Site icon Gazeta Nacional Albania

Jusuf Buxhovi: Njeriu që e Ktheu Kujtesën në Histori dhe Historinë në Letërsi. Në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Nga Emin AZEMI

 

Tani që Jusuf Buxhovi shënoi tetë dekada jetë, profili i tij intelektual shpërfaqet në krejt përmasën e vet si institucion i gjallë i kulturës sonë. Ky përvjetor vjen si mundësi e çmuar për të analizuar opusin e gjerë që ka ndikuar thellë në tri fusha të ndryshme: gazetari, letërsi dhe historiografi. I formësuar nëpër fazat më dramatike të Kosovës, Buxhovi ndërtoi profil unik intelektual ku guximi i dëshmitarit shkrihet me finesën e shkrimtarit dhe saktësinë e historianit. Vepra e tij e pasur dhe voluminoze mbetet akt i fuqishëm i kujtesës dhe i rezistencës kulturore, duke i dhënë mendimit shqiptar dimension të ri dhe plotësisht europian.

Opusi i gjithanshëm i Jusuf Buxhovit, në këtë prag të tetëdhjetëvjetorit të lindjes, kërkon një rikthim të vëmendjes te mjedisi jetësor dhe kulturor që formësoi profilin e tij intelektual dhe krijues. Me rrënjë të lidhura fort mes Pejës, Gjakovës dhe Ponoshecit, ku lindi më 4 gusht 1946, ai u rrit në një Kosovë që po përpiqej të konsolidonte hapësirën e vet kulturore nën trysninë e rrethanave të reja politike. Ai përfundoi studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1968, në një kohë kthesash të mëdha kombëtare, ndërsa po aty kreu studimet pasuniversitare në degën e Historisë dhe magjistroi në vitin 1979 me temën mbi Lidhjen Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane.

Mendimtari i madh francez Paul Ricoeur shkruan se kujtesa është një veprim aktiv që rindërton identitetin tonë ekzistencial. Te Buxhovi kjo rindërtim profesionale nisi si një kronikë e pastër e rezistencës intelektuale. Jeta e tij shfaqet si një urë lidhëse mes mendimit europian dhe dramës së Kosovës. Kjo rrugë kalon përmes punës si gazetar i kulturës dhe korrespondent i përhershëm i gazetës „Rilindja“ në Bon të Gjermanisë, duke u përmbyllur me angazhimin e tij si një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989. Tetëdhjetëvjetori e gjen atë në tavolinën e punës, duke përgatitur librin e tij të ri me memoare si një dëshmi e gjallë e dy epokave të mëdha historike.

Kronologjia e botimeve letrare

Krijimtaria e Buxhovit lëvizi nga format e vogla tregimtare drejt strukturave komplekse të romanit historik e psikologjik. Rrugëtimi i tij bibliografik zbulon një disiplinë pothuajse asketike të shkrimit.
Në vitet shtatëdhjetë ai hodhi hapat e parë me vëllimet me tregime „Cirku“ në vitin 1972 dhe „Pioni“ në vitin 1975. Shpërthimi i vërtetë erdhi me romanin „Matanëkrena“ në vitin 1976, i cili tronditi strukturat tradicionale të prozës në Kosovë. Kjo periudhë u pasua nga vëllimi kritik „Çaste“ në vitin 1978  dhe drama „Dinozauri“ në vitin 1979.
Vitet tetëdhjetë shënojnë dekadën e pjekurisë së plotë letrare. Romani „Loja“ i vitit 1980, paraprin kryeveprën e tij mit titull „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të botuar në vitin 1982, i cili u kthye në paradigmë të romanit shqiptar. Më pas vijuan romanet „Ura e Kusturit“ në vitin 1984  dhe triptiku monumental „Libri i të mallkuarve“ në vitin 1986.
Në vitet nëntëdhjetë e tutje, autori kaloi drejt tranzicionit dhe postmodernitetit. Pasuan romanet e internalizimit dhe thyerjes formale si „Prandvera e Zezë“ në vitin 1995. Shekulli i ri solli botime të tjera të rëndësishme si „Libri i Gjakovës“ në vitin 2008, „Lufta e fundit e Bashkim Kosovës“ në vitin 2011, „Dosja e hapur“ në vitin 2012, „Jeniçeri i fundit“ në vitin 2013 [1] dhe „Dosja B“ në vitin 2016.
Rrugëtimit të tij nuk i mungoi ritmi as në vitet në vijim. Autori hapi një cikël të ri krijues që zbron drejtpërdrejt në realitetin e përmbysur shoqëror. Në këtë frymë, ai botoi romanin psikologjik „Dushkaja“ në vitin 2018, një vepër që funksionon si një pasqyrim i kaosit të përditshmërisë në një vend të pasluftës. Ky cikël u përmbyll me romanin „Mona“ të botuar në qershor të vitit 2020, ku shkrimtari analizon me mjete letrare çlirimin pa liri dhe bipolaritetin social e kulturor të shoqërisë së sotme në Kosovë.
Pas romanit „Mona“, Jusuf Buxhovi e ka zgjeruar dhe thelluar edhe më tej projektin e tij mbi anatomizimin letrar të shoqërisë dhe tranzicionit shqiptar.
Në shtator të vitit 2023, autori botoi romanin e tij më të ri me titull „Mendim Drini“. Kjo vepër ndjek fatin e një personazhi që mban emrin e vetë titullit të librit, i cili shfaqet si një lloj alter-egoje narrative për të skanuar krizat shpirtërore, politike dhe morale të kohës sonë. Përmes këtij romani, Buxhovi vazhdon traditën e tij të njohur të thyerjes formale dhe të intelektualizmit metafizik, duke e çuar sagën e tij të vëzhgimit shoqëror deri në ditët e sotme.
Tash së fundmi, autori nxori nga shtypi librin e tij voluminoz të kujtimeve dhe dëshmive me titull „Pasluftat e mia (1946–1999 dhe 2000–2026)“. Ky libër, i strukturuar si një përmbledhje me memoare, biseda dhe dokumente, sjell një rrëfim të drejtpërdrejtë mbi dy epokat më përcaktuese të historisë moderne të Kosovës. Ai analizon me syrin e dëshmitarit dhe të protagonistit, rrugëtimin e vështirë të popullit shqiptar drejt lirisë dhe shtetndërtimit.

Poetika e shkrimit, veçoritë e krijimtarisë letrare

Letërsia e Jusuf Buxhovit refuzoi me forcë dogmat e realizmit socialist që ngulfatën Shqipërinë administrative. Ai gjithashtu shmangu folklorizmin mbytës që rrezikonte letërsinë në Kosovë. Autori zgjodhi postmodernizmin e gërshetuar me parimet e romanit të madh historik europian.
Fjalia e tij karakterizohet nga një densitet i lartë filozofik. Ai përdor me mjeshtëri teknikën e palimpsestit, ku nën tekstin e dukshëm fshihen shtresat e historisë, kodet mesjetare, hermetizmi dhe mistika. Personazhet e Buxhovit, ku shquhet Gjon Nikollë Kazazi, shfaqen si alegori të mbijetesës njerëzore përballë murtajave ideologjike dhe fizike. Gjuha e tij përdor një sintaksë që refuzon linearitetin klasik. Ajo përmban thyerje, kthesa dhe një muzikalitet të brendshëm që kërkon një lexues aktiv në zbërthimin e kuptimeve.

Puna hulumtuese dhe botimet historiografike

Si historian, Buxhovi solli një thyerje epokale në historiografinë shqiptare. Pas punës së gjatë hulumtuese në arkivat e huaja, veçanërisht në ato gjermane, ai ndërtoi një qasje të zhveshur nga mitet romantike dhe nga deformimet ideologjike të periudhës komuniste. Punimi i tij bazohet krejtësisht në rigorozitetin e dokumentit arkivor. Filozofi francez Michel Foucault, kur flet për konceptin e arshivës, thekson se historia nuk duhet të jetë një përsëritje e thashethemeve zyrtare, por një zbulim i strukturave të pushtetit. Buxhovi ndjek pikërisht këtë rrugë hulumtuese për të sfiduar mitet dhe dogmat e ngulitura.

Hapat e tij të parë shkencorë nisin me studimin monumental mbi „Kongresi i Berlinit 1878“, i botuar fillimisht në vitin 2008 dhe i rishikuar si „Kongresi i Berlinit dhe Lidhjes Shqiptare“ në vitin 2012. Në këtë vepër, ai zbardh rolin e diplomacisë europiane dhe analizat e kancelarit Otto von Bismarck, duke sjellë dokumente të papublikuara që ndriçojnë rezistencën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kulmi i veprimtarisë së tij historiografike shënohet me projektin enciklopedik „Kosova“, i cili fillimisht doli në dritë në vitin 2012 si një triptik vëllimesh. Ky projekt u zgjerua më vonë në pesë vëllime kapitale gjatë viteve 2012-2015, për t’u kurorëzuar përfundimisht në një botim monumental prej tetë vëllimesh dhe mbi pesë mijë faqesh. Në këtë vepër, autori rishikon në mënyrë të detajuar Antikitetin, Mesjetën, periudhën osmane, Konferencën e Londrës dhe rrugëtimin e Kosovës përmes tmerreve të ish-Jugosllavisë deri te shpallja e shtetësisë moderne. Buxhovi e vendos Dardaninë në qendër të antikitetit ballkanik, duke treguar se Kosova nuk ishte aneks, por subjekt dhe epiqendër e historisë etnike shqiptare.

Në vitin 2020, autori botoi studimin „Dardania – antika, mesjeta“, një punim që rishikon lidhjet e thella mes qytetërimit pellazgo-ilir dhe shtatësisë dardane, duke demistifikuar pretendimet e historiografisë serbe mbi kishat ortodokse dhe të ashtuquajturin shtet mesjetar serb. Kjo frymë vazhdoi me veprën „Maqedonia nga antika deri te koha jonë“, e botuar në vitin 2021 dhe e përkthyer në gjuhën angleze në vitin 2023 nga shtëpia botuese amerikane „Jalifat Publishing“. Përmes këtij libri, Buxhovi argumenton se Maqedonia, Dardania dhe Epiri përbënin trinomit mbretëror ilir në antikitet.

Rrugëtimi i tij historiografik plotësohet me dy botime të tjera sintetike me vlerë të madhe pedagogjike dhe shkencore. Libri „Kosova – histori e shkurtër“, i botuar dhe i plotësuar në vitin 2024, funksionon si një udhërrëfyes i ngjeshur për studentët dhe studiuesit e huaj. Po ashtu, një vend të rëndësishëm zë libri i tij dokumentar i vitit 2026 i titulluar „Pasluftat e mia“. Buxhovi guxoi të prekte tabu akademike dhe kritikohet shpesh prej qarqeve që mbrojnë dogma të vjetra, mirëpo botimet e tij mbeten një uragan dokumentar që bën thirrje për rishkrimin e plotë të historisë së Ballkanit.
Vepra historiografike e Jusuf Buxhovit, që nga çasti i botimit të vëllimeve të para të projektit „Kosova“, ka funksionuar si një tërmet metodologjik në mjedisin shkencor shqiptar dhe atë ballkanik. Ky korpus voluminoz nuk u prit si një studim i qetë akademik, por ngriti valë të mëdha diskutimesh, duke u ballafaquar me dy rryma krejtësisht të kundërta të vlerësimit.

Kritikë dhe mendimtarë jashtë rretheve të ngurta akademike e pritën veprimtarinë e tij si një akt çlirimi kombëtar nga klishetë e vjetra ideologjike. Ata theksojnë se Buxhovi arriti të zhvishte periudhën e Antikitetit dhe të Mesjetës nga interpretimet e njëanshme sllave, duke i kthyer Kosovës statusin e bërthamës shpirtërore të shqiptarizmit.

Në anën tjetër, reagimet institucionale jashtë dhe brenda Kosovës shfaqën një natyrë mjaft refuzuese e shpesh polemizuese. Historiografia zyrtare në Serbi e sulmoi menjëherë projektin, duke e deklaruar atë si një përpjekje pa baza shkencore që synon të zhvlerësojë mitet mesjetare serbe mbi Kosovën. Megjithatë, reagimi më delikat erdhi nga vetë rrethet e ngurta akademike në Prishtinë dhe Tiranë. Disa historianë tradicionalë e akuzuan autorin për një qasje skajshmërisht romantike dhe për guxim të tepruar në kapërcimin e periudhave kohore, duke pretenduar se tezat e tij mbi etnogjenezën iliro-dardane përmbysin studimet e konsoliduara deri më sot. Kjo xhelozi klanore shkoi deri aty sa institucione të caktuara arsimore tentuan ta izolonin apo ta mënjanonin autorin nga programet zyrtare të përvjetorëve kombëtarë.
Pritja e veprës jashtë hapësirës shqiptare administrative mori një dimension krejtësisht tjetër, sidomos me botimet në SHBA përmes shtëpisë botuese „Jalifat Publishing“. Përkthimi në gjuhën angleze i vëllimeve të „Kosovës“ dhe „Maqedonisë“ u prit me interesim të veçantë nga studiuesit perëndimorë dhe qendrat universitare amerikane, të cilat panë aty një burim alternativ dokumentar, të paprekur nga propaganda e diktatit të ish-Jugosllavisë. Ky interesim ndërkombëtar vërtetoi se puna e Buxhovit, pavarësisht polemikave lokale, arriti ta kthente çështjen e historisë së Kosovës nga një objekt diskutimi rajonal në një subjekt të mirëfilltë të shkencës europiane.

Simbioza e dy botëve, gërshetimi i historisë me letërsinë dhe gazetarinë

Teoricienti  i madh Hayden White në studimet e tij mbi Metahistorinë argumenton se historia dhe letërsia ndajnë të njëjtat struktura narrative. Te Buxhovi ky gërshetim funksionon si një natyralitet i plotë profesional.

Kur shkruan letërsi, ai shfrytëzon përvojën e historianit për të krijuar atmosferën e saktë të epokës, duke shmangur me kujdes anakronizmat e kohës. Kur shkruan histori, ai shfrytëzon plastikën dhe mprehtësinë e stilit të shkrimtarit për t’i bërë dokumentet e ftohta të flasin me zërin e gjallë të njerëzve. Historia i jep letërsisë së tij vertikalitetin e së vërtetës, ndërsa letërsia i fal historisë horizontin e pafundëm të kuptimit njerëzor.

Në profilin intelektual të Jusuf Buxhovit, gazetaria, letërsia dhe historia nuk janë reparte të ndara me mure të padepërtueshme. Ato funksionojnë si enë komunikuese. Buxhovi gazetarinë e ka pasur bukë, ndërsa letërsinë ujë. Ky gërshetim bëri që gazetaria t’i jepte atij dinamikën e jetës, kurse letërsia ndjenjën dhe formësimin estetik.

Në këtë pikëtakim të rëndësishëm intelektual, Buxhovi ndjek matricën e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë si Gabriel Garcia Markez, Ernest Hemingvej apo Dino Buzzati, të cilët rrugëtimin e tyre krijues e kalitën pikërisht përmes shqisës së mprehtë të gazetarit të terrenit. Përvoja e tyre dëshmon se kronika e përditshme nuk është thjesht një regjistrim i përkohshëm ngjarjesh, por një laborator i vërtetë i njohjes njerëzore ku shkrimtari mëson të kapë detajin, të vëzhgojë krizat dhe të zbërthejë mekanizmat e pushtetit në çastin e lindjes së tyre. Gazetaria te Buxhovi funksionon si kapja e faktit të menjëhershëm dhe e aktualitetit politik në gjendje të nxehtë, duke krijuar kështu arkivën e parë të gjallë të jetës.

Mbi këtë lëndë të parë të dokumentuar, ndërhyn shqisa e dytë e profilit të tij, ku letërsia e shndërron faktin e ftohtë gazetaresk në një përjetim të thellë ekzistencial, duke i dhënë ngjarjes kalimtare një përmasë universale përmes metaforës dhe artit. Megjithatë, ky rrugëtim nuk ndalet në rrafshin e fiksionit letrar, sepse në instancën e fundit vjen historiani, i cili e vendos këtë përjetim artistik dhe atë dëshmi gazetareske në kujtesën e përjetshme të popullit. Përmes kësaj simbioze, trinomi i tij krijues arrin të shpëtojë ngjarjen nga vdekja që sjell harresa, duke treguar se si e djeshmja politike kthehet në artin e së sotmes dhe në historiografinë e palëkundur të së nesërmes.

Gazetari Buxhovi edukoi shqisën e vëzhgimit të mprehtë dhe guximin për të dëshmuar në kohë të vështira. Shkrimtari Buxhov i i dha atij mjetet stilistike për të depëutrar në psikologjinë e thellë të masave, kurse historian Buxhovi erdhi si një instancë e lartë etike, e cila refuzon t’ia lërë të kaluarën mëshirës së harresës. Këto tri fusha bashkëjetojnë si një trinom i pandashëm ku secili profil plotëson dhe pasuron tjetrin.

Vendi i Jusuf Buxhovit në letrat shqipe

Jusuf Buxhovi i përket brezit të viteve shtatëdhjetë të letërsisë shqipe në Kosovë (i njohur në kritikën letrare edhe si brezi i modernizimit apo brezi i rilindjes letrare), ku bënin pjesë edhe autorët Teki Dërvishi, Ali Podrimja, dhe Beqir Musliu. Ky brez kreu modernizimin rrënjësor të letërsisë sonë, duke e shkëputur atë nga provincializmi rural dhe duke e hapur drejt rrymave të mëdha letrare  botërore.
Vlerat specifike që Buxhovi solli në letrat shqipe nisin me demitologjizimin e tekstit historik, duke e kthyer historinë në një hapësirë dyshimi dhe filozofimi. Ai solli gjithashtu intelektualizmin metafizik, ku romanet e tij shtrojnë ide të mëdha ekzistenciale. Përmes kësaj qasjeje, ai tregoi se Kosova mund të prodhonte letërsi me standarde të larta europiane.

Vlerësimet kritike dhe polifonia e recepimit

Vepra e Buxhovit ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së kritikës serioze përgjatë gjithë gjeografisë shqiptare. Ibrahim Rugova shihte te „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ imunitetin autokton të kulturës sonë, duke zbuluar një matricë identitare që i bën ballë tjetërsimit. Në të njëjtën linjë institucionale, akademiku Sabri Hamiti e ka përcaktuar prozën e Buxhovit si një hapësirë ku imagjinimi historik shndërrohet në shpirtëzim të pastër të historiografisë, duke i dhënë tekstit një vertikalitet të ri.

Nga ana tjetër, akademiku Ali Aliu ka nxjerrë në pah kapërcimet e mëdha estetike të këtij autori, duke e pozicionuar brenda prurjeve më emancipuese të brezit të tij. Një ndihmesë të jashtëzakonshme në sistemimin e këtij opusi ka dhënë Ramadan Musliu, i cili shërbeu si redaktor dhe mentor i fjalës së fundit për shumë vepra të tij. Musliu, në studimet e tij mbi psikohistorinë e Buxhovit, vëren se romanet e tij si „Jeniçeri i fundit“ funksionojnë si një katarsë kombëtare. Ai po ashtu e vlerësoi projektin pesëvëllimësh „Kosova“ si një vepër kapitale historiografike që rindërton arkivën tonë kulturore.

Ndërkaq, shkrimtari Visar Zhiti ka vlerësuar me tone të larta esejistike natyrën ekzistenciale dhe dimensionin e vuajtjes njerëzore që përshkon prozën e Buxhovit, duke e parë shkrimin e tij si një dëshmi të pacenueshme lirie. Po ashtu, shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj është ndalur te raporti i thellë gjeo-kulturor dhe epistemologjia e diktaturës që autori zbërthen në botimet e tij të fundit, duke e konsideruar Buxhovit si një nga zërat më përfaqësues të vetëdijes sonë moderne letrare.

Në planin ndërkombëtar, vepra e tij ka kaluar kufijtë gjuhësorë. Romane të tij si „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ dhe „Libri i të mallkuarve“ janë përkthyer dhe botuar në gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht, duke bërë që bota të njohë finesën e mendimit tonë letrar.

Kjo trashëgimi intelektuale e krijuese dëshmon për një profil të rrallë autori i cili refuzoi çdo lloj kompromisi me harresën kolektive dhe me plogështinë akademike. Për Buxhovin, shkrimi shfaqet si një akt i ndërgjegjshëm rezistence kulturore, ku prirja estetike dhe profesioni gërshetohen me misionin etik. Kjo rezistencë shtrihet në dy binarë të pandashëm, ku në njërën anë mbrohet vertikaliteti i identitetit kombëtar përballë rreziqeve të tjetërsimit, ndërsa në anën  tjetër synohet integrimi i plotë i vetëdijes shqiptare në horizontin e vlerave universale europiane. Përmes këtij përkushtimi asketik ndaj dokumentit dhe fjalës artistike, ai tregon se si kujtesa e shkruar mund të shndërrohet në mburojën më të fuqishme të një populli përballë stuhive që sjell koha.

Gusht, 2026

 

Exit mobile version