Site icon Gazeta Nacional Albania

Istref Haxhillari: Librazhdi dhe arti që buron nga shpirti i një gruaje krijuese

 

BARDHA ALIMETA, ZONJA QË I JEP ZË DHE NGJYRË QYTETIT TË SAJ

“Poete, prozatore, piktore dhe aktiviste kulturore, Bardha Alimeta ka kthyer Librazhdin në një vatër të gjallë arti, duke promovuar krijimtarinë e saj dhe të artistëve nga mbarë Shqipëria”.

 

 

Bardha Alimeta, me pesë vëllime në poezi e prozë, ekspozita pikture në disa qytete, nismat letrare dhe artistike në qytetin e saj, Bardha Alimeta rreket të çajë vragën e artistëve të mëdhenj librazhdas Koçi Petriti e Sherif Merdani, muzikantëve dhe valltarëve me emër që jetuan, punuan dhe u frymëzuan në këtë qytet. Librazhdi, qyteti i vogël i krijuar nga komunizmi në mes të shekullit të kaluar, të bën për vete me pastërtinë shembullore, qetësinë, gjelbërimin, veshjet e modës së djemve e vajzave shëtitjeve në të vetmin bulevard buzë Shkumbinit që nuk u linin e nuk u lënë gjë mangët atyre të Tiranës dhe Elbasanit. Falë kësaj gruaje me vullnet të hekurt ky qytet është kampion i jetës së gjallë artistike. Prej kohësh e ka kthyer Librazhdin e saj në qendër prezantuese të artistëve e shkrimtarëve nga e gjithë Shqipëria, veprimtarive cilësore që ngelen gjatë në memorie. Vargjet dhe tregimet e saj kanë gumëzhimën e Shkumbinit të ëmbël në verë e të frikshme në dimër, fëshfërimën e gjetheve të rrapeve shekullore, karakterin e banorëve të qytetit, historinë e trevës ku gjallojnë sot e kësaj dite toponime të tilla si Sofra e Skënderbeut, apo fshatrat si Snosmi që bënë histori në luftën e dytë botërore. Përtej problematikës së zgjedhur, apo formës, poezitë mbeten në kujtesë për ndjesinë që krijojnë dhe mesazhin gjithë kohor që përcjellin. Ato janë natyra e personalizuar prej syrit të saj, e shkuara dhe e sotmja, familja, miqtë, vendlindja, njeriu që, edhe pse fare i zakontë, rrezaton mendim. Hera-herës të krijohet përshtypja se vargjet i ke ditur qysh më parë, poetja vetëm sa t’i sjell në kujtesë. Në tregime zonja Alimeta cek elemente të fshehura prapa detajesh të parrokshme nga vëzhguesi i rëndomtë. Në librat me poezi e prozë shpalos historinë e vjetër dhe të re të qytetit të saj. Histori korrekte, e paretushuar, mbresëlënëse. Teksa trokasin mbi lëvozhgën e ashpër të kohës, që ikën shpejt, si pa kuptuar, arti i Bardha Alimetës të shtyn ta duash jetën, ta shijosh gjer në pikën e fundi, të kapesh me thonj e dhëmbë pas çdo çasti. Në çdo kohë e moshë. Dhimbja vjen e freskët, me ngjyresa të llojllojshme, tingëllima të spikatura. Kujtimet për ata që s’janë më, shoqet e hershme të fëmijërisë, rrugët ku ka baritur dhe njerëzit që ka njohur, mbushin me prush të përshkënditur vargun e tjerrë me stil dhe elegancë. E veçanta e saj është thjeshtësia. Poezitë dhe tregimet lexohen me një frymë, kuptohen shpejt, lënë mbresa që nuk shlyhen lehtë. Frymëzimi i saj, ashtu si i paraardhësve të mëdhenj, është Librazhdi dhe rrethinat, njerëzit e thjeshtë si dikur fqinja e famshme e Sherif Merdanit, banorët paqësorë, dashuritë e fshehta, përçapjet e mundimshme të njerëzve për të mbijetuar në një qytet me mungesa të mëdha. Pikturat e saj shquhen për lojën e ngjyrave dhe dritëhijeve, ato sjellin hijeshinë e gjetheve të pemëve tek bëjnë dashuri me diellin e shiun, ajrin e kristaltë të qytetit, zhaurimën e lumit, qetësinë çlodhëse të qytetit. Figuracioni i rastësishëm, ndjenjat e buta plot finesë, nën thënia e brishtë e grup fjalëve apo vargjeve plotësojnë opusin poetik të zonjës Alimeta, që vjen para lexuesit poete dhe psikologe, mësuese dhe filozofe, adhuruese e natyrës dhe ndjesive njerëzore. Ajo synon ta bëjë më të banueshëm jetën në qytetin e saj, ta bëjë më të bukur shpirtin e njerëzve, duke i mëkuar me artin e vet dhe krijuesve të spikatur në rang kombëtar. Ajo është një drejtuese e palodhur dhe përfaqëson me dinjitet qytetin e saj . Vendosja nga institucionet në krye te institucionit që ajo drejton ka treguar më së miri se kur punës i gjen njeriun e duhur gjërat janë të prekshme e të realizueshme! Ajo ka hapur dyert bashkëpunimit me të gjithë artistët vendas dhe të huaj me bardhësinë e shpirtit që e karakterizon! Kjo është Bardha Alimeta, zonjë e artit. Ajo ka bashkepunuar me artistet edhe ne qytetet tjera. Ditët e para të korrikut qe shkoi, Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci” organizoi në Odeonin e qytetit të Pogradecit takim njohës me zonjën Bardha Alimeta. Dhjetëra qytetarë, dashamirës të artit, poetë, shkrimtarë, piktorë pogradecarë dhe të ardhur për pushime në këto ditë të nxehtë korriku, shijuan artin kompleks të mikes nga Librazhdi. Poete, prozatore, piktore, ambasadore e paqes, aktiviste e shoqërisë civile, posaçërisht të drejtat e grave, mike e poetëve dhe shkrimtarëve më në zë të vendit.

 

Exit mobile version