1.
Në kulturën Veri amerikane zakonisht lexuesit e letërsisë klasifikohen në dy kategori. Kategoria e parë dhe më e rëndësishme është ajo e lexuesit receptiv, që nënkupton lexuesin me “horizont të formuar të pritjes” apo lexuesin e përgatitur për të ju qasur prozës së fiksionit të tipit interpretues. Ky tip i lexuesit qëndron në gjysmën e rrugës së shkrimtarit dhe në anën e tij gjithmonë, duke bërë përpjekje të madhe për ta kuptuar veprën letrare, për të qenë i shpejt, që në ngjarjet apo aksionet ta gjejë çelësin për t’i kuptuar motivet e karaktereve apo personazheve. “Juve ju duhet një sy për objektet me ngarkesë të theksuar simbolike, një vesh për komentet me informacion shumë të rëndësishëm dhe hijet e kuptimsisë. Ju duhet t’u përgjigjeni modeleve, të cilat i japin formë tregimit (romanit K.R.) si tërësi”, u drejtohen lexuesve receptivë studiuesit amerikanë Hans P. Guth dhe Gabriele L. Rico.
Kategoria e dytë e lexuesit të prozës së fiksionit është ajo e lexuesit me “horizont të kufizuar të pritjes” apo lexuesit të pamaturuar, i cili lexon vetëm për t’u argëtuar dhe për të ikur nga realiteti i pakëndshëm jetësor. I udhëhequr nga ky qëllim, ky tip i lexuesit kryesisht lexon tipin e prozës së fiksionit, e cila të vetmin qëllim e ka, që ta ndihmojë lexuesin për t’u argëtuar dhe për të ikur nga realiteti. Po të shpreheshim në zhargon këtë prozë do ta quanim proza-limonadë.
Bota e lirë, e cila kuptohet që ka një nivel më të lartë të emancipimit kulturor, i ka vetëm dy tipat e lartshënuar të lexuesit të prozës së fiksionit, kurse në shoqëritë me deficit të madh të lirisë në të gjitha dimensionet e saj, ekziston edhe një tip i veçantë i lexuesit, të cilin, pa frikë se mund të gabojmë, mund ta quajmë lexues policor.
Në mendimin teorik Veri amerikan, pos leximit analitik-artistik të veprës letrare, përmenden edhe dy tipa të leximit të shpejtë, të cilët shprehen me termat “scanning”, që nënkupton leximin e shpejtë të një teksti me qëllim të gjetjes së informacionit specifik për data, vende, emra njerëzish apo figurash historike, arketipash dhe “skimming”, që nënkupton leximin e shpejtë të një teksti, me qëllim të gjetjes së idesë kryesore apo kuptimit të tij. Në botën shqiptare këta terma të anglishtes mund t’i zëvendësonim me shprehjen “Lëshoja një sy”, por duke e plotësuar me togfjalëshin shekspirian “syri i mendjes”. Duke pasur parasysh këtë togfjalësh shekspirian, kur e përdorim shprehjen “lëshoja një sy (të mendjes) ne i japim kësaj shprehjeje kuptim konotativ, që është i kundërt me shprehjen “Lëshoja një sy koti”.
Në qendër të vëmendjes sonë, në këtë shkrim, do të jetë pikërisht ky tip i lexuesit të veçantë apo lexuesit policor të cilit do t’ia kundërvëmë lexuesin receptiv apo lexuesin me “horizont të formuar të pritjes” dhe parametrat e poetikës së romanit në të cilat ai do të mbështetej për ta interpretuar fillimisht e pastaj për ta vlerësuar romanin në bazë të tyre. Në të njëjtën kohë ky shkrim është edhe përgjigjja ime për të lidhur me romanin tim “Laokooni”, me projektin e të cilit e kam fituar Grantin më të lartë për artistët individualë në Kanada, vlera monetare e të cilit arrin gjerë në 25.000 dollarë.
2.
“Dy herë e kam lexuar romanin tënd “Laokooni”, më tha një pseudovlerësues i qytetit tim të lindjes dhe e vlerësoi një fragment të shkurtë vetëm dy faqe nga libri 367 faqesh, pa më treguar se cilët tipa të leximit ka bërë nga tre tipat e leximit të përmendur më lartë.
Prita më kot se do të thotë ndonjë trohë fjalë për kronotopikën e romanit apo kohë-hapësirën në të cilën ndodhin ngjarjet dhe veprimet e personazheve. Në teorinë letrare dhe filozofinë e gjuhës termi “kronotop” nënkupton se si paraqitet koha dhe vendi në gjuhë dhe diskurs, ndërsa termi “kronototopikë” nënkupton tërësinë e kronotopeve në një roman dhe për herë të parë është përdorur nga M.M. Bahtin. Ky term është pothuajse i barabartë me termin e anglishtes “setting”. Lexuesi kur fillon të lexojë një roman, zakonisht është i interesuar ta kuptojë se ku është vendosur syzheu i tij në aspektin vendor, por pa e harruar edhe aspektin kohor. Asgjë nuk mund të ndodhë në një vend të caktuar jashtë një konteksti kohor. Dihet se shkrimtari e krijon botën e veçantë të veprës së tij letrare, e cila në asnjë rrethanë nuk mund të identifikohet plotësisht me cilindo vend gjeografik sepse kjo botë e tij e veçantë letrare nënkupton edhe mënyrën e të ndjerit, të menduarit, traditën kulturore dhe historike të njerëzve të saj. Pasi ta ketë krijuar kohë-hapësirën e romanit shkrimtari na shpie dhe na krijon iluzionin e realitetit, duke na mundësuar që t’i pranojmë si të vërteta ngjarjet dhe personazhet. Hapësira vendore nuk është vetëm një hapësirë e jashtme, por edhe një hapësirë e mendjes dhe e shpirtit. Do të ishte krejt normale nëse gjatë leximit të një romani lexuesi “me horizont të formuar të pritjes” do të pyeste se në ç’vend dhe në ç’kohë po më shpie narratori. Në kontekstin e kësaj pyetjeje ai do të kuptojë me saktësi se a gjendet në një hapësirë ekzotike dhe me rrethana tërësisht të panjohura, apo në një hapësirë të njohur dhe familjare me lexuesin. Kur më shumë e kur më pak kronotopika luan rol në formësimin e personazheve apo karaktereve. Shkrimtarët modern krijojnë raporte të veçanta në mes të personazheve dhe kohë-hapësirës: personazhet e gjendura në një shkretinë apo në ndonjë burg serb nuk mund të jenë të hareshme dhe të lumtura siç mund të jenë në një vend turistik, që ofron të gjitha kushtet për diçka të tillë. Në këtë kontekst mund të pohojmë se nuk janë të rralla rastet, kur kohë-hapësira e romanit e përcakton fatin e personazheve, i cili mund të jetë tragjik nëse kjo kohë-hapësirë është shtypëse dhe personazhet ballafaqohen me pengesa të shumta ekzistenciale. Një kohë-hapësirë e tillë do të ishte ajo e çdo romani, autori i të cilit kohë-hapësirën e romanit do ta vendoste në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, në të cilën vritej për çdo ditë shpresa e njerëzve për një jetë më të mirë. Një kohë-hapësirë e tillë e tmerrit është shumë e njohur nga prozat fiktive të Franc Kafkës. Pra, ai eksperti i hipokrizisë, por jo i letërsisë nuk e përmendi fare se cila ishte Makonda e Markezit, apo Yoknapatawha e Foulkner-rit në romanin tim.
“Dy herë e kam lexuar romanin tënd “Laokooni”, më tha pseudovlerësuesi i tezgave të thashethemnajës së qytetit tim, përsëri pa më treguar se çfarë tipa leximesh ka bërë.
Prita se do ta thotë një grimë fjale për personazhet apo karakteret e romanit tim, por ai nuk e tha asnjë. A mund të vlerësohet një roman pa e thënë asnjë fjalë për personazhet?
Çdo autor i prozës fiktive qoftë ajo tregim, novelë apo roman i kushton kujdes të veçantë ndërtimit të personazheve, pa marrë parasysh shijet dhe orientimet e ndryshme të tyre për këtë çështje. Qëllimi përfundimtar i çdo shkrimtari është, që personazhet e veta t’i bëjë të besueshme me veprimet dhe përjetimet e tyre, qoftë kur na krijon mundësinë për t’i parë ato nga jashtë, qoftë nga brenda. Kur përpiqemi t’i njohim personazhet e prozës fiktive do ta shohim veten duke kaluar nga fjalët dhe veprimet te motivet e tyre. Pra, në një situatë të tillë nuk na intereson vetëm se çka thuhet dhe veprohet në roman , por edhe pse thuhen ato fjalë dhe pse kryhen ato veprime të personazheve. Duke kërkuar pse-në ne kërkojmë çelësin për ta hapur portën e mënyrës së sjelljes së personazheve, e cila edhe kur duket shumë e ndërlikuar nuk është e tillë sepse motivet reale të saj mund të gjinden pas arsyetimeve dhe racionalizimeve të personazheve. Personazhet e një romani në aspektin e ndërtimit të tyre mund të jenë: 1. Personazhe të rrafshta apo njëdimensionale, karakteristike për romanet e lehta argëtuese, të cilat e ndihmojnë lexuesin për të ikur nga realiteti i bezdisshëm jetësor dhe 2. Personazhe të rrumbullaksuara, komplekse apo shumëdimensionale, karakteristike për romanet interpretative. 3. Personazhet e romanit mund të jenë statike sepse hyjnë të formuara në skenën e romanit dhe mund të jenë dinamike sepse zhvillohen gjatë romanit. Se çfarë është personazhi kryesor i romanit tim, i identifikuar me dy arketipa antik (Sokrati e Laokooni) dhe personazhet tjera, të vështruara në këtë kontekst teorik, pseudovlerësuesi nuk e tha asnjë trohë fjale.
“Dy herë e kam lexuar romanin tënd “Laokooni”, më tha pseudovlerësuesi i thashethemnajës së mafisë politike e kulturore të qytetit tim, pa më treguar përsëri se çfarë tipa leximesh ka bërë.
Prita se do të thoshte ndonjë gjë për njësitë fabulore-kompozicionale dhe njësitë-syezheike të romanit tim, por u bë përsëri çele gur gojën e kjo gjë nënkuptonte mohimin aprioristik të ushqyer nga smira dhe kërkesa për ndërtimin fals të autoritetit absolut vlerësues, duke mos qenë i vetëdijshëm për mungesën e formimit të tij elementar në çështjet teoriko-estetike të romanit. E vetmja gjë që la të kuptohet ishte fakti se ai të dy këto sisteme të romanit i identifikonte me jetën e autorit në mënyrë absolute. I gjori “teoricient i tezgave provinciale dhe snobiste” ose nuk e dinte ose nuk donte ta dinte faktin se një pjesë e madhe e romaneve shqiptare e botërore kanë fije të dukshme dhe të padukshme me biografinë e autorit dhe të popullit të cilit i takojnë, por brenda romanit ato gërshetohen me episode fiktive dhe të gjitha së bashku i nënshtrohen kontekstit dhe logjikës së fiksionit, duke krijuar kështu një realitet të ri, e cili edhe pse ka marrë më shumë apo më pak nga realiteti jetësor është krejtësisht tjetër. Në këtë kontekst mund të apostrofojmë se edhe realiteti i ri apo realiteti artistik mund t’i japë më shumë apo më pak realitetit jetësor në aspektin e fisnikërimit të tij.
Kuptohet se romanin mund ta konsiderojmë një strukturë apo një mekanizëm të gjallë, prandaj atij i duhet energjia dhe kjo energji krijohet përmes tensionit. Kuptohet, që ekzistojnë mënyra të ndryshme të krijimit të tensionit, por të gjitha këto mënyra kanë të bëjnë me kundërvënien e një apo më shumë elementesh ndaj një elementi tjetër apo anasjelltas. Gjithashtu ekziston konflikti në mes të individit dhe një grupi shoqëror apo forcave kërcënuese të natyrës. Meqenëse romani im “Laokooni” trajton fatin tragjik të intelektualit shqiptar në Kosovën e viteve 1960-2000 shkaku kryesor i konfliktit është në mes të intelektualit me vetëdije të lartë për ekzistimin e pabarazisë historike, politike, ekonomike, kulturore të shqiptarëve dhe pushtetit sinonim i të gjitha padrejtësive. Ekziston edhe një konflikt më suptil, më i sofistikuar e ky është konflikti i brendshëm. Kur dy shtytje të kundërta ekzistojnë brenda personazhit atëherë kemi të bëjmë me konflikt të brendshëm.
Prozatorët e mirë në fillim të çdo kapitulli të romanit kujdesen për ta zgjuar kureshtjen te lexuesi qoftë përmes ndonjë pyetjeje dramatike apo formave tjera të shprehjes.
“Dy herë e kam lexuar romanin tënd “Laokooni”, më tha pseudovlerësuesi i thashethemnajës së mafisë politike e kulturore të qytetit tim, pa më treguar asgjë për narracionin dhe tipin e narratorit në të.
Narratori në një roman mund të jetë i gjithëdijshëm, i nënkuptuar, në veten e parë apo të tretë, i dramatizuar etj.
William Faulkner është ndër shkrimtarët e shquar amerikan, i cili që në fillimet e shekullit të njëzet ka përdorur teknikën narrative të pasqyrës së thyer. Në tregimin e tij “Tingulli dhe tërbimi” (The Sound and the Fury) të njëjtat ngjarje i ka rrëfyer nga pikëvështrimet e katër personazheve, pra ai ka bërë që lexuesi (me horizont të formuar të pritjes e jo ai policor) t’i shohë ndodhitë sikur të ishin në faqet e një prizme.
Ky tip i narracionit nuk është linear, por i dramatizuar sepse nuk bëhet vetëm nga një narratorë. Ekzistenca e më shumë narratorëve-personazhe në një roman nënkupton edhe ekzistencën e më shumë pikëvështrimeve prej nga bëhet rrëfimi për ngjarjet, për fenomenet e ndryshme jetësore, për njerëzit, për mendimet, emocionet dhe fatin e tyre. Një zgjedhje e tillë ia mundëson autorit, që strukturën e romanit ta bëjë më dramatike. Një strukturë e tillë e romanit e mban të zgjuar kureshtjen e lexuesit vazhdimisht. Për ta ndërtuar një strukturë dramatike shkrimtari ua jep hapësirën e nevojshme dialogëve dhe monologëve të brendshëm.
Kur e kam krijuar projektin e detajuar për romanin “Laokooni” e kam paraparë me saktësi, që narracioni të bëhet nga një shumësi pikëvështrimesh, ndërsa narratori të jetë i dramatizuar. Nëse William Faulkner ka rrëfyer të njëjtat ndodhi nga katër personazhe dhe kuptohet nga katër këndvështrimet e tyre, unë kam ndërtuar pesë personazhe, të cilat janë narratorë të niveleve të ndryshme me pikëvështrimet e tyre të veçanta:
1.Fillimisht Nita i rrëfen krye personazhit Sokrat Gega se çka ka ndodhur me të dashurën e tij Zanën dhe me profesorin Mentor Morina, i cili e ngrit zërin kundër dhunuesve të Zanës, të lidhur ngushtë me pushtetin;
2.Historinë e dashurisë së tyre e rrëfen Zana në 15 letrat, të cilat ia kishte dërguar Sokratit;
3.I treti narrator është personazhi kryesor Sokrat Gega, i cili narracionin e tij e ndërton duke shfrytëzuar edhe dy narracionet e para;
4.Narratori i katërt është personazhi Agimi i Çmendur, i cili rrëfen në disa prej sekuencave të fundit;
5.Narratori kryesor është gazetari kanadez Adam Baker dhe ky fakt kuptohet tek në kapitullin e fundit të romanit. Adam Baker e ndërton narracionin e tërë romanit nga narracionet e katër personazheve tjera dhe pjesërisht nga kujtimet e tij për takimet e tij me Sokrat Gegën.
Lexuesi receptiv e nënkupton faktin se narracioni i Sokrat Gegës në çastet e fundit të jetës supozohet të ketë qenë në veten e parë, siç është edhe ai i Zanës. Nuk është kontestues fakti se narracionet e Nitës dhe Agimit të Çmendur janë nga pikëvështrimi i dëshmitarit në veten e tretë. Si përfundim, mund të themi se mbi këtë strukturë narrative Adam Baker e ndërton narracionin e tij përfundimtar nga pikëvështrimi i personit në veten e tretë. Pra narratori kryesor i romanit “Laokooni” është personazhi episodik Adam Baker.
Shprehja “dy herë e kam lexuar romanin tënd”, siç po shihet, nuk m’u tha në mënyrë konstruktive për të shprehur përshtypjet e tij pas leximit e as për ta hapur rrugën për interpretim e vlerësim eventual të romanit, por për ta mohuar atë me injorancë e arrogancë në të njëjtën kohë. Se sa antikulturore dhe imorale është shfaqja e mediokritetit të kudondodhur nëpër hapësirën tonë publike e dëshmojnë manifestimet e shumta letrare, të cilat lënë shumë për të dëshiruar.