Gazeta Nacional Albania

INTERVISTË ME Dr PIER CARLO LAVA, NË ALESSANDRIA TODAY. Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

I nxitur nga pasioni për komunikimin, vendosa të themeloja mediat e mia sociale

INTERVISTË ME Dr PIER CARLO LAVA MENAXHER SOCIAL MEDIA NË ALESSANDRIA TODAY

P. C. Lava: Po, besoj se përfshirja e gjerë është themelore. Nuk kam bërë kurrë dallime midis autorëve të rinj apo të njohur. Të gjithë meritojnë mundësinë për t’u shprehur dhe për t’u lexuar. Qëllimi im është t’u ofroj të gjithëve një platformë shikueshmërie, duke i lënë lexuesit detyrën për të zgjedhur se çfarë dhe kë të vlerësojnë më shumë.

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

Angela K: Përshëndetje Dr. Pier Carlo. Na tregoni diçka rreth karrierës suaj profesionale para se të bëheshit Menaxher Social Media në Alessandria Today.

P. C. Lava: Përshëndetje Angela! Unë jam një menaxher që e kam filluar karrierën time shumë vite më parë, duke u nisur nga zanati si shitës i thjeshtë. Falë angazhimit dhe përkushtimit tim, ia dola të rritem me shpejtësi, duke marrë përsipër rolet e nivelit të përgjegjësisë: kam qenë së pari Menaxher i Zonës, pastaj Menaxher i Qarkut, dhe së fundi, në njëzet vitet e fundit, Menaxher i Shitjeve dhe Marketingut për disa kompani kombëtare në sektorët e produkteve ushqimore, shtëpiake dhe personale të higjienës. Më pas, punova si konsulent dhe i nxitur nga pasioni për komunikimin, vendosa të themeloja mediat e mia sociale.

Angela K: Si ju lindi ideja e themelimit të Alessandria Today në një version shumëgjuhësh?

P. C. Lava: Pas disa vitesh përvoje me Alessandria Post, një blog lokal lajmesh të cilin e drejtoja vetë, në vitin 2018 ndjeva nevojën për t’u zgjeruar më tej, kështuqë zgjodha një platformë më të avancuar dhe themelova Alessandria Today, duke krijuar një staf të vërtetë editorial. Qëllimi im ishte që kjo media të ofronte përmbajtje më të gjerë, në gjuhë të ndryshme, për të arritur një audiencë ndërkombëtare dhe për të rritur në nivel jo vetëm autorët italianë por edhe ata të huaj.

Angela K: I njihni autorët shqiptarë? Cili është mendimi juaj për artin dhe letërsinë shqipe?

P. C. Lava: Sigurisht që po! Kam pasur kënaqësinë t’u jap hapësirë në Alessandria Today disa autorëve shqiptarë. Gjithmonë e kam vlerësuar talentin e tyre letrar, thellësinë e veprave të tyre dhe aftësinë e tyre për të dalë në kontekste ndërkombëtare. Jam i bindur se arti dhe letërsia shqipe, kanë shumë për t’i ofruar panoramës kulturore globale.

Angela K: Dëshironi ta vizitoni ndonjë ditë Shqipërinë?

P. C. Lava: Absolutisht që po! Do të më pëlqente shumë të vizitoja Shqipërinë, si dhe vendet e tjera, por për momentin nuk mendoj se mund ta realizoj këtë dëshirë. Megjithatë, shfrytëzoj rastin të përmend dhe të përshëndes një mikun tim të dashur, Ermelin Guza, i cili ka vite që drejton me sukses një restorant picash këtu tek ne. Ai është një shembull se si Shqipëria di të dallohet nëpërmjet shtetasve të saj edhe jashtë vendit.

Angela K: Sa orë në ditë i dedikoni autorëve dhe promovimeve të tyre në Alessandria Today?

P. C. Lava: Kam filluar të mos i numëroj më! Gruaja më kujton shpesh se punoj më shumë se kur isha menaxher, por sot e bëj thjesht nga pasioni dhe pa asnjë përfitim. Megjithatë, për mua është një kënaqësi e madhe teksa shoh që Alessandria Today rritet në nivele të larta e të pabesueshme. Sa për autorët, unë mbaj kontakte të përditshme me ta nëpërmjet një grupi të dedikuar në WhatsApp; shpesh flasim edhe në email ose telefon. Promovimi i autorëve bëhet nëpërmjet platformave të ndryshme sociale, si: Facebook, Twitter, Tumblr, Pinterest dhe Instagram.

Angela K: Në çfarë përqendrohet Alessandria Today për të zgjeruar dhe vlerësuar më shumë degët e ndryshme kulturore?

P. C. Lava: Alessandria Today është një media në 360 gradë, por pulsi i zemrës së platformës është aspekti kulturor. Kjo përfaqëson pjesën më të ndjekur dhe më të vlerësuar, falë kontributit të autorëve që bashkëpunojnë me ne dhe angazhimit të vazhdueshëm në promovimin e artit, letërsisë, poezisë e shumë më tepër.

Angela K: Keni ndonjë hobi apo pasion të veçantë?

P. C. Lava: Vitet e fundit, koha për hobet e mia është zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme, por në të kaluarën më pëlqente shumë kalërimi, fotografia dhe kujdesi për kafshët. Tani kam një qen Terrier rus të zi dhe dy mace të bukura Ragdoll, të cilët ma mbushin jetën me gëzim.

Angela K: Ju i ofroni shikueshmëri të gjithë autorëve, si atyre të njohur po ashtu edhe të rinjve. Ka ndikuar kjo në mënyrën tuaj për ta parë botën letrare disi ndryshe?

P. C. Lava: Po, besoj se përfshirja e gjerë është themelore. Nuk kam bërë kurrë dallime midis autorëve të rinj apo të njohur. Të gjithë meritojnë mundësinë për t’u shprehur dhe për t’u lexuar. Qëllimi im është t’u ofroj të gjithëve një platformë shikueshmërie, duke i lënë lexuesit detyrën për të zgjedhur se çfarë dhe kë të vlerësojnë më shumë.

Angela K: Çfarë mendoni për konfliktet në Ukrainë dhe Palestinë?

P. C. Lava: Nuk ka fjalë të përshtatshme për të përshkruar tmerrin e asaj që po ndodh, si në Ukrainë e po ashtu edhe në Palestinë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksojmë se këto janë konflikte me natyra të ndryshme, me përmasa dhe dinamika shumë të dallueshme. Në rastin e Izraelit dhe Palestinës, me vetëmohim besoj se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme, qëndron në krijimin e dy shteteve të cilët mund të bashkëjetojnë paqësisht. Është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare të imponojë paqen, jo nëpërmjet forcës, por nëpërmjet ndërmjetësimit të fortë diplomatik, sepse përjetësimi i kësaj tragjedie njerëzore ushqen vetëm përvuajtje të mëtejshme, urrejtje dhe mos stabilizim.
Përsa i përket luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, konflikti nuk mund të jetë kurrë zgjidhja e duhur. Pabarazitë në forcë midis të dy vendeve e bëjnë të qartë se lufta do të vazhdojë vetëm të shkaktojë vdekje dhe shkatërrim. Në retrospektivë, do të kishte qenë vendimtare të kishte pasur ndërhyrje diplomatike para fillimit të armiqësisë dhe konflikteve, duke shmangur kështu shkatërrimin e Ukrainës dhe humbjen e jetës civile dhe ushtarake, në të dy frontet.

Sot, përparësia mund dhe duhet të jetë dialogu në një mbledhje të menjëhershme, me krerët e të dy vendeve të ulur rreth tryezës së paqes dhe secili duke bërë një hap prapa. Vetëm një kompromis i pranueshëm për të dyja palët mund ta ndalë këtë spirale dhune dhe të zvogëlojë rrezikun e një përshkallëzimi global që mund të çojë në një luftë të tretë botërore katastrofike.

Paqja është gjithmonë rruga më e vështirë, por është gjithashtu e vetmja mënyrë praktike për të garantuar një të ardhme dinjitoze dhe të sigurt për brezat që do të vijnë.

Angela K: Çfarë planesh keni në të ardhmen për Alessandria Today? A do të ketë ndryshime?

P. C. Lava: Aktualisht, nuk kam planifikuar ndryshime të mëdha, por në të ardhmen do të doja të bëja një ridizajnim më të sostifikuar, për të përmirësuar më tej përvojën e lexuesve. Idetë nuk mungojnë: çdo ditë ka diçka të re për të reflektuar dhe për të punuar për ta rritur atë.

Angela K: Faleminderit për intervistën dhe kohën tuaj të çmuar.

P. C. Lava: Faleminderit ty Angela! Gjithashtu, falenderoj përzemërsisht Drejtorin Mujo Buçpapaj si dhe të gjithë lexuesit në Gazeta Nacional kudo që ndodhen.

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese