Gazeta Nacional Albania

Kadrush Radogoshi: Romani i Sefedin Fetiut: “Në humbëtirat e kohës”. ROMANI I METAFORIKËS SË NJERIUT-LIBËR

(Në 80 Vjetorin e lindjes së autorit)
Sefedin Fetiu: “Në humbëtirat e kohës” roman,SH.B. Rilindja, Prishtinë, 1980

Parantezë fillestare

Sefedin Fetiun e kam pasur shok të afërt për një kohë të gjatë, prandaj e kam njohur mirë në të gjitha aspektet. Ai në radhë të parë, ishte intelektual apo “enciklopedi që ecën”, siç e pat quajtur Konicën, poeti i shquar freng dhe botëror Gijom Apoliner e pastaj ishte studiues letërsie dhe prozator. Formimi i tij poliedrik fillonte nga njohja e thellë e gjuhës si fond i pasur leksikor, i formulave leksikore e frazeologjisë së pasur të saj së bashku me idiomatikën e tyre dhe vazhdonte me njohjen e strukturës shumë të rregullt gramatikore dhe sintaksore me mundësitë e tyre të mëdha shprehëse. Formimi i tij intelektual vazhdonte me njohuritë e gjera dhe të thella historiko-letrare dhe teoriko-estetike, por nuk përfundonte vetëm me kaq, vazhdonte me njohjen e thellë të historisë botërore e sidomos asaj kombëtare, me njohjen e psikologjisë së personalitetit dhe asaj sociale, me njohjen e antropologjisë sociale, të flozofisë antike dhe moderne e të sociologjisë. Metaforikisht Sefedin Fetiun do ta quaja NJERIU-LIBËR. Për fat të keq, ky njeri-libër, pak pasi doktoroi në letërsi dhe pritej një veprimtari shkencore e letrare së paku tridhjetë apo dyzetvjeçare, u sëmurë rëndë nga insuficienca renale dhe përfundoi në dializë. Megjithatë ai la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe.

Titulli i romanit sintetizim i plotë i përmbajtjes

Objekt interpretimi i kësaj kumtese është Romani “Në humbëtirat e kohës”, i botuar 43 vjet më parë. Duke qenë njohës i mirë i teorive të romanit dhe atyre të shkrimit në tërësi, Sefedin Fetiu, ashtu siç rekomandojnë ekspertët e shkrimit, e redukton idenë kryesore të romanit të tij në tri fjalë: në dy emra të përgjithshëm (humbëtirë në shumës dhe kohë) të prirë nga parafjala “Në” për ta krijuar titullin e romanit. Ky titull e intrigon lexuesin duke ia zgjuar dëshirën për ta lexuar sa më parë romanin sepse e sugjeron një univers ekzistencial të veçantë, i cili duke qenë i tillë s’ka se si të mos jetë një univers paralel me universe tjera ekzisteniale. Arritja në këtë pikë të menduari na shpie te domosdoshmëria për ta kuptuar se universet paralele dhe të shumëfishta ushtrojnë ndikim qoftë në letërsi, qoftë në filozofi për të na bërë të mundur, që ta kuptojmë më mirë universin e ekzistencës njerëzore. Pra këto universe ekzistenciale paralele burimin e kanë në teoritë shkencore të relativitetit dhe mekanikës kuantike, prandaj deshtëm apo nuk deshtëm arrijmë te kozmologjia.
Në këtë kontekst interpretimi është normale të shtrohet pyetja: Cilin univers ekzistencial na e sugjeron tituli i romanit? Emri humbëtirë i preardhur nga folja “humb” nuk figuron në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, të botuar në Prishtinë në vitin 1981, por ekziston forma e përafërt “humbore”, por jo e njëjtë. Fjalën “humbëtirë” me gjasë e ka krijuar autori i romanit dhe nënkupton hapsirën vendore, ku humbet liria e gjithçka e sidomos jeta e njerëzve, fati i të cilëve përmbyset në humnerë. Emri “humbëtirat” përcillet nga fjala përcaktuese “e kohës”, e cila ia shton përmasën e kohës. Duke interpretuar titullin arritëm te kronotopika, (në anglishte “setting”) apo kohëhapësira në cilën është vendosur përmbajtja e romanit dhe ku ndodhin ngjarjet e tij e veprojnë apo pësojnë personazhet, të cilat krijojnë syzheun e romanit (në anglishte “plot”). Humbëtirat në kuptimin vendor identifikohen me kasabën, e cila nuk është ndonjë vend fiktiv, por në bazë të mikrotoponimeve dhe figurave njerëzore të njohura historikisht, më shumë apo më pak, të cilat veprojnë, kuptohet se fjala është për Gjakovën. Autori ka krijuar edhe dy kronotope tjera dhe ato janë Malsia e Gjakovës dhe Burgu i Diar Bekirit në Turqi. Emri i dytë i titullit “e kohës” sugjeron dimensionin kohor apo kohën në të cilën ndodhin ngjarjet, që ndodhin në tri kronotopet e romanit. Në bazë të ngjarjeve dhe pjesëmarrësve në to, të cilët janë figura më të njohura historike si Sylë Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, po edhe Bajrush Daklani (një deminutiv përkdhelie për Bajram Daklanin), Ali Bungu, Mon Dushmoni etj. kuptohet lehtë se është koha e pas rënies së Lidhjes së Prizrenit në vitin 1881e gjykimit në vitit 1885 e tutje dhe terrorit të ushtruar mbi popullsinë vendase nga ushtria osmane. Është fakt i njohur se kronotopika luan rol të rëndësishëm në formimin e personazheve apo karaktereve. Ashtu sikur edhe shkrimtarët tjerë modern Sefedin Fetiu krijon raporte të veçanta në mes të personazheve dhe kronotopikës apo kohëhapsirës. Personazhet e gjendura në kasabën e shndërruar në humbëtirë apo në burgun otoman në Diar Bekir nuk mund të jenë as të hareshme e as të lumtura, prandaj është kronotopika që përcakton fatin tragjik të personazheve të këtij romani.

Tipi i narratorit dhe pikëvështrimi i tij

Narratori në këtë roman është personazhi kryesor Ferid Seferi, një mësues i medresës në Kasaba, i cili ka mbajtur shënime për ngjarjet, që kanë ndodhur në pesë-gjashtë vitet e pas rënies së Lidhjes së Prizrenit në fillim si vëzhgues aktiv e pastaj si pjesëmarrës në to.Fletoren e shënimeve të Ferid Seferit, autori i romanit në tekstin “Shpjegime paraprake” thotë se e ka gjetur rastësisht dhe se përmban një materie interesante të së kaluarës sonë. Më tutje autori i romanit Sefedin Fetiu vazhdon: “Në hyrjen e këtyre shënimeve, është shprehur mjaft mirë e qartë intenca dhe qëllimi i këtij autori të panjohur (sado që në një rast ai tregon si është quajtur, çka ka punuar e me se është marrë).” Leuesit të vëmendshëm i bie në sy fakti se në mes të emrit dhe mbiemrit të autorit të shënimeve dhe shkrimtarit ka ngjashmëri fonetike: emri “Fe-rid” i ka dy tingujt e parë të njëjtë me ata të mbiemrit të shkrimtarit “Fe-tiu”, kurse mbiemri i të parit “Sefe-ri” katër tingujt e parë të tij i ka të njëjtë me katër tingujt e parë të emrit të shkrimtarit “Sefe-din”. Kjo ngjashmëri nuk është as e rastit e as e panjohur në praktikën letrare.
Në pjesën e dytë të tekstit “Shpjegime paraprake” të titulluar “Shënimi im” ndër të tjera autori i romanit thotë “Dhe ja ku m’u dha rasti t’i shfrytëzoj këto shënime të mrekullueshme” dhe autorin fiktiv të të cilave Ferid Seferin e shpallë arketip-ndihmës në modelimin e materies që ka përpara. Në këtë kontekst mund të pohojmë pa kurrfarë dyshimi se narrator në këtë roman është vet autori i romanit dhe krijesa e tij narratori fiktiv apo i imagjinuar Ferid Seferi. Në të dy versionet e tij narratori në këtë roman është intelektual, i cili e njeh mirë periudhën historike për të cilën ka vendosur të shkruajë, ndërsa version i dytë dhe i vërtetë e njeh mirë edhe mjeshtrinë e shkrimit, qoftë si teori, qoftë si praktikë, prandaj duke qenë i tillë është i besueshëm për lexuesit. Përmes narratorit fiktiv dhe shënimeve të tij pothuajse ka zgjedhur ta krijojë tipin e prozës në formë kujtimesh dhe ditari, e cila krijon mundësi të pakufizuara për rrëfimin e dramës së madhe njerëzore në perioda të rënda historike, kur përpjekjet e popullit për ta fituar lirinë qoftë edhe me luftë thyhen.
Kjo zgjidhje e autorit Sefedin Fetiu ma kujton mendimin e Birgit Neumann se “kujtimet dhe proceset e kujtueshmërisë kanë qenë gjithmonë një tematikë e rëndësishme dhe mbizotëruese në letërsi.Shumë tekste portretizojnë se si individët dhe grupet e kujtojnë të kaluarën e tyre dhe se si ata i krijojnë identitetet në bazë të mbledhjes së kujtimeve”(nga punimi “The Literary Representaion of Memory”), apo shënimeve si në rastin tonë (K.R.). Sipas kësaj studiueseje kujtimet shpeshherë dinë të shndërrohen në prezencë mnemonike në të tashmen.
Duke krijuar këtë tip të dublifikuar dhe të besueshëm narratori Sefedin Fetiu ka arritur që me sukses dhe në mënyrë të pavërejtëshme ta shpreh edhe dramën e vet jetësore. Ferid Seferit, mësues i medresës në kasabë i bëjnë presion që ai para nënësve dhe popullit ta nxijë sa më shumë figurën e Ahmet Koronicës e udhëheqësve tjerë të Lidhjes dhe ta shpallë diell, që ndriçon botën figurën e sulltanit. Meqenëse nuk pranon e largojnë nga puna, duke ia ndërprerë burimin e vetëm të të ardhurave për ta mbajtur familjen. Ky fragment i veprës na e kujton fatin pothuajse identik të vet autorit Sefedin Fetiu, të cilin në vitin 1971 e diferencojnë duke e larguar nga puna me arsyetimin se nuk e ka përkrahur të ashtuquajturën letër të Shokut Tito. Ky fakt dhe shumë të tjerë dëshmon se kjo vepër vlon nga elementet autobiografike, por që janë inkuadruar mirë në kornizën simbolike të kohës historike.

Duke përfunduar

mund të konstatojmë se romani “Në humbëtirat e kohës” është një strukturë e gjallë rrëfimtare, prandaj ka energji, e cila është krijuar prej tensionit të lartë që ekziston nga konflikti i individit me pushtetin dhe konflikti i përhershëm i popullit të pushtuar e të shtypur me një pushtues gjakatar e primitiv. Nuk është pa rëndësi fakti, në këtë kontekst përfundimtar, se a e shohim në këtë pushtues vetëm pushtuesin otoman apo edhe atë serb, apo të dytë së bashku.
Krejt në fund, theksojmë se në këtë kumtesë interpretuam disa aspekte të këtij romani me vetëm 115 faqe tekst, por me mundësi të mëdha interpretimi.
Kadrush Radogoshi