Gazeta Nacional Albania

KISMETE HYSENI, Prishtinë: Le te ike ky vit bashke me Covidin qe solli

 

 

Vitit 2020, i dolëm përpara, e pritem me fanfare e me muzikë, por ai nuk na erdhi shumë miqësor. Bashkë me ndërrimin e motmoteve erdhi edhe një virus i panjohur dhe shumë i egër, që shumë shpejtë u shndërrua ne një pandemi të përbotshme, që na gjunjëzoi, mbolli dhembje dhe frikë. Të gjithë u trembem dhe u tmerruam, sa mizorë ishte. Thanë se u nis nga një skaj i botës diku larg, kapërceu fusha e male të larta, dete e qytete, derisa e kaploi tërë globin. Kjo murtajë a ky kovid, sulmoi pa mëshirë miliona njerëz, mori me mijëra të tjerë. Po na thyhej zemra për njerëzit tanë që po shuheshin në vetmi, po vdisnin pa përqafimin e fundit, pa njeri pranë. Po qanim për miqtë që po na lenin pa lamtumirë. Virusi i pamëshirshëm po e kaplonte botën, dhe gati po e nënshtronte krejt njerëzimin nën kurorën e tij. Për një herë gjithçka ndryshoi,edhe puna edhe jeta edhe shoqëria.

Ne kishim kaluar luftëra dhe pushtete,kishim pasur armiq e ushtri dhe u kishim dalë përballë pa u trembur, por kësaj radhe ishim të pafuqishëm për t’u ndeshur me armikun që po na kërcënonte. Edhe Kosova edhe Shqipëria u zunë nën kthetrat e kësaj murtaje të nëmur, dhe po lëngonin nën te. Për pak sa ranë për dhe që të dyja. Edhe bota jonë e vogël u trazua. Hija e vdekjes po na afrohej edhe po na ndiqte kudo. Kurse ne për të shpëtuar prej saj, u fshehëm nga bota dhe nga shoqëria. Kështu të frikësuar ndryshuam ritmin e jetës dhe u strukem secili në strofullin tonë. Në heshtje po i numëronim të vdekurit dhe po e prisnim kur do na vije radha.

Jeta nën ankthin e vdekjes na detyroi t’i kthehemi një mënyre tjetër të jetesës. Një jete që kishim harruar se e kishim pasur, një herë e dikur. Nga vrapi për të arritur sa më shumë e gjithçka, i kishim harruar gjërat e vogla, me rëndësi të madhe. Kështu po i ktheheshim edhe një herë,vetës tonë, familjes tonë, dhe komunikimit njerëzor. Po flisnim  ndërmjet veti, po mësoheshim ta dëgjojmë tjetrin, me zemër të hapur, me pak dashuri, me një fjalë të mirë. Po rinjiheshim me njeri- tjetrin. Krejt kohën e kishim për vete. E kishim për fëmijët tanë që ishin bërë dijetarë të vyer, punëtorë të dalluar, njerëz të mirë. Po përjetonim çaste që gati na kishin ikur fare pa i ndjerë. Po i gëzoheshim rritës së mbesave e nipave,që po përtërinin jetën tonë. Kishim kohë të mjaftueshme të duheshim më shumë. Ky kthim na bëri mirë, sikur ishte shpëtimi ynë, ishte ilaçi që kërkonim, që nuk shëronte, por na ndihmonte ta ruajmë natyrën njerëzore.

Ne këto rrethana kur po e përgjoja botën nga largësia, më kishin ngelur vetëm pak shtigje të hapura, prej nga mund të komunikoja me lexuesin, “NACIONALI”, ishte ndër më të ndriturit. Përmes tij u lidha me lexuesit,u afrova me ta. Ata po me ndiqnin dhe po më vlerësonin. E donin fjalën time  se po i shpalosja para tyre, historitë e njerëzve, historitë e mia, që ngjanin shumë me njëra-tjetrën. Kjo  dashuri më dha forcë dhe më mbajti gjallë.

Gjatë motmotit të Murtajës, u shkruan vepra letrare, shkencore, të mëdha, e aso më pak të mëdha, të cilat nuk do të harrohen kurrë , së paku për kohën që shënuan.