Gazeta Nacional Albania

KOSTA NAKE:50-VJETORI I MATURËS ’72 TË GJIMNAZIT “FUAT BABANI” NË BILISHT

TRE TAKIME DHE NJË LIBËR

Të shtunën, më 20 gusht 2022 u festua 50-vjetori i maturës ’72 të gjimnazit “Fuat Babani” në Bilisht. Ky organizim i veçantë u realizua pas botimit të librit “Ne, gjimnazistët” (ose një polifoto e munguar) i cili u shpërnda gjatë muajit maj të këtij viti.
Statistikë:
Në vitin shkollor 1968 – 1969 u regjistruan rreth 100 nxënës në klasën IX dhe vetëm 10 prej tyre nuk arritën ta përfundojnë shkollën e mesme në sistemin me shkëputje nga puna, 9 u larguan në shkolla të tjera pas vitit të parë ose në vitet e ndërmjetme. Prej vitit të dytë deri në maturë ishin dy klasa paralele. Vazhduan shkollat e larta 52 prej tyre, përkatësisht 23 mësues, 15 oficerë, 9 specialistë të ekonomisë, 3 mjekë dhe 2 inxhinierë. Majat e karrierës i arritën një profesor doktor dhe tre oficerë madhorë, një ekonomist, një inxhinier. Tashmë 12 prej tyre janë ndarë nga jeta.
Kronikë:
Kjo është hera e tretë që mblidhen për të festuar, dy herët e tjera në vitet 2002 dhe 2007.
Takimi është planifikuar për orën 11, por disa mbërrjnë më shpejt, në varësi të linjave. Vijnë tri telefonata të njëpasnjëshme: nga Pogradeci kanë mbërritur Xhemil Aliçkolli me bashkëshorten Donika, Violeta Simaku dhe Aishe Hima të cilët janë ulur dhe po pijnë kafe te një nga baret në lulishte. Kristofor Samaraj vjen nga Ziçishti dhe ndodhet në shëtitoren e Bilishtit. Shaqir Keco me bashkëshorten ka ardhur nga Tirana dhe pret te oborri i përparmë i shkollës 9-vjeçare “Dritëro Agolli”, (ish-gjimnazi).
Surpriza e radhës është Pranvera Çole që vjen për herë të parë; vjen dhe Bujar Jazxhiu me bashkëshorten; bashkohen dy grupe dhe i drejtohen hijes së bredhave. Blerina Gjyli, bija e madhe e të ndjerit Kujtim Çeliku pret bashkë me vajzën e saj që mban në duar një tufë me lule. Para hyrjes së shkollës bashkë me Shaqirin dhe bashkëshorten kishin mbërritur edhe Shyqyri Meka, Koço Taluri, Shpëtim Shkëmbi me bashkëshorten, Dodona Qirjazi me bashkëshortin Elvira Hoxha dhe Sabaudin Voci. Mbërrijnë edhe Kristofori, Gavril Popllo, Pandi Miholli, pastaj Lirim Ago me bashkëshorten, Gëzim Begolli pak hapa më prapa; ndërkohë telefonon Vangjel Plloça se po i afrohet Bilishtit me bashkëshorten. Përqafime të përmallshme duke shpërfillur koronavirusin që struket rreth nesh. Pasi përfundon rinjohja, bëjnë një fotografi te shkallët e hyrjes, kalojnë në mjediset e shkollës së rikonstruktuar që ia ka ndryshuar krejtësisht pamjen gjimnazit të dikurshëm, diskutojnë më gjatë për sallat ku dikur kaluan nga një klasë te tjetra.
Koço Taluri ndahet nga grupi për arsye familjare, të tjerët përshkojnë pedonalen e qytetit dhe i drejtohen ndërtesës së re të gjimnazit “Fuat Babani”. Te kinemaja e vjetër bashkohet me ta edhe Serveri Braho. Kur janë gati për fotografinë e dytë kolektivwe, vjen Sokrat Paluka me të shoqen dhe Sofika Mushon. Futen dhe vizitojnë muzeun ku i përshëndet drejtori i shkollës Dr. Eduard Begolli. Dalin prej dhomës-muze dhe futen në një nga sallat mësimore të katit të parë. Blerina që i ka shoqëruar deri këtu dhe ka realizuar fotografitë kolektive, bën një përshëndetje që i emocionon të gjithë. I duhet të largohet, sepse pikërisht më 20 gusht 2007 u nda para kohe nga jeta babai i saj dhe, ndërsa ata janë mbledhur të festojnë, ajo do të bëjë përkujtimoren e radhës me njerëzit e familjes së madhe. Pas këtij çasti largohet edhe Pandi, kurse të tjerët nisen në grupe drejt “Zgarës devollite” ”, një mjedis i vogël e i këndshëm në lulishten e qytetit, ku do të hanë drekë. Në lokal është vendosur një videokamerë dhe fotot e rinisë shfaqen në ekranin e vendosur në mur, u bëhet homazh atyre që janë ndarë nga jeta, i pari Ajet Talka që në vitin 1982, i fundit Selami Bushi në pranverën e sivjetshme. Lexohen përshëndetjet e Mazllëm Frashërit, Vera Gjonçajt e Astrit Pëllumbit, bëhet edhe një lidhje direkte me Selajdin Agon që ndodhet në Francë. Në ekran pranëvihen fotoja e maturës me portretin e gjallë të moshës së bardhë.
Torta me mbishkrimin përkatës shoqërohet me një këngë për maturën dhe ndarja afrohet pa e kuptuar, koha ka fluturuar, kanë mbetur vetëm shkrepjet e fotove të fundit.
Shumë nga pjesëmarrësist flasin me entuziazëm për një takim tjetër të 55-vjetorit, më guxmitarët edhe të 60-vjetorit. Po më parë duhet të ndalojnë pak për të rregulluar ritmin e frymëmarrjes të ndryshuar nga vallet dhe kërcimet.

Në foto:
Ballina dhe kapaku i fundit i librit “Ne, gjimnazistët”,
Ish-maturantët para hyrjes së shkollës 9-vjeçare “Dritëro Agolli dhe para gjimnazit “Fuat Babani”.