Gazeta Nacional Albania

INTERVISTË NDRYSHE E POETES SE NJOHUR RUDINA MUHARREMI BEJA, DHENE GAZETES NACIONAL

1- Rudina Pse keni filluar të shkruani? A ka ndonjë imazh në kujtesën tuaj që ju lidh me momentin kur vendosët se dëshironi të shkruani?Cila është audienca juaj ideale? Për cilin lexues mendoni kur shkruani?

-Fillimisht them se vij nga një familje që ka patur gjithnjë raport të mirë me librin. Në shtëpi nuk kishim shumë gjëra, por librat nuk mungonin.Ata ishin pasuri e madhe, pavarësisht vështirësive ekonomike.
Kur isha 13-14vjeç, fillova të shkruaj e të marr pjesë në aktivitete të shkollës. Mbaj mend kur në podiume modeste recitoja vargjet e Pashko Vasës – O moj Shqypni – dhe prej andej vazhdova rrugëtimin e pandalshëm.
Duke u rritur dhe duke shkruar dhe publikuar, bëhesh profesionist.
Në fillim shkruajmë të nxitur nga instinkti, të pavetëdijshëm për mjetet që përdorim.
Pastaj dalëngadalë fillojmë t’i bëjmë vetes pyetje rreth shkrimit, bëhemi më teorikë dhe më pak të menjëhershëm, kalojmë nga të folurit për veten në mënyrë obsesive, në të folurit për të tjerët.
Të shkruarit, është kënaqësi dhe zakonisht kombinohet me leximin e letërsisë së mire.
Është pasioni ai që të shtyn të shkruash.
Kur shkruaj, nuk e mendoj se kush do të më lexojë, por nëse më duhet ta di, i drejtohem dikujt që më ngjan, që është kurioz dhe i gatshëm të lexojë.
Hulumtimin e lexuesve ua lë redaktorëve, kritikëve.
Mendoj se gjithçka që shkruaj duhet të trajtohet me respekt dhe vëmendje. Nganjëherë bëhet i mundur ndryshimi i vetëdijës së atij që lexon, pasi shkrimtari është zhytës në ujërat e pavetëdijes kolektive dhe prej andej nxjerr në dritë objekte e problematika të fshehura e të harruara.

2- Ju shkruani poezi më së tepërmi Rudina. Si e përjetoni momentin kur shkruani?

-Eshtë e vështirë t’ju them se çfarë është poezia, apo ta përkufizoj atë, por në momentin kur shkruaj poeezi, e di që ajo lind brenda meje; ndoshta ajo fle dhe zgjohet me mua.
Kjo mendoj se u ndodh të gjithë atyre që shkruajnë, pasi cilido prej nesh përpiqet të hedhë veten në vargje. Por vetëm poezia e mirë do të rezistojë, pa u shkatërruar nga stuhitë dhe pa u zbehur me kalimin e kohës.

3- Çfarë ju shqetëson më shumë në botë? Si e përjetoni këtë kohë të trazuar?

-Nëse do të ishte në fuqinë time, për zgjidhjen e problemeve të mëdha që mundojnë njerëzimin sot, do të zgjidhja paqen.
Gjithçka që mund të arrihet me luftë, është e mundur të arrihet me dialog, me paqe, duke kursyer kështu jetë të pafajshme.
Është e papranueshme kjo që po ndodh sot.
Është e pajustifikuar lufta në Ukrainë.
Dhuna e pamundëson zgjidhjen.
Bota po kalon sfida të njëpasnjëshme, të tmerrshme.
“Ditën kur fuqia e dashurisë do tejkalojë dëshirën për pushtet,
bota do të njohë paqen”
Kështu thotë Gandhi.

4- Çfarë ju pëlqen të bëni në kohën tuaj të lirë ?

-Ndonëse jam shumë e zënë me punën e përditshme dhe me angazhimet familjare, i përkushtohem letërsisë, artit në çdo formë.
Më pëlqen të lexoj, të interpretoj, por edhe të shkruaj.
Mendoj se duheet të lexoj më tepër për të mësuar dhe për t’u përmirësuar.
Gjithçka bëj, e bëj me përulësinë më të madhe, pasi mendoj vërtet, se poetë janë të tjerët, dhe më duhet të mësoj prej tyre.
Përfitoj nga rasti të falenderoj cilindo që më ka dhënë mbështetje e kurajë.

5- Keni një shkrimtar të preferuar? Po një libër të preferuar? Film të preferuar? Frazë të preferuar?

-Të shumtë janë shkrimtarët që shkruajnë fort bukur dhe që tanimë njihen nga të gjithë, por në fakt janë edhe shumë të rinj që shkruajnë po aq bukur dhe që duhen vlerësuar nga kritika.
Personalisht më pëlqen t’i lexoj librat në gjuhën origjinale.
Çarls Dikens, Kadare, Roland Kipling, Neruda, Gabriel García Márquez, Fatos Arapi etj etj…Gjithsesi librat mbeten të gjithë të vlerë, pasi mbartin shpirtin e autorit, mbartin sakrificën e tij.
Raporti me botuesin, me publikun, me kritikën, me shpërndarjen, ndryshon në dinamikë.Jam e mendimit se botimet e shumta përbëjnë një biznes për shtëpitë botuese. Por mendoj se librat duhet të jenë cilësor të superojnë provat. Librat dhe anijet i kanë të nevojshme dallgët e fuqishme për të testuar rezistencen e tyre.
Dihet se janë të paktë ata që do të mbeten.
Ndesh shpesh letërsi të mirë dhe gëzoj si fëmijë pasi është sukses i madh për të gjithë, dhe njëkohësisht festë.
Së fundmi po lexoj Dino Buzzati-n, përshtatur në shqip nga Dritan Cela me romanin “Një dashuri” me fjalor të bukur e të pasur.
Filmi im i preferuar???
Më pëlqejnë pothuaj të gjithë filmat dhe jo rrallë qaj kur i shoh.
Ndërsa shprehja që më pëlqen më shumë është:
“Të shkruash është të udhëtosh pa peshën e bagazheve.”
Ose “Njeriu që jetoi në detin tuaj nuk do të kënaqet kurrë me një pellg …”

6- A besoni në mundësitë e barabarta ndërmjet gjinive?

-Përse jo! Jeta s’është festa që kishim imagjinuar e dëshiruar , gjithësesi , meqë jemi këtu, le të vallëzojmë!
Femra ka potencial të paimagjinueshëm në aq sa përherë më ka çuditur pyetja për mundësitë dhe të drejtat e barabarta mes gjinive.
Madje të gjitha femrave u drejtohem:

Mos lejoni kurrë që t’jua vjedhin ëndrrat.
Ndiqni zemrën tuaj gjithmonë.
S’ka vend as njësimi as krahasimi mes gjinish…!

7- Jeta në emigrim është shpesh temë e poezive dhe skicave tuaja, pasi ju shkruani dhe prozë të shkurtër? Si ka ndikuar tek ju largësia? A është pengesë?

-Aspak! Jeta është dhuratë, të cilës ia zgjidhim shiritet çdo mëngjes kur zgjohemi, thotë Christian Bobin. Mua më duket sikur jam gjithnjë në vendlindje.
E dua atë dhe më vjen natyrshëm të shkruaj për vendin tim.
Shqipëria është vendi më i bukur në botë ndonëse më i stërmunduari nga një politikë e sëmurë. Vërtet jam larguar fizikisht, por gjithmonë shpirti im rri atje. Përherë kam shkruar dhe do të shkruaj me dashuri për atdheun.

8- Cili është hapi juaj i rradhës? Çfarë presim të mbërrijë nga ju?

-S’kam menduar kurrë të sforcohem. Ajo që duhet të mbërrijë do të mbërrijë Çdo gjë në kohën e vet. Jam mësuar të jem e duruar, të mendohem më gjatë për fjalën e shkruar. E vërtetë është se ajo mbetet, por që të mbetet e shndetshme, duhet punuar fort me të. Cilësia, përkundër sasisë, është ajo që më intereson.
Poeti është ai që zapton “abuzivisht” hapësira të brendshme për t’i zgjeruar, është ai që e kap çastin për ta bërë të pavdekshëm.

9- Cila ka qenë dita më e mirë e jetës suaj dhe ajo më e shëmtuara?

-Ardhja në jetë e sime bije ishte dita kur njoha dashurinë e pakrahasueshme me gjë tjetër, ndërsa ajo më e shëmtuara ishte dita e dasmës sime kur im atë s’u ngrit të më përcillte. I kam dedikuar një jetëshkrim atij dhe sëfundmi spitalit që mban emrin e tij, ku ai kontribuoi e punoi për 20 vjet si mjek dhe si drejtor.

10- A keni urryer ndonjëherë dikë?

-Jo, nuk e njoh këtë ndjenjë dhe kurrë s’ka për t’u rritur fara e saj në mua.

11- Ëndrra juaj më e madhe?

-S’e di! Tashmë ndihem tërësisht e realizuar. Asnjë gjë s’më lumturon më shumë sesa të qenit në gjirin tuaj, qoftë dhe vetëm si admiruese e letërsisë së mirë.
Dhe së dyti, jam nënë dhe lumturia e nënës është e lidhur drejtpërdrejt me atë të fëmijëve. Por dhe të mundesh të lumturosh dikë tjetër sadopak është ritual që pasuron përditshmërinë.

12- Çfarë duhet të keni në jetë?Çfarë nuk duhet të keni në jetë?

-Aq sa mjafton për një përditshmëri të qetë. Të panevojshmet s’nevojiten.
Por duhet edhe pak egoizëm, pasi shpeshherë respekti dhe edukata kanë filluar të merren si dobësi. Nganjëherë shenjat e pikësimit bëjnë diferencën…!

13- A ju pëlqen puna juaj? Çfarë do të zgjidhnit të bënit nëse do të mundnit?

-Po, më pëlqen, ndonëse nganjëherë më lodh shumë, por pa të s’di të rroj. Jam me fat që kam një punë. Në do të mund të zgjidhja, do të interpretoja, lexoja, shkruaja, por dihet se ëndrrat janë lux për pak njerëz.

14- Çfarë raporti keni me botën letrare? A takoheni ndonjëherë me autorë të tjerë?

-Jo. Ndonëse kam respekt të jashtzakonshëm për të gjithë.
Nuk njoh askënd personalisht, përveçse përmes leximit, dhe kurrë s’kam takuar askënd pasi puna që bëj më “vjedh” shumë kohë dhe kohën që më tepron preferoj ta ndaj me familjen; familjarët e mi kanë nevojë për mua dhe unë për ta.

15- Shpeshherë në poezitë apo tregimet tuaja prekni tema të dobishme për shoqërinë që largohet gjithmonë e më shumë nga një regullore e heshtur siç është një etikë e mirë.
Mendon se poezia mund të shpëtojë botën kur tentoni të idealizoni dhe të propozoni të paarritshmen?

-Utopia nuk është diçka e paarritshme, por diçka që shpresojmë se do të realizohet me kalimin e kohës. Poeti flet jo vetëm për veten e tij, por për të gjithë, madje edhe kur jep ndjesinë e thellimit në sekretin më të thellë të ndërgjegjes së tij.
E dua dhe respektoj maksimalisht letërsinë e mençur, të dobishmen,
me kusht që njeriu të jetë i vërtetë e të përpiqet t’i ngjajë fjalëve që thotë.
Për sa kohë që vështrimi i butë të prekë zemrat, indiferenca nuk do të fitojë kurrë.

-Disa poezi nga poetja;
Rudina Muharremi Beja-

1-FJALËT

Fjalët,
si melodi e shpirtit
udhëtojnë brenda vetes
depërtojnë ngurtësisë së zemrave,
e si lumenj vraparak
trazojnë mendimet
në ndjesi drithërimash,
binarët e rrëmujshëm të kapilarëve,
ndërsa nganjëherë,
zhuritur etjes…
bien honit të errët
ku mjegullat pëlhura endin
e fshehin stigma të moçme
që kaherë gërvishtin me jehonën e hekurt…!

2- GJËRAT E RRALLA

Në fund
të mëdhenjtë mbetën të mëdhenj,
të vegjlit – njëlloj!

U thelluan humnerat,
avionët – krahët thyen,
direkë anijesh thërrmuan stuhitë,
u trembën dallëndyshet…
Lavdia udhëtoi mbi shputa ere
pajtonëve imagjinarë,
ndërsa gjërat e rralla arna qepën bërrylave
e mbetën ashtu si një far,
nën vetullën e hënës!

3- FANITJE

Gjithçka përreth merrte formë pengesash…
Gji të lashtash,
Grami shtrinte rrënjë e gjethe,
Shtatin zgjatnin silueta të varfra
me mistere të vockla,
ngutnin frymët e ankthshme
e ngjethshëm zhvendosnin re.
Errnin praninë e kahershme të një rrezeje…

Fëshfëritën mendimet më të heshtura,
Tërsëlliu porta
që hijet tollovitëse në rritje la jashtë,
E feksjes së agut, shkëlqeu më shumë…!

4- SHKALLËT

Unë nuk mund t’i kapërdij të djeshmet, pa zbritur më parë nëpër ato shkallë,
thërrimet pa ua mbledhur të gjitha melankolive,
notat të tëra melodive,
dhimbjet pa i bërë edhe një herë gërshet,
pa u arratisur edhe një herë heshtjeve të bekuara,
rebusit të mijëra labirinteve,
e thepajave të lodhura darovitjes së reve
që me vete, sjellin përherë rrufe…

Më pas mund të ngjitem shkallëve të shpirtit,
të fluturoj sërish lartësive,
atje ku korbat dot nuk venë
qiejve të kaltër,
dhe me fije shprese në sqep, e me të sotmet,
mbi pemën e së ardhmes të ndërtoj folenë…

5- NGANJËHERË

Ndoshta ti je një mendim i parrëfyer
apo një regëtimë që trazon
kur troket dritares vetmitare
mbrëmjeve të ftohta

Nganjëherë më ngjan me një zbulim të ri
ardhur karvanëve që shkojnë,
e nganjëherë si një diell i fshehur
mjegullave që verbojnë…

Nganjëherë zbret me hapin e ngadaltë
qytetit rënë në letargji
ndërsa nganjëherë vjen si një mungesë
që asgjë s’është tjetër veçse prani..