Gazeta Nacional Albania

JETA SFIDË PRANË VDEKJES. Tregim nga Liri BELE

 

Stina e pranverës fillesën e ka ditën e parë të muajit mars, e cila  pothuajse çdo vit pritet me padurim, sepse, në ndryshim nga ditët e mëparshme treguese të fazës përfundimtare të stinëve të ftohta  shoqëruar me lagështi apo reshje shiu e dëbore, data 1 prezantohet si një ditë e bukur, e ngrohtë, mbushur me gjallëri, premtuese për ngjarje të këndshme, të cilat nuk kishin mundur të plotësoheshin deri disa orë para se ajo të agonte…

Mikpritja për ardhjen e ditës së shënuar prezantohet në mënyrë paralajmëruese nga veroret, të cilat vendosen rreth kyçit të dorës së djathtë në sektorin e fillimit të parakrahut. Ato janë lidhëse fijesh të holla disangjyrëshe, të gërshetuara me kujdes midis tyre, njohur dhe pranuar si vijimësi e një riti të hershëm në shekuj. Verorja nënkupton një shpresë të natyrshme të të qëndruarit në pritje të mirësive dhe gëzimeve të munguara ditëve të mëparshme për shumicën e njerëzve.

Shoferi Xhemal, 64-vjeçar, pikërisht më 1 marsin e vitit 2012, përjetoi ditën më fatkeqe përgjatë gjithë viteve të jetës së tij, teksa u aksidentua papritur në njërën nga rrugët perferike të qytetit, jo larg shtëpisë.

Ja si ndodhi episodi fatal: Si përherë, Xhemali, tepër i vëmendshëm dhe shikim të përqendruar para, drejtonte mjetin e vet orëve të mëngjesit asaj dite të njohur si fillim pranvere, teksa po kthehej i vetëm nga Tirana për në shtëpi, pasi dita e kaluar e stërlodhshme u zëvendësua nga nata me po të njëjtën mbingarkesë emocionale, fizike dhe shtesa e saj e vetme ishte pamundësia të dremiste apo të shtrihej për të fjetur disa minuta. Shpejtonte të mbërrinte sa më parë, sepse, i ndërgjegjësuar, po bindej që energjitë personale të të gjitha llojeve po arrinin fundin. Shprehur thjesht, Xhemali nuk e kishte respektuar rregulloren e ruajtjes së parametrave personale shëndetësore, sikurse kodin rrugor që njihte dhe zbatonte në mënyrë perfekte. A mos vallë kjo drejtohej nga një komandë e brendshme e instaluar brenda trurit të tij prej 44 vitesh?

Pa mundur ta kuptonte as vetë, pikësynimi i arritjes sa më shpejt në shtëpi po e detyronte të vepronte me shpejtësi të fiksuar në numër  kilometrash, ekzakt në kufirin e sipërm të shpejtësisë makimale të lejuar. A nuk ishte çasti i duhur për Xhemalin, që, si mijëra herë të tjera të tregonte zhdërvjelltësi në përshtatjen e kilometrave të shpejtësisë, sikurse mijëra herë të tjera? Brenda një periudhe disasekondëshe nuk po mundej ta qartësonte pyetjen që mbetej si njëra nga parametrat udhërrëfyese të punës së tij.

Në një moment, pa mundur ta kuptonte  të parandalonte rrjedhjen e kohës së shoqëruar me pasoja të hidhura, Xhemali u gjend papritur në prag të vdekjes, gjë e paimagjinueshme, sepse ekzaktësisht përgjatë 44 viteve fare pranë timonit të makinës, duke e mbajtur  shtrënguar mes duarve, nuk kishte përjetuar diçka të ngjashme me atë episod të frikshëm, të cilit as mund t’i largohej apo t’i shmangej sadopak.

Në mënyrë absolute, kjo ndodhi ishte e beftë, natyrisht e paprezantuar apo paralajmëruar me më të

paktën shenjë sëmundjeje (gjë që ai sigurisht do ta kishte vlerësuar shkarazi, me apo pa vëmendjen e duhur). Puna si shofer i kishte mundësuar prezantim dhe njohje të mirëfilltë të pasojave fatale kur fatkeqësisht dikush kishte pësuar një aksident rrugor, ndaj të cilit shoferi mbante përgjegjësi të plotë apo të pjesshme, rezultati përfundimtar i të cilit faktohej me humbjen mizore të jetës njerëzore pas goditjes së egër e të vrullshme të drejtpërdrejtë apo situata kur mësonte që personi mbetej i gjymtuar.

Profili i punës së shoferit prej 44 vitesh nuk mund ta diferenconte njërën ditë nga tjetra. Jo rrallë disa prej tyre e tejkalonin masën përcaktuese si kufi të pragut për një mbingarkesë psikologjike e   fizike; dihet saktë që shoqëria njerëzore funksionon në mënyrë normale bazuar në respektim korrekt e të detyruar të ligjeve të paracaktuara, por nga ana tjetër nuk janë të pakët personat mospërfillës ndaj ligjeve, sikurse Xhemali…

Ditën e mëparshme ai, shumë më herët se dita të agonte, në profilin e punës së taksistit duhet të përmbushte kërkesën për të shoqëruar  pasagjerë deri në pikën kufitare të Kapshticës, të cilët do të vazhdonin udhëtimin drejt Selanikut, gjë e realizuar disa herë kur Xhemali e llogariste kohëzgjatjen vajtje-ardhje afërsisht 10 orë. Sapo u kthye dhe parkoi makinën, duke iu afruar portës së oborrit, i habitur njohu pranë saj familjarët e shokut të afërt Ali, të cilët, tejet të tronditur, e informuan se Aliu aktualisht ndodhej në spital në gjendje shëndetësore të rënduar pas një infarkti në zemër dhe po e transferonin urgjentisht me autoambulancë drejt Qendrës Spitalore në Tiranë, për një ndërhyrje kirurgjikale.

Koha ishte e kufizuar, sepse vëllezërit e të sëmurit tejet të  tensionuar prisnin rezultatin e ndërhyrjes kirurgjikale si një tregues premtues për jetën e vëllait të tyre dhe e kishin të domosdoshme të ishin pranë tij, pikërisht arsyeja e fortë që i detyronte të udhëtonin gjatë natës, duke i kërkuar ndihmë Xhemalit t’u siguronte mbërritjen në kryeqytet. Njëherazi ishin në dijeni për lëvizjen e tij deri në Kapshticë. Pra, pa humbur kohë, u nisën për në Tiranë në orën 1 të natës, natyrisht vetë shkaku i udhëtimit nuk mundësonte për shoferin as më të voglin çast çlodhjeje, kështu që Xhemali u rikthye në qytetin e vet paradite rreth orës 9, duke mos lënë pa përmendur faktin se po qëndronte me duart mbi timon, në të njëjtin pozicion afërsisht 28 orë (me gjithë kohën e një dite para Kapshticës, kur deri në Prizren shoqëroi katër të rinj studentë kosovarë, vizitorë të apasionuar në njohjen e vlerave të parkut të Apolonisë). Përgjatë gjithë viteve të punës në disa dekada, Xhemali nuk mbante mend të kishte refuzuar sikur një herë të vetme dhënien e ndihmës dikujt në situatë të vështirë kur ia kërkonin atë, pavarësisht kohës nëse ishte ditë apo natë, përgjatë vaktit të ngrënies i porsaulur në tavolinë apo në çastet fillestare të dremitjes i shtrirë në shtrat, pasi të ishte kthyer nga një rrugë e largët me një kohëzgjatje disaorëshe. Mos vallë në këtë praktikë pune në jetën e përditshme të kishte ndikuar edhe periudha e fillimit të ushtrimit të profesionit gjatë disa viteve si shofer autoambulance? E pranonte me kënaqësi.

Emocionet përgjatë kohës së pritjes së rezultatit për ndërhyrjen kirurgjikale në zemrën e Aliut u shumëfishuan, por fatmirësisht ishin pozitive dhe u gëzuan kur mësuan përfundimin e operacionit me rezultat premtues. E gjykoi të arsyeshme të kthehej sa më parë në shtëpi, për më tepër të qetësohej bashkëshortja File, e cila nuk mund të shtrihej për të fjetur pa qenë e sigurt se Xhemali do të kish vendosur të qetësohej të paktën disa orë. Nga ana tjetër edhe të dy djemtë, si të kishin një ndjesi të veçantë përcaktuese që mundësonte saktë vendndodhjen e të atit brenda shtëpisë, atëherë flinin të qetë. Pra, ai nisi rrugën e kthimit për në shtëpi tejet i lodhur për shkak të ngarkesës psikologjike dhe fizike, të cilat shkriheshin në një përmbajtje të vetme, teksa mbante pozicion korrekt përshtatur drejtimit të makinës. Mendoi të ndiqte rrugën më të shkurtër drejt shtëpisë së tij në njërën nga lagjet periferike të qytetit, ku, në rrugicën dytësore, fare pranë saj, prej disa muajsh, një kantier ndërtimi punonte për realizimin e një kompleksi tregtar madhështor dhe si fillim kishin përfunduar vetëm ndërtimin e mureve rrethuese prej betoni, të cilat ngushtonin hapësirën e rrugës ekzistuese duke vështirësuar kalimin.

Nuk njihte as edhe një kontroll mjekësor të vetëm për organizmin e tij, përveçse punën dhe vetëm punën. Në plotësimin e formularit për ekzaminimet e detyruara një herë në vit, gjente me zhdërvjelltësi mënyrën t’i shmangej, ose duke dërguar të vëllanë katër vjeç më të ri me një ngjashmëri pothuajse absolute, apo një shokun e tij me afërsi në pamje dhe të njëjtën pabarazi prezantonte ai me konstruktin e  Xhemalit:  njëra shpatull shumë më lart se tjetra; vallë demonstronte të drejtën e përkatësisë së mbajtjes së timonit në dorën e asaj ane? Papritmas, një moment errësimi i pamjes, shoqëruar me humbje të ekuilibrit dhe pa mundësi të drejtimit të mjetit, duart iu shkëputën nga rrethi metalik i timonit… Një situatë fatale për të, e paprovuar kurrë më parë dhe fare pranë humbjes së jetës, qoftë edhe për një pasagjer brenda taksisë apo një kalimtar të rastit në rrugë. Fatmirësisht nuk ishte asnjeri aty pranë në momentin kur timoni jashtë kontrollit i iku duarsh dhe brenda sekondash u realizua një përplasje e fuqishme me murin e gurtë të rrugës në anën e  djathtë. Konkluzioni i parë përcaktonte vetë shoferin si shkaktar të aksidentit (në terma mjekësore njihet një ngushtim ekstrem i kllapave të aortës).

Dihet në mënyrë të sigurt se deri në arritjen e këtij niveli ngushtimi ishte dashur një kohë prej disa dekadash derisa ai të përparonte  gradualisht dhe të arrinte në pikën kulminante të pamundësisë së furnizimit të trupit me gjak, konkretisht mungesë furnizimi i trurit, fakt që për Xhemalin takimet me mjekun ishin të rralla dhe ai nuk i ndalte pyetjet kur i krijohej mundësia, por më të rëndësishme ishin ato për parashikimet e aktivitetit të tij fizik në ditët e ardhshme.

– Më falni, ndofta po e teproj me pyetje, por unë si fillestar në njohjen e sëmundjes sime, aktualisht dhe e krahasuar me kohën e fillimit të saj, a do ishte më mirë pavarësisht kohës së vonë të njohjes me të, të mos kem frikë këtej e tutje për mënyrën e re të jetesës sime? Se, për të të qenë i sinqertë me ty doktor, unë jam pak i ndjeshëm ndaj bukurisë femërore, jo vetëm në këtë fazë të jetës sime kur po jetoj dekadën e shtatë, por qëndrimi im ka qenë përherë i njëjtë ndaj seksit femër mbasi… më shkaktohen përpëlitje të zemrës sapo e shoh së largu apo kur vjen të më kërkojë një shërbim në detyrën e taksistit, në situata të tjera kur femrat tërhiqen prej meje; pikërisht ato çaste më çorientojnë…

Në moment ndodhi e papritura. Gjithçka para syve të Xhemalit humbi ekzistencën kur makina u përplas në murin prej betoni, sigurisht pasojë e momentit të devijimit të mjetit, i cili nuk po njihte si përherë komandën e duarve dhe kthjelltësinë e mendjes së Xhemalit. Fatmirësisht ndodhej i vetëm brenda mjetit, pa asnjë pasagjer dhe pranë vendndodhjes së aksidentit nuk ndodheshin kalimtarë. Të parët që rastisën të ecnin në atë rrugë, në më të shpejtën kohë njoftuan repartin e urgjencës së qytetit. Pa vonesë dhe me përkushtim filluan mjekimin e shoferit Xhemal, tanimë një pacient me vetëdije plotësisht të humbur, në gjendje kome, tejet e rrezikshme sa i përket rezultatit përfundimtar të saj, që pothuajse në mënyrë të sigurt, çasteve fillestare të prezantimit nuk mund të parashikohet nëse personi mund të rikthehet në parametra normale jetësore pas daljes prej saj.

Xhemalin nuk po e shoqëronin familjarë dhe të afërm, sepse nuk kishin dijeni për ngjarjen, por kujdes për të po tregonin punonjësit e repartit te urgjencës, të cilët, pa humbur kohë, e transferuan në repartin e reanimacionit, duke mbajtur në monitorim dhe nën mjekimin përkatës. Rastësisht njëri nga infermierët e moshuar  në prag pensioni, teksa po shoqëronte dikë në reanimacion, njohu shoferin Xhemal, që kishte shërbyer si shofer i autoambulancës vite të shkuara. Ajo njohje e çastit tregoi vlerë, sepse u mundësua njoftimi i familjes së Xhemalit, e cila shpejt iu ndodh pranë.

Gjendja shëndetësore nisi të përmirësohej mbas ditës së katërt. Po dukeshin shenjat e para të qartësisë mendore, të cilat u prezantuan me tiparin e veçantë të natyrës së Xhemalit, prirjen drejt humorit midis të pranishmëve, nëse do të mund të krijohej më e pakta kohë e lirë e mundshme, se përherë ishte i angazhuar me punë. Vazhdonte të qëndronte në repartin e reanimacionit dhe papritur po ndiente një dhembje të paprovuar më parë në gjoks. Mjekja kardiologe u kujdes, pasi vlerësoi elektrokardiogramën dhe drejtonte mjekimin përkatës, pa u larguar; njëherazi udhëzonte infermieren të zbatonte terapinë në vazhdim, gjë që solli përmirësim të gjendjes. Megjithatë e gjykoi të mos largohej për ta ndjekur në dinamikë. Sapo Xhemali ishte qetësuar, gjeti çastin të bënte humor; mjekes  i tërhoqi vëmendje zëri i ulët, gati si një lutje prej tij:

– Të jam sinqerisht mirënjohës, zonja doktoreshë, për kujdesin e veçantë që po tregoni ndaj meje në formë ekipi! Ju qëndroni në krye, vetëm se diçka mungon dhe e pengon përmirësimin tim, andaj kam një kërkesë personale. A mund të qëndrojë pranë meje gjatë gjithë orëve të turnit ajo infermierja e re, bjonde, – dhe me gishtin tregues të dorës së djathtë shenjoi vajzën, – sepse ajo, sapo vendos tubin e serumit dhe kontrollon pikat e lëvizjes së tij, largohet shpejt, natyrisht për të mjekuar  dhe për t’u kujdesur për pacientë të tjerë.

Xhemali ndodhej në prag të vdekjes dhe dëshironte të kishte para syve një bukuri femërore, sepse kështu lehtësohej pesha e largimit nga jeta…

– Të më falni, e kuptoj se detyrën e mjekes së përkushtuar, sikurse ti po e tregon, infermierja, nuk mundet ta realizojë, por të lutem më ndihmo, ka një zgjidhje të shpejtë për këtë problem fare të thjeshtë: ti, dijenitë e tua profesionale jepja kësaj bukurosheje, me qëllim që ajo të m’i dhurojë mua drejtpërdrejt, por me një kusht të vetëm: ti të qëndrosh në fund të dhomës apo në korridor, se tani që ndodhem fare pranë fundit, e kam kuptuar se cila është mundësia më e madhe për të më ndihmuar me shpejtësi, pa as një kosto për ju; kur të më matet tensioni i gjakut, unë të shijoj soditjen e një fytyre të freskët, të mbaj shikimin në buzët e saj të fryra, si të ishin kokrra qershie të kuqe, të pjekura, edhe pse ato nuk arrijnë në buzët e mia. Ka largësi dy-tri pëllëmbë, por jam i bindur se do më ndihmojnë…

Mjekja u largua me qetësi, në respektim të gjendjes psikologjike të Xhemalit. Për më tepër, Filja qartësoi temperamentin e të shoqit, të prirë nga ndjenja e humorit.

 

*   *   *

Xhemali, përgjatë javës, përjetonte episode të përsëritura turbullimi mendor, aq sa kishte çaste kur nuk mund ta qartësonte pozicionin e tij  në shtratin e spitalit me perfuzione në të dy parakrahët, por, kur mund të ishte i lirë prej tyre, i ngrinte ato mbi nivelin e trupit, duke i shtrirë paksa pjerrtas dhe afronte gishtërinjtë drejt pëllëmbëve, një shembëlltyrë e shtrëngimit të rrethit të timonit  një kohë të gjatë. Pa e kuptuar qartë, Xhemali po shihte takimin e parë me Filen, për të cilën ndjenjat nuk mund të fshiheshin, edhe pse shumë shpejt hasi në kundërshtim të rreptë prej të atit, për arsye të ndasisë fetare. Ajo i përkiste besimit ortodoks (emrin Filloreta shpejt e ndryshoi në File, për të mos rënë në sy origjina e atij emir). Njëherazi midis tyre qëndronte një tjetër pengesë konkrete: ishte e shkolluar për mësuesi, ndërsa Xhemali, pasi mbaroi arsimin 7-vjeçar, u punësua në një ndërmarrje transporti si ndihmësmekanik në qytetin e tij për tre vjet (pikërisht koha kur i shihte mjetet dhe  pastronte me dëshirë, por në pamundësi të drejtonte ndonjërën)…

U regjistrua në kursin e shoferit, mbasi kishte moshën 18-vjeçare, përgjatë viteve të shërbimit ushtarak i mundësohej jo shpesh të punonte si shofer, gjë e cila ia fuqizoi ëndrrën për t’u bërë një ditë drejtues mjeti dhe pikërisht dëshira që i fuqizohej nga dita në ditë, u realizua jo pa mundime, kur iu besua në duart e tij kamioni, aq sa lumturia që përjetonte çasteve të para, bënte të mos i largohej buzëqeshja për gjithë ditën dhe ta shihte veten në lartësi qiellore…

Kështu, krijimi i familjes po ia kufizonte lumturinë e ëndërruar, sepse babai as mundi ta pranonte lidhjen e tij me Filen, as ta mbështeste në hapat e para me vështirësi ekonomike mbas shtimit të saj me dy fëmijë, por problemi më shqetësues për Xhemalin ishte qëndrimi i egër i Files ndaj pothuajse çdo veprimi; apo, sapo niste të shprehte mendime, kundërshtimi i gruas ishte i papërballueshëm. Dukej se ajo ngatërronte pozicionin e bashkëshortit me atë të një nxënësi çamarok që meritonte të dënohej për bisedën me shokun, teksa mësuese Filja shpjegonte dhe ai, nxënësi, duhej të qëndronte në këmbë pranë dërrasës së zezë. Jo rrallë përmendte faktin se ajo ishte një grua e arsimuar dhe meritonte drejtimin e familjes, duke e shprehur me ironi:

– Ty të mjafton të mbash në duar vetëm timonin e makinës!

Filja, grua koprrace, e egër dhe komanduese, që, sipas saj, fatkeqësisht zotëronte një hapësirë të kufizuar të përfaqësuar me klasën e katërt të fillores kur rastiste të bisedonte me Xhemalin, përherë për njohje të shpenzimeve ditore të tij, të tjera probleme nuk i interesonin asaj, sikurse njëra prej tyre, tepër argëtuese të cilën Xhemali pëlqente ta tregonte mes miqsh për humor:

“Po kthehesha në qytet përmes Lushnjës, si përherë, duke respektuar shpejtësinë e lejuar, kur më ndaloi një punonjës i policisë rrugore, duke më cilësuar shkelës të rregullores dhe me bllokun në njërën dorë e lapsin në tjetrën, po përpilonte fletën e pagesës në formë dënimi. Kur pyeti për identitetin tim dhe iu përgjigja se më thërrasin ‘Xhemal’, punonjësi e përsëriti dy-tri herë ngadalë në formë mërmëritje:

‘Si e ke emrin the, Xhemal? Pra, gërma ‘Xh’… Nuk po më kujtohet si shkruhet… Lëre fare për sot, largohu, se po ta fal gjobën”…

Për Xhemalin ky episod humori kishte vlerë shumë më tepër se pagesa e gjobës, por, sa i përkiste Files, ajo kishte interes vetëm për kursimin e atyre monedhave, pikërisht një tregues i ndasisë shpirtërore në familje.  Xhemalit pas pune i nevojitej një argëtim sado i pakët, për të cilin ai as që mund të ëndërronte, sepse gruaja në shtëpi, kur ai sapo ishte futur në dhomën e ndenjjes, fillonte ta pyeste me rreptësi se cilat kishte pasur ai pasagjere asaj dite, ishte fjala për femrat, kërkonte përshkrimin e pamjes së tyre dhe, kur e përfundonte këtë temë, kërkonte me insistim të mësonte se sa ishte fitimi përgjatë gjithë ditës, shuma që Xhemali dorëzonte dhe përputhej saktësisht, duke mos anashkaluar as pagesën e dy kafeve dhe dy shisheve me ujë. Pra, ku mund të gjendej për Xhemalin një tjetër kënd fare i vogël që të mund t’i siguronte një periudhë të shkurtër çlodhjeje? Askund.  Ai ishte i bindur se ndjenja e xhelozisë ndaj burrit përbën më të fortën, më të thellën vuajtje, më të egrën në përmasa të pamatshme, sidomos kur jeta e tyre bashkëshortore fillonte me një diferencë të dukshme në pamje, pikërisht një nga burimet e padukshme të saj.

Xhemali, në periudhën rinore, përgjatë asaj burrërore dhe kur filloi të  ecte përkrah meshkujve të moshës së tretë, prezantonte të njëjtin  mashkull me tipare të veçanta, në të cilat shkriheshin në një subjekt të vetëm forca burrërore, mirësia sapo buzëqeshte lehtas dhe harmonia e ngjyrave të errëta të flokëve të dendur që rrethonin në formë kurore ballin e lartë duke zbritur anash poshtë veshëve, vetullat e trasha, të dendura, që i lejonin sytë e ngjyrës së zezë të errët të prezantonin edhe më të lehtën shprehi të tyre. Harmonia që këto tipare me ngjyrë tërheqëse formonin me ngjyrën e natyrshme të lëkurës së tij ngjyrë çokollate si të kishte qëndruar gjithë verën në bregdet, tepër e lëmuar, pa më voglën rrudhë, tërhiqte vëmendje sidomos kur ishte në raste të rralla pranë Files, edhe pse ajo kishte bërë të pamundurën të pakësonte diferencën e pamjes me të, nuk ia dilte.

Në këto rrethana të vështira për cilindo burrë, Xhemali, saje karakterit  të tij të fortë ia dilte, por jo pa pasoja, më e dukshmja prej të cilave ishte mbyllja në vetvete edhe përkushtimi në punë. Në më të shumtën e rasteve të kohës së lirë komunikonte shkurtas me dy djemtë, që fatmirësisht tregonin sjellje korrekte, ishin të prirë ndaj mësimeve, duke arritur rezultate për të tanishmen dhe premtuese për të nesërmen, gjë të cilën Xhemali e vlerësonte si një dhuratë të çmuar; do të mund të gëzohej kur bijtë e tij të uleshin në auditore universiteti, si një nga pengjet më të hidhura të jetës së tij, që nuk mundi ta largonte.

Në njërën nga ditët kur Filja e tejkaloi me mënyrën e saj torturuese pyetëse (ai vazhdonte të ruante pa vetëdije buzëqeshjen edhe mbas kthimit në shtëpi), si të mund të kishte forcë misterioze depërtuese në ngjarjet ditore të burrit me të cilin nuk ishte parë prej 12 orësh, e pyeti pa dëshirën që ta pakësonte ironinë therëse:

– Duket qartazi që dita e sotme për ty ka qenë argëtuese, por se si më duket që ende vazhdon. Do të doja të ma përshkruaje pasagjeren simpatike të ditës së sotme. Mbase na bëhet mirë të gjithëve…

Natyrisht Xhemali nuk i ktheu përgjigje, për më tepër i mahnitur nga aftësia njerëzore për të hyrë saktësisht brenda thelbit të një episodi, për të cilin nuk zotëron as më të paktin informacion. A nuk mund të konsiderohet kjo aftësi e personave të veçantë një lloj talenti? Natyrisht ekzistojnë sektorë të mirëfilltë vëzhgimi…

Po asaj dite Xhemali kishte ëndërruar t’i jepte përgjigjen e merituar Files, por nuk ia doli mbanë… E vërteta qëndronte në njohjen e rastësishme me Lumturinë, gruan e re, tepër simpatike dhe e afrueshme me të, ndonëse nuk kishte më tepër se 6 muaj që i shoqi, tip shkencëtari, kishte ardhur të përfundonte një studim me vlerë; ajo  si sekretare në njërën nga ndërmarrjet e qytetit kishte profil pune të lëvizte dhe gjithçka e realizonte duke besuar në shoqërimin e Xhemalit, por mos ndoshta jo vetëm për arsye shkresash, sepse për aq kohë sa i duhej të shpenzonte shpesh edhe mund të bashkoheshin dokumentat dhe të largohej më pak nga vendi i punës, apo si një kundërpërgjigje ndaj vëmendjes së pakët që bashkëshorti ia kushtonte Lumturisë. Po të ishte studimi shkencor një detyrë e lehtë, atëherë nuk do të prezantohej punimi në shërbim të shoqërisë prej dikujt që gjithë jetën, jo rrallë lumturinë familjare e kishte sakrifikuar për të. Në vetvete Xhemali e pranonte se ndihej i emocionuar, pothuajse i gëzohej mundësisë së udhëtimit me të deri në Ministrinë përkatëse në një kohë të shkurtër, por bazuar në zgjuarsinë e tij të natyrshme dhe korrektësinë e sjelljes, kurrë nuk bëri një pyetje që ta tregonte njeri pa dinjitet; nga ana tjetër, sa më të shpeshta udhëtimet e saj, aq më mirë për Xhemalin…

Në njërën nga ditët e punës, teksa shikimin e mbante përqendruar përpara, nuk mund të mos e pranonte se sikur të mundej të kthehej tërësisht djathtas, jo vetëm do të mbante shikimin në flokët e saj bjonde, kaçurrela të përhapura në shpatulla pothuajse të zhveshura, të cilat vijonin me qafën e gjatë, të drejtë me lëkurë të bardhë e të lëmuar, sa do të ishte për të i vetmi rast që do t’i kërkonte falje diskut të timonit për t’iu larguar një çast; për më tepër me shumë habi dëgjoi Xhemali zërin përkëdhelës të Lumturisë:

– Sot nuk jam me shërbim, dua të bëj diçka që më ka munguar deri më tani; jam e sigurt që është e njëjta gjë për ty. Dua të vizitojmë bukurinë përrallore të Syrit të Kaltër. Koha na mundëson edhe një vakt dreke.

Një sugjerim i tilli ishte i paimagjinueshëm për Xhemalin, një ëndërr në mes dite, ulur në sediljen e shoferit, por si mund ta kundërshtonte kur ishte plotësisht i bindur se me asnjë femër tjetër dhe në asnjë vend tjetër nuk do të dëshironte të sodiste bukuri natyre mbi të cilat qëndronin fuqishëm përpëlitjet e zemrës, që sapo dëgjuan vendin  e përzgjedhur pranë të cilit ai kishte kaluar disa herë me pasagjerë,

vetëm kishte mundur të shijonte një kafe, e paraprirë nga një gotë ujë qelibar…

Sërish përkëdhelia pranë veshit të Xhemalit:

– Me sa kam dëgjuar, atje edhe mund të çlodhemi dy-tri orë mbas dreke, gjë e mirë për të dy, diçka e munguar që nuk përsëritet…

Pjesa tjetër e rrugës kaloi në heshtje për secilin. Sa për botën shpirtërore të tyre, ajo ecte në më të këndshmen rrjedhë të natyrshme, duke përhapur tinguj melodiozë të ëmbël, të pakopjuar nga partitura të njohura; vallë, dedikim për çastet e pritshme? E gjykuan që, sapo të zbrisnin nga makina, të qëndronin disa çaste pranë një stoli aty pranë, të qetësoheshin paksa, por papritur ndodhi e pabesueshmja kur Lumturia lëvizi çantën prej supit të djathtë, e cila, e përkulur lehtësisht në xhepin e përparshëm, kishte të shkopsitur një pjesë të zinxhirit, prej ku rrëshqiti drejt tokës një çelës i ndritshëm, më i madh se një i zakonshëm.

Pikërisht klithja e Lumturisë në momentin e përkuljes, të merrte çelësin nga toka, si të shihte para vetes një qenie misterioze të rrezikshme, e shtangu Xhemalin, që nuk po kuptonte se pse bëhej fjalë; për më tepër ajo vazhdoi me një zë të pikëlluar:

– Edhe kjo gjë na kishte munguar, Xhemal! Pa dashje, duket nga gjendja emocionale, kam marrë me vete çelësin e portës së jashtme të shtëpisë. Kur dadoja do të kthehet me vajzat e vogla nga kopshti, nuk kanë ku të qëndrojnë dhe mund të përfundojë shumë keq udhëtimi ynë, nisur me ëndrra të bukura. Duhet të kthehemi sa më parë, s’ka kohë.

Sigurisht me lëvizje të shpejtuara zunë secili vendin e vet dhe pothuajse duke pëshpëritur, u përshëndetën midis tyre para ndarjes. Xhemali, i bindur plotësisht se ishte hera e parë në jetën e tij që po mbante një qëndrim jokorrekt ndaj së shoqes, edhe pse në shumë raste e kishte vrarë mendjen për t’i dhënë një dënim të merituar kur ajo me kokëfortësi dhe krenari i kërkonte llogari për aktivitetin e tij ditor me të njëjtën sjellje sikur të kishte para vetes një fëmijë çamarok, shpesh e përfundonte lojën e pistë, fliste me zë të ulët:

– Po, përgjegjësia nuk është plotësisht e jotja, të mungon shkollimi…

Sipas Files, realisht niveli i saj arsimor ishte shkollimi i mesëm i profilit pedagogjik, gjë që ajo e lartësonte në nivele akademike, po sikur të kishte përfunduar fakultetin e gjuhësisë atëherë, cilat do të ishin përmasat e mburrjeve të saj? Sigurisht të pamatshme. Vetëm një herë përgjigjja e Xhemalit e realizoi një heshtje të gjatë:

– Nëse do të mund të mblidhje së bashku gjithë kilometrat e bëra nga mjeti im për një vit, jam i sigurt që ti nuk do ta njihje atë shifër. Sa për gjithë këto vite, po ta kishe para syve, numri i tyre do errësonte pamjen…

Këto mendime nuk po i ndaheshin orëve të kthimit, por një tjetër gjykim i lindur papritur po e dyzonte, përsa i përkiste përfundimit të pakëndshëm të takimit të tij, një burri në krye të familjes, njëherazi  babai i dy djemve shembullorë, me një femër në të njëjtat pozita. Fakti që gruaja e fyente pa të drejtë, e meritonte përballjen me të, por në një tjetër formë të natyrshme: me dinjitet prej tij, jo duke u futur në njërin prej moteleve përgjatë rrugëve. Pra filloi të ndihej disi i lehtësuar për kthesën e parashikuar të takimit me Lumturinë, aq sa po bisedonte brenda vetes:

– O zotëri! Ti nuk di të gënjesh, të vjedhësh, as mundesh të shkelësh kurorën… Kështu ke qenë, je tani dhe do jesh në të ardhmen.

Duhet të ishte ende nën forcën e arsyetimeve vlerësuese pozitive për karakterin e tij të formuar, pikërisht shkaku që buzëqeshja nuk po i largohej nga fytyra. Radha e kujtimeve ishte e gjatë, po përjetonte kohën e largët të rinisë në përgjumje për vetë gjendjen neurologjike mbas goditjes që detyrimisht kërkon kohëzgjatje për rehabilitim të plotë; njëherazi për Xhemalin ishin ditë të veçanta, sepse i jepej mundësia të hidhte shikime në të kaluarën, përgjatë së cilës organizmit të vet nuk i kishte kushtuar më të thjeshtin kontroll shëndetësor, qëndronin në pritje.

Një problem tepër të rëndësishëm përbënte njohja e shkakut të aksidentit, të mos kishte ndikuar vetëm përgjumja pas asaj mbingarkese fizike dhe psikologjike; sipas informacioneve të marra nga familjarët për ndonjë ankesë apo shenjë të lehtë të sëmundjes ende të pashfaqur, nuk rezultoi ndonjë shqetësim sado i vogël shprehur prej Xhemalit përgjatë gjithë kohës. Konsulta me kardiologun dhe plotësuar me ekzaminime të tjera, ekokardiograma tregoi se shkalla e dëmtimit të kllapave të aortës, tubit që furnizon organizmin me gjak, kishte arritur të ishte 12 herë më e ngushtë se treguesi normal (nga 11 deri 130 mmHg), parametër i rëndësishëm, treguesi përgjegjës për humbjen e ndjenjave të pacientit në mënyrë të papritur duke rrezikuar jetën e tij dhe të njerëzve. Konsulta e mjekëve në vlerësim të saktë të gjendjes shëndetësore të Xhemalit vendosi për ndjekje të mëtejshme, pra të zëvendësohej valvula e ngushtuar e aortës në qendrën mjekësore të kryeqytetit, e vetmja mundësi për ta ndihmuar t’i kthehej  jetës normale. Koha e qëndrimit në reanimacion ngadalë tregonte rezultate premtuese. I sëmuri po fitonte kthjelltësinë e mendimeve, pikërisht ato ngjarje të jetës, të cilat kishin lidhje me profesionin e shoferit, pjesë të tjera nuk ia dilte t’i qartësonte plotësisht, vendet e goditura i shkaktonin dhembje, por qetësoheshin me mjekime dhe i dukej sikur po i dëgjonte fjalët e instruktorit të kursit para 45 vjetësh:

– Çdo pikë e rregullores është e larë me gjak, duhet zbatuar, Xhemal…

Filloi t’i bënte vetes një pyetje delikate kur shihte garzat e gjakosura:

“A e kam zbatuar rregulloren në mënyrë korrekte?”.

Nuk e pranonte absolutisht këtë fakt, por nga ana tjetër nuk po e  gjente shkaktarin e vërtetë, qëndronte në mëdyshje…

*   *   *

Xhemalit, në pritje të ndërhyrjes kirurgjikale, përgjatë atyre ditëve, i rikujtoheshin pjesë të jetës. Pranë syve shihte tipat e mjeteve të drejtuara prej tij, njëherazi e shihte veten në timon: ambulanca e spitalit për afro 10 vjet, Skoda me cisternë për trasportim vaji, Gazi 69 si shofer personal i drejtorit të ndërmarrjes bujqësore, Fiati, taksia 4-vendëshe, Benzi drejt Kakavijës në shoqërim emigrantësh, 4 vjet më parë me vështirësi Wolksvagen për vete…  Udhëtimet me të gjitha mjetet e drejtuara prej mendjes së përqendruar, emocioneve të zemrës së tij të kontrolluara, saktësisë së pamjes dhe zhdërvjelltësisë së duarve kanë rezultuar në përgjithësi pa probleme, pikërisht kur e informuan shkarazi se kontrolli mjekësor i përfunduar gjatë ditëve të qëndrimit të tij në repartin e reanimacionit kishte përcaktuar, si të vetmin shkaktar ngushtimin e grykëderdhjes së gjakut nga tubacioni qendror i organizmit me emrin “aorta”. Pra, në atë periudhë kohe nuk ishte realizuar furnizimi i nevojshëm me gjak i trurit, gjendjen e favorizoi mbilodhja fizike dhe psikologjike.

Qartazi po kujtonte qëndrimin e tij kundërshtues në mënyrë të prerë për kontrolle mjekësore ndër vite dhe nuk mund të mos pranonte një veprim të padrejtë që sa herë duhej ripërtërirë patenta e shofer Xhemalit kontrollet mjekësore të organizmit të tij i realizonte përmes Lekos, pa asnjë problem shëndetësor, shok bashkëmoshatar, me të cilin kishin një shembëllim pamje si të ishin vëllezër binjakë. Po ndiente brerje të ndërgjegjes nga njëra anë; tjetrën më të rëndësishme e faktoi aksidenti vdekjeprurës, pasojë  e mungesës së  sinqeritetit, e cila i shkaktoi një vetëgoditje. Fatmirësisht ia doli…

Një ditë dimri, viti i parë në pozicionin e drejtuesit të mjetit, pas një vlerësimi me pikë maksimale, nisi punë në sektorin e shpërndarjes së produkteve ushqimore në zona të ndryshme të vendit dhe në zbatim të programit ditor. Brigadieri e urdhëroi të transportonte në Tropojë ngarkesën prej 5.000 litra vaji ulliri, prodhuar në njërën fabrikë të zonës. Parapërgatitja bëhej një ditë më parë, nisja rreth mesnatës. Xhemali nuk kishte fituar përvojë, ishte një fillestar në profilin e shoferit, edhe pse ishte vlerësuar në provimin përfundimtar, realisht kishte prezantuar me tepër përgatitjen teorike.

Saktësisht nisja u realizua në oren 1 të datës 3 shkurt, një kohë me shumë lagështi deri në Mirditë, kur reshjet e shiut i  zëvendësuan flokët e dëboreës përgjatë gjithë rrugës nga Ura e Fanit deri në Qafë Mal. Edhe atje vazhdonte një dëborë e shtruar pa as një çast ndërprerje, e shoqëruar me ulje të theksuar të temperaturës, pasojë e së cilës ishte ambienti përreth tepër i ftohtë.

Nuk njihte rrugët e mbuluara nga dëbora, gjë e shpeshtë në atë zonë, e cila kishte mbetur vetëm në kujtimet e fëmijërisë me bukurinë e saj në fletët e pemëve, petalet e rënduara rrezatuese të luleve përgjatë një kohëzgjatjeje të shkurtër, sepse shkrihej sapo takonte tokën. Ditë të acarta për një stinë dimri të vërtetë, kur dëbora nuk po ndalte as në më të shkurtrën kohë, rrugë të mbuluara me dëborën e disa ditëve në gjithë krahinën veriore. Pikërisht në zonën e Qafë Malit Xhemali ishte i detyruar të ngadalësonte shpejtësinë, të ndalonte paksa, sepse drejt tij po afrohej autobusi i linjës Tropojë-Tiranë, i cili po zbriste në linjën drejt kryeqytetit.

Segmenti i rrugës, teksa po përshkonte të ngjiturën malore, njëherazi ishte tepër delikat, për shkak të kthesave të shumta dhe dëbora kishte arritur lartësi mbi gjysmë metri, realisht vështirësi udhëtimi të papërshkrueshme, por nuk kishte kthim mbrapa, sepse ngarkesa e vajit të ullirit detyrimisht duhej të shkonte në destinacion duke e plotësuar kohën e paracaktuar për atë transport dhe se përfaqësonte një produkt të vyer ushqimor, për të cilin kërkesat e banorëve në pritje për të ishin të shumta, plotësisht të justifikuara.

Dëbora sa vinte bëhej më e dendur dhe vazhdimi i rrugëtimit pothuajse i pamundur. Xhemali gjykoi se ishte i detyruar të gjente një vend të përshtatshëm, të vendoste zinxhirët në goma, të pushonte fare pak, njëkohësisht po bindej se emocione të paprovuara më parë po lindin dhe fuqizoheshin. Ishte i domosdoshëm një çast i shkurtër qetësimi…

Para nisjes kishte marrë informacione të sakta se në Qafë Mal do të haste probleme; realisht po përballej me to për më tepër në pozicionin e shoferit kishte përshkuar rrallë rrugë mbuluar me një shtresë të hollë dëbore, por asnjëherë në përmasa kur gjithçka gjendej nën pushtetin e sasive të pamatshme të saj. Në të njëjtën kohë po e jetonte atë situatë të rënduar për të parën herë në profilin e punës së tij, edhe pse situata të përafërta emocionalisht kishte përjetuar në udhëtime të rastësishme orëve të mesnatës.

Çaste të papërshkrueshme kur Xhemali ndodhej në lartësi rreth një mijë metra dhe fare pranë shihte një greminë, të cilën vetëm duke e parë nga pasqyra pranë kabinës i shkaktonte një tmerr të vërtetë, me mornicat që përshkonin trupin dhe djersë të ftohta që mbulonin ballin duke i krijuar një ndjesi të çuditshme se frymëmarrja do të ndalej nga momenti në moment, teksa duart nuk e shtrëngonin me forcën e duhur timonin; e gjykoi të arsyeshme të mos vazhdonte më tej, kamjoni të ndalej pa arritur në destinacionin e paracaktuar.

Po si do mund të zgjidhej prej tij ky problem tejet i koklavitur që     realisht po pengonte udhëtimin e pasagjerëve brenda autobusit? Në pamundësi të dilte nga situata e panjohur, tepër e rrezikshme, Xhemali i turbulluar nuk po vendoste ta spostonte disa centimetra më tej mjetin, teksa e përjetonte situatën kritike buzë gremine, njëherazi bllokimin e personave të tjerë po aq të rrezikuar. Shtrëngoi  kokën e ulur me të dyja duart, plotësisht i bindur se në ato çaste mbante përgjegjësi së pari për jetë njerëzish të pafajshëm, gjendur buzë gremine si pasojë e ndërprerjes së rrugës së autobusit dhe prapa tyre renditej jeta e tij. Papritur dhurata  e çmuar erdhi si ta dërgonte vetë hapësira qiellore që vazhdonte të ishte e mbuluar nga shtëllunga të stërmëdha dëbore. Një burrë i moshës së mesme, me shikim dashamir të syve ngjyrë ulliri poshtë kapuçit të madh dhe shprehje burrërore të fytyrës trokiti në xhamin pranë Xhemalit duke dashur t’i tregonte me gjeste gatishmëri për ndihmë, shpejt u qartësua se ishte shoferi i autobusit.

Ai kishte eksperiencë, gjë e cila u provua kur veproi ekzaktësisht në zbatim të rregullores, konkretisht sapo gjeti vendin e përshtatshëm ndaloi duke i hapur rrugën kamionit të drejtuar nga shofer Xhemali, që e gjykoi të arsyeshme se duhej të ndalonte, por nuk mund t’i ndalte shikimet e shqetësuara hedhur në krahun e djathtë, atje ku shihte  sektorin e thepisur, apo greminën e thellë afërsisht 70 metra, në ato momente tensioni, i bënte shenjë shoferit përballë të kalonte.

Çast i papërshkrueshëm, tepër i rrezikshëm për dy drejtuesit e mjeteve, por vendimi i përkryer, i porsamarrë dhe zbatuar në moment nga drejtuesi i autobusit ndërhyri për të mos anashkaluar më të voglin detaj, pra ai të mos vazhdonte detyrën e vet të lëvizjes së mjetit përballë Xhemalit. Ai zbriti dhe duke u përpjekur të shpejtonte eci nëpër shtresën e thellë të dëborës disa hapa dhe iu afrua xhamit të dritares së kabinës së shoferit të kamionit.

Me një pamje të vendosur të cilen qartazi e vinin në dukje rreptësia e syve të tij ngjyrë të errët që çuditërisht nuk i bindeshin refleksit normal të kapsallitjes, shoqëruar me disa rrudha të thella horizontale që përshkonin ballin e lartë, rrethuar nga flokët e zeza të dendura kurorë, u dëgjua të shqiptonte me zë të lartë, shkurt dhe prerë disa fjalë, përmbajtja e të cilave kapërceu distancën midis tyre si të mos ekzistonte as xhami i trashë anësor i kabinës.

Duke mbajtur një qëndrim korrekt në pozicion “gatitu”, i përsëriti shoferit të kamionit që ai kishte detyrë të kalonte, të vazhdonte  rrugën ngjitëse malore duke transportuar ngarkesën e pazakontë. Xhemali ndihej i emocionuar thellë, por jo i çorientuar, edhe pse i  ndalur mes dëborës, pa mundur të shprehte fillimisht asnjë fjalë të vetme i tregoi kolegut me një përkulje të lehtë të kokës greminën në krahun e djathtë dhe sytë e tij qartazi aprovonin kalimin e shoferit të autobusit, që pas pak e shprehu me zë të ulët:

– Kalo ti! Unë do të qëndroj këtu duke pritur…

Por nuk mundi të vazhdonte mendimin. Në moment e ndërpreu shoferi i autobusit duke folur me zë të lartë, ku mbizotëronte tonaliteti urdhërues:

– Rregullorja na udhëzon, Ne jemi të detyruar ta zbatojmë qartazi. Në një sektor malor, automjeti që është duke udhëtuar në zbritje, duhet të ndalet për t’i hapur krahun një mjeti tjetër që ngjitet.

Në vijimësi të situatës, Xhemali ndiqte lëvizjet e shoferit të autobusit. Iu duk pothuajse e pabesueshme kur vuri re një tjetër pamje të pasqyruar në fytyrën fare pranë vetes. I tërhoqi vëmendje fakti që rreptësia e çasteve të porsakaluara u zëvendësua me shprehjen njerëzore dhe dashamire, shoqëruar me fjalët bindëse:

– Ja, do ta zgjidhim së bashku, tani. Ki besim!

Shoferi i autobusit hapi derën e madhe të kabinës së kamionit me ndihmën e Xhemalit, lehtësisht në mënyrë miqësore i goditi shpatullën pranë vetes, përsëriti kërkesën të qëndronte i qetë, të mos frikësohej, por të kalonte rrotat e krahut të djathtë, në shtresën e dëborës në sektorin ku dëbora ishte ende e pashkelur.

Sërish Xhemali kundërshtoi duke përsëritur që djathtas ndodhej gremina dhe ai mund të rrëshkiste drejt fundit, kjo ishte arsyeja. Shoferi verior, me shumë delikatesë, por tepër i vendosur dhe serioz, i kërkoi lejë Xhemalit që  t’ia kalonte drejtimin e kamionit personalisht, ndërsa fjalët i shoqëronte me gjestin kuptimplot duke goditur lehtësisht me dorën e djathtë të grushtuar gjoksin e vet.                                                                              Gjithçka shkoi natyrshëm përgjatë vazhdimësisë së punës për një profesionist, sikurse u vërtetua në çastin kur ai po drejtonte kamionin buzë greminës me rrotat zhytur në dëborën e pashkelur përgjatë disa metrave në rrugën ngjitëse. Ndaloi një moment të vlerësonte se gjithçka ishte realizuar në mënyrë të përkryer dhe të sigurohej që secili drejtues mjeti të ndiqte rrugën e vet, sikurse vepruan.

Në mendjen dhe zemrën e Xhemalit, shoferi verior i autobusit u cilësua si njeri fisnik, sepse ai drejtoi personalisht kamionin përgjatë asaj rruge ngarkuar me dëborë, e ndihmoi kolegun duke e qetësuar nga ana psikologjike dhe faktuar se qëndrimi në atë pozicion e rrezikonte.  Pothuajse me gjysma fjalësh dhe rrokje të ndërprera nga emocionet e forta, Xhemali shqiptoi fjalë falënderuese, i shtrëngoi dorën dhe e përqafoi ngrohtësisht. Fjalët e kolegut shpëtimtar i mbetën të ngulitura në thellësi të shpirtit:

– Nga targat e makinës, e kuptoj që ti mjeshtërinë tënde e demonstron fushave të Myzeqesë, natyrisht jo rrallë mes baltës, gjë që unë me siguri nuk mundem t’ia dal, sepse dëbora është profili im i preferuar, njëherazi i detyruar. Sot po të dhuroj një këshillë miqësore: Asnjëherë mos e drejto mjetin në rrugën me dëborë kur para teje atë e kanë përshkuar mjete të tjera. Jam i sigurt se të njëjtën situatë do të përjetoja unë, po të ndodhesha një ditë mes baltës në krahinën tuaj, nëse makina ime do të ishte e ngecur në baltë, por jam i sigurt se të njëjtin veprim sikurse unë ti do ta kishe bërë dhe unë me kënaqësi do të lejoja ta drejtoje mjetin.

Përsëri Xhemali e falënderoi, por pa e shprehur me zë, kësaj radhe brenda zemrës së tij dhe kujtoi se mësime të tilla nuk i ishin dhënë në kursin njëvjeçar as nga instruktori i rreptë, i cili, për më të voglin gabim,  fjalët qortuese i shoqëronte me goditje kamzhiku të sistemuar poshtë ndenjëses së tij, sa pas vitesh kërcinjtë tregonin shenja fshikullimi.

Pas ndarjes me shoferin malësor, e përjetonte atë episod të papërsërishtshëm, i cili i shërbeu si një eksperiencë dhe pranoi   faktin se askush të mos mendojë se ka arritur majat, sepse dijet e shoqërisë njerëzore, shoqëruar me përvojën përkatëse, janë të pamata. Vitet zëvendësonin njëri-tjetrin. Kishte kaluar situata te vështira, të cilat, saje forcës emocionuese, përmbajtjes dhe fatmirësisht përfundimit pozitiv, mbetën të skalitura në mendjen dhe zemrën e Xhemalit, ndër të cilat përparësia i përkiste herë mendjemprehtësisë, eksperiencës, që sa vinte e shtohej, duke përmendur edhe botën e tij të brendshme shpirtërore, që nuk mundej të prezantohej tërësisht së jashtmi, sepse përballja me Filen ishte një fortesë e gurtë.

*   *   *

Xhemali, në shërbim si drejtues i njërës prej autoambulancave të spitalit, u njoftua të nisej urgjentisht me detyrë që të shoqëronte mjekun kirurg dhe mjekun reanimator drejt spitalit të Vlorës, mbasi kishte ndodhur një aksident. Autobusi me studentë të Institutit Bujqesësor në Tiranë ishte përmbysur në rrugën e vjetër afër Pilurit dhe kishte mbetur e plagosur një vajzë, që ndodhej në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht dy helikopterët që u nisën drejt spitalit të Himarës për të marrrë të plagosurit drejt spitalit të traumës, sapo mbërriten në stadiumin e atij qyteti, rastisi çasti me fillimin e erës së fuqishme që nuk i lejonte të ngriheshin, vetë piloti e argumentoi. Helikopterëve që u ngritën të zbatonin itinerarin për të marrë studentët e plagosur dhe t’i dërgonin sa më parë drejt Tiranës, u duhej të futeshin në grykën e Vjosës, por nuk arritën lartësinë, se i pengonte era e fortë dhe të dy u dëmtuan në mënyrë fatale. Ndërkohë, ambulancat u nisën për ndihmë drejt Himarës në më të shpejtën kohë.

Në pikën kulminante  të Llogorasë, apo sikurse përmendet maja e saj pranë vendit “Pisha e vetme”, për

pak sa nuk e mori era e fuqishme ambulancën me gjithë personelin mjekësor, të cilët, të tmerruar, bërtisnin brenda saj. Fatmirësisht i rezistuan rrezikut të humbjes së jetës, saje një gjykimi të thellë në më të shkurtrën kohë, thënë thjesht, ishte vetëm mençuria e shkrirë në një subjekt të vetëm me aftësinë e Xhemalit në pozicionin e drejtimit të mjetit në kushte tejet të pasigurta, kur ai e mbështeti makinën pranë një cope shkëmbi aty pranë dhe qëndroi afërsisht 30 minuta, pikërisht deri kur era filloi të pakësonte forcën e saj të pamatshme si rrallë të tjera herë. Sërish arsyeja e shëndoshë e drejtoi të vazhdonte rrugën drejt Himarës. Kësaj radhe po e shoqëronte një tjetër vështirësi e papritur: po dukej një mjegull e dendur, që shpërndahej rreth e e qark. Me këmbëngulje, me shpirt dhe logjikë të hekurt, ia dolën të ndihmonin studenten e plagosur. Në një takim të mëvonshëm me një moshatar nga Vunoi, mësuan se era me të njëjtën forcë kishte përfshirë zonën bregdetare në 1913…

Natyrisht Xhemali, si të gjithë të tjerët, meritonte të programonte ditë pushimi në plazhin Seman, më i mundshmi nga ana ekonomike për familjen e tij dhe një të diel korriku u nisën duke parapërgatitur Filja një ditë më parë ushqimet e vaktit  të drekës. Së pari ai po ndihej i qetë dhe i gëzohej çasteve të freskisë në ujërat e kristalta, të qeta të bregut, rrezeve të diellit në rërën e pastër… Shihte pjerrtas fytyrën e Files, lumturuar që ndodhte atyre çasteve të rralla për të dhe Xhemali përpiqej të kuptonte diferencën në vite të paraqitjes, të cilën realisht pamja nuk e tregonte. Në sediljen e pasme djemtë bisedonin me gjallëri…

Në rrugën e Gjokallisë uli shpejtësinë kur vuri re që dikush po ecte drejt tyre duke u afruar në këmbë me kokën të ulur, mbante mbi shpatulla tufa tejet të medha jonxhe, të cilat ngritur mbi kokë rreth dy-tri pëllëmbë zbrisnin drejt ballit derisa mbulonin sytë. E kishte të pamundur ngritjen e kokës dhe lëvizjen e saj anash. Pikërisht koha e takimit me fshatarin në atë pjesë të rrugës ku ajo arrinte ngushtësinë maksimale, momenti kur ai doli para makinës, po vononte familjen të shkonte sa më parë të shijonte freskinë e ujit të detit, e vetmja ditë e lirë asaj vere për të gjithë. Fshatari e kishte të pamundur të shihte rrugën para tij, tufa me byk përhapej mbi ballë, lidhësja e liruar paksa e favorizonte shpërndarjen e barit të thatë, duke i penguar pamjen, teksa po i afrohej makinës…

Duhej që Xhemali brenda sekondave të gjente zgjidhjen më ideale. I ra burisë disa herë, shpejtësinë e lëvizjes së mjetit e pakësoi më tej, devijoi makinën në të majtë ku përshkonte kanali vaditës rreth 2 metër i thellë. Pra, shoferi në moment arsyetoi të ruante jetën e njeriut para tij, por nga ana tjetër devijimi me urgjencë i makinës rrezikonte jetën e tërë pjesëtarëve të familjes, sepse nuk kishte siguri të mosrënies së saj në kanal. Dukej e pabesueshme të shmangej përfundimi i hidhur në rrethanat e jashtëzakonshme.

U desh njëfarë kohe deri në momentin kur fshatari po kalonte fare pranë mjetit të ndaluar, vetëm atëherë kur me shumë vështirësi ai mundi të kthente paksa anash kokën vuri re makinën krahë tij. Ngadalësoi hapat i tronditur, shtangu, sepse po e kuptonte se çfarë rreziku sapo kishin lënë pas të dyja palët brenda sekondash, psherëtiu thellë, por e kishte të pamundur të vazhdonte rrugën më tej. Iu afrua buzës së kanalit mbrapa makinës që vazhdonte të mos lëvizte, zbriti tufën e bykut nga shpatullat dhe me një frymëmarrje të shpejtuar hodhi shikimin drejt Xhemalit, shoqëruar me çastin e ngritjes së dorës së djathtë mbi kokën e vet, të cilën shumë shpejt e shtriu përmes kraharorit.

I tensionuar ende, Xhemali ia ktheu përshëndetjen në të njëjtën mënyrë me ngritjen e dorës. Pikërisht atë veprim nuk e përfundoi në kohën e duhur, sepse diçka ndodhi papritur: nuk po mund të kthehej lirshëm. Fshatari drejt tij e humbi ekuilibrin duke rrëshqitur në buzë të kanalit. Fatmirësisht tufa e stërmadhe e bykut ndihmoi të mos arrinte fundin e kanalit, kështu që Xhemali me më të shpejtat veprime iu ndodh pranë, për ta ndihmuar së bashku me Filen dhe dy djemtë.

Pasi e ulën pa lëndime trupore mbi tufën e bykut buzë kanalit, Xhemali iu afrua të shkëmbente dy fjalë pa mundur ta fshihte zemërimin e vetë të bazuar në dy fakte: së pari kur dikujt i duhet të lëvizë në një rrugë të përbashkët për të gjithë duhet të jetë i sigurt se po e kontrollon mundësinë e kalimit duke e vërejtur me sytë e vet dhe kur nuk mundej ta realizonte këtë atëherë ishte i detyruar t’i bindej sinjalit të përsëritur të borisë së makinës.

Fakti që nuk mori as më të shkurtrën përgjigje prej tij dhe gjesti kuptimplotë i vendosjes së

duarve mbi të dy veshët i dha të kuptonte se personi para tij nuk dëgjonte, njëherazi në episodin e porsajetuar, ngarkesa e skajshme me byk të thatë në të dyja supet deri poshtë syve, kishte dëmtuar funksionimin e tyre. Pra u la pas një situatë kritike që rrezikonte jetën e tij, të anëtarëve të familjes dhe të personit në mesin e jetës, pavarësisht i panjohur. Gjithë sa ndodhi e zbehu dëshirën e Xhemalit për plazh, mori drejtimin për në shtëpi; nuk mundi të shijonte një ditë pushimi.

*  *   *

Pas përfundimit të suksesshëm të ndërhyrjes në zemër, realisht u normalizua shkalla shumë e avancuar e ngushtimit të daljes së aortës si furnizuesi i vetëm me gjak për tërë trupin, shkaktari i goditjes thuajse vdekjeprurëse, pas së cilës fatmirësisht Xhemali ndihej i lumturuar dhe përjetonte ndjesinë e rikthimit në jetë dhe kryesisht prirja e natyrshme e të bërit humor kishte hapësira të pakufizuara.

Niveli i një zgjuarsie të spikatur, eksperienca mbi katër dekada në drejtim të mjeteve të ndryshme, shoqëruar me prirjen e veçantë dhe të panjohur si një talent humori, krijuan bazën e një miqësie të sinqertë midis tij dhe mjekut Agim, i përkushtuar së tepërmi.

– E kuptoj qartë, – nisi bisedën me një buzëqeshje pothuajse fëmijërore Xhemali ulur përballë mjekut, – kureshtjen tuaj lidhur me ndjenjën dhe dëshirën time të natyrshme për të bërë humor në rrethana jo gjithmonë favorizuese, por kur të mësoni rreth jetës sime lidhur ngushtësisht me ushtrimin e profilit të punës si shofer që mban në duar një rreth metalik drejt të cilit ka investuar mendimet, ndjenjat, aktivitetin fizik, shqisat në shkallën më të lartë të përqendrimit, atëherë do të më kuptosh se jeta ime ishte shembëlltyrë e një rrethi në përmasa më të gjera, por me një sipërfaqe të kufizuar në prezantimin tim në jetën shoqërore. Jam ndodhur pranë timonit, të cilin e shtrëngoja në duart e mia për shumë vite. Unë jam i bindur se pikërisht ai që e njeh mirë kodin e bashkëbisedimit tonë, mbase në heshtje kemi biseduar kur i vetëm drejtoja kamionin 10 vjet. Më pas si shofer personal për njërin drejtor ndërmarrjeje në qytetin tonë, si një taksist me pasagjerë pranë edhe mund të flisja me ta, por nuk më tërhiqte biseda. Kisha detyrë të kontrolloja rrugën drejt, përpara. Njëra nga arsyet e qëndrimit tim të akullt është zbatimi korrekt i rregullores, si pjesë përbërëse e zanatit të shoferit, mostërheqje vëmendjeje, thjesht kurioziteti gjatë rrugës paraqet rrezik për të gjithë. Pra, kjo mënyrë e kufizuar e komunikimit me njerëzit, gjë që pa dashje e përsërisja edhe brenda familjes sime më drejtonte të përzgjidhja anën gazmore të jetës, nëse më krijohej një hapësirë kohe e lirë, sado e pakët kur dhe ku, unë mund të isha i pranishëm…

Respekti reciprok dukej qartazi dhe Xhemali e vlerësonte. Sigurisht përparësia i përkiste suksesit të ndërhyrjes së vështirë kirurgjikale në zemrën e tij. Pra, përfundimi pozitiv gëzonte pacientin dhe mjekun në të njëjtën madhësi, mbasi pas daljes nga spitali do bënte jetë normale. Fakti që për Xhemalin takimet me mjekun ishin të rralla ai nuk i ndalte pyetjet kur i krijohej mundësia; më të rëndësishme ishin ato për parashikimet e aktivitetit të tij fizik në ditët e ardhshme.

– Më falni, ndofta po e teproj me pyetje, por unë si fillestar në njohjen e sëmundjen time njëherazi me kohën e fillimit të saj, a do ishte më mirë për të gjithë pavarësisht kohës së vonë të njohjes me të, që të mos kem frikë këtej e tutje për mënyrën e re të jetesës sime? Se për të qenë i sinqertë me ty, doktor, unë jam pak i ndjeshëm ndaj bukurisë femërore, jo në këtë fazë të jetës sime kur po jetoj dekadën e shtatë, por në këtë drejtim qëndrimi im ka qenë i njëjtë ndaj seksit femër, mbasi më shkaktohen përpëlitje të zemrës sapo e shoh së largu apo kur vjen të më kërkojë një shërbim në detyrën e taksistit dhe në situata të tjera kur femrat tërhiqen prej meje, pikërisht ato çaste më gëzojnë, por edhe më çorientojnë…

 

*   *   *

Gjendja e përmirësuar e të sëmurit Xhemal mbas daljes nga spitali nuk kishte nevojë për komente, pasi kishte kaluar muaji i parë dhe të gjithë parametrat mjekësore ishin kthyer brenda kufijve të norms. Ai ndihej i qetë, pa asnjë ankesë dhe për të qenë i sigurt pyeti mjekun personal teksa i afrohej hapësirës ndarëse midis dy kateve:

– Të lutem, doktor, që të ndihem i sigurt më sqaroni, tani unë konsiderohem plotësisht i shëruar? Mundem të bëj një jetë normale, por të afërt me atë rinore, pavarësisht se muajin tjetër mosha ime e shprehur në shifra do të shkruhet 6 plus 5, pra 65 vjeç?

– Po, Xhemal, ti do ta rishijosh atë periudhë të jetës sate në shumë drejtime. Njëra mund të jetë më e veçanta, duke e faktuar me një lidhje të re dashurie, thjesht të kesh një dashnore.

– Ashtu?! Më lumturove pa masë… Nuk e prisja këtë të mirë, dhuratë tjetër qiellore, se të mëparshmen nuk arrita ta gëzoja, ta shijoja…

Në moment, reagim i beftë, i papërshkrueshëm nga Xhemali, i cili u kthye me shpejtësi të zbriste shkallët sa mjeku nuk ishte i sigurt nëse nuk po zbriste njëherësh dy prej tyre. As dorën nuk ia shtrëngoi, as e përkuli kokën në formë përshëndetje, teksa duke u  larguar me shpejtësi, sikur dikush po e përndiqte nga mbrapa. Sa për rastësi, ishte momenti kur gruaja e Maksimit po i afronte xhaketën për t’ia lehtësuar veshjen dhe përherë e përkushtuar si një shoqëruese e pandarë, vrapoi t’i dilte bashkëshortit para në zbritjen e të tjera shkallëve, ndërsa mjekut denjoi t’i drejtonte një shikim në më të shkurtrën kohë, dukshëm mbushur me urrejtje. Pra, mjaftoi një shaka e natyrshme me të sëmurin e mirënjohur për humorin e tij si njëra nga prirjet e panumërta për qenien njerëzore që e gjithë puna e zgjatur, e ndërgjeshme e mjekut i së njëjtës moshe me të shoqin dhe momenti kur ajo punë e pamatë, e merituar në raportin mjek – i sëmurë të flakej tutje për disa sekonda, për më tepër shoqëruar me disa fjalë të pëshpëritura me zë të ulët:

– Ah! Sikur të kisha forcë të hidhja ty nga shkallët, o doktor!

Përgjigjen më të goditur, të zgjuar, plotësisht të merituar dhe  shoqëruar me shprehje ironike në fytyrën e pashme të Xhemalit, shembëlltyrë e një artisti të njohur ia ktheu ai:

– Mos u nxito, e dashur File! Fjalët e porsadëgjuara tregojnë dashamirësi, por të shprehura në mënyrë të këndshme, të cilën përherë e kam kërkuar, pikërisht ti më ke penguar. Nga ana tjetër, do të ishte mirë për të gjithë ne nëse do të interesoheshe për mua të bëja të paktën më të thjeshtin kontroll mjekësor, sigurisht nuk do të kishte arritur gjendja deri këtu, sepse ajo shkallë dëmtimi e aortës u realizua përgjatë shumë viteve. Fatmirësisht përfundoi shkëlqyeshëm dhe secili prej nesh të mundohet të shohë gabimet e bëra, ato të mos përsëriten. Sa për mua, të premtoj se do të tregoj kujdes për shendetin tim dhe do të dhuroj dashuri më tepër se sa ti meriton.

Iu afrua Files, e përqafoi dhe përshëndetën me lëvizje të lehtë të kokës, shoqëruar me ngritje të dorës së djathtë mjekun, i cili dukej i emocionuar. Fjalët ishin të tepërta… Të dy ishin të bindur brenda vetes se kishin nënvlerësuar kujdesin e detyruar që çdokush duhet të tregojë ndaj organizmit të tij dhe të mos presë sa një problem i vogël të përparojë ndër vite, duke u prezantuar në më të rrezikshmin nivel për jetën.