas here periudha pushimi, erdhën poezitë e rinisë, më intime dhe të mbushura me emocione.

Ku shkruani ju dhe në cilin moment të ditës? Sa kohë i kushtoni shkrimit?

Shkruaj kur gjendja ime shpirtërore është pothuajse e mirë. Ndonjëherë koha nuk ka shumë rëndësi kur frymëzimi vjen papritur, por poezitë më të bukura lindin natën, kur ka qetësi, kur mediton dhe kur mund ta ndjekësh me nge fillin e mendimit.

Keni ndonjë ritual për të shkruar?

Jo. Nuk kam ritual tjetër përveç qetësisë totale dhe dëgjimit të vetes.

Preferoni ordinatorin apo letrën?

Kam blloqet e mia, por preferoj të shkruaj në ordinator, sepse më lehtë i sistemoj tekstet në dosje Word dhe përgatis librin e radhës. Megjithatë, i rikthehem shpesh petit carnet-it për nostalgji dhe për të hedhur ndonjë ide të çastit.

Si ju lind frymëzimi?

Do të përmend këtu thënien e Milan Kundera-s: « Duket se në tru ekziston një zonë specifike që mund të quhet memoria poetike, e cila regjistron gjithçka që na ka prekur, emocionuar dhe i ka dhënë bukuri jetës sonë. »

Frymëzimi lind nga poezia e bukur që sapo ke lexuar, veçanërisht nga poetët klasikë francezë si Baudelaire, Hugo, Prévert, por edhe nga leximet filozofike mbi ekzistencializmin dhe nga realiteti i turbullt i botës së sotme. Megjithatë, jeta dhe natyra mbeten si burim më i madh frymëzimi.

Çfarë doze personaliteti vini në shkrimet tuaja?

Çdo poezi mban identitetin tim. Ajo është shkruar në vetën e parë dhe jam vetë unë deri në qelizë.

Çfarë dëshironi të transmetoni përmes shkrimeve tuaja?

Poezitë e mia transmetojnë dashurinë për familjen, pasionin për gjërat e bukura, përjetimet në kohë dhe hapësirë, kontrastet dhe kujtesën e së kaluarës, nga periudha e kampit të Lindjes deri në rënien e tij në vitin 1990. Dhe mbi të gjitha, paqen.

A e njihni numrin e teksteve që keni shkruar?

Pas botimit të  librit tim të parë në vitin 1999, pati një periudhë shkëputjeje relative, për arsyet e emigrimit. Pesë vitet e fundit kam botuar katër libra me poezi me vargje të lira dhe aktualisht po përgatis vëllime të reja me poezi, prozë poetike dhe tregime.

Keni shkruar edhe zhanre të tjera përveç poezisë?

Kam tentuar prozën e shkurtër, tregimin, poezinë për fëmijë, disa intervista dhe përkthime, por dashuria ime e parë mbetet poezia.

Çfarë lexoni në përgjithësi? Autorët tuaj të preferuar?

Në rininë time kam lexuar shumë romane, biografi sidomos të autorëve të mëdhenj, dhe poezi : Victor Hugo, Albert Camus, Dumas, Flaubert, Stendhal. Më vonë, këtu në Francë, u njoha me Baudelaire, Rimbaud etj., por edhe nga bota dhe sigurisht shkrimtarin tonë të madh I.Kadare, i cili botohej në Francë. Idhulli im ishte Balzac.

Tani në bibliotekën time  janë shtuar edhe librat e miqve të mi poetë si ; Kalorësi i Letërsisë Stephen Blanchard, poetja dhe filozofja Catherine Andrieu, Ju, dhe autorë të tjerë nga revistat e Société des Poètes Français, Florilège etj.

A keni pasione të tjera përveç poezisë?

Piktura, lulet, udhëtimet dhe muzika klasike, si dhe mitologjia dhe historia, megjithëse jo të kultivuara në mënyrë profesionale.

A keni këshilla për autorët e rinj?

Në këtë periudhë po rilexoj Rilke-n, « Letra një poeti të ri. » A do të këshilloja unë më mirë ?!

Por do të thoja se leximi duhet të ecë paralelisht me shkrimin dhe mbi të gjitha duhet të jesh vetvetja.

Çfarë duhet ndryshuar ose përmirësuar në fushën e botimeve?

Mendoj se nuk duhet të ketë autoedicion apo botim në llogari të autorit. Duhet të rikthehen normat letrare për botimin e më të mirëve.

Çfarë roli luajnë rrjetet sociale për ju si autore?

Ato shërbejnë si mjet promovimi, por për mua janë kryesisht një mënyrë për të falënderuar botuesit e mi; përndryshe do t’i kisha mbyllur prej kohësh.

Çfarë përfaqëson poezia për ju?

Poezia është ekzistencializëm, terapi, ndjenjë, ëndërr, magji dhe, pa frikë, një frymë hyjnore.

Si do ta përshkruanit personalitetin tuaj me tre fjalë?

E pasionuar, këmbëngulëse, empatike.

Zemërimi juaj i fundit?

Në përgjithësi jam e qetë dhe preferoj vetminë, por në çaste padrejtësie ka edhe shpërthime.

Preferenca juaj e fundit?

Pamja e një zogu mbi një trung të prerë, mbi liqenin e parkut. Ishte ftohtë. Një zog tjetër iu afrua dhe ai i lëshoi vendin. Çfarë tolerance…

Ëndrra juaj më e çmendur?

Që shpirti i fëmijës të më ndjekë deri në fund të rrugëtimit tim tokësor.

 

Bordeaux

27 janar 2026

 

 

AUTORJA MIRELA LEKA XHAVA

 

Lindi në qytetin e Elbasanit, Shqipëri. Ishte e pasionuar pas letërsisë që nga fëmijëria, duke u botuar herë pas here në revista dhe gazeta të ndryshme të kohës. Ajo u diplomua në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “Aleksander Xhuvani” të Elbasanit. Deri në vitin 2002, përpara se të emigronte në Francë, punoi si bibliotekare në Bibliotekën Universitare të qytetit, ku ishte edhe anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Elbasanit. Kohët e fundit poezitë e saj janë botuar në revista dhe gazeta prestigjioze në Francë, Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi, Angli, Kanada, SHBA, Belgjikë, Indi, Tunizi, Rumani, Bullgari, Holandë, etj. Ajo është aktive në  panaire letrare në Francë, si dhe në letërsi bashkëkohore, ku fitoi “Diplôme d’Honneur në Printemps des Poètes të 24-të -Sartrouville Francë”.

Është botuar periodikisht në revistën letrare Poètes Sans Frontières “Florilège” – Dijon, në Antologjinë Kanadeze të Poezisë Letrare në mbrojtje të fëmijëve “Etika dhe Edukimi Global”, Antologjinë Ndërkombëtare të Poetëve për Paqen – Tunizi, në Antologjinë “Dritarja e Parisit” vëllimi 2-3 Poezi, në Antologjinë “Rrëfime” Indi, në Antologjinë e Poezisë Atunis Galaxy – Belgjikë etj.

Ishte finaliste e Festivalit të Poezisë Mesdhetare – Romë 2022,

Në gjysmëfinalen e konkursit Mili-Dueli Bosnia-Herzégovine,

Fituese e Çmimit VerbumlandiArtsAps Foreigner – Milano 2024 etj.

Fituese e Çmimit të Madh të Jurisë në Konkursin e 8-të Ndërkombëtar Letrar Amilcare Solferini 2025 Torino, Itali.

Është anëtare e Shoqatës së Poetëve Francezë që nga viti 2024.

Veprat letrare:

« S’e dua dimrin në  sy , Poezi (shqip) – Botime Egnatia Tiranë 1999

« Les fleurs de la rue Montesquieu » (Lulet e rrugës Montesquieu), Poezi (shqip-frëngjisht) – Botimet ADA Tiranë 2022

« Udhëtar me Erën e Jugut »  Poezi (shqip) – Lulu 2024

« Voyageur des vents du sud» ( Udhëtar I Erërave të Jugut), Poezi (frëngjisht)- Lulu 2024

« Au-delà de soi» (Përtej vetes), Poezi (frëngjisht) – Editions Maïa Paris, 2025

Për këtë vit ka në përfundim për botim dhe  dy libra të tjerë në poezi dhe prozë.

Aktualisht jeton me familjen e saj në Bordeaux, Francë.

 

Exit mobile version