Gazeta Nacional Albania

KANDIDATI DEMOKRAT JOE BIDEN FITON ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

 

Presidenti i zgjedhur Joe Biden fiton 20 votat elektorale të shtetit të Pensilvanisë duke siguruar 273 vota elektorale nga 270 që duheshin.

Presidenti i zgjedhur kryeson me mbi 4 milionë vota popullore.

Ai po ashtu kryeson edhe në disa shtete të tjera ku ende nuk është shpallur fituesi: Xhorxhia (16 vota elektorale), Nevada (6 vota elektorale), Arizona (11 vota elektorale).

Ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, duke u shprehur nëpërmjet një deklarate të premten se “zgjedhjet nuk kanë mbaruar”. Ata thanë se presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi.

Në sistemin amerikan të demokracisë indirekte, fituesi i votës popullore në secilin shtet – me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska – merr të gjitha votat elektorale të shtetit në fjalë, të cilat përcaktohen në bazë të nivelit të popullsisë.