Gazeta Nacional Albania

Izet Duraku: POETI I LIRISE HAVZI NELA

Ë
Në 7 fletore me shkrim të imtë, por të kuptueshëm, përmblidhet vepra e plotë e poetit martir Havzi Nela. Në këtë libër janë përfshirë pa ndryshime 5500 vargjet e ruajtura dhe disa shënime të tij në lidhje me kohën, vendin dhe mënyrën e krijimit. Poezitë e krijuara në burgje, përmes vëllait të tij arritën të dilnin nga burgu në vitin 1983, kur Havziu vuante dënimin në Qaf – Bari, Pukë dhe në fundvitin 1987, kur ai ndodhej i internuar në Arrën të Kukësit. Poezitë janë ruajtur duke i mbjellë në oborrin e shtëpisë në rrënjët e një molle. Bekuar qoftë ajo dorë që i ruajti! Poezitë e Havziut janë shenjtëruar nga triumfi i familjes shqiptare që i mbijetoi ferrit të tjetërsimit komunist, në themel të të cilit lartësohej urrejtja, mohimi e vëllavrasja.
Në ndryshim prej disa martirëve të tjerë të fjalës së lirë si Vilson Blloshmi, Genc Leka e Trifon Xhagjika, poezitë e të cilëve janë ruajtur në arkivat e regjimit si prova të “krimit”, poezitë e Havziut janë ruajtur nga dashuria sublime vëllazërore.
Havziu ua dinte vlerën poezive të veta. Ai e dinte çfarë mund të ndodhte po të binin ato në duar të veglave të regjimit. Ai ishte i përgjegjshëm për pasojat që mund të kishte ai dhe të afërmit e tij. Ndaj porosiste atë që do t’i nxirrte jashtë burgut dhe që “nuk dinte se kush do t’i nxirrte”, t’i mbante vjershat sa më larg vetes. Nuk do të kishte kurrë shtrat Prokusti për poezinë e tij. Ajo qe krijuar për ta hedhur në erë tiranin dhe tiraninë bashkë me shtratin e saj të Prokustit.
Në 20 vjet të burgimit të rëndë ai u mbijetoi mundimeve të birucave e galerive në Spaç, Qafë Bari, Burrel, Rrëshen e Ballsh. Ishte i vetëdijshëm se nata e tiranisë do të merrte fund së shpejti, ndonëse nuk arriti ta shihte, sepse e ekzekutuan si në Mesjetë me varje në litar më 10 gusht 1988 tek agjencia e udhëtarëve të qytetit të Kukësit, për të gjunjëzuar e tmerruar banorët e tij.
Prej vitit 1991, kur ridolën në dritë, poezitë e tij të zgjedhura u botuan disa herë, çka mundësoi njohjen dhe studimin e veprës së tij.
Ky është botimi i parë i plotë i veprës poetike të Havzi Nelës që botohet në 30 vjetorin e ekzekutimit të tij.
Përmes shënimeve, që shoqërojnë poezitë e tij mësojmë se poeti shpresonte tu kthehej poezive të veta, të cilat ishin hedhur nxitimthi në fletore duke i nxjerrë nga burgu i mendjes, ku i ruante me zor prej bjerrjes dhe harresës.
Qelitë e burgut janë larg prej kullës së fildishtë, ku mbyllur prej përditshmërisë së zhurmshme, poeti do të kishte mundësinë e përsosjes së shprehjes së vet poetike. Në ferr mungon qielli dhe pemët me këngë e fluturime zogjsh. Terri dhe vetmia mbytëse mes ngricash, urisë e torturash cfilitëse, u krijuan për të shkallmuar ekzistencën njërëzore, për të shfarosur ëndrrat e shpresat e njeriut të burgosur. A mund të krijohet në terr, pa shtrojë e mbulojë, pa tesha në trup, pa laps e pa letër? Mëngjesi erdhi, por a do të vinte darka?! Me ditë e muaj xhelatët ndiqnin reagimin e presë së tyre të mbyllur në qeli. E shihnin gjithnjë e më të mpakur në shtat, më të rrëgjuar e mpirë. Fërkonin duart: e pat edhe ky, i lau duart me jetën!
Vërtetë poeti po plakej para kohe. Flokët po i zbardheshin dhe vrullet e nxehta djaloshare po ftoheshin. Po ngricat e dimrit mbetën në pamjen e jashtme. Thellë në shpirt po mbruhej llava përvëluese e vullkanit të tij poetik. Nëse At Zef Pëllumbit zoti i dha jetë ta shkruante veprën e tij të jashtëzakonshme “Rrno për me tregue” në liri pas vitit 1991, Havzi Nela ia doli ta nxjerrë nga burgu dëshminë e tij të pashembullt poetike. Një dëshmi e krahasueshme për nga vlerat me poezinë e Arshi Pipës, por, në ndryshim prej saj, arriti të krijohej dhe të shkruhej për burgun brenda qelive të burgut.
Hapsanet otomane të regjimit i kishin shpallë luftë shkrimit të fjalës shqipe. Në këtë aspekt burgu ishte një rikthim në kohët kur njerëzit nuk njihnin magjinë e komunikimit përmes shkrimit. Zeusi i kuq donte të digjte fillimisht prometejtë e fjalës së lirë. Edhe letrat familjare hallakateshin, kontrolloheshin e çensuroheshin.
Po Havziu gjeti strehë tek mekanizmi i krijimtarisë popullore. Fati deshi të ishte njohës i mirë i kësaj krijimtarie, bartës dhe interpretues i shkëlqyer i saj. Këngët e tij, tashmë pa zë, i përpunoi me vete në mendjen e tij, përmes përsëritjesh të panumërta. Siç shkruan dhe vetë në çastet e hedhjes së poezive në fletore, çaste të rralla takimesh me familjarë, poezitë e tij “kanë qëndrue në tru dhe duke i përsërit me vetvete, kam mund me i ruejt në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave.” Kjo mënyrë krijimi do ta ndiqte Havziun edhe kur e internuan në Arrën. Fletorja e Arrnit është fletorja e fundit me më pak vargje se fletoret e tjera, por që shënojnë cakun e fundit të veprës dhe një lartësi më shumë në përsosjen e realizimit të tij poetik.
“Këto 4 vjersha i kam nxjerrë gjatë ditës në punë dhe duke ecë rrugës, pa përdor laps e letër dhe duke i hartue e mësue përmendsh.”
Poezitë e Havzi Nelës janë bërë objekt studimi të shumë shkrimtarëve e studjuesve. Botimi i veprës së tij të plotë do të ndihmojë për të gjykuar më drejt për përmasat, tematikën dhe vlerat e shumta të saj. Havziu ëndërronte të merrej vetë me veprën e tij. Shkrimi në fletore në kushtet e burgut për të ishte një mision shpëtimi. Është fatlume dita kur ata dolën përtej rrethojës me tela e gjemba. Megjithatë shkrimin e tyre e konsideron një punë të papërfunduar plotësisht.
“Në këtë punë jam nisë ma tepër t’i hedh si material bruto dhe nuk kam pasë parasysh as anën gjuhësore. Gjuhën letrare nuk e kam zbatue, herë tosknisht e ma shumë gegnisht, nuk kam pasë parasysh as anën ortografike dhe shenjat e pikëzimit etj. Shkurt due që ta shpëtoj si material, se do të përpiqem, po mendoj me i nxjerrë jashtë se u lodha së mbajtuni në mendje. Gjithashtu dhe titulli dhe ndarja në pjesë asht jo ashtu si i mendoj unë të bëhen. Këtë punë ja la të ardhmes, po qe se dalë vetë i gjallë prej këtu.”
Haziu, siç e dimë, për shkak të ekzekutimit të tij, nuk pati mundësi të merrej me veprën e vet poetike. Midis 18 nëntorit 1987, kur ai shkroi 4 poezitë e fundit “me zor, pa dritë e nëpër tym” dhe 10 gushtit 1988 kur e varën në litar, ai do të ketës shestuar në mendje edhe vargje të tjera për jetën që po e mbyllte me dinjitet si një apostull i lirisë. Por ato i mori me vete në botën e pasosur. Ketëj na la këto fletore që po botohen sot të plota. Vetëm ai mund t’i prekte, t’i ndryshonte ashtu siç edhe ka dashur.
Mendoj se redaktimi i tyre, sado me profesionalizëm e dashuri të bëhej, thjesht bëhet i pamundur, sepse do të duhej edhe miratimi i autorit. Mund të shmangeshin edhe disa përsëritje, por u gjykua të lihej gjithçka, ashtu si e la autori, një amanet për vëllain e tij, i cili guxoi që t’i ruante.
Lexuesit do të dinë ta vlerësojnë dhe admirojnë veprën poetike të Hazi Nelës, që, me shpirtin e vet të paepur, ka nderuar letrat shqipe.