Gazeta Nacional Albania

Intervistë me znj. Naime Gjongecaj, kandidate e Partisë  LËVIZJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE, numri 18, në Tiranë

 

 

 

Do të jemë një zë ndryshe në Kuvendin e Shqipërisë   

 

Naime Gjongecaj vjen nga shoqëria civile dhe synon të jetë një zë dinjitoz në shërbim të qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare në tërësi, shoqëri e cila vuan pasojat e një klase politike të vjetër dhe pa vizion, që mendon vetëm për vete dhe klanet rreth saj, çfarë ka bërë që shqiptarët të përjetojnë një tranzicion të stërgjatur, i cili ka lënë pasojat e veta në secilën familje shqiptare. Ajo është një grua që vjen nga shoqëria civile, me kurajë njerëzore dhe intelektuale, vizionare, në kulmin e energjive, e cila merret shumë me ngritjen e saj profesionale, me lexime të thelluara në fushën e politikës, ku ka vendosur të kontribuojë, me një shërbim cilësor në dobi të një komuniteti, që ka aq shumë nevojë për këtë shërbim. Në këtë intervistë ajo rrëfen sfidat dhe përballjet e saj në emër të një politike tjetër, që të jetë zëdhënëse e shpresave të qytetarëve për një demokraci reale, në një start të ri të politikës dhe të krejt shoqërisë shqiptare.

-Pse vendosët të kanditoni në një parti të re, në një forcë politike që ende nuk është provuar në garat elektorale?

 

-Unë jetoj çdo ditë mes halleve dhe shqetësimeve të njerëzve, njoh nga afër nevojat e tyre, prek plagët e këtij tranzicioni që dhembin fort në shumicën dërmuese të familjeve shqiptare. Normalisht që dikush është përgjegjës për këtë gjendje të mjerueshme të shoqërisë sonë dhe fajtori nuk është anonim, por klasa politike tridhjetëvjeçare, që ka menduar vetëm për interesat e një rrethi të ngushtë njerëzish rreth e rrotull tyre. Thënë ndryshe, partitë e vjetra janë mëkataret e mëdha, sepse e kanë ngushtuar nivelin e përfaqësimit përgjithësisht në figura të konsumuara dhe me “rrezonacë” të dobët me publikun, dhe nga ana tjetër, në këto vite kanë bërë batërdi mbi pasurinë dhe resurset publike të këtij vendi.

Në këto rrethana, të qëndrosh indiferente unë e quaj mëkat dhe mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë këtij realiteti të  trishtë është të merresh me politikë, të jeshë pjesë e partive të reja, që janë formuar si reaksion ndaj kësaj kënete tridhjetëvjeçare, ku kutërbojnë ujërat e ndenjura të politikës së vjetër. Këto parti do t’i japin fund këtij tranzicioni të vrazhdë e primitiv dhe do të mundësojnë çarjen e rrethit vicioz ku e ka futur vendin politika e vjetër. Ndaj jam kandidate e Partisë  LËVIZJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE, numri 18 në Tiranë, parti që vërtet nuk është provuar në garat elektorale, por është një parti e intelektualeve të ndershëm dhe profesionistë të zotë, e njerëzve të thjeshtë që janë të zhgënjyer nga pritja e gjatë e ardhjes së një demokracie reale, parti e zgjimit të shpresës së shqiptarëve. Ndaj dhe ftoj të gjithë votuesit, të majtë e të djathtë, të qendrës apo pa përkatësi politike, të më votojnë, sepse do të jemë realisht një zë i fortë i tyre në Kuvendin e Shqipërisë, që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit.  

 

-Diçka për veten, ju lutem. Kush është Naime Gjongecaj?

 

-Unë jam nga Bajram Curri, Tropojë dhe jam lindur në Burrel më 21.07.1963, aktualisht jetoj në Tiranë. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare, ku gjyshi im Ukshin Deli Gjongecaj i Krasniqes ka qenë ndër ndërtuesit e parë të kanaleve vaditëse, veprimtari e shquar për të cilën mban dhe emrin “Heroi i Punës”. Për shkak të talentit dhe dhuntive të tij të veçanta në këtë fushë, është cilësuar nga ekspertët e kohës si “inxhinieri me diplomën në gur” si dhe mban titullin “Qytetar nderi” i Tropojës.

Unë që në fëmijërinë e hershme jam rritur me nje edukatë familjare model, krenare për shtëpinë tonë që ishte një sofër e shtruar buke e bese, pajtimi e vëllazërimi. Gjatë eksodot biblik të shqiptarëve të Kosovës nga llava e represionit serb, familja ime ka kontribuar në sistemin e vëllezërve dhe motrave kosovare, në kohën e luftës 1999, kur nga Kosova martire u larguan për t’i shpëtuar makthit përndjekës të genocidit millosheviçian qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës.

Kam punuar në arsim 14 vite, me një shkëputje të shkurtër kur erdha në Tiranë, për të vijuar më tej kontributin në drejtim të shoqërisë civile. Kam mbrojtur Diplomën Bachelor në Mardhënjet Ndërkombtare, më pas kam punuar për tetë vite në bashkinë e Tiranës dhe kam mbi shtatë  vite pune me organizata dhe shoqata humanitare në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Në vitin 2019, në kohën e tërmetit, kam ndihmuar me ushqime dhe kontribute të tjera mjaft qytetarë të prekur nga tërmeti, si dhe në sistemim e disa qytetarëve në Tiranë dhe Kosovë.

Jam anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Ateve në USA, vlerësuar me stimuj nderi e mirënjohjeje nga organizata humanitare brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, jam anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane me qendër në New York, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

 

-Cilat mendoni se janë plagët më të thella të këtij tranzicioni dhe çfarë do të bëni ju për shërimin e tyre nëse votoheni për t’u ulur në Kuvendin e Shqipërisë?

 

-Kudo që të prekësh në këtë realitet të vrazhdë ku jetojmë është një plagë më vete. Ndotja urbane, kaosi urban, dëmitimet e traditës dhe kthimi i kryeqytetit në një kullë gjigande, vjedhja dhe zhvatja e pasurisë publike, varfëria ekstreme e shtresave më të këputura të shoqërisë, dobësimi dhe shkuarja drejt varfërimit e shtresës së mesme, pagat dhe pensionet nën nivelin e optimalitetit jetik, mungesa e ujit, dritave, çmimi i lartë i ujit, energjisë, karburantit etj, janë vetëm disa nga këto plagë. Plaga më e madhe është ajo që iu ka bërë qytetarëve të këtij vendi politika e vjetër: vrasja e shpresës se ky vend do të bëhet, shpopullimi thuajse masiv i vendit, sidomos nga të rinjtë, zëvëndësimi i meritokracisë me partitokraci etj. Ne synojmë të jemi një zë ndryshe, të ndikojmë fuqishëm që të niset shoqëria shqiptare në një start të ri, drejt një shoqërie të vërtetë demokratike, më të drejtë e më të përgjegjshme për fatin e çdo individi.

 

 

– Pse mendoni se duhet t’iu votojnë qytetarët?

 

-E para, sepse unë përfaqësoj një parti të re, që nuk ka asnjë lidhje me strukturat e errëta të së kaluarës komuniste (siç kanë tre partitë e vjetra) anëtarët dhe drejtuesit e të cilës nuk kanë vjedhur dhe nuk kanë bërë zullume me paratë dhe pasuritë publike të këtij vendi, që janë njerëz me integritet të lartë moral, intelektualë të formuar dhe profesionistë të zotë.

Së dyti, sepse unë vij nga Tropja, një trevë ku fjala ka peshën e malit dhe po e fole atë duhet ta mbash me çdo kusht e me çdo çmim. Unë nuk premtoj as rrugë, as punë, as drita e ujë 24 orë, pasi këto janë premtuar e ripremtuar dhe nuk janë mbajtur premtimet. Këto janë punët e pambaruara të një ekzekutivi zhvatës, që rrjedh nga politika e kalbur që në rrënjë dhe ka tridhjetë vjet që i neglizhon dhe nëse vijnë prap në pushtet partitë e vjetra historia do të pësëritet në mënyrën më të trishtë të mundshme, por unë premtoj që telefoni im do të jetë ditë e natë, njëzet e katër orë hapur për qytetarët, do të jemë me ta në çdo betejë për të drejtën, nëpër spitale kur janë të sëmurë, nëpër institucione kur kërkojnë punë, kur kërkojnë shkollim për fëmijët dhe të drejta të tjera.

Unë dua vetëm që t’iu shërbejë njerëzve, të mund të përkujdesjem ndaj  shtresave në nevojë të shoqërisë, të punojë me shumë përkushtim për të bërë më të mirën e mundshme, në shërbim të komunitetit, nevojave të tyre jetike, sidomos ndaj hallexhinjve, kësaj shtrese të zbuluar sociale që jeton në skamje e mjerim.

I ftoj gjithë qytetarët e Tiranës të më votojnë mua, të votojnë nr.18 të Partisë LËVIZJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE, pasi përparësia ime, nëse ulem në Kuvend, do të jetë mbrojtja e shtresave në nevojë, mbrojtja e grave të dhunuara dhe fëmijëve pa prindër, mbrojtja e të gjithë atyre që janë me të drejtën, duke ofruar mbështetje të veçantë për të mundësuar që këto shtresa të gëzojnë mbështetje të fortë ligjore dhe integrim të plotë në shoqërinë shqiptare.

I ftoj gjithë qytetarët e Tiranës të më votojnë, pasi zgjedhja ime në Kuvendin e Shqipërisë do të ishte një zë i fortë në promovimin e një parlamenti shërbimesh e jo propogade, do të sillte një mendësi të re, do ta bënte më të ndjeshëm Kuvendin e Shqipërisë ndaj nevojave të shtresave më të nëpërkëmbura të shoqërisë në këtë tranzicion të stërgjatur e të egër gjer në barbari.