Gazeta Nacional Albania

Intervistë me Doktorin e Shkencave Psikologjike, Skënder Demaliaj për Gazetën Naciona

 

NDIHEM I SIGURT DHE I LUMTUR SEPSE I KAM REALIZUAR SYNIMET E MIA 

 

Aktualisht jeni përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Sa e ka dëmtuar mësimdhënien pandemia dhe sa produktive janë leksionet online?

Situata e re e krijuar nga koronavirusi solli ndryshime në veprimtarinë e shkollës, në planin e brendshëm të saj, në rregulloret e shkollës, në kurrikulat e shkollës, në këshillimin psikologjik, në infrastrukturën e shkollës, në planin vjetor të punës së shkollës, në kualifikimin e mësuesve, në vlerësimet e nxënësve dhe studentëve, në marrëdhëniet dhe komunikimet shkollë – familje, në bashkëpunimin e stafit të shkollës me agjensitë komunitare. Post koronavirusi do të sjellë ndryshime dhe këndvështrime të reja në teoritë dhe mendimin pedagogjik, veçanërisht në psikologjinë pedagogjike dhe në didaktikë.

Në vitin akademik 2019-2020 u zhvilluan Konferencat me temë “Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor” dhe “Kriza e Koronovirusit: Sfidat dhe efektet ekonomiko-sociale të saj në (nivel global) dhe në Shqipëri. Çfarë do të ndodhë?” Tre ditë pas kësaj Konference mes 1600 konkurentëve, Universiteti Mesdhetar u vlerësuat me Çmimin Ndërkombëtar  për Humanizëm nga Organizata Ndërkombëtare me qendër në Angli, “World Humanitarian Drive” për Ekselencë në Edukim dhe Kërkim Shkencor.  Çmimi Ndërkombëtar për Humanizëm, u dha gjatë ceremonisë së zhvilluar nga organizata, e cila ka vleresuar ndër vite politikëbërës, lider të ndryshëm botërorë, personalitete të artit, shkencës, kulturës dhe institucione të njohura nga e gjithë bota.

Keni një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e pedagogjisë, duke filluar si mësues letërsie në Pac të Tropojës prej vitit 1978 e më vonë edhe drejtor shkolle. Si e kujtoni këtë periudhë të jetës tuaj?

 

Pikërisht në këtë kohë ju vazhduat studimet pasuniversitare për psikologji dhe pedagogji. Si ndikoi kjo në punën tuaj shkencore?

Studimet pasuniversitare më hapën rrugën për të vazhduar doktoraturën, çka do të ndikonte fuqishëm në punën time kërkimore shkencore në të ardhmen. Aty kishte pedagogë të shkëlqyer si: Bedri Dedja, Hamit Beqja, Pëllumb Gaçe, Aleko Qëndro, Bekim Çomo etj. Me profesor Bedriun dhe Hamitin pata një marrëdhënie të veçantë, tepër miqësore. Ata mbetën mentorët e mi në fushën e studimeve psikologjike dhe pedagogjike. Në vitin 1985 u riktheva në shkollën e mesme në Pac, më i aftë profesionalisht, me njohuri të thelluara në fushën e psikologjisë, të didaktikës, por edhe me një njohje më të mirë të realitetit shqiptar. Studimet në Tiranë më krijuan mundësinë të njihem e të komunikoj me shumë personalitete të shquara të arsimit, të kulturës shqiptare ,me intelektualë të njohur jokonformistë. Në këto vite unë drejtova kualifikimin e mësuesve në shkallë rrethi në fushën e psikologjisë e të pedagogjisë. Ishim një ekip shumë i përgatitur, ku bëja pjesë unë, drejtori i Kabinetit Pedagogjik (drejtori im i gjimnazit), një nga zërat më të fuqishëm të arsimit në Tropojë, Mal Buçpapa, Hasan Hyka.

Në vitet 1988-1992 kam qenë drejtor i gjimnazit në Pac. Në vitin 1990 jam dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Tretë. Mësuesit e kësaj shkolle: Sadri Oruçi, Riza Aliaj, Shpresa Oruçi, Drita Demaliaj, Xhafer Hoxha, Besim Memia, Abedin Katana, Hamdi Jahelezi ishin nga më të mirët në rreth, të përkushtuar e të përgjegjshëm për misionin e tyre. Shkolla jonë u bë një nga shkollat më të dalluara të rrethit. Kishte rreth 500 nxënës, me godinë të re, me laboratore të reja. Mësonim nxënësit, por edhe ndihmonim në punët e ditës së kooperativës. Kishte javë të tëra që nuk bënim asnjë ditë pushim, punonim edhe të dielave. Organizonim ekskursione në Majë të Fushave, në Dobrej, në Berishë, në Kam, Krumë etj. Organizonim spartakiada midis shkollave, mbrëmje argëtimi. Ishin ditë të mbushura me veprimtari kalitëse, çlodhëse dhe argëtuese. Me fondet e shkollës që siguronim nga puna, nxënësit tanë shkonin të organizuar në Kukës, Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

 

Familja Demaliaj është e njohur në Tropojë për kontributin e saj në shumë zhvillime kombëtare. Si i kujtoni gjyshërit, prindërit tuaj dhe njerëzit tuaj që kanë ndikuar më shumë tek ti qysh nga fëmijëria?

 

Studimet në shkollën tetëvjeçare dhe të mesme i mbarove me rezultate të larta. Si e kujtoni këtë periudhë, bashkënxënësit tuaj dhe sidomos mësuesit? Çfarë ndikimi patën ata në formimin tuaj dhe stimulimin e prirjes drejt letërsisë dhe shkencave shoqërore?

Kur unë shkova në gjimnaz në Bajram Curr programin e letërsisë pothuajse e kisha të ditur nga leximet në shkollën tetëvjeçare. Në provimet që u zhvilluan për njohuritë nga tetëvjeçarja në lëndët matematikë dhe fizikë unë u vlerësova me notën 10. Krijova opinion të mirë. Që në klasë të nëntë u zgjodha sekretar i rinisë për gjimnazin, këtë detyrë do ta kryeja edhe dy vjet të tjera. Kishim një drejtor të aftë, organizator dhe drejtues i talentuar, Idriz Logun, me të cilin pata marrëdhënie të shkëlqyera. Mësues të tjerë që ndikuan pozitivisht në formimin tim shkencor mund të përmend: Fahri Doçin (me kiminë e Glinës) përgatiteshim për orët e mësimit, Ndoc Paplekën (në orën e tij të letërsisë nuk pipëtinte asgjë, nuk e kuptonim kur fillonte dhe kur mbaronte ora e mësimit), Mehmet Hykën, mësuesin e matematikës, me të cilin patëm komunikim dhe marrëdhënie të shkëlqyera si brenda dhe jashtë shkollës, mësuesit e fiskulturës Dan Doçi e Ibrahim Shabani.

Atë vit që unë shkova në gjimnazin e Bajram Currit u zgjodhën nxënësit më të mirë të shkollave tetëvjeçare, gjithsej 35 nxënës. Nga këta 30 mbaruan studimet në universitet. Ishim të gjithanshëm: mësonim, punonim, organizonim veprimtari sportive, kulturore dhe artistike. Në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Elbasan-Librazhd  klasa jonë u dekorua me Urdhërin e Punës. Ishim brigada e parë në realizimin e normës ( 200% realizimi mujor), dhamë shfaqen e parë teatrale si klasë në qytet, e cila u mirëprit nga autoritetet e larta vendase dhe qytetarët. Një pjesë e madhe e nxënësve të klasës sonë ishin me ekipet e futbollit, basketbollit, atletikës të Valbonës që përfaqësonte rrethin. Ishim një familje e madhe, ku mbizotëronte harmonia, mirëpuptimi dhe bashkëpunimi.

 

Studimet e larta i keni kryer në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në vitet 1974-1978 në degën e gjuhës dhe të letërsisë. Si e kujtoni këtë periudhë, bashkëstudentët dhe pedagogët? Sa ndikoi Shkodra në formimin tuaj kulturor?

 

Shkodra kishte një bibliotekë të pasur, po kështu edhe Univesriteti. Unë i shfrytëzova me efikasitet, çdo ditë lexoja, ndërtova marrëdhënie me disa librari në qytet që m’i ruanin botimet e reja. Unë dalngadalë po e pasuroja bibliotekën personale. Këtë traditë e vazhdova edhe kur dola në punë. Në Kam, shitësja Nurije Zeka m’i ruante librat e rinj, pastaj u hap libraria në Pac.Vazhdimisht e kam rritur nga viti në vit numrin e librave dhe të koleksionit të revistave dhe të gazetave. Aktualisht kam një bibliotekë me mbi 4 mijë libra. Marrëdhënie të veçantë pata me pedagogun Hasan Leka. Ai kishte një bibliotekë të madhe nga më të mëdhatë në Shkodër dhe kishte lexuar shumë. Unë shkova disa herë në shtëpinë e tij, më ftonte vetë. Aty u njoha me veprat e Gjergj Fishtës, të Ernest Koliqit, të Kafkës, Kamy-së, të cilat m’i dha dhe fshehurazi i lexova. Kur po punoja për temën e diplomës më dha disa libra me studime nga Rexhep Qosja, poezi nga Ali Podrimja etj. Në shkollën tetëvjeçare nuk kisha bërë rusisht. Në shkollën e mesme nuk e studiova shumë. Notat në rusisht i merrja të mira për inerci të lëndëve të tjera. Sapo fillova mësimin në rusisht në Universitet e pashë se kisha dobësi. Punova shumë me metodat e rusishtes dhe për një vit e përvetësova shumë mirë. Nga gjithë studentët e vitit të tretë, me katër grupe vetëm unë u vlerësova me notën dhjetë në provimin e lëndës së vështirë, Gramatika historike.  Gjatë  kohës së studimeve në Shkodër u zgjodha kryetar i rrethit të folkloristëve të Universitetit, botova disa shkrime në gazetën e Shkodrës, drejtova veprimtari shkencore të studentëve, konkurse (si anëtar jurie) në shkollat e mesme të qytetit.

Me kthimin tuaj në Tropojë, tashmë i diplomuar patët mundësinë të luanit rolin tuaj si një intelektual i ri. Si ishte Tropoja e atyre viteve me një numër shkrimtarësh, poetësh dhe piktorësh të rinj që po imponoheshin në nivel kombëtar?

  1. Pas vitit 1992 ju shohim në Tiranë të jepni mësim në shkollat e mesme dhe disa universitete, ku një nga arritjet tuaja më të mëdha është mbrojtja e Doktoraturës. Si ka qenë për ty kjo periudhë?

Keni botuar disa libra publicistikë me tematikë Kosovën. Pse ju ka tërhequr kjo temë?

Keni marrë pjesë dhe kumtuar në disa  Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare të karkaterit akademik. Çfarë është për ju kjo eksperiencë?

Për interesin e lexuesve tanë a mund te na flisni rreth familjes tuaj dhe sa ju ka ndihmuar dhe mështetur ajo në karrieren tuaj  shkencore?

Çfarë punësh të reja, studimore kërkimore,  do të presim nga ju, çfarë jeni duke shkruar për momentin?

“Figura dhe ngjarje historike”, 2001.

“Poem kosovar në pendën e Mitrush Kutelit”, 2002.

“164 pyetje për dashurinë”, 2002.

“Dashuria pret…”, 2003.

“Njerëz të mëdhenj: anekdota , fjalë të mençura, kuriozitete”, 2003.

“Poezi për gjuhën shqipe”, 2005.

“Mësimdhënia e të menduarit në letërsi”, 2010.

“Kthimi i shpejtë i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëvjeçare në Verën e vitit 1999”, monografi, 2020.

Punë të reja, studime të reja, botime të reja më presin… Kam në dorë një monografi për adoleshentët në tre pjesë. Pjesën e parë e kam bërë gati për botim, një libër me studime për Kosovën, për Murat Pacin si folklorist i parë i Malësisë së Gjakovës, një libër Kanuni i Bjeshkës së Sylbicës, kam mbaruar librin për xhaxhain, Shaban Haxhinë dhe librin me kujtime të babait. Në planet e mia në të ardhmen është monografia për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare në vitet 1939-1944 në Malësinë e Gjakovës, në disa vëllime dhe Historia e Shqipërisë në këndvështrimin e psikoanalizës. Po kështu po punoj për tekstin “Menaxhimi i Institucioneve Arsimore”, lëndë të cilën e jap në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë në degën Menaxhim Arsimi në nivelin Master. Gjatë rrugës së gjatë së studimeve shkencore mund të kemi edhe vepra të tjera. Dua të falenderoj Akadmik Anastas Angjelin dhe Profesore Greta Angjelin, biznesmenët Ramë Geci e Avni Ponari për mbështetjen financiare që më kanë dhënë për botimin e librave. Ndihem i sigurt dhe i lumtur se i kam realizuar synimet e mia dhe i kam përmbushur ato që kanë pritur të tjerët nga unë.