Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta
METWALLY BASAL : “Lumturia njerëzore nuk qëndron në zotërimin e gjithçkaje, por në ndarjen me të tjerët, në bashkimin dhe bashkëpunimin me ta.”
A. Kosta: Përshëndetje Metwally. Mirë se erdhët në gazetën Nacional. Dëshirojmë të dimë çfarë ju frymëzoi dhe ju motivoi të nisnit rrugëtimin tuaj në letërsi dhe botime?
M. Basal: Që në fëmijërinë time, vura re interesimin e madh të njerëzve për të dëgjuar poezitë, himnet dhe këngët që transmetoheshin në radio dhe televizion, veçanërisht gjatë Luftës së 6 Tetorit 1973 dhe në vitet që pasuan. Vëreja lotët që mbushnin sytë e njerëzve ndërsa dëgjonin me emocion këngët e fitores nga ajo periudhë e bukur. Habitesha nga fuqia e jashtëzakonshme që fshihnin fjalët e atyre poezive dhe këngëve, të cilat ishin në gjendje të prekeshin aq thellë nënën dhe babain tim, saqë të dy qanin!
Që këtu nisi udhëtimi im për të eksploruar thellësitë e atij universi emocionues: botën e poezisë dhe letërsisë. Përsa i përket botimit, interesi për të më lindi kur isha në vitin e dytë të shkollës së mesme. Atëherë i propozova disa shokëve të klasës që të krijonim një revistë të quajtur “Miqtë”. Shkuam në shtypshkronjë për të bërë një marrëveshje për shtypin. Ishte një revistë e thjeshtë, me pak faqe, por për mua përfaqësonte një fillim të rëndësishëm; çka, më inkurajoi të hyja në botën e shtypit dhe botimit.
A. Kosta: Mund të na tregoni nëse qyteti juaj, Damietta, ka ndikuar në stilin tuaj të të shkruarit apo në temat letrare?
M. Basal: Damietta është një rreth i pasur, i mbushur me trashëgimi dhe kultura të larmishme. Për vite me radhë, ka qenë një qendër e rëndësishme për industrinë, tregtinë, peshkimin dhe bujqësinë. Ndaj aty shihja punëtorë nga të gjitha qarqet e Egjiptit dhe dëgjoja shumë nga dialektet që fliteshin nga këta njerëz.
Bashkimi i lumit Nil, liqenit Manzala dhe Detit Mesdhe i jep Damiettës një magji të veçantë që nxit krijimtarinë. Sa bukur është të ulesh në zonën Al-Lisan, mes Nilit dhe detit, dhe të shkruash i rrethuar nga kjo bukuri legjendare dhe hijeshi magjepsëse. Në Damietta, nuk takohen vetëm lumi me detin dhe liqenin, por edhe realiteti me imagjinatën dhe magjinë.
A. Kosta: Si arrini t’i balanconi përgjegjësitë tuaja si Drejtor dhe Kryeredaktor me krijimtarinë tuaj letrare?
M. Basal: Ka një thënie që thotë: “Organizimi i punës është më i rëndësishëm se vetë puna.”
Gjëja më e çmuar që ka një njeri është koha, dhe është thelbësore që kjo kohë të organizohet në mënyrë të tillë që t’i japim çdo aspekti të jetës sonë vlerën dhe kohën që meriton. Megjithatë, për shkak se jemi njerëz që nxitojmë, shpesh e gjej veten që dështoj në disa fusha, veçanërisht në fushën letrare. Për shembull, kam shkruar disa romane që nuk i kam përfunduar ende, për shkak të angazhimeve të shumta. Ndoshta, po t’i kisha dhënë vetes kohën e duhur për t’i shkruar, do t’i kisha përfunduar.
Fatkeqësisht, sado që një njeri përpiqet të jetë i drejtë me veten, nuk arrin kurrë plotësisht. Jeta, me ngritjet dhe uljet e saj, imponon vullnetin e vet mbi të gjithë, duke na shpërqendruar nga vetja, edhe kur duam të jemi të drejtë me të.
A. Kosta: Cila nga veprat tuaja të botuara ka pasur ndikimin më të madh personalisht tek ju, dhe pse?
M. Basal: Çdo poezi, çdo tregim dhe çdo roman që kam shkruar ka një ndikim të thellë tek unë. Çdo vepër që kam shkruar dhe botuar përfaqëson për mua një lindje të re. Çdo ditë që botohet një nga veprat e mia letrare, e konsideroj si ditëlindjen time. Më pushton një gëzim i jashtëzakonshëm dhe zemra më mbushet me lumturi kur ndiej që njerëzit e vlerësojnë dhe i japin rëndësi asaj që shkruaj.
Gjëja jo e mirë që mund t’i ndodhë një poeti apo krijuesi është të jetë një “shkrimtar në hije”, njësoj si një aktor që luan në një skenë pa spektatorë. Nëse kjo i ndodh një shkrimtari, do të thotë t’i shkruash një certifikatë vdekjeje krijimtarisë së tij. Çdo vepër krijuese është një shkëndijë nga shpirti i autorit dhe ushqehet nga vetë jeta e tij. Një shkrimtar është si një qiri që digjet për të dhënë dritë dhe ngrohtësi. Pjesët që digjen nuk humbasin, ato kthehen në shkëlqim, duke u transformuar në një energji të pashtershme që ndriçon përgjithmonë.
A. Kosta: Si i pasqyroni ndryshimet kulturore dhe politike në Egjipt përmes veprave tuaja?
M. Basal: Poeti është gjithmonë pena dhe gjuha e shoqërisë, duke shprehur çështjet e saj. Në shoqëritë e lira që besojnë në lirinë e shprehjes, poeti mund të flasë, të shprehë dhe të thotë çdo gjë pa kufizime. Kështu, ai luan një rol ndikues në ndihmën për të ndryshuar shoqërinë për më mirë. Megjithatë, në shoqëritë që imponojnë kufizime mbi lirinë e shprehjes, poezia vjen e lidhur si poezia në pranga, me vargje të frikësuara dhe të pasigurta. Këtu, poeti humb rolin e tij, dhe poezia zhduket në sfond!
Një fjalë mund ta çojë poetin në një turne përmes labirinteve në burgje të errëta; një tjetër mund t’i vendosë kokën në litar! Për të përmbushur rolin e saj, poezia duhet të vijë e lirë, pa frikë nga kufizimet, në mënyrë që të ketë fuqinë të ndikojë dhe të ndryshojë. Fatkeqësisht, në shumë vende arabe, ajo është kthyer vetëm në një spektatore dhe vëzhguese, dhe jo një faktor kryesor në formësimin e ngjarjeve.
A. Kosta: Cilat janë sfidat më të mëdha që përballeni si shkrimtar dhe gazetar në fushën kulturore arabe?
M. Basal: Disa projekte kërkojnë bashkëpunim. Si për çdo kompani, që të ketë sukses, interesi publik duhet të jetë përparësi mbi interesat personale. Fatkeqësisht, ndodh e kundërta, sepse interesi personal mbizotëron mbi interesin publik, kështuqë rezultati i pashmangshëm është dështimi i plotë.
Shumica e poezive dhe tregimeve që kam shkruar janë rezultat i ngjarjeve sociale, kulturore dhe politike; për shembull, romani “Shaaban në të Humburit” trajton gjendjen ekonomike, politike dhe shoqërore në Egjipt, si dhe ndikimin e të gjitha këtyre faktorëve tek rinia egjiptiane. Gjithashtu, në përmbledhjen poetike “Kush po këndon në shesh”, shumica e poezive kanë në qendër ngjarjet e Revolucionit të 25 Janarit, i cili ndryshoi tërësisht pamjen e Egjiptit.
Ndërsa përmbledhja “Para se të mbyllet seanca”, trajton tragjedinë e popullit palestinez dhe vuajtjen e fëmijëve dhe grave të pafajshme nën zgjedhën e okupimit izraelian.
Përmbledhjet me tregime të shkurtra si: “Dashuri në kohë të humbur”, “Gjeli me kreshtën e bardhë”, apo “Tërmeti i ditës së gjykimit” rrotullohen rreth ndryshimeve sociale, ekonomike dhe politike që ka përjetuar Egjipti dhe që kanë ndikuar ndjeshëm në jetën e njerëzve.
A. Kosta: Sipas mendimit tuaj, cili është roli i poezisë në shoqërinë egjiptiane sot?
M. Basal: Kjo ka ndodhur më shumë, nga një bashkëpunim që kam pasur me disa miq në fushën e botimeve: miq nga Egjipti, Siria, Maroku, Algjeria dhe vende të tjera. Unë prisja një model të vogël të unitetit arab, por u befasova nga realiteti tronditës se uniteti arab, në çdo fushë, mbetet i paarritshëm!
Ndoshta, në rrethana më të mira, kjo ëndërr e shumëpritur mund të bëhet realitet.
A. Kosta: Mund të na tregoni më shumë për ndikimin e bashkëpunimit tuaj me revistat dhe gazetat që menaxhoni?
M. Basal: Siç e thashë më sipër, unë kam bashkëpunuar me mjaft miq në disa vende arabe në fushën e botimeve, sepse mendoj që bashkëpunimi është i domosdoshëm. Është një nevojë urgjente, sidomos në këtë fushë. Për shembull, jam krenar për bashkëpunimin tim me Kryetarin e Bordit Drejtues të Fondacionit Amarji, shkrimtarin dhe romancierin, De Abdul Zahra Amara, i cili ka kontribuar shumë në promovimet e shkrimtarëve dhe poetëve. Për çdo poet dhe shkrimtar është botuar një antologji që përfshin biografitë dhe mostra nga poezitë dhe tregimet e tyre. Kjo ishte pjesë e iniciativës “Emrat e Shkëlqyer në Qiellin e Qytetit”, e cila botoi një seri librash me këtë titull.
Nismat “Nën Mikroskop” dhe “Tregime Nën Reflektor” janë gjithashtu pjesë e këtij bashkëpunimi. Ai u fokusua edhe në botimin e librave që përmbajnë tregimet fituese në konkurset e tregimeve të shkurtra të organizuara nga revista Golden Story, përfshirë librin “Tregime të Kurorëzuara”. Ndihem jashtëzakonisht i lumtur kur shoh frytet e këtij bashkëpunimi të përfaqësuara në libra të printuar dhe revista e gazeta fizike, si gazeta Maysan, revista Amarji dhe revista Nusja e Letërsisë Irakiane. Jam gjithashtu krenar për bashkëpunimin tim me poeteshën, shkrimtaren, gazetares dhe përkthyesen e mrekullueshme Angela Kosta. Ndër sukseset e këtij bashkëpunimi të frytshëm ishin gazeta Al-Adwaa dhe revista Al-Fan Al-Khamis. Pres me padurim suksese të mëtejshme dhe vazhdimësi në këtë bashkëpunim. Jam po ashtu krenar për bashkëpunimin me shkrimtaren dhe gazetarën e mrekullueshme Turkiya Loucif dhe gazetarin algjerian Mehdi Darban. Një nga frytet e këtij bashkëpunimi të suksesshëm ishte gazeta algjerian “Elitè”.
A. Kosta: Si i shihni shkrimtarët e rinj dhe pjesëmarrjen e tyre në letërsinë moderne arabe?
M. Basal: Shkrimtarët e rinj janë karburanti i lëvizjes letrare; ata janë gjaku i ri që duhet të lejohet të rrjedhë nëpër deje për të rinovuar ciklin e jetës. Të gjithë duhet t’i ndihmojmë dhe t’i mbështesim ata. Nëse kjo nuk ndodh, lëvizja letrare do të dobësohet, do të plaket dhe në fund do të vdesë. Në kushtet e krizës ekonomike që po përjeton Egjipti, me shkrimtarët e rinj po luhet me ta, po shfrytëzohen dhe po ekspozohen ndaj mashtrimeve nga disa shtëpi botuese, ashtu si po shfrytëzohen edhe nga disa shkrimtarë të mëdhenj që nuk kanë ndërgjegje! Është e nevojshme që të kujdesemi për këta të rinj, t’u sigurojmë shumë mundësi për të botuar veprat e tyre dhe t’i lejojmë të shfaqen në forumet dhe tubimet letrare dhe kulturore për të prezantuar poezitë dhe prozat e tyre.
A. Kosta: Çfarë mesazhi përpiqeni të përcillni shpesh nëpërmjet poezive dhe tregimeve tuaja?
M. Basal: Në një botë të mbushur me konflikte dhe luftëra, unë përpiqem të përcjell mesazhin se lumturia njerëzore nuk qëndron në zotërimin e gjithçkaje, por në ndarjen me të tjerët, në bashkimin dhe bashkëpunimin me ta. Lumturia qëndron në dhënien. Përmes poezive, tregimeve dhe romaneve të mia, unë përpiqem të theksoj se pasojat e padrejtësisë janë të rënda dhe të tmerrshme, fundi i të shtypurve është i frikshëm; e keqja një ditë do të mbarojë patjetër dhe se njeriu nuk mund të jetojë pa bashkëjetesë e vëllazëri paqësore me bashkëqytetarët e tij.
Dua gjithashtu të theksoj se parimet dhe vlerat e vëllazërisë, paqes dhe njerëzimit duhet të zbatohen më shumë sesa thjesht të përsëriten.
E në fund, ju shpreh falenderimet e mia Angela, për këtë intervistë të këndshme, që më ka gëzuar dhe që do të mbetet e gdhendur në zemrën time ashtu sikurse do të jetë një burim krenarie dhe nderi.
Gjithashtu falenderoj me shumë mirënjohje poetin ndërkombëtar, shkrimtarin dhe gazetarin e njohur Dr. Mujë Buçpapaj, kreun e gazetës letrare e kulturore “Nacional”, Shtëpisë Botuese “Nacional” dhe Studiuesin e Projekteve Kombëtare, të cilin pata dhe do të kem nderin ta kem në revistat e mia si personazh kryesor.
– BIOGRAFIA
Metwally Basal është shkrimtar, poet, gazetar dhe botues nga Egjipti. Ai ka lindur dhe jeton në qytetin Damietta, qytet kulturor dhe historik që ka ndikuar thellësisht në krijimtarinë e tij letrare. Që në fëmijëri, Basal u frymëzua nga poezitë dhe këngët patriotike të transmetuara gjatë Luftës së Tetorit 1973, të cilat preknin emocionalisht familjen dhe njerëzit përreth tij. Ky ndikim i hershëm e shtyu drejt zbulimit të fuqisë së fjalës dhe botës së letërsisë.
Karriera e tij në fushën e botimeve filloi që në shkollën e mesme, kur me shokët themeloi një revistë të quajtur “Shokët”, një përpjekje modeste që shënoi fillimin e rrugëtimit të tij drejt botës së shtypit dhe botimeve.
Metwally Basal ka themeluar dhe drejtuar disa revista dhe gazeta letrare, si “Al-Adwaa” dhe “Al-Fan Al-Khamis”, në bashkëpunim me figura të njohura ndërkombëtare. Ai është gjithashtu drejtues i gazetës “Maysan”, revistës “Amarji” dhe “Nusja e Letërsisë Irakiane”.
Shkrimet e tij përfshijnë poezi, romane dhe tregime të shkurtra që trajtojnë çështje sociale, politike dhe kulturore. Disa nga veprat e tij më të njohura përfshijnë romanin “Shaaban në të humburin”, për gjendjen socio-politike të të rinjve egjiptianë; përmbledhjen poetike “Kush këndon në shesh”, mbi Revolucionin e 25 Janarit; dhe përmbledhjen “Para se të mbyllet seanca”, kushtuar tragjedisë palestineze.
Basal është i angazhuar me të rinjtë shkrimtarë, duke i mbështetur dhe u siguruar hapësira për publikim dhe pjesëmarrje në forume letrare. Për të, poezia është mjet për të përcjellë mesazhe humanizmi, drejtësie, paqeje dhe vëllazërie mes popujve. Fitues i çmimeve të ndryshme, është një figurë e respektuar në arenën letrare arabe, duke bashkëpunuar me shumë institucione dhe shkrimtarë në mbarë botën arabe.
*Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese

