Gazeta Nacional Albania

JAK PËRPALI: BALADË PËR VENDLINDJEN, POEMË

Shtëpia me çati në të rënë, me mure të lëmyshkur
Qeni me plogëti pleqërie ecën haprëndë, trishtor drejt porte
I shurdhër, hapat e mi nuk i dëgjon të afrohen,
por më ndien, kthehet e më vështron, vagullor tjetërbote.

Nëntë vite janë ndërruar stinët, nëntë borëra mbi çati.
Në Tiranë, Venecia, Paris, këtu veç sot kam ardhë,
Në parqe të vyshkura me puthje vajzash të shrydhura.
Ti i thinjur, i ndritshëm, symjegullt, qafëbardhë.

Mendoja se të kishin shqyer ujqërit me uri dimërore
Dhe kockat të ndritnin netëve ndanë ferrash në fosfor,
Po, ti shkon ngadalë, përkundur, menduar, mbretëror,
Vetmitar, i heshtur mbi barin e rritur në oborr.

* * *
Kur më përcolle të trishtuar, te kodra ndanë gështenjave
Nuk e besova të më prisje, sa të shiheshim prap.
Mbrapa kisha lënë kaq gjëra të shtrenjta, në heshtje…
Tani më vjen përballë, i rëndë, i lodhur, me tjetër hap.

Jam ndalur… Nuk mund të bëj hap tjetër përpara,
Jo… Nuk jam Jaku që njohe dikur këtyre anëve.
Vështrimet e tua më prekin thekshëm zemrën e munduar,
Lodhur në zhurmërinë e ndotur, në pellgje mjerane.

Ti kthen e ndalesh …Hapdridhur nisesh drejt meje
Afrohem ngadalë dhe të flas, i penduar për harresën
Putrat e tua më ngjiten në gjoksin që gufon përmallje,
Më jep kokën, duke ma falur largimin dhe vonesën.

* * *
Fytyrën e rrudhur të qenit e shkoj nëpër duar, përkëdhelur
Vyshkur në vetminë e rojës besnike, ngarkuar me vuajtje
Me shenjat e thella të mbetura nga plagët nëpër vite,
Netëve, në përpjekje me lukunitë tinëzare të ujqërve.

Duarve më ngjitet ajo gjuhë e kuqërremtë në të shuar,
Më dridhet zemra, ndiej të shkundem, të rrënqethem
Është e pamundur të mos jem i tunduar këto çaste
Viteve që shkuan, shkujdesur, gjerë në skuta iu kthehem.

Porta me kryqin e gdhendur në krye, treqind vjet më parë
Dera prej druri pishe, nga mali i artë i Kakisë epike
Doreza e bronxtë, e blerë në Shkodrën e lashtë të Rozafës,
Në dyqanin e dikurshëm Venecian, me mallra antike.

Gjithçka është tjetërbotë, nga dita kur e mbylla këtë portë.
Dega e qershisë është rritur dhe ka hapur dritaren
Miku im në Angli, i vetëm kërkon … Shekspirin dhe Dajanën
Mbi karrige ka lënë të pikëlluar, këngën, këmishën dhe kitarën.

Murit ecën një hardhucë, bishtkëputur, shtatzënë
E rrezitur nga dielli i butë, i rralluar i fundditës
Afrohem te porta gojëkyqur, por s’mundem ta hap
Mbështetem ndanë saj dhe tkurrem prej dhimbjes.

Shtrij duart dhe prek përmallshëm çukave nëpër mure
Ndiej ledhatimet që mora në prehrin e gjyshes përrallore
Qaj… po lotët nuk m’i zbrazin dallgët që zhurmojnë
Vishem trupit me avuj të brymtë dhe mjellnajë dëbore.

* * *

Kthej hapat dhe shkoj rrugëpërroit mes plepash, te kroi
Veç koha, askush s’ka vënë dorë kërkund, mbi asgjë
Një mik fëmijërie që e përcollëm në varret e blirëve
Është ngritur dhe, ndanë kroit, i mbështetur po fle.

Një dorë i shket flladshëm përmbi kokën e brejtur
Patjetër prej larg ka ardhur vajzërore, një grua,
E kujtoj…Dikur u deshën me dhimbje ëndërrore,
Fati i ndau ligësisht… Ajo, një ditë diku larg u martua.

Mbush grushtet me ujë dhe njomë fytyrën e tretur
Kthej sytë dhe shoh kudo; lëndina, pemë, zogj dhe gurë,
Kakinë e Nikajve që agimet e bëjnë të perëndishme
Dhe majat që hedhin hije të kaltra mbi Mërtur.

Ujqërit, delet, lopët, dhe arat me misër të bardhë
Lumin, ikjet, varret, shtëpitë, rrugët mbuluar me bar
Këngët e vala të dasmave, plagët, vuajtjet e pashkruara,
Dashuritë, ndarjet, fyejt e mbrëmjeve… dëborën e parë.

Flladet me gumëzhimën e bletëve dhe aromën e mjaltit
Mullizezat, thëllënxat, gushkuqët dhe lulet e pafundme
Zhurmërinë dhe dallgët e lumenjve me ritëm stinor
Mbishkrimet e emrave tanë, rritur në lëkurën e drurëve.

Bulkthin e mbrëmjeve, lorzat, lajthitë nëpër xhepa,
Gështenjat, arrat, ketrat, nuselalat, dhelprat dhe shqipet,
Korbat, trumcakët, skifterët, muzgjet dhe zërat që bredhin
Në kërkim të kohës së shkuar dhe në ardhmëri të ditëve.

* * *

Oxhaqet e ndezura mbrëmjeve të ftohta, plakun me llullë
Epikën e Mujit dhe të Halilit që flenë në Lugjet e Verdha,
Vargjet që ia kushtova një vajze e nuk ia dhashë kurrë,
Breshrin veror që thyen degët e pyjeve me bredha.

Manaferrat që njomin bojëgjaku gishtërinjtë e fëmijëve,
Xixëllonjat, që i ndillnin nëpër net të bridhnin rrugëve,
Dhe nënat që i prisnin të heshtura në pragjet e shtëpive
Tunduar nga hëna, që tinëz burrave i puthte buzëve .

Blegërimat, këmborët, barinjtë, aedët që prehen në tokë
Ortiqet, arinjtë, vrapin e dhive të egra përmbi thepa
Omerin e ringjallur, vajet, shpirtrat, dragonjtë, shtrigat
O zot!… Sa kujtime kam, dhe sa shpejt shkon e shuhet jeta.

Ato vajza që nuk i pashë kërkund, pas dashurive të para
Dhe vajzat e tjera që shfaqen nëna, dikund në të rrallë
Flladet që zbresin midis pyjesh nëpër fshatra të heshtura
Dhe kërkojnë ëndërrimtarët, që dikur ishin gjallë.

* * *

Në shpellën gjigante që gdhendi natyra në gjinjtë e maleve
Ndihet jehona e këmborëve të vijë nga ditët e dikurshme,
Blegërimat si vaje rrënqethin luginat dhe shkundin pyjet.
Zemra ime vuan, dridhet, përplaset e tkurret midis gurëve.

Një boranë e ngrirë, mbuluar vit për vit me dëborëra të tjera,
Njëmijë vite kanë shkuar pa mundur të shkrijë e gjitha,
Pikon gjakun e zemrës çdo verë që vjen me dhembshuri,
Tkurret e ngrirë sërish, dhe fle e heshtur nëpër dimra.

Shoh fshatin e epërm; shtëpitë gurgdhendur, murëshkruar
Mbuluar me dërrasa, brenjtur nga shirat me gjuhën e lashtë
Një herë më ke pritur në breg të këtij lumi… Besoj e kujton?
Dhe bregut të tij u ngjitëm duke lodruar …Qenë Pashkë.

Qëndrova te Kisha dhe të pyeta për kambanën e heshtur
Për gruan që thoshin:”Qe symagji, me flokët ngjyrëbakër“
Për malin që u tregonte barinjve orën e pushimit të drekës,
Kur delet mblidheshin përtypur, nën mrizat hijekaltër.

* * *
Në katarakte këputet lumi, vallëzojnë troftat me pika të kuqe
Në pusterret hijezuar me gjethnajën e dendur të drurëve,
Shkuma lulebardhë në krye, më kujton qumështin e thithur
Kur qengjave iu shket e vakët, butësisht, anëbuzëve.

Tufnaja e shpezëve vallëzon përmbi vrunduj ere të njomë
Ndërsa dëgjoj një gruaqyqe të vajtojë në degët e mrizit
Në kërkim të djalit të vetëm flokëverdhë, syshkruar, truphollë
Që humbi ditën e kryqëzimit të dhimbshëm të Jezu Krishtit.

Në këtë shterim ikjesh, kullat ngrejnë krye mendueshëm
Oxhaqet pa tym do shemben nëpër borëra të tjera të rënda,
Ndërsa nga malet zbresin zanat me lot dhe me vaje hyjnore
Kërkojnë dikënd, por vetëm hijet bredhin, shtëpive brenda.

Po kthehem… Ndoshta sërish vijnë vajzat e dikurshme
Dhe më japin qumësht nga shpirti i çiltër, secila me radhë
Me kokën mbështetur në gjinjtë e tyre lulebardhë, të ndritshëm
Grua, nuk e gjej rrugën për tek Ti, prap për të ardhë!

* * *

Në muranat që lëshojnë klithmat e eposit gjumërëndë
Poetët kanë ngulur vështrimet, menduar dikund thellë
Drithëruar mbi kohërat që po shuhen ikjeve pa kthim
Si dhëmbët gjarpërorë, çdo rrëkezë kënge që shteron, iu therë.

Rapsodi zeshkan, filizi i fundmë i lahutës së lashtë,
Me shallin e lidhur si lulekulpër mbi rrudhat e thella të ballit,
Ndihet të vijë luginave të lumenjëve me dritë hënë e diell
Eposi e ka ngritur të këndojë sërish, mbi dherat e varrit.

Kërkoj bariun e rrëzuar me një tufëz lulebari ndër duar
Që vallëzon dhimbje në pusin e kaltër të mbushur, ujëbore.
Qershitë mbi kodrinë që piqen buzëgjake, fillimvere
Gojfilat flokëbuta, që rriten në të carat e vogla shkëmbore.

* * *
Si ndodhi kështu, kaq befas…të gjithë ikët radhë-radhë
Shpërndarë pambledhshëm si zogjtë e uritur të korbit
E kurrsesi nuk do mundem t’iu takoj prapë si dikur,
Por zogjtë e mi, do këndojnë për ju udhëve të Globit.

Kjo është jeta që ndanë dashuritë, të vdekurit dhe të gjallët,
Nënat, fëmijët, gratë, djemtë, ata që dashuruan marrëzisht.
Këmbët tona nuk shkelin sërisht në të njëjtat gjurmë
Dhe shpesh fati na prin dikund, pa pyetur, çuditërisht.

* * *
Shkëlzeni majebardhë më rrënqeth, më lëshon në gjunjë
Maja e hekurave, ankorim i anijeve kur bota qe ndryshe,
Andej thonë se bredh një poet qysh me Homerin
Dehur livadheve lulenjoma, me verëkuqe boronice.

Dikush thotë e kanë parë të puthte me dhimbje Ajkunën,
Të tjerë thonë e kanë parë të puthte me etje një mulate,
Po, vetë e kam parë një herë të shkojë duke folur me duar,
Mbi Shkëlzenin hënor, në orët e vona të një nate.

Imazhi zbret mbi një kaproll, nëpër shpatet subalpine,
Mbledh lule të ylberta mbi flokët e ujëvarave të Valbonës
Mbi krahët e një kënge, i nisë për në qiellin e zogjve
Dhe në sytë e një vajze, shoh gjithë viset e Tropojës.

Ndoshta ajo botë hyjnore që lashë prapa me fëmijërinë,
Me legjendat dhe këngët e vjetra, që pushojnë në çdo skaj
Vjen si ujërat pranverore dhe shpirtit më regëtin,
E buzëqeshjen ma përlot, një fllad me lulemaji.